Në Kopenhagë të Danimarkës u përurua libri ”MISTERET E KOHËS”, roman i autores Elhame Gjyrevci

0
582
Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Suedi në Kopenhagë - jan 2020

Në Kopenhagë të Danimarkës, u përurua vepra e titulluar ”MISTERET E KOHËS”, roman, i autorës Elhame Gjyrevci, botues Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani, Suedi (SHSHASHS). Përveç delegacionit të SHSHASHS, si Hysen Ibrahimi, kryetar, Mona Juniku e Elhame Gjyrevci, nënkryetarë, Rrahman Rrahmani, Naim Latifi, Ali Gjyrevci e Adnan Jetullahu, anëtarë të kryesisë, këtë event kulturor e madhështuan edhe prania e z. Arton Krasniqi, Konsul në Bretërinë e Danimarkës në Kopenhagë, pastaj, Din Guri, kryetar i Shoqatës Kulturore “Iliria” regjioni Shtutgard në Gjermani, z. Rrahman Rrahmani, kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare ”Nëna Terezë” në Ängelholm të Suedisë dhe veprimtarë tjerë nga Danimarka.

Hysen Ibrahimi, redaktor i librit, në fjalën e tij, ngriti lartë romanin e titulluar “MISTERET E KOHËS”, të autores Elhame Gjyrevci, i cili tha, se lexuesi do të vërenë vetëdijen e qenies njerëzore në rrugë të gabuar, por edhe të atyre që ndihen përgjegjës për identifikimin e këtyre ngjarjeve për t’i eliminuar, mundësisht, në tërësi, edhe me sakrificën e tyre të skajshme. Autorja Elhame Gjyrevci, përmes këtij romani tejet kuptimplotë, i jep rëndësi me të drejtë kohëve, shfaqjes konkrete e humanizmit njerëzor dhe me sukses të plotë i afrohet botëkuptimit të vetëdijes kombëtare njerëzore.

Autorja për mrekulli arrin që, këtij romani, me personazhet e përzgjedhur e tejet të qëlluar, t’i japë aureolë të ekzistencës reale midis fenomeneve të përgjithshme dhe njeriut. Kështu, autorja e bindur se përmes romanit mund të arrijë shkëlqyeshëm të zbërthejë mistere të kohës, enigmave të botës së dukshme. Rruga e zbërthimit të këtij misteri të kohës autoren Gjyrevci e shpie drejt identifikimit të ngjarjeve me kohën përmes romanit “MISTERET E KOHËS”.

Në roman hasim, në shumicën e ndodhive, kur autorja dominon fiksimin e saj të qartë roleve të Drenit, Zikos, Milotit dhe Erës, pa anashkaluar edhe rolet e tjera përcjellëse, që shumë herë kanë një rol tejet të rëndësishëm, sikurse humanizmi i madh i familjes së Malit. Këtu autorja fiksohet në roman, ku pjesën më të madhe të roleve (përjashtuar njerëzit e prostitucionit, krimit dhe drogës), me veprimet e tyre krijon personazhe të njeriut tonë nëpër histori.

Raportet në fillim shoqërore dhe më vonë vëllazërore të Drenit dhe Zikos, në roman sjellin si dëshmi për raporte të ngushta kur arrin t’i krijoj shqiptari, “kur do dhe kur di”.

Rruga e mistershme e personazheve, shpesh nga frika, fut në kokën e tyre disonanca të tingujve jashtëtokësorë, paradokse të padëshiruara.
Romani “MISTERET E KOHËS” i autores Elhame Gjyrevci, jo vetëm që zbulon ngjarje të dhimbshme, ato të kohës nëpër të cilën po kalojmë, por kryekreje autorja qëndron besnike për t’i zbuluar këto tema tabu të jetës konkrete, veçanërisht duke u ballafaquar për çdo ditë me to, kudo nëpër trojet shqiptare, tema këto kur personazhet e këtij romani: Dreni, Zikoja, Miloti, Mali, Tomori, Xha Rizai, Nënë Biba, i diskutojnë shumë herë dhe të zhgënjyer thellësisht në udhëheqësinë shqiptare, të pazotë dhe të korruptuar deri në fyt.

Madje, këtij romani, mund t’ia japim një sharm tejet të veçantë, duke përzgjedhur figura studentore, siҫ janë personazhet në të vërtetën kohore, që merren me esencën e jetës, duke rënë pre e padrejtësive, por nga emocionet e tyre atdhedashëse dhe humane, fuqishëm iu kundërvihen këtyre mistereve të kohës.

Sidoqoftë, vizioni i autores përmes këtij romani ka për qëllim ta përshkruajë të kaluarën dhe të tanishmen në këto kohëra e që i hasim mjaft mes veprave kriminale. Ndaj, me të drejtë znj. Gjyrevci, si vizion për të mos ndodhur këto krime në të ardhmen, si probleme kyҫe që e shoqërojnë popullin tonë, duke sjellë kultura aziatike që aspak nuk kanë të bëjnë me traditën dhe kulturën shqiptare, sjell mesazhin se nga duhet shkuar dhe ku janë vlerat tona kombëtare, duke arritur të punësohen shqiptarët edhe në NASA.

Krejtë në fund, mund të themi se autorja ka arritur, përmes këtij romani tejet artistik, t’i shkrijë mallkimet e fjetura, që nxjerr njeriun e jetës së krimit dhe e veçanta në anën tjetër për mrekulli nxjerr njerëzit atdhedashës të të gjitha trevave shqiptare, të arsimuar dhe të ngritur në shkallë të lartë intelektuale dhe njerëzore, që ia duan të mirën kombit të tyre SHQIPTAR.

Mone Juniku, recensente e librit, vlerësoj lartë librin, duke thënë se autorja Elhame Gjyrevci vjen para lexuesve me romanin e gjashtë të radhës, të titulluar ”MISTERET E KOHËS”, një roman ky tejet kuptimplotë, ku pasqyrohet jeta e një djaloshi shqiptar nga Kosova.

Duke filluar së lexuari këtë roman, autorja menjëherë të rrëmben, të bën për vete në rrugëtimin e saj indirekt, në botën e djaloshit nga Kosova, Drenit.

Ajo vë në dukje mirësinë, besnikërinë, atdhedashurinë, kujdesin, edukatën e lartë familjare, përkushtimin e këtij djaloshi me virtyte të larta njerëzore, i cili bën përpjekje të bëjë edhe të pamundurën, vetëm e vetëm ta mbajë fjalën e dhënë, madje edhe duke në rrezik jetën e vet dhe të shokëve të tij.

Gjatë leximit të romanit, lexuesi do të përplaset me furtunat që sjell jeta e kohërave të përҫudnuara të njerëzimit, ku autorja përshkruan me dhembje ndodhitë dhe problemet që e shoqërojnë si hije e zezë popullin tonë. Tragjeditë e humbjeve njerëzore, të humbjes së dinjitetit njerëzor, të vlerësimit të njeriut për njeriun janë dukuri që i thekson vazhdimisht autorja, por nuk lë anash edhe mallin e dashurinë si një simbol shprese për të jetuar, të shprehur nga zemra dhe ndjesia e dashurisë, dhembjes dhe lotit.

Dreni – djaloshi i ri nga Kosova – përballë përpjekjeve për studime të larta, pastaj mallit për familjen dhe padrejtësitë që ushtrohen nga politika e një qeverie të korruptuar dhe ndikimet negative të vazhdueshme të ”aktorëve fetarë” e preokupojnë shpeshherë mendjen e tij. Përjetimet gjatë luftës së fundit në Kosovë kundër okupatorit serb, që lanë gjurmë të thella, ëndrra shumëvjeçare për të jetuar i lirë në shtetin amë, dëshpërimet që solli kjo liri e cunguar, e mërzisin dhe e nevrikosin atë pa masë. Kështu që, ai e kishte të pamundur të pajtohej me situata të tilla, që po i servoheshin – dashur pa dashur – popullit shqiptar.

Sa herë që takohej me shokët e ngushtë, Zikon e Milotin, gjaku i vlonte në damarë. Nuk durohej pa debatuar gjatë për të tilla ngjarje, të rënda dhe të padrejta. Dreni, Zikoja e Miloti janë djem të mrekullueshëm, për çdo lëvdatë, mendjemprehtë, atdhedashës dhe besnikë. Besnikërinë e tyre e dëshmuan shumë herë në përpjekje për të shpëtuar motrat prej gjaku: Yllkën, Erën e Valën, nga bandat kriminale.

Kur bëhet fjalë për nderin, kombin dhe atdheun, shqiptarët dinë ta bëjnë më të mirën e mundshme. Janë kurdoherë dhe në çdo vend në gjendje gatishmërie të veprojnë pa kursyer asgjë dhe pa menduar për konsekuencat që mund t’i pësojnë. Janë mu këto karekteristika dhe veҫori që e bëjnë të dalluar popullin shqiptar nga popujt e tjerë.

Nëpërmjet këtij romani, autorja ka arritur të përshkruajë bukur ngjarjet, pa i lënë anash edhe detajet, qofshin edhe ato më të voglat. Autorja vë në dukje zakonet, mikpritjen, humanizmin, kujdesin e nënës Bibë dhe qëndrimin burrëror të xha Rizës, bashkëshortë këta shqiptarë nga Ulqini.
Romani ”MISTERET E KOHËS” i autores Elhame Gjyrevci ka për të ndikuar patjetër si inspirim tek lexuesit dhe gjeneratat e reja.

Konsuli i Republikës së Kosovës në Kopenhagë, z. Arton Krasniqi, pasi përshëndeti të pranishmit, falënderoj znj. Gjyrevci për ftesën, dhe në të njejtin rast e përuroj autorën për librin ”MISTERET E KOHËS”, roman dhe 60 vjerorin e lindjes. Ai, vazhdoj, duke thënë se kam pasur fatin ti lexoj disa nga romanet tuaja, që kanë një domethënie shumë të madhe. Për mua është nderë dhe krenari që po takohemi dhe po njoftohemi përmes këtij eventi kulturor dhe po më duket vetja se jemi në Kosovë.

Për punën dhe veprimtarinë e Znj. Elhame Gjyrveci, SHSHASHS, ndau ”MIRËNJOHJE”, publike me këtë motivacion:
Për kontributin e dhënë shumëvjeçar në shërbim të gjuhës shqipe, traditës, kulturës kombëtare dhe në fushën e krijimtarisë, autore e veprave letrare, të cilat i botoi gjatë viteve, si: Pjesëmarrëse në antologji me poezi ”Kolorit poetik”, 2012; ”Fjala e mirë”, poezi, 2013; ”Kokomilo”, roma, 2014; ”Pafajësia”, poezi, (i përkthyer edhe në gjuhën rumune), 2016; ”Luisi”, roman, 2016; ”Emri atdhe”, poezi, 2016; ”Dështimi në jetë”, roman, 2017; ”PRINCESHA MERI”, roman, 2018; ”MISTERET E KOHËS”, roman, 2020; si dhe për bashkëpunimin të fuqishëm në veprimtarinë e Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI Albani” në Suedi.

Autorja, Elhame Gjyrevci, falënderoj të gjithë të pranishmit për pjesëmarrje në përurimin e librit dhe 60 vjetorin e lindjes, duke ju uruar shëndet dhe gëzime në familjet e juaja. Më keni bërë shumë krenar në ditën e sotme. Këtë ditë nuk do ta harrojë për jetë deri sa të jem gjallë. Faleminderit Shoqatës (SHSHASHS), e cila më bëri të lumtur për këtë mirënjohje, me qenëse unë jam nënkryetare e kryesisë, më bënë edhe më krenar për punën time gjatë këtyre viteve. Dhurata prej kristali vetëm Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, nga duartë e tija dhuronte, tha në fjalën e saj znj. Gjyrevci.

Për ta nderuar këtij eventi kulturor, muar pjesë edhe Arton Krasniqi Konsul i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Danimarkës në Kopenhagë, i cili pasi i përshëndeti të gjithë të pranishmit, autoren Elhame Gjyrevci, e falënderoj për ftesën, e uroj për librin dhe 60 vjetorin e lindjes. Sonte në praninë e Shoqatës (SHSHASHS) dhe juve që keni ardhur nga shumë vende të Evropës, po ndjehem i nderuar sikurse të jam në Kosovë. Është nderë dhe krenari të marrë pjesë në të tilla evente kulturore, sepse kam pasur fatin që ti lexoj disa nga romanet e Znj. Elhame Gjyrevci, të cilët kanë një domethënie shumë të madhe.

Për nderë të pranishmëve, u shtrua drekë solemne shoqëruar me program muzikor, nga familja e shkrimtares Elhame e Ali Gjyrevci.

Dërgoi për publikim, Hysen Ibrahimi, kryetar i shoqatës së shkrimtarëve shqiptarë në Suedi