Shkruan: Lekë MRIJAJ, Shkodër, 19 janar 2019
Shkrimtari nga Klina, Vilson Culaj, edhe pas pothuajse përmbi tri vite e gjysmë të botimit të romanit të tij, me 19 janar 2018, për herë të dytë, (pas Prishtinës), ka promovuar romanin e tij në Bibliotekēn e Qytetit “Marin Barleti” në Shkodër. Në promovimin e djeshëm morën pjesë adhurues të artit, bashkēpuntor, miq dhe dashamirës të shkrimtarit, autoritete të tjera të letrave të ardhur nga të gjitha viset Shqiptare (Tirana, Prishtina, Klina, Peja, Gjakova, Mirdita e Malësia) për të marrê pjesë në këtë event promovimi. Njëkohësisht mori pjesë edhe studiuesi shqiptar, kleriku i Kishës Katolike Shqiptare, don Nikë Ukgjini. Qe në fillim nisi me fjalët e drejtorit të bibliotekës “Marin Barleti” i cili në mes tjerash foli për biografin e kompletuar të autorit Culaj. Eventi në fjalë ishte i përbërë nga një panel i ngushtë artdashës prej: Don Nosh Gjolaj, prof. Ndue Dedaj, veprimtari Gjon Krasniqi njiherit “Nderi i Qarkut të Lezhës-2013”, Eduard Frrokaj, kritik letrar e Vilson Culaj, autori i librit.
Për vlerat e romanit “I Dëbuari”, kanë referuar, prof. Ndue Dedaj, i cili tha se romani i parë i autorit Vilson Culaj, poet dhe prozator nga Kosova, me titullin intrigues i “I Dëbuari” është sa dramë e fatit të individit në shoqërinë shqiptare, aq dhe enciklopedi e historisë. Vepra ka dy adresime kohore, bashkësinë ku lëviz personazhi kryesor Ademi, që më pas do të thirret Gjon, dhe periudhën e Përlindjes kombëtare, saktësisht vitin 1908, që jepet përmes kronikës së At Antonio Belushit, por që në thelb rrok gjithë gjysmën e dytë të mijëvjeçarit të dytë. Vepra është komplekse për nga ndërtimi dhe e vëllimshme për nga lënda, ajo shpalohet në 430 faqe, duke ndjekur fatin e personazhit kryesor në veçanti dhe të shqiptarit në tërësi. Autori e ka rrethuar Ademin me personazhe të tjerë, të atin që nuk e do i biri, mbi të cilin sikur shkarkon përgjegjësitë e historisë, duke u vënë kështu në kërkim të një ati tjetër, që është ai qiellor, por që tek i cili shkohet përmes një rruge të gjatë meditimi e filozofimi. “Emri im i dikurshëm ishte Adem Keka.
Jam i lindur në një fshat të Artanës, që të vjetrit e quanin Gurishtë… Po të flisja shumë për fëmijërinë time të hershme do të ngjante si të flisja i zhytur në mjegull pranë një turme njerëzish të cilëve nuk ua sheh fytyrat. Me thënë të drejtën pak mbaj mend nga ajo. Dhe fëmija pa ndonjë fëmijëri kushedi, ndjek shpresëdhënësit e njerëzimit, si Martin Luter King, unë kam një ëndërr”. Kështu nis rrëfimi i këtij romani, duke sjellë para lexuesit një botë njerëzore komplekse në lirinë e vet. Autori na ka dhënë një të ri në rrugën e tij të formimit kulturor e intelektual, si rezultat i guximit të tij për t’u përballur me të shkuarën, çka rrallë ndodh mes njerëzish, të cilët përgjithësisht kanë prirjen për të mos e prekur të kaluarën si një tabu, apo veç për ta glorifikuar e mbuluar atë. Përkundrazi, Ademi e sheh atë si të pakryer, apo thënë ndryshe, si një ndërkallje në të sotmen.
Tri janë kahjet e protagonistit, njohja e vetvetes, takimi me gjurmën e të parëve dhe ngadhnjimi mbi vuajtjen, që përcaktojnë dhe tri pjesët e romanit, që ndërlidh organikisht të djeshmen, të tashmën dhe të ardhmen. Ky është dhe gjyqi i një epoke, asaj të mesjetës. Veprimi i romanit, me një gërshetim të kohëve, ngërthen gjithë hapësirën shqiptare, nga Lugu i Drinit në Breg të Bunës etj. Romani kalon nëpër trajektoren: rrënjë katolike, laramanizim – konvertim në fenë myslimane dhe kthimi sërish te rrënjët i protagonistit, që e ka bërë këtë zgjedhje nga vetja dhe nga kurrëfarë shtyse tjetër. Shkrimtari ndjek zemrën, logjikën e letërsisë, krijimit dhe jo traktatet politike që bëjnë kompromise, si rastin para disa vitesh kur në Kushtetutën e Europës nuk u pranua të shkruhej që rrënjët e saj kishin qenë të krishtëra.
Ademi – Gjon, pas një rrugëtimi të gjatë nëpër auditoret universitare prishtinase, tashmë është në Austri në mërgim dhe kujton luftën e tij të jetës. “Emri im po përfolej edhe në rrethet miqësore e të krushqisë si djaloshi kryeneç me ide të reja, i cili nuk respektonte traditën, as familjen, as fqinjët, as moshën, kinse unë isha bërë kërcënim për sistemin e tyre rigjid të të jetuarit” (f. 47); “me një fjalë kisha shpallur luftë me rrethin që më kishte lindur e rritur… në shërbim të ardhmërisë sime”. Në të vërtetë, me shuarjen e Hallë Fanës “kishte vdekur dhe gjurma e jetës sime në atë vend”. “Isha ende i ri në botën e vjetër” (f. 269) janë disa nga referencat ideore-estetike të heroit letrar. Prozatori Culaj rrëfen gjatë, të sotmen dhe të djeshmen, përshkruan e ravijëzon portrete njerëzore, zbulon fletë pas flete e datë pas date jo vetëm ngjarjet dramatike të malësorëve në dekadën e parë të shekullit XX, por dhe filozofinë e ekzistencës dhe qendresës historike shqiptare. Xheto Keka, prijësi i malësorëve, paraardhësi i Ademit-Gjon, është një hero i epokës së Rilindjës Kombëtare, një martir i pashembullt i qendresës. Ai është shëmbëllesë e Dedë Gjo Lulit, Azem Galicës, Elez Isufit, Çerçiz Topullit etj. Kurse At Gjini është frymëzuesi shpirtëror i kryengritjeve, njësoj kapelani i ushtrive malësore luftuese për trojet.
Në roman lëvizin si në një teatër dramatik heronjtë, ngjarjet, tradhtitë, armët, hilet, pabesitë. Perandoria turke në shuarje është më joshëse se kurrë me favore, por dhe më agresive se kurrë, pa dashur t’ia dinte se tashmë ora e saj kishte ngecur. Ky sfond ndeshjesh është dhënë qëllimisht nga autori, për të përligjur luftën e heshtur që i duhet të bëjë djaloshit student për t’u kthyer në rrënjët e të parëve. Ai nuk mund ta bëjë ketë, pa iu projektuar parasysh ajo që ka ndodhur njëqind vite më parë, kur më në fund paraardhësit e tij po ia dilnin të mbillnin ABC-në, të luftonin për Pavarësinë dhe të të krijonin shtetin e tyre. Kështu, personazhi ynë rilind shpirtërisht dhe kulturalisht në sfondin e Rilindjes Kombëtare. Heroi i romanit nuk ka asgjë me besimin mysliman, në të cilin është gjendur dhe vetë, por me historinë që e ka konvertuar në një besim të ndryshëm nga ai i rrënjëve. Ai nuk është masovik, tribun, nuk thërret që ta ndjekin dhe të tjerët në shkuarjen drejt rrënjëve, thjeshtë ai ndjek fatin e vet dhe është i vendosur t’i shkojë në fund qëllimit të tij. Kjo e bën origjinal vështrimin e autorit. Idetë e tij nuk janë revolucionare, përmbysëse, por vizionare.
Ai udhëhiqet nga etërit shpirtërorë të kishës, të vjetër dhe të rinj, si frymë hyjnore. Natyrisht që ai ka plot përjetime, që nuk e lënë të qetë, si kur është në Lugun e Drinit, si kur është në Prishtinë, apo në Alpet e Zvicrës. Ai filozofon pa prerë mbi mitet e Ballkanit, tjetërsimin fetar të popullit të vet, duke e parë kryekrejet këtë tek profili i të atit. Kjo nuk është asesi një luftë etër – bij, nga moskuptimi mes brezave, por për diçka që ka ndryshuar rrënjët e tij, që autori i identifikon me besimin e krishterë. Ai e ka kuptuar këtë dhe duke u rrëfyer para botës vihet në kërkim të dashurisë që i mungonte, si vetvete dhe jo si pishtarndezës i njerëzimit për kthimin kah rrënjët. “Ndoshta dikush mund të më quaje “I Dëbuari”, por unë lirisht mund të them se isha njeriu që e kërkova Zotin dhe e gjeta brenda zemrës sime”. Ky është raporti i individit me besimin, me historinë, me qenien dhe jo ai i kolektivit. Kjo veçanësi filozofike e bën këtë roman befasues dhe tërheqës. Ai tund vetëm kambanën e fatit të tij dhe është i lumtur që e ka arritur këtë mes shumë sprovash jetësore. Studenti i universitetit të Prishtinës ka trokitur në bashkësinë e re ku askush nuk e njeh, ndaj dhe kurreshtja ndaj tij është shtuar: “Jo rrallë pyesnin me habi për njeriun që s’e kishin parë kurrë në tempullin e tyre”, tempull që më pas do të bëhej dhe i atij. “Larg syve dhe intrigave të botës ndiqja çdo javë meshën e shenjtë dhe Kishën, deri sa të vinjte çast që të bëhesha edhe gjymtyrë e saj.”
Por kudo ka udhërrëfyes dhe studenti ka si të tillë nunin e tij, një prift të ditur, i “cili fjalën e Zotit kurrë s’e merrte si varg apo shkronjë rabinësh, priftash, hoxhallarësh, apo skribë tempujsh, por si ligj të shkruar në zemër”. “Asnjëherë s’e kisha të dëgjuar të fliste keq për njerëzit e religjionit tjetër, përkundrazi ishte urë afrimi, sepse kishte dhe shpirt artisti”. (f. 297.) Përndryshe At Noshi është At Gjini i pas njëqind viteve. Autori le të kuptohet se i gjithë formimi dhe kthjellimi i Gjon Kekës kishte ardhur pas takimit me Biblën. Dhe pas kësaj kishte filluar një përballje në ndërgjegjën e tij, mes “babait tokësor që s’më kishte dashur kurrë dhe krijuesit qiellor, i cili po më afronte dashuri pa kushte”. Deviza e tij është se sot duhet një tjetër qasje ndaj progresit, përderisa gabimisht apo padrejtësisht “Njeriu harron të kaluarën, merret me të ardhmen, pa pasur të tashme”. (f. 243). Romani është i mbushur me persiatje të shumta filozofike, që burojnë nga formimi, kultura dhe erudicioni i lakmueshëm i autorit, poetit dhe romancierit Vilson Culaj, që njeh mirë mësimet biblike dhe filozofët e ndryshëm të shekujve. Ai shkruan: “E madhe është ora e kujtesës.
Sa e madhe dhe e frikshme është kjo dhuratë!” Është gjithnjë ai, personazhi i tij, i mërguar në Austri, në ngrohtësinë e familjes, gruas fisnike Gjina dhe djalit engjëllor Semi, por dhe të Zotit, që ia fshin largësitë me veten dhe njerëzit. I duhet vënë mendja këtij filozofi nga lexuesi, pasi fjalë pas fjale ai zbulon kredon e tij jo aq të zakontë: “O sa herë kam qarë për njerëzit që nuk ishin të denjë për të qarë për ta?” Autori thërret në ndihmë filozofët dhe psikologët e shquar, kur kërkon të shpjegojë botën dhe kur kërkon të depërtojë brenda vetes apo në shtjellat e njeriut, në të cilin ai beson. Një nga adresat e pashqitshme të romanit është Prishtina, ky personazhi ynë qendron, mediton, shpreson, iken nëpër Europë dhe kthehet përsëri. Ai vuan në fëmijëri, përpiqet të ecë, të ngjitet, të sfidojë, ta përmbushë ëndrrën, sprovon pa ndarë, jo të gjitha betejat jetësore i fiton, por nuk epet.
Guxon përsëri, përherë e më shumë i mbushur me besimin në jetën dhe të nesërmen. Autori sikur don të na thotë ky është fati i shqiptarit në kapërcyll të shekullit XX dhe fillimet e mijëvjeçarit të ri. Dhe këtë e bën pa duk, por njerëzisht dhe mundimshëm në shëmbëllim të Jezusit. “Sfidat e jetës për mua nuk kishin të sosur…sa lindte një gëzim i ri, shtohej një brengë e pikëllim tjetër”, shprehet Gjoni student, që rrëfen rrugëtimin e tij jetësor pandërprerë, si të jetë një bard i kohës. Romani është ai vetë, filozofia e tij, domethenë njeriu i kësaj kohe, që e ka tërhequr pas vetes për ta ndriçuar më mirë gjithë epokën e shkuar që nga moti i madh, tha në fund të kumtesës së tij prof. Ndue Marku. (kumtesa është e botuar në gazetën “PANORAMA”
Ndërsa Eduard Frrokaj, në kumtesën e tij, veq tjerash tha se po i permend disa nga kritikët letrar të cilët e vlerësuan tejët lartë romanin e autorit të librit “I Dëbuari” pikërisht ai e përmendi kritikun e mirënjohur letrar prof. Prënd Buzhalën i cili kishte thënë se: ” Po e them pa ndonje ndikim subjektiv se romani ,, I Dëbuari ,, është ndër romanet më të mira në ketë dhjetëvjeçar, i botuar në aureolen shqiptare”. Prof. Fahredin Shehu, “Nuk po i bëj Apologji Vilsonit. Por Vilsoni ta krijon imazhin e një Eseni të kohës së Krishtit që nga “I Dëbuari” të shndërrohet në të ,, Izoluarin ,, sepse përderisa një Kinez merr Nobelin për letërsi duke na treguar se si mbillet orizi në Kinë, ne Nobelistin e kemi para syshë, vetëm se duhet më shumë trajtim, vemendje, shqyrtim, dhe më shumë respekt për këtë krijues të talentuar”. Violeta Allmuça: “Kritike dhe recensente e librit: “Them pa asnjë dilemë se romani ,, I Dëbuari ,, është proza më e përkryer që e kam lexuar ndonjëhere nga shkrimtaret shqiptar të Kosoves, dhe se Vilsoni është e ardhmja e prozës shqiptare”.
Prof. Maxhun Osmanaj: “Shkrimet e Vilsonit ta krijojne imazhin e të shkruarit te stilit Ernest Koliqian dhe Anton Pashkian por gjithmonë duke ruajtur indiviualitetin dhe origjinalitetin e tij krijues”. Prof. Ndue Dedaj: “Romani i “Dëbuari” është sa dramë e fatit të individit në shoqërinë shqiptare, aq dhe enciklopedi e historisë. Veprimi i romanit, me një gërshetim të kohëve, ngërthen gjithë hapësirën shqiptare, nga Lugu i Drinit në Breg të Bunës etj. Culaj rrëfen ngjarjet dramatike të malësorëve në dekadën e parë të shekullit XX, por dhe filozofinë e ekzistencës dhe qendresës historike shqiptare. Por mbi të gjitha ky është roman i jetës, optimizmit, faljes, shprese, e dashurisë por edhe e artit të mbijetesës. Mbit e gjitha është romani për njeriun” tha më në fund Eduard Frrokaj. Me nga një fjalë rasti u paraqitën, don Nosh Gjolaj, i cili me fjalë tjera duke e njohur mirë e mirë autorin e këtij libri e pergëzoj z. Culaj, duke i deshiruar suksese në lëmin e tij.
Ndersa z. Gjon Krasniqi, veprimtar i kauzës kombëtare në Zvicërr, ish-ushtar i UÇK-së e “NDERI I QARKUT TË LEZHËS-2013”, tha se përurimi i librit të z. Culajt, na ka bashkuar sot mu në zemer të qytetit legjendar të Gencit tonë famoz. Ndaj në vazhdim të fjalës z. Krasniqi, potencoj duke thënë se jam një bashkatdhetar i modest i z. Culaj, ku fati dhe disfati me ka regjë, e unë tamam si i debuar nga Kosova dhe emigruar ne shtetin Helvetic, kam mbajt me vete vështiresit pergjithësit dhe problemet të tjera politike të regjimit të egër totalitar e okupues që kurr se kemi deshiruar në jetën tonë.
E kam lexuar librin e z. Culaj, pikërisht aty kam verejtur mendime që më shtyjn me meditue ku thotë, fjala jote dhuron kënaqësi, dashuria ndaj jetës, fjalës themel, dashurin ndaj të vërtetës, adhurimi ndaj atdheut, entuziazmi ndaj librit që janë trinititeti, që me kohë më kanë ra në sy. Njëkohësisht aty mbeshtetet edhe origjinaliteti i z. Culajt ku herë-herë edhe sarkastika e ironia perputhen me thënje “I qeshem botës pasi që s’kam ma lot”! Vilson i çmuar prejardhja e juaj nuk e bën fisnik individin, është individi që e fisnikëron prejardhjen. Ndaj nuk mund te themi nga sot qe qyteti i Klinës është i vogël kur ka njerëz të mëdhenj tha në fund të fjalës z. Krasniqi.
Edhe shkrimtari dr. Anton Gjuravçaj, konstatoi se romani në fjalë është një roman me vlera tipike e moderne me një mozaik të çmuar për letërsinë shqipe nder breza, e që e zë vendin e tij të merituar në rikthim e kerkim të drejtës së vetvetës.
Të gjithë të pranishmit me një falënderim i ka pershëndetur shkrimtari, Vilson Culaj, i cili për këtë organizim të këtij eventi me një fjalë e ka falënderuar prof. Gjovalin Quni, drejtor i Bibliotekës së Qytetit “Marin Barleti” Shkodër dhe të gjithë të tjerët në këtë promovim, i cili edhe në fund ua dhuroi të gjithë të pranishmëve nga një roman.
Në fund u shtrua një koktej rasti dhe vazhduan biseda të ngrohta.
Romani ” I DËBUARI”, është i botuar në “ROZAFA” në shtypshkronjën “LENA GRAFIK” – ISBN 978-9951-02-271-2, i protokoluar në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë dhe gjendet në disa nga librarit e të dy kryeqyteteve, asaj të Tiranës e Prishtinë.