Namik Selmani
Festa e Plisit
Agim Deskut një Plisi të fortë të poezisë së Kosovës
Mbi plis të bardhë e solla bjeshkën
Me gaz e shend, me një tupan
Dhe shkrova fjalë si vaj për jetën
dhe dorë më dorë e ngrita lart.
Me plis të bardhë urova dasmën
Në palë të flokut kur vura mollën
Në besë të burrit rizgjova fjalën
Kur buzëtharë e putha tokën.
Në bashkë të leshit që Lokja tirrte
Kam thurur fije sa u zbardh nata
Dhe kënga rrodhi ortek në brigje
Në log kuvendi më erdh piskama.
Kur korra grurë në palcë të bjeshkës
Një plis të ri ia vura nipit
Ndër sy të ngrohtë, me zjarr të zemrës
Ia dhashë polenin e urimit.
E Festë e Plisit ma rinon hapin
Kur vij tek ti, o kullë e lashtë.
E grykë më grykë, vëllam me malin
Rizgjoj në dimër diell e hanë.
Një plis të bardhë ia vë lahutës
Tek nis një këngë majekrahu
kur shtroj ngadalë brumin e bukës
Kuqon një fjalë si cohë bajraku.
Më gjoks të fortë po e shkrij plumbin
E plis i bardhë më bën kreshnik
Një fjalë të bardhë si sqep pëllumbi
Për ju e sjell si vëlla, si mik.
Më sillni bre një tingull lodre
Se sot kam festë e nuk kam mord.
Thërrisni çika e zgjoni kroje
Ta bëjmë këtë log pranverë të ngrohtë!
Një faqe skuq porsi qershia
Kur plisin vë te djep i vatrës
Të nderë telat çiftelia
Kur marr një valle në sytë e Bacës
E thërraas Zana që të zgjoj kroje
Po kërkoj mjaltë që të mjaltos shpirtin
Mbi plis të bardhë po pres dëborën
Kur dita pret zërin e nipit.
Kurora e fjalë së bukur
Në ditelindjen e Agim Deskut
Kur shkruaj per ty, më bëhet më i ëmbël gruri dhe guri.
E më vjen në mend një fjalë burri e lokehe që më ngroh.
Në odën e largët zemra më bëhet bash si flamuri
E fjala më peshon si të kisha në duar mbarë një botë.
Kur shkruaj për ty kujtoj shtigjet, malet e rudinat
E urtia e një bace atje, në shtigjet pejane, më vjen në sy.
Një oxhak të ri kulle ndez, si të ndizja vetëtimat
Dhe loket e bjeshkëve një nga një i takoj aty.
E më vjen aq pranë nëna jonë e madhe Tereza,
Si një mal i lartë, që bora s’e thinj në shekuj kurrë
Kujtoj vatanin që na lindi e na dha gjuhëshqipen në breza,
Kujtoj një amanet që më duket si një zjarr i prushtë.
E ulem në një Sofer nderimi, që më bën edhe më mentar,
Se të kam ty pranë, o vëlla i vëllezërve të mirë.
Në bujarinë tënde skuqem dhe hesht, si një fëmijë syzjarr
Dhe arin e fjalës e mas me Sharrin, a me lumenjtë ujëdlirë.
Me trup ti bredh nën këto zile shkollore, në male madhështorë
Po shpirti yt fluturon kudo në atë baltë të ëmbël Kosove
Dhe kur qepallat të mbyllen në një dhomëz të ngrohtë,
Ti je atje, ku trimat e lirisë flasin për gjurmë kohe.
Ti je këtu ku krenia jonë, na ngroh zemrat njerëzore,
Ti je me ne dhe lumnia na mbush pragun, të ardhmen, jetën,
O vëlla i mirë, ndizna sërsish me vargje një flakadan Kosove
Dhe je bash si një krua që kurrë s’e faron rrjedhën.
Tirane – Berat, 25 gusht 2011
Dergoi per publikim Gjin Musa, gazetar