NË KLINË, U PROMOVUA LIBRI “GOJANËT E DUGAJEVËS NËPËR RRJEDHAT E KOHËS”

0
717

Shkruan: Lekë Mrijaj

Dje, me 3 gusht 2018, në sallën e Kuvendit Komunal në Klinë, para shumë të pranishmëve: prof. dr. Zenun Elezaj, Kryetar i Komunës së Klinës, z. Ramë Manaj, ish-Kryeministër i Kosovës, prof. Bekim Sejdiu, ish-Ambasador e Gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, don Lenc Sopi, dekan i dekanatit të Pejës e famullitar në Klinë, Don Fran Sopi, Famullitar në Pejë, veprimtarët z. Tomë Mrijaj, z. Marjan Cubi, z. Mëhill Velaj, z. Lekë e z. Anton Gojani nga Nju Jorku si dhe miq, dashamirë e krijues të artit dhe të kultures shqiptare, u bë përurimi i monografisë familjare “GOJANËT E DUGAJEVËS NËPËR RRJEDHAT E KOHËS”, i bashkautorëve Nikollë e Mikel Gojani, e cila hedh dritë mbi gjenezën, të kaluarën dhe figurat e familjarëve të familjes Gojani.

Që në fillim ky event i këtij libri nisi me një interpretim muzikor të titulluar “O Shqipëria ime”, intepretim që është bërë nga ana e kitaristit të muzikës klasike, Anton Qivlakut, dhe vazhdoi nën moderimin e Elvanda Gojani.

Në fillim të faqes së parë libri hapet nga bashkakutorët me një mesazh të cilët e thonë: “Këtë liber ua kushtojmë stërgjyshërve, gjyshëve, dhe nënave tona që kanë jetuar qysh nga kohërat e hershme deri në ditët e vona., të cilët me dinjitet të jashtëzakonshëm dhe sakrifica të mëdha punuan në ngritjen e familjeve tona dhe të shoqërisë sonë”.

Ishte ish-zëvëndës kryeminsitri i Kosovës, dhe ish-kryetari i komunës së Klinës, z. Ramë Manaj, i cili foli për historinë shumëshekullore të ekzistencës dhe zhvillimit të shoqërisë shqiptare, për të gjitha periudhat dhe fazat e zhvillimit në multidimensionalitetin social të saj, që do të thotë se vertetë familja ishte dhe vazhdon të jetë faktor shumë i rëndësishëm zhvillimor. Z. Manaj, permendi në pika të shkurtëra edhe tiparet dalluese të familjes Gojani, që e spikasin atë me vlerat e veçanta në gjithë periudhat e ekzistencës së saj janë dhe vazhdojnë të jenë: bujaria, nderi, burrëria, trimëria e patriotizmi.

Por kjo familje siq tha ai, gjithmonë ka kultivuar edhe vlerat e familjes punëtore e solidare, e cila ka respektuar me fanatizëm raportet e fqinjësisë së mirë, raportet e miqësisë me miqtë dhe qëndresës së palëkundur kundër armiqve. Në vazhdim të fjalës së tij z. Manaj, potencoi duke thënë se: janë të shumtë bij të kësaj familje që i dhanë shumë arsimimit dhe prosperitetit të përgjithshëm e sidomos përfshirjes së të rinjve e të rejave shqiptare në të gjitha nivelet e shkollimit siq janë: Frrok Gojani, profesori i nderuar që ngriti shumë gjenerata me punën e tij të dalluar edukativo-arsimore, që trumbetoj e përhapi dritën e diturisë, mbetet ndër eksponentët e mëdhenjtë të kësaj familje, mbetet ndër protagonistët, që për kontributin e dhënë, jo vetëm që nderohen sot, por do të kujtohen me respekt dhe nderohen edhe në të ardhmen.

Ishte arsimtar i nderuar, profesor i nderuar dhe drejtor me autoritet në Gjimnazin “Luigj Gurakuqi” të Klinës. Figura e tij gjithmonë reflektonte pozitivitet njerëzor e intelektual dhe ndikim pozitiv në kultivimin e vlerave të mëdha identitare kombëtare, arsimore e kulturore që do të thotë se familja Gojani, të tërë rrugëtimin e saj i ka simbolizuar këto vlera, i ka trashëguar e ruajtur ndër shekuj, me dinjitet njerëzor e kombëtar, një familje e nderuar dhe e respektuar. E tillë vije në të sotmen dhe jam i sigurt, e tillë shkon edhe në ardhmëri, than në fund të fjalës së tij z. Manaj.

Shkrimtari i mirënjohur shqiptar prof. Prend Buzhala, njëkohësisht redaktori teknik i librit, tha se “Të gjithë njerëzit në botë i kanë paraardhësit e tyre. Edhe ne i kemi të parët tanë, që do të thotë se aty janë nderi, trashëgimia dhe rrënjët tona. Aty janë e vërteta jonë, gjurmët e së kaluarës sonë, historiku ynë i lashtë, mitet e legjendat tona për heroizmin e tyre. Në vazhdim prof. Buzhala, e permendi edhe Porse Alexis de Tocqueville, historian, politikolog dhe diplomat francez i shekullit XIX, i cili siq tha ai, na e tërheq vëmendjen: “Jo vetëm që demokracia e bën çdo njeri të harrojë paraardhësit e tij, por gjithashtu e errëson vizionin që kanë për pasardhësit e tyre dhe i izolon ata nga bashkëkohësit e tyre.

Çdo njeri përnjëherësh refuzohet nga vetvetja, dhe ekziston rreziku që ai të jetë i burgosur e i mbyllur në vetminë e zemrës së tij. Po qe se këso mendësish, zhvillimesh e rrjedhash shoqërore, politike e, madje, edhe kombëtare, zihen në kurthet e shprishjes së individit e të identitetit të tij; atëherë autorët Mikel Gojani e Nikollë Gojani i përgjigjen kësaj sfide me një libër të tërë me titullin “Gojanët e Dugajevës nëpër rrjedhat e kohës. Duke qenë vetvetja, i tillë pranohesh edhe në rrethin e kombeve moderne. Do theksuar se autorët e trajtojnë dhe e përdorin burimin e shumanshëm dokumentar, me akribi shkencore. Dhe kjo metodologji e tillë e përqasjes se burimeve, ia shton vlerat kësaj monografie” tha në fund të fjalës së tij prof. Prend Buzhala.

Ndërkaq, njëri nga recensentët e kësaj vepre, prof. Bekim Sejdiu, ka thënë se vertetë u ndjeva thellësisht i nderuar një fundjavë marsi, të vitit 2018, kur babi im më tregoi se Nikollë dhe Mikel Gojani ishin duke punuar në nxjerren e një libri për familjen e madhe Gojani të Dugajevës dhe unë isha përmendur të isha pjesë e këtij libri. Ndaj siq tha z. Sejdiu i kisha tri arsye të forta për ta pritur me shumë gëzim këtë ide. Së pari, respektin për familjen Gojani të Dugajevës e kam të trashëguar nga të parët e familjes time. Ky respekt është ushqyer jo vëtëm nga marrëdhëniet shumë të mira fqinjësore dhe miqësia që është kultivuar ndër shekuj në mes të dy familjeve tona, por edhe nga vlerat dhe virtytet njerëzore dhe kombëtare që kanë shquar gjithmonë familjen Gojani.

Së dyti, si idhtar fanatik i idesë se rruga drejtë përparimit të gjithmbarshëm shoqëror kalon përmes bankave të shkollës, konsideroj se pinjollë të familjes Gojani kanë lënë gjurmë të pashlyera në hisorinë e arsimit të Komunës së Klinës dhe më gjerë. Së treti, përmes historisë së dokumentuar të familjes Gojani na shpërfaqën fortunat historike pëmes të cilave kemi kaluar, të gjithë ne dhe familjet tona, si pjestarë të një kombi të trajtuar egërsisht nga dallgët e historisë.

Pikërisht historia e familjes Gojani, e rrëfyer per mrekulli në këtë libër, dëshmon katërcipërisht se ishin familje të tilla shqiptare, si kjo familje fisnike, që i qëndruan si kështjella të papërkulura shtërngatave që shoqëruan udhëpërshkrimin historik të Kosovës. Dashuria ndaj kombit dhe atdheut, bujaria dhe respekti ndaj fqinjëve, përkushtimi ndaj punës dhe përparimit e bëjnë familjen Gojani të jetë e respektuar dhe e nderuar, nga bashkëvendësit dhe më gjerë. Andaj unë në kam patur fatin që, gjatë shërbimit tim si diplomat i Republikës së Kosovës në Nju Jork, të njihem për së afërmi me pjestarë të familjes Gojani që jetojnë në SHBA, sidomos me Anton Gojanin. Ka qenë kënaqësi të shoh sesi pinjollë të familjes Gojani, në SHBA dhe gjetkë, kanë ruajtur vlerat njerëzore dhe kombëtare, të trashëguara ndër breza në këtë familje të nderuar”, ka thënë prof. Bekim Sejdiu.

Ndersa prof. Pal Canaj, tha se familja shqiptare ka jetuar me kujtesën e breznive nga rrëfimet dhe tregimet të përcjellura brez pas brezi, ndërsa në kohen e sotme, në të cilën jetojmë një fakt I tillë veç ka filluar të zbehet dhe gradualisht ta humb funksionalitetin që kishte në te kaluarën. Prandaj, përkushtimi dhe gjurmimi për ta vjelë begatinë e historikut familjar nga kujtesa e gjeneratave që aktualisht të kaluarën ende e ruajnë të gjalle në mbamendjen e tyre, që do të thotë se është mënyra më e mirë e dokumentimit përmes formës së shkruar, gjë që këtë fakt e kapen dhe arritën që ta realizojnë autoret e këtij libri studimor të cilët e sjellin të kaluarën e hershme tek e tanishmja dhe sikur komunikojnë në mënyrën më domethënëse me brezat e tashëm dhe me te tjerët që do te vijnë në vazhdimësi.

Andaj puna hulumtuese, duke grumbulluar të dhëna nga shume burime, përmes kujtimesh, faktesh dhe dëshmive, dhe të gjitha këto duke ua përcjell gjeneratave si një testament për rrënjët, trungun dhe degët e familjes Gojani, padyshim së prezantojnë begati vlerash jo vetëm në aspektin e historikut familjar por edhe më gjerë, në rrafshin e traditës kombëtare, që do të thotë se kjo formë bashkëkohore prezantuese e dokumentimit dhe komunikimit, përmes te dhënave të këtij libri në mënyrë me efikase plotëson dhe zëvendëson në mënyrën e vetë më të mirë edhe rrëfimtarët më të zotët të odave në kullat e Gojanëve, që në mënyrën e tyre tradicionale, netëve të gjata të dimrit rrëfenin dhe shpalosnin traditat e breznive nga e kaluara, tha në fund të fjalës së tij prof. Pal Canaj.

Ndërkaq, Gegë Prendi, nga Tirana, me origjinë nga Iballja e Pukës, nga zyrtar i lartë i Arkivit Shtetëror të Tiranës, njëherësh pjesëtar i familjes Gojani, në fjalën e tij theksoi se jam tepër i lumtur që sot para jush po me oforohet mndësia të shpreh emocionet e mia, mbase te natyrshme, për të shprehur gjithë atë mall të akumuluar me dekada. “Jemi tepërf të lumtur që ky realitet i ri na solli diçka që deri dje na ka munguar. Dje, ne vëllezërve të gjakut na ishte mohuar komunikimi dhe bashkëpunimi i ndërsjell, mirëpo spirtërisht gjithherë gjendeshshim pranë njëri tjetrit. Ne me Gojanët e Dugajevës jemi vëllazëri të një gjaku dhe këtë gjak dhe këtë vëllazëri do ta ruajmë për jetë e mote”, u shpreh ndër të tjera zoti Prendi.

Me nga një fjalë rasti u paraqitën edhe prof. dr. Zenun Elezaj, Kryetar, z. Marjan Cubi, e z. Mëhill Velaj, veprimtar nga SHBA, të cilët i pergezuan bashkautorët Nikollë e Mikel Gojani.
Ndërsa në fund të këtij eventi ishte bashkautori i librit, Nikollë Gojani, i cili që në fillim i falenderoi të gjithë të pranishmit të këtij eventi, njëkohësisht në veçanti e falenderoi, vëllain e tij prof. Mikel Gojanin, shkrimtar, si dhe bashkëpuntorët e tij gjithëperfshirës të librit, prof. Prend Buzhala, recensentet, Bekim Sejdiu, Luz Thaqi, familjen Gojani, nga Dugajeve dhe diaspora, Kolë Z. Gojani, Anton Gj. Gojani, pa e perjashtuar edhe familjën Prendi nga Iballja duke e veçuar Fran dhe Gegë Prendin, tha në fund të fjalës së tij, Nikollë Gojani.

Pas perfundimit të promovimit të pranishmëve i’u dhurua nga një liber monografik “GOJANËT E DUGAJEVËS NËPËR RRJEDHAT E KOHËS”, si dhe një drekë solemne në restoranin “FENIX” në Klinë. Libri në fjalë është botuar nga Shtëpia Botuese “HIERONYMUS” Klinë, e cila drejtohët nga prof. Dodë Ndrecaj. Ndërsa është shtypur nga shtypshkronja “DUKAGJINI” në Pejë. Katalogimi në botim është bërë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ” PJETER BOGDANI” në Prishtinë. Me ISBN 978-9951-8964-1-2.