Në kujtim të dëshmorit Behar Begolli

0
445
Behar Begolli - dëshmor

Zymer Mehani

Kosova kullonte gjak, por liria po buzëqeshte dhe përpara buzëqeshjes së saj, ajo po e harronte plagën e vet. Behari, edhe pse shumë i ri në moshë, shpesh mendonte dhe u thoshte shokëve se gjer në ditën kur do të ndodh ribashkimi i kombit dhe pajtimi i madh njerëzor, lufta do të jetë e domosdoshme. Okupatori serb po dhunonte kufirin moral, ashtu sikurse me pushtimin e tij e dhunoi gjeografinë tonë kombëtare të Kosovës dardane, prandaj të luftosh këtë okupator dhe makinerinë e tij vrastare do të thotë ta rimarrësh atë që të është grabitur pabesisht, ta rifitosh truallin tënd amtar, i cili të takon vetëm ty, si pasardhës i Dardanisë ilirike.

Erdhi çasti kur protestat paqësore, por as filozofia pacifiste s’po pinin më ujë, e në vend të tyre erdhi domosdoshmëria e të vepruarit, ngase tani më veç kemi hyrë në Epokën Ademjashariane dhe se vetëm forca e gjallë, palca e kombit tonë- UÇK-ja do ta kryejë dhe realizojë me çdo kusht atë që e ka përvijuar ideja. Duhet t’ua ndriçosh sytë njerëzve dhe popujve me dritën e së vërtetës, t’ua hedhësh atë dritë me grushta çlirimtarë, që ata vetë ta ndiejnë dritësimin me fuqi rrufeje, që do të sjellë shpëtimin. Këtë dritë vezulluese që e patën ndezur në mugëtirë të shekujve stërgjyshërit tanë, e që më pas e mbajtën të ndezur gjyshërit dhe baballarët tanë, sot po e shpërndajnë armët tona çlirimtare, dhe vetëm me anë të tyre do ta sjellim lirinë në këto troje, e cila është vetë shpëtimi ynë.

Behar Begolli

Duhet që luftëtarët e mëdhenj, ashtu si Zahir Pajaziti e Adem Jashari, të çohen dhe ta ndriçojnë kombin me anë të guximit dhe ta çjerrin këtë napë të zymtë robërie, që e ka mbuluar qiellin e atdheut tonë me terr, duke e shndërruar të tërin në skëterrë.

E drejta na takon neve, sepse karakteristikë e saj është se ajo s’njeh hatër, ngase as ustallëk nuk don. Çdo marrje nëpërkëmbë e popullit duhet të shtypet, e kështu duhet të veprojmë edhe në situatën tonë, kur tërë një popull po nëpërkëmbet, përndiqet e dëbohet, duke u vrarë e masakruar nga plumbat dhe thikat vrastare të hordhive çetnike, ngase ata po duan ta përvetësojnë Kosovën tonë dardane, prandaj, meqë kjo është e jona dhe flet vetëm shqip, atyre s’u takon, e për këtë arsye, ne ushtarët çlirimtarë do të luftojmë pareshtur për të drejtën tonë, madje edhe deri në flijimin tonë, në mënyrë që të mos ndodh ky përvetësim i padrejtë i truallit dardan, sepse Kosova ishte, është dhe gjithmonë do të jetë shqiptare. Shkurt, ne po luftojmë për liri, për dinjitet e sovranitet të Kosovës, me arsye e drejtësi dhe patjetër se do t’i asgjësojmë projektet shfarosëse të serbosllavëve që i projektuan ndaj shqiptarëve.

A ka gjë më të drejtë dhe, si rrjedhim, a ka luftë më të madhe se kjo?! Luftërat e këtilla e nderojnë paqen. Ne me pushkët tona çlirimtare do ta shembim gjer në themele fortesën e gënjeshtërt të okupatorit ndaj Kosovës, dhe nëse është e nevojshme Kosova do të bëhet varr për okupatorin serb. Do t’i shembim mitet, paragjykimet, elaboratet, bestytnitë gënjeshtare e falsifikimet serbe ndaj Kosovës dardane. Kjo kështjellë serbe do të shembet nga zjarri i armëve tona çlirimtare, ngase themelet i ka në gënjeshtra.
S’ka njeri që të mos e ketë vërejtur në vetvete se shpirti ynë çuditërisht është i aftë që të arsyetojë pothuajse fare ftohtë edhe në çastet më kulminante. Kjo ishte edhe gjendja shpirtrore e luftëtarit të lirisë Behar Begolli.

Behari gjer në çastet e fundit kur ra për liri s’u mposht asnjëherë nga sprovat e rënda, nëpër të cilat kishte kaluar. Ai u kishte dalur përpara të gjitha andrallave e vështirësive. Kurrë s’ishte sprapsur as nënshtruar para asgjëje, por i kishte vu gjoksin e çeliktë të gjitha rreziqeve, kur e lishte kërkuar puna; kishte sakrifikuar gjithçka, kishte vënë në rrezik kokën dhe kishte qenë stoik, gjer në atë shkallë, saqë shpeshherë mund të thuash se e harronte edhe vetveten, ashtu siç e harrojnë vetëm heronjtë e vërtetë, dëshmorët e martirët, ngase ai shëmbëllente në njëfarë uragani, që sot a nesër do të shpërthente me lavë atdhesie. Ndërgjegjja e tij e kalitur në stuhi dhe furtuna të papara kundër korbave karpatianë, mund të dukej përfundimisht si e pamposhtur.

Lavdi dëshmorit Behar Begolli!