Në Gjenevë përkujtohet Dr. Ibrahim Rugova dhe kontributi i tij madhor dhënë çështjes së Kosovës

0
1182

ARIF EJUPI

Kryesia e Degës së LDK-së në Zvicër në bashkëpunim me udhëheqësit e nëndegës së saj në Gjenevë, ka organizuar Akademi përkujtimore me rastin e dymbëdhjetë vjetorit të shkuarjes në amshim të Presidentit historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.

Kjo ceremoni përgatitur ekskluzivisht në nderim të jetës dhe veprës së filologut dhe liderit shpirtëror të shqiptarëve të Kosovës Dr. Ibrahim Rugova, u mbajt në një nga sallat moderne të ”L’ecole des Boudines”, të komunës Meyrin të kantonit të Gjenevës.

Manifestimi nisi me intonimin e himnit ”Kur ka ra kushtrimi në Kosovë”. Poemë kjo me përmbajtje patriotike ideuar nga vetë Presidenti i ndjerë Dr. Ibrahim Rugova.

Pastaj prezantueset e programit të këtij Jubileu Nerxhivane Sejdiu-Ferati dhe Pranvera Svarqa, ftuan të pranishmit e shumtë të këtij tubimi që t’i bëjnë nderim me një minutë heshtje jetës dhe veprës së lavdishme të Dr. Ibrahim Rugovës.

Kurse pjesë nga jeta e Dr. Ibrahim Rugovës, si studiues e udhëheqës largpamës i shqiptarëve të Kosovës, prezantoi zonja Lirije Kajtazi, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së në gjashtë Legjislatura dhe Kryetare e Forumit të Gruas së kësaj partie në nivel vendi.

Zonja Kajtazi, krahas pozitave të përmendura kryen edhe funksionin e anëtares së Kryesisë së LDK-së.
Ajo duke e njohur me themel aktivitetin politikë dhe kombëtar të Dr. Ibrahim Rugovës, tha: ”Populli i Kosovës ishte me fat sepse në ditët më të vështira dhe më kritike, në ballë pati një lider të mençur dhe me vizion të qartë siç ishte Dr. Ibrahim Rugova.

Falë programit të tij politikë dhe pjekurisë së tij karshi ndërkombëtarëve u krijua një miqësi e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe me vendet e Perëndimit.

Ajo sidomos vlerësoi rolin e Dr. Ibrahim Rugovës, në ruajtjen e unitetit të popullit shqiptarë të Kosovës.
Gjithashtu Kajtazi, një vështrim i bëri edhe punës së tij prej Akademiku, i cili më 1985 duke qenë në krye të Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, iu kundërvu me guxim në takimin e Novi-Sadit, politikës hegjemoniste të akademikëve serbë, të cilët në programet e tyre kishin zhbërjen e Autonomisë së Kosovës.

Guximi i tij dhe përkushtimi me shpirt në avancimin e çështjes së Kosovës bëri që populli i Kosovës, ta ketë idol Dr. Ibrahim Rugovën dhe platformën e tij politike tha Kajtazi.

Ai me urtësinë dhe modestin e tij fitoi zemrat e të gjithëve dhe në vitin 2002 Lidhja Demokrate e Kosovës e udhëhequr nga ai në zgjedhjet nacionale fitoi bindshëm, kurse ai u zgjodh President i Parë i Kosovës, i njohur edhe ndërkombëtarisht.

Dr. Rugova këtë sukses e ripërsëriti edhe në zgjedhjet e vitit 2004. Ai, me partin e tij prapë triumfon dhe merr mandatin e dytë si President i Kosovës.
Zonja Lirije Kajtazi pohoi se angazhimi dhe maturia e Dr. Ibrahim Rugovës në mospërhapjen e flakëve të luftës drejt Evropës, u vlerësua jashtëzakonisht.
Këto përpjekje të tij në ruajtje të stabilitetit dhe paqes u kurorëzuan edhe me ndarjen e shumë çmimeve ndërkombëtare dedikuar atij.

Kajtazi në fund të fjalës së saj tha: ”do të ishim dukshëm më të hareshëm dhe më të gëzuar sikurse më 17 shkurt 2008 akti i Pavarësisë së Kosovës të përjetohej edhe nga vetë Dr. Ibrahim Rugova,i cili vuri në rrezik jetën dhe pasurinë për bërjen e Shtetit të Kosovës.

Prandaj vepra e tij shumëdimensionale do të kujtohet përherë nga shqiptarët e Kosovës.
Fjalë rasti mbajti edhe zoti Arif Baftiu, kryetar i LDK-së dega në Zvicër.
Ai fillimisht tha:”prania juaj kaq e madhe në këtë sallë është një fakt shtesë se Dr.Ibrahim Rugova ka qenë dhe mbetet një lider i përmasave botërore,i quajtur ndryshe edhe si Gandi i Evropës Juglindore.

Baftiu rrëfeu pjesë edhe nga jeta fëmijërore e Dr. Ibrahim Rugovës.
Ai gjatë fjalës së tij potencoi edhe të vërtetën e hidhur që Dr. Rugovës, më 10 janar 1945 çetnikët serbë të kamufluar në partizanë jugosllavë i vranë gjyshin Rrustem Rugova dhe babain Ukë Rugova.

Pas kësaj mizorie Dr. Ibrahim Rugova mbetet pa përkujdesje prindërore.
Falë sakrificave dhe devotshmërisë të së ëmës së tij Sofës edhe pse i ballafaquar me plot vështirësi ai s’zmbrapset për asnjë çast.
Me përkushtim në punë edhe pse pakushte elementare kryen të gjitha nivelet e shkollimit, duke i finalizuar ato më 1984 në Universitetin e Prishtinës, me gradën shkencore Dr.i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe me përqendrim në fushën e kritikës letrare.

Ai njihet si autor i shumë veprave letrare dhe i vështrimeve kritike, duke filluar nga Pjetër Bogdani e deri tek plejada e krijuesve të viteve të nëntëdhjeta.

Rugova u tregua i suksesshëm edhe në politikë. Si njeri i edukuar me butësinë e tij na bashkonte të gjithëve pa përjashtime.
Zaten kjo edhe bëri që edhe ne në Diasporë, të zbatojmë me përpikëri projektin e tij për Kosovën e Pavarur, si me kontribute ashtu dhe me pjesëmarrje në luftë.

Mungesën e tij prej politikani të rryer sot e ndjejmë të gjithë.Fatkeqësisht vdekja e rrëmbeu herët dhe në periudhën kur më së tepërmi iu desh vendit.
Mirëpo kujtimi për jetën dhe veprën e tij do të jetojë prore tha në përmbyllje të fjalës së tij zoti Arif Baftiu, kryetar i LDK-së-dega në Zvicër.
Me një fjalë rasti u paraqit dhe z. Sokol Haliti, kryetar i komunës së Vitisë. Ai, Dr. Ibrahim Rugovën e cilësoi si politikan të moderuar dhe udhërrëfyes të popullit shqiptar të Kosovës.

Haliti u ndie mjaft krenar kur në sallë vërejti dhe praninë e shumë përfaqësuesve të legjislativit dhe të ekzekutivit të kantonit të Gjenevës.
Këto personalitete të dalluara të këtij kantoni në këtë takim kishin ardhur me dëshirën e vetme që t’i përkujtojnë përpjekjet dhe synimet e pareshtura të Dr. Ibrahim Rugovës, për Kosovën Shtet të Pavarur dhe anëtare me të drejta të barabarta në Bashkimin Evropian.

Haliti çmoi lartë miqësinë e popullit shqiptar të Kosovës me atë të Zvicrës.
Ai tha se kjo miqësi mbanë vulën e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, i cili kur shkonte në vizita pune në vende të ndryshme të botës e sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndalonte në Zvicër, ku falënderonte mërgimtarët tanë të vyeshëm për ndihmën dhënë Kosovës.

Në fund të diskutimit të tij Haliti tha ndjej borxh që ta falënderoj nga zemra edhe zonjën Micheline Calmy-Rey e cila si ish-Ministër e Punëve të Jashtme të Zvicrës, bëri gjithçka që Kosova të njihet ndërkombëtarisht si Shtet i Pavarur.

Andaj komuna e Vitisë të cilën tash pesë vjet e drejtoj unë duke ndjerë detyrim ndaj zonjës Rey e ka shpallur atë qytetare nderi.
Z. Haliti pa përjashtim i falënderoi të gjithë mërgimtarët shqiptarë në Gjenevë, të cilët si në të kaluarën edhe tani u treguan solidarë me bashkombësit e tyre në Kosovë e vise të tjera.

Manifestimin me pranin e tij e nderoi edhe Zoti Ramadan Avdiu, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Gjenevë.
Ndërkaq në përbërjen e delegacionit të ardhur enkas në këtë Jubile përkujtimor nga Kosova, ishte edhe z. Salih Morina, ish-deputet dhe veprimtar i dalluar i LDK-së.

Po ashtu në këtë manifestim u panë edhe veprimtarët e orëve të para të Lidhjes Demokratike të Kosovës, zoti Fetah Berisha, kryetar i dikurshëm i komunës së Rahovecit, z. Ibrahim Syla dhe z.Fadil Kajtazi, analist dhe ekspert i çështjeve ushtarake, si dhe zoti Shaip Kastrati.
Të apostrofuarit si anëtarë të LDK-së shquhen me angazhim e tyre shumëvjeçar dhënë çështjes së Kosovës.

Në fund të manifestimit të gjithë pjesëmarrësit i falënderoi nënkryetari i LDK-së-dega në Zvicër z. Ismet Mjaku.
Ai, në ndarje tha me praninë Tuaj kaq të madhe treguat respektin dhe dashurinë ndaj Presidentit tonë të pavdekshëm Dr. Ibrahim Rugova, i cili çdoherë do të kujtohet si projektues kryesor i Pavarësisë së Kosovës, dhe urë ndërtues i lidhjeve të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendeve të Evropës Perëndimore.