NE GJIMNAZISTËT ATËHERE…
Kur bridhte si stuhi varfëria,
Kohëlarg, në vitet gjashtëdhjetë,
Një fat pafund na dha urtësia,
Thjeshtë, me nder, jetuam këtë jetë.
Nuk kishim ne, as vila, as makina,
Shtëpi përdhese, mbase dhe pa zjarr.
Shpesh pa drita; qirinj dhe kandila,
Shpërfillnim natën, dijet për të marrë.
Të heshtur flinim edhe pa ngrënë,
Ëndrat na sillnin mish e bakllava,
Në mëngjes harronim pa thënë,
Etja për dije ndërtonte kala.
Në shtëpi braktisnim varfërinë,
Edhe rruga na rrëmbente gjithçka.
Klasat e ftohta kishin ngrohtësinë,
Dashurinë që jeta s’na i dha.
Ishin shpirtrat tanë si agimi
Që i hedh ditës së re sinfoni,
Ishin mëndje tona si burimi
Që na përcillte vetëm mirësi.
Vajzat me përparëse, sandalle,
Djemtë dhe me andre ndonjëherë,
I shpërfillnim derte edhe halle,
Shoqëria na dehte si verë.
Pa si mjaltë ishte çiltërsia,
Një hallvë gege ndanim të gjithë,
Herë një gaç nduknim nga kakia,
Ujë pinim si qingja në një sisë.
O Zot, njeri-tjetrin sa e donim,
Sytha peme që çel në pranverë,
Diku, ndonjë shoqe dhe e mendonim,
Po nuk ia shprehëm asnjëherë.
Po a do të ketë si yni brez
Që skamjes i thithi dashurinë?
Dhe pa u ndier ulej çdo mëngjes
Në bankat e thjeshta për diturinë.
Vajzat tona si lëndina bari,
Si vesë dhanë ylber në shtëpi,
Djemtë tanë, si mbrëmje behari
Jetën e përballën me burrëri.
Pa ne, gjimnazistët atëhere
Morëm e dhamë nder e dituri,
Ishim për kombin vërshim pranvere
Dhe mbetëm lulëzim në varfëri!
Pajtim Xhelo
PENG E MBAJTËN DJALËRINË
Pse kaq shpesh tani djalëria,
Pështjellë me mjegull ngjyrë gri
Pështet kryet te thinjat e mia,
Nuk stepet as në borë, as në shi.
Sa herë kjo kujtesa mjerane
E shpërfill atë bukurosh të ri,
Pa, ja, pleqëria vjen noprane
Herëherë nuk të jep shoqëri.
Ndodh rëndom që veç fotografia
Më kujton të shkretën gonxherini.
Qesh hidhur, se në sytë e mia
Lotët humbën që në fëmijëri.
Dhe vjen ajo hënëz nazemadhe
Në netë kur dhënbja shpirtin rëndon,
Fshehtë më afrohet si kunadhe
Pa si kaprolle rri e më vështron.
Eh djalëri, si ëndër më ike,
Të flaka gonxhe, për ku nuk e di.
S’të kërkova, u vyshke,u fike,
Mall paskam tani, në pragpleqëri.
Pa më ndodh që zëra më faniten
Si fëshfërimë, si fllad, si magji,
Pastaj hijedritë që veniten,
Buzëqesh dhe prap strukem në vetmi.
Eh djalëri, të mbajtën peng vitet.
Unë s’e kuptova ku mbete ti.
Hija jote vjen e më avitet,
Kokën pështet te flokët e mi gri.
Pa më troket në harresën time,
Fare pa drojtje,plot gaz e hare,
Vjen si malli nëpër shtegëtime,
Se merakun për mua peng e ke.
Pajtim Xhelo