Shkruajnë Dr. Mhill Gecaj dhe Fahri Xharra
Sot pata kënaqësinë te isha ne Gjakovën Dardane në promovimin e librit me dy vëllime te autorit Pjetër Meta me titull “Nikaj-Merturi nga lashtësia deri sot.”
Një aktivitet i organizuar mjaft mire nga Shoqata Nikaj Mertur. dhe Dega e saj ne Dardani dhe kryesine dhe kryetarin Krist Mula, ne bashkëpunim me Pallatin e Kultures ne Gjakove dhe nen kujdesin e Asambleistit te kuvendit Komunal, djalit te Nikaj Merturit Nik Hiseni.
Ne ketë promovim merrnin pjese personalitete te artit kultures, studiues, historian, gjuhëtar dhe filolog dhe akademik te shumte nga trevat Shqiptare, deputet dhe pinjoll nga familje te madha qe kane lenë gjurme ne historinë e kombit Shqiptar.
Këtu u mbajtën shume kumtesa me shume vlera siç ishte ajo e profesor Fahri Xharra, si dhe ajo e nipit të Idriz Seferit e shume e shume te tjerë. ( shkruan Dr. Mhill Gecaj )
Kumtesa ime
Të dashur vëllezër nikaj merturas!
Të nderuar pjesëmarrës!
I nderuari zotëri Pjetër Meta!
Sot është një ditë fort e mirë në jetën time. Them është një ditë fort e mirë, se një vëllai im dhe i shumë të tjerëve nikaj-merturas në Gjakovë dhe në Kosovë na ka thirr në një kuvend jo të zakonshëm, ky është një kuvend vëllezërish, ku flitet për gjërat ton atë shenjta dhe të hershme. Në këtë kuvend flitet për gjërat e shenjta që na bashkojnë. Promovimi i librit dy vëllimesh i studiuesit të aftë dhe të zellshëm nikaj-merturas Pjetër Meta, është një ngjarje që mbahet mend për shumë arsye, të cilat unë do të mundohem t’i them në këto shënime të shkurtra për libin dy vëllimesh.
Kam qenë në dijeni shumë më herët, se një libër i tillë po shkruhet. Studiuesi dhe hulumtuesi Pjetër Meta ka shkelur të gjithë trevat shqiptare që më herët për të prekur rrënjët, burimet, udhëtimet, ngulmimet, familjet nikaj-merturase nëpër kohë të ndryshme, për të sjellë një produkt kaq të rëndësishëm siç është libri “Nikaj-Merturi nga lashtësia deri sot”. E kam pritur këtë libër të rëndësishëm dhe informues, që ai të vijë në dorën e lexuesit shqiptar, pasi është një libër valorizues në shumë rrafshe të rëndësishme dhe jetike të studimeve historike, mitologjike, etnologjike, etnografike, etnopsikologjike, por dhe të fushave të tjera, pra është një libër i cili në kontekstin e këtyre fushave në rang kombëtar merr vlera të mëdha.
Nikaj-Merturi në këtë libër zbulohet si një lis i madh dhe me rrënjë të thella në trollin e bjeshkëve të afër- alpeve të larta të veriut të Shqipërisë, por një lis me degë të mëdha mbi truall, në rrënjët e të cilit, por dhe në degët e të cilit gjejnë vend- origjinën e tyre qindra familje në gjithë Shqipërinë dhe Kosovën, në rrënjët dhe degët e të cilit gjej veten dhe unë Fahri Xharra.
Hulumtuesi dhe studiuesi Pjetër Meta më kthen mua shekuj e kohë më parë në vend-origjinën e të parëve të mijë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua dhe fëmijët e mijë. Kjo më emocionon për shumë arsye, jo vetëm pse unë lidhem në origjinë me Qokajt e Nikaj-Merturit, por në historinë e familjes time është shtuar një kapitull i rëndësishëm, dhe ajo e Nikaj Merturit, histori e cila është reflektuar në masën dhe në sensin e duhur në këtë libër po kaq të veçantë.
Këtë çështje, pra ai i “kthimit tek rrënjët”, përbën nyjën më të rëndësishme dhe më fondamentale në historinë e hershme dhe atë moderne të popujve, mbi argumentet e të cilëve zhvillohet dhe sot debati global për fondamentet e popujve, që fatkeqësisht akoma në Ballkan vijojnë plagë të thella të lënguese.
Libri “Nikaj-Merturi nga lashtësia deri sot” ka në domenin e tij rrënjët.
Një aspekt përtej historisë, në fillimin e vet, në librin e studiuesit Pjetër Meta, ka të bëjë me jetë- vazhdimin e jetës në Nikaj Mertur nga nikaj- merturasit. Nikaj- Merturi, që nga nikaj-merturasi i parë, për të cilin studiuesi ka opinionin e tij burimorë, se kush është dhe si ka ardhur në Nikaj- Mertur, lidhet me burimet e mbijetesës së nikaj-merturasve në një terren absolutisht të vështirë për të jetuar, ku banorët autoktonë të këtyre trojeve kanë jetuar për shekuj të tërë, madje dhe në ditët e sotme.
Unë kam dakordësi të shumta me Pjetër Metën për çështje fondamentale të historisë sonë kombëtare. Një nga këto fondamente lidhet me besimin që ka mbijetuar në Nikaj- Mertur që nga nikaj-merturasi i parë që ka zbritur në këtë mjedis të ashpër dhe i vështirë për të rregulluar jetën. Në këtë argument, vlerë merr dhe opinioni definitiv i studiuesit Pjetër Meta, se nikaj-merturasit e parë që erdhën në Nikaj-Merturin e sotëm u larguan nga vendbanimi i tyre i parë për shkakun e mos-pranimit të ndërrimit të besimit të tyre. Kjo është një sakrificë biblike, e shenjtë dhe që meriton të jetë një fakt mbijetese po kaq biblike.
Libri i Pjetër Metës ka një strukturë gati enciklopedike në çështjet që studiuesi kërkon të debatojë, të argumentojë dhe të kërkojë bashkëpunim me çdo studiues tjetër që do të merret me historinë e Nikaj-Merturit. Si në historitë e shumë popujve të sakrifikuar nga fatet e historisë dhe Nikaj Merturi ka humbur shumë gjëra nga kronika e tij jetësore në këtë jetë-vazhdim, por stili, gjetjet, natyra receptive, vendosja e fakteve në marrëdhënie me njëri- tjetrin, zbërthimi i simbolikave që kanë mbetur nga gollet e errëta të historisë, përmbush një lloj definimi tash më për historisë, se sido që ngjarjet historike sillen pamëshirshëm me popujt konvencionet nuk mund t’i zhdukin plotësisht.
Në Nikaj Mertur ka një konvencion të begatë shenjash, etnopsikologjie, kulture sendërtare, ornamentariteti, kulture shpirtërore, që krijojnë një lidhje të qëndrueshme të jetës së nikaj- merturasve në një kod jetik, i cili i ka dakordësuar dhe i ka bërë bashkë në këtë mbijetesë banorët e kësaj treve. Në hapësirën e Nikaj Merturit nëpër kohë ka pasur një numër të konsiderueshëm kishash, ashtu siç ka pasur një botë nikaj-merturase ritesh, dokesh, ditësh të shënuara, të cilat lidhen fort me fondamentin e tyre të besimit, çfarë përmbush mendimin e Pjetër Metës, por dhe timin, se nikaj- merturasit pranuan të vetë-degdisen vetëm për të mos ndryshuar besimin e tyre.
Në këtë kontekst, në këtë profil të historisë së Nikaj Merturit, ka një deltë të madhe mesazhesh që Nikaj Merturi ka përcjellë dhe ka mbartur në historinë e tij, çka bën krenarë çdo nikaj- merturas, çdo familje dhe individ që ka origjinë nga kjo krahinë me një mbijetesë gati biblike. Libri i studiuesit Pjetër Meta është një atlas i mrekullueshëm ritesh, zakonesh, mitesh, kultesh, festash, ditësh të shënuara, që përcjellin në të gjithë historinë e nikaj- merturasve jetën, kulturën, trashëgiminë dhe mbijetesën e Nikaj Merturit.
Nikaj Merturi ka bërë luftëra kundër pushtuesve të shumtë që kanë sulmuar Nikaj Merturin por dhe trojet shqiptare; Nikaj- Merturi ka nxjerrë figura brilante të krahinës por dhe kombëtare, të cilët iu bëjnë nder dhe kombeve të mëdha e jo më kombit shqiptar; Nikaj Merturi ka mbetur endej djepi i krijimit më të rëndësishëm të kulturës origjinale kombëtare shqiptare, i Ciklit të Kreshnikëve, në thelbin e të cilit shfaqet qartë raporti dhe lidhja e fortë me tokën dhe vatanin.
Në Librin “Nikaj Merturi nga lashtësia deri sot” ka një lëndë të rëndësishme gjenealogjike. Pjetër Meta ka hulumtuar shumë në burimet e njohura për Nikaj Merturin, por angazhimi delikat i tij për të sjellë në këtë libër i skemave gjenealogjike familjesh, fisesh, fshatrash dhe rrjedhash të tjera të Nikaj Merturit në Nikaj Mertur, viset e tjera në Shqipëri ku kanë shtegtuar nikaj- merturasit nëpër kohë, po ashtu i fshatrave të Nikaj Merturit në Kosovë, ku bën pjesë dhe rrjedha gjenealogjike e familjes sime Xharra, është një punë sa hulumtuese po aq dhe shkencore. Unë e përgëzoj për këtë punë të lodhshme, por kjo punë në këtë libër është një element bazik fakti dhe argumenti.
Në hapësirën librin një vend të rëndësishëm zë zëri i njerëzve, personaliteteve të dijes, luftëtarë, artistë, të rënë, shkrimtarë, pra personazhe të jetës në Nikaj Mertur. Kjo qasje ndihmon për të dimensionuar historinë dhe aktualitetin e Nikaj Merturit, ku spikasin dhe personazhe të tillë si Hasan Prishtina, Idriz Seferi, Gërvallët, Elez Isufi, Kurtpalët dhe figura të njohura të kulturës. Kjo qasje e bën jetësorë librin studimorë të autorit, por fort e rëndësishme më duket mundësia e çdo nikaj- merturasi, kudo që ai ndodhet, që përveç një informacioni të gjerësishëm për historinë e kësaj krahine, i mundëson atij të mësojë nga vjen në spiralen gjenealogjike.
Përfundimisht:
Faleminderit i nderuari Pjetër Meta për dëshirën dhe vullnetin për t’i bërë të njohur me njëri-tjetrin nikaj-merturasit. Ju e keni shpluhurosur mjaft mirë historinë dhe nderimi për punën tuaj do të shtohet ditë pas dite.
Të uroj shëndet dhe punë të tjera si kjo i nderuari Pjetër Meta!
Fahri Xharra, Gjakovë