NË BESIANË U MBAJT FESTIVALI KOMBËTAR I LETËRSISË DHE DITËT E DIASPORËS

0
2368
Milazim Kadriu

Milazim F. KADRIU

Shoqata kulturore ‘Prokult’ nga Besiana, nën organizimin dhe drejtimin e Fatmir Halimit e Milazim Kadriut dhe moderimin e prof. Abdullah Blakçori përmbylli takimet letrare “Festivali Kombëtar i letërsisë dhe Ditët e diasporës“.

Festivali një vend të veçantë i kushtoj edhe poetit, publicistit dhe shkrimtarit tonë të mirënjohur Shaip Beqiri, duke ia promovuar librin e tij të ri – “Hinoret e njëjta”.

Ky festival tashmë tradicional është organizuar për herë të pestë dhe kësaj radhe është financuar nga Ministria e Diasporës e Qeverisë së Kosovës.

“Në katër edicionet e kaluara të manifestimit “Festivali Kombëtar i letërsisë dhe Ditët e diasporës“ morën pjesë qindra krijues nga e gjithë gjeografia kombëtare, e ku dhjetëra krijues morën çmime e mirënjohje letrare. Çmimet letrare të këtij Festivali tani gjenden në pronësi të krijuesve të ndryshëm anekënd trojeve tona aty ku flitet dhe shkruhet shqip. Po ashtu dhjetëra krijues nga Kosova, Shqipëria dhe nga diaspora zgjodhën që në këtë festival të bëjnë përurimin e veprave të tyre letrare, tha Milazim Kadriu, udhëheqës organizativ i festivalit duke shpallur të hapur këtë manifestim.

Për vlerat letrare të librit “Hinoret e njëjta” folën Merita Jonuzi, Dan Ibrahimi, Fatmir Halimi. Ndërkaq Dibran Fylli, Ramadan Oraca, Kosovare Pajaziti dhe Saranda Halimi deklamuan poezi nga libri i përuruar.

Më pas në sallën e Teatrit “Avdush Hasani” të qytetit të Besianës ku merrnin pjesë poet nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora u mbajt ora letrare.

Për çmimin e orës letrare “Ditët e Diasporës’ me poezitë e tyre konkurruan mbi 40 poet. Vargjet e tyre i lexuan : Riza Graiqevci, Fatime Ahmeti, Mentor Thaqi, Ibrahim Kadriu, Elhame Gjyrevci, Musa Jupolli, Pandeli Koçi (Sazan Goliku), Halil Gashi, Remzie Abdullahu – Salihu, Shaban Pllana, Dibran Fylli, Shejmondë Paqarada, Sabit Alidema, Rrahim M. Sadiku, Fadil H. Curri, Rexhep Halimi, Drita Kosumi – Syla, Behram Hoti, Nuhi Vinca, Veli Veliu, Nebih Bunjaku, Milazim Kajtazi, Kosovare Pajaziti, Ali Prebreza, Salih Salihu, Erinë Blakqori, Mustafë Krasniqi, Avdullah Troshupa, Nazmi Rudari, , Sheremet Ajazi, Fatime Ahmeti – Fara, Isuf Hoxha, Minire Rukovci – Hyseni, Gani Hamza, Leonita Pllana, Dan Ibrahimi, Lan Çuçalla, Endrit Kovaqi etj.

Juria e përzgjedhur aty për aty në përbërje : Dan Ibrahimi, Ermirë Jusufi dhe Milazim Kadriu vendosën që çmimi i parë i orës letrare ti takoi autorit Mentor Thaçi, çmimi i dytë Ramize Abdullahu – Salihu, çmimi i tretë Erinë Blakqori, ndërsa çmimi i publikut Endrit Kovaçit.

Në fund organizatori përpos çmimeve ndau edhe mirënjohje për Ministrinë e Diasporës, Drejtorinë e kulturës në Besianë si dhe autorit të librit “Hinoret e njëjta” Shaip Beqirit.
Gjatë gjithë manifestimit, anëtarët e shkollës së kitarës “Mirela” ekzekutuan tinguj nga kitarat e tyre, ndërsa Leonita Zeçiri këndojë një këngë.

Në përmbyllje të manifestimit drejtori i festivalit Fatmir Halimi ndër tjera tha se “ Festivali Kombëtar i letërsisë dhe Ditët e diasporës“ ka menduar edhe për bashkatdhetarët tanë në diasporë, dhe për t’i nderuar ata mbajtëm orën letrare të titulluar “Ora Letrare e Diasporës” ku janë paraqitur një numër i madh i krijuesve për t’i lexuar krijimet e tyre artistike, të cilët garuan për çmimin letrar :“Çmimi i Diasporës”. Ai tha se kjo traditë e festivalit do të vazhdojë edhe në të ardhmen me prurje të reja dhe vlera më të pasura artistike, me çmime të tjera me ambalazh të ndryshëm dhe me një festival më madhor.