NË KËRKIM TË FJALËS

0
303
Mustafa Spahiu

Nga MUSTAFA V. SPAHIU

NË KËRKIM TË FJALËS

Majëmalesh çapitem mërli për t’zbuluar,
Zymbylin e artë t’fjalës s’matet me safirë,
Bredh e bredh pas fjalës më të dëlirë, që
Lot’i kroit ndofta ma jep sapo i bruflluar.

I qasem suvales rreptë q’i vërsulet gurit,
Damarët i klithin – fjala del e mahnitur…
N’gjak fshehur-prushit gjatë thekritur;
Lindur yjesh rritet me shkëndia t’unurit.

Vjen prej atje ku s’vijnë t’acartat erëra,
Ose nga luginash me freski kopshtie…
Bëhet fener vargjesh në rimash poezie.

Me vjollca e zambakësh ia beh pranvera,
Fjala del petalesh të një trëndafili, me –
Mrekullira cicërimesh nën gjuhë bilbili.

E enjte, 3 shëndré 2020, në
Dardaninë Ilire

ANAMORAVA PO TRESON

Dhe Anamorava me shtratin memec,
Himne përmallimesh i stisa pa ndalë
Finoke mes brigjesh rr’shqet me valë;
Sypërlotur e vështroj si voglaku kec…

Dy brigjet valëzat i rrahin hiç paprerë,
Ëndërroi fat – bebëzaprushkulluar, se
Jeta është një flamurkë e dashuruar;
O mend! Mos më shpieni n’humnerë!

Shoh një kurrillë larg me të vërtetë,
Flatrat hapur hapësirës ç’po shket –
Heshtjet tona çudi! s’i thërret kush!

Shquaj një flutur – peshqit lundrimit,
Mbi rè i them yllit të fundit të agimit;
Ditën tjetër fat-dëshirën ma rimbush!

E enjte, 3 shëndré 2020, në
Dardaninë Ilire

B Ë R SH E N I

(Taxus baccata)

Bërsheni ashtit ka zjarr të padukshëm,
Specie me buzëqeshje të mesditës, që
Malit numron çdo pëllëmbë të rritës, si
Kullëndriçuese paksa gejzer i trukshëm.

Edhe mbi pishat lartësohet në vetmi –
Palcë rrënjësh të futur thellë në mal…
Me rreze hëna blanë rrugën s’e ndal;
As shtrëngata s’ia hudhën me stuhi.

Ilirët të përzgjodhën jarboll bërshen,
Yjet të rrin mbi ty qiriri në shandan.
Pellazgët të selitën rribës në Ballkan,
Shekujsh ngulitur thellë denbabaden,

Me kostum gri lartëson vetëdijen, sa
Kurajoz përballesh me t’thatin përherë,
Qoftë behar, ndoçkë acar t’larit ke erë;
Rrufenat dot nuk ta godasin as hijen, ca

Edhe mbi ahat lartësohesh filli në vetmi,
Zemra jote rrënjësh shkundullon mal…
N’gji trishtilit strofullën mirê ia ke fal, as
Tramundanat nuk përleshën me ty…

Moshën trungut – moshën s’e tregon,
Bjeshkëve iu merr granit dhe qëndresë
Klimat e reja të krijojnë rritë – shpresë;
Mesnatës mozaikun e kohës orienton…

Bërshen pikturë e ruajtur me një xhelozi,
Kërrokamë e korbit të vjen poaq lëmeri!
Jij i amshuar në bukuri dhe madhështi –
Admiron metaforë – vargjesh përjetësi…

E hënë, 30 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

NJË MIKES

Mos ëndrro mëshirim as fare respekt,
Ti e trishtuar s’pranoj falje pasandaj;
Të mirat përmbyse pa asnjë grimë faj,
Ke një parandjenjë – kërkon pretekst!

Mos po gjenë tek unë dashuri sadopak,
Tërmet’i tmershëm kupto e kam kaluar…
Kot, qetësinë e shpirtit jam duke kërkuar,
Ajo që ndizej në rini e mbylli një kapak!

U përballa me t’gjithë ato duf brengime!
Mbaje vëth në vesh – kristal do ta dish…
S’t’u ofrova n’dorë me shpatë-tehdyfish,
Pranverisht ta dhurova këtë zemër time!

Lutesh si për lirinë dhe të flakë harrimin,
Oh, jo!, kaluan gjurmë e vjet varg e varg,
Horizonti është zbê brigjet mbetën larg;
Lulediejtë kthyen kokat me perëndimin.

Mike, me shpifje finoke m’ke mashtruar!
Për lutjet e përgjërimet tani ti rri e vuaj…
Shoqes tënde pendimet n’kartë ia thuaj;
Mbase mua pa karar m’kishte nënçmuar

Unë s’jam keqbërës le të flet shpirti im;
U ndamë n’dy anije – ti mbete pa burrë,
Ndarjen e sime grua se kam pritur kurrë!
Qeshja e buzëve dinake janë përfytyrim.

E hënë, 30 nëntor 2020, në
Dardaninë Ilire

SHTËPIA IME DERI MË 1959

Në fshat vë flatrat-shtërg fluturoj,
Kulmit zbres n’hajatin madh’shtor
Me gëzimesh luaj nëpër oborr, në
Degësh mani si akrobat qëndroj,

Shtëpisë ia kërkoj pamjen e vjetër
Zë be se mes vargjesh nis bisedoj
Edhe djalëria ime linkthi që mbaroi;
Ato imazhe nuk kthehen dot tjetër!

Sythellë e kam ngulur vështrimin,
Për dyer e dritare-modestin dekor,
Unë q’ika prej vendit tim verilindor;
Dridhem në mes fshatit në trishtim.

Im at kishte të zhuritut një dëshirë,
Ta ngrihte një shtëpizë me dy kate
Dhe djersët e tija të na sillnin fate,
Një mëhallë t’thosh sa bina e mirë!

Për shtëpinë e moçme lot’i nxehtë,
Dikush më jep zemër qartë m’thotë:
Poet bëre jetën tënde kuptimplotë-
Kupat mbushi verë dhe zbrazi vetë!

E mërkurë, 2 dhjetor 2020, në
Dardaninë Ilire

SI TA MBROJË MOSHËN

Si hije rèsh po kaloj tokës së shenjtë?
Brumin e çelikut me gjuhë po e gatuaj…
N’vendim tim po ndihem krejt i huaj, më
Kërkon mbrojtje mosha ime e shtrenjtë!

Si t’i mbrojë sytë hynere kanë shikuar…
Kur s’mu ankuan as për turp t’papritur!
Ulur qepallash: “Mjaft, të mërzitur!” me
Ninëzash drejt duke pikas t’pashpjeguar.

Si ta mbrojë moshën duhet për t’u sqaruar,
Membranën e turpit s’duhet t’ma shpojnë!
Humbjet e mëdha bota t’m’i magnetizojnë;
Pasandaj ndjesa s’ia vlenë për ta peshuar!

Errësirës thërras diellin t’m’ndriçon natën,
Si ta mbrojê moshën këmish’e leckosur…
Damarësh e futi gjelbërimin e pasosur, e
Nga Perëndia me zemër e kërkoi uratën!

E martë, 01 dhjetor 2020, në
Dardaninë Ilire

P Ë R S I A T J E . V E T M I E
(Dekadë e trishtë 1956 – 1966)

E hënë, I.

Mençurisë për t’u habitur, ore, pse
kaq herët zgjoheshim, tfillonim tërë
lagjja, fshati dhe fshatrat skamnore –
çdo të hëne me disa shpresa vijë dore,
kanatat e portave i lenim hapekrah, e
para nesh baresnin engjujtë e rrugës,
qerret i tërhiqnin qetë të mbrehur, pas
kuajt samarnjakë të ngarkuar me thas,
ata më të varfërit me trasta, me hejbet
e grisura, me kova, rrokshtajat, katranicat,
kusiat e brakrit me gjalpë qelibar, o zot,
ditimi na impononte lurkat e zhgunit –
rruga vade s’ka, dëgjohej vikama e zërit
t’Azif Ibës deri te mulliri i Broshëve, tejetej
te cezmja e Molla Nuhës, Anamoravës, si
vetëtimë agsholi na nxirrte kurrizit t’Ujit
të Bardhë, unë Kokërrmel me pazartarët,
gjithëçka e shpjegonte djersa çurg, nga
barra rëndë -tunxh mjerimi jonë – sapo
gjendeshim në mes vetullave të rrugës
(te varri i vetëm i Murat Kronidelit, i
masakruar nga Bullgarët e parë), zëri
na kumtonte: “mbanie takatin se na pret
kthimi…” – pushim një cigar Shkrepit mbi
Malin e Tërnocit, breglumit gjarpëronte
rruga makadam, kokëulur, heshtarak
kalonim mes për mes fshatit Tërnoc i
Madh, fëmijët (cullët) i kishin hashari
(djalli vet, botë e pashpjeguar)! Mos
të na gjenë orëliga, koras na shanin:
“Po vijnë maloçët, rrepacakët, për t’i
shitur morrat dhe tartabiqet…”
Kur zgjidheshin nyjet e dritës,shkrepte
agu mëngjesor – futeshim triumfatorë
në kasabanë e Bujanocit, hapej pazari,
sapo gjenim ndonjë vend, sofat guri,
ia behnin bazhdarxhinjtë për të paguar
haraqin pa shitur asgjë, ofshe, fjalëbutë
Iu theshim pas një saati do merrni lekët
për hyqymetin e shqehve që jeni ngulitur
në trollin e Dardanisë… Ne, shisnim me
dhembje kafshatën e varfërisë tonë, pastaj
i blinim gjërat më të nevojshme…, në e
parë kripë, vaj guri, 1/4 oriz,kaffe, natyrisht
një kallap sapun… tjerët artikuj sipas nevojës,
tevona varg e vi ktheheshim ku
kishim vënë thembrat i venim gishtat, nga
lodha e kapitja rruga na bëhej dy herë më
e gjatë ( si të shkonim një Jemen), barra
poende dy herë më rëndë… oh,arna ishim
dhe arna nuk kishim për ta arnuar lëkurën
dhe varfërinë tonë me sy të zgurdëlluar!..

E martë, II.

Zgjoheshim më të zymtë se mëngjesi
pikëllimi i pashpresë ndalej pragut të
derës, mbyteshim në përmbytjet e dhembjes…
maxhetoret gatuanin bukë
me miell të mykur me krimba të verdhë,
dhembjet janë gjembarake, saçi digjej
mbi zjarr, çerrepi e priste misërnishten,
e, i biri nënës nisej me tufëzën e bejkave
me trastën thatë duke futur një rasapetë
guri, çobenjtë le të ëndërrojnë se shoku
i tyre paskërka nga një kafshatë bukë
gruri (guri), harroheshim në lojë, duke
gjerbë ujë te Kron’i Lajthisë – aty mrrizonim
me urritjen tonë, tevona e nisnim bagëtinë
për t’u ngopur me bar e dushk bungu…
pak perënduar dielli i kthenim me kokë
nga fshati, mbi vrimat e fyejve
nuk ndërronin gishtat nga fryma e varfër;
si do e gjenim darkën me plot të mirat
e Zotit – sofrat thatë – ne kredheshim
në gjumë me shpresë deri në mëngjesin
e hershëm të nesërmes, me ndonjë kulaç
të pjekur në hi… E mërkura zbardhëllonte
si pushimet verore me ndonjë libër dhuratë
nga kujdestari i klasës për kryerjen
e klasës së pestë, përplot lëvdata… dihet,
natyrisht firma…

(vijon për ditët tjera)