NË ATË NATË TMERRI…

0
877
Xhaçka takim me aviatorët

ALQIVIADH DEDE

Me Bardhyl Lubonjën na bashkoi qielli që siç e thonë shumë bukur aviatorët është “Atdheu i çudirave”. U njohëm qysh në vitet 1962-63. I sapokthyer nga Bashkimi i atëhershëm Sovjetik, mbas ndërprerjes së studimeve në qytetin Batajsk pranë Rostov mbi Don, fillimisht dhe, më vonë, në Krasnodar, për shkaqe dhe rrethana të caktuara historike që tashmë dihen. Ai u diplomua për pilot në shkollën e aviacionit në Vlorë, që sapo ishte krijuar dhe paskëtaj do të fillojë rrugëtimin në këtë armë të lavdishme në Regjimentin luftarak, në Rinas. Një djalë simpatik, me flokë e sy gështenjë, i matur e fjalëpak, i gjatë me trup të fortë e të zhdërvjellët, sportist që konkurronte me sukses me emra të mëdhenj të atletikës në ato vite, në hedhjen e çekiçit si Ramazan Driza, Isa Tare, Kujtim Shehu etj. duke u renditur ndër vendet e para të klasifikimit.

Bardhi, siç e thërrasim zakonisht, ka fluturuar në të gjithë tipat e MIG-ëve përfshirë dhe atë 21, me klasë të dytë nga shkalla e kualifikimit, sepse për të parën, qysh me vdekjen e Niko Hoxhës për shkaqe që nuk dihen, nuk u praktikua më. Spikati si një pilot i talentuar që shumë shpejt formoi profilin e tij. Nuk kam dëgjuar ndonjëherë nga goja e tij të flasë shumë për vete apo dhe të bëjë vlerësime mbi punën e kolegëve të tjerë pilotë. I thjeshtë e i drejtë, antikonformist dhe me ide të përparuara për kohën; nuk i ka pasur shumë të afërta marrëdhëniet me eprorët dhe, asnjëherë nuk donte të binte në sy apo të dukej. Urrente shumë servilizmin, thashethemet, egoizmin etj. vese të ulta që nuk përqaseshin me karakterin e tij, duke krijuar një farë përbuzje me qëndrimet e tyre.

Bardhi ka kaluar një jetë me peripecira që nuk i pëlqen shumë të flasë për këtë dhe s`ka as inate e as mllefe si një vyrtit i njerëzve fisnikë. Ruan kujtime të mira e të bukura nga ata njerëz të mrekullueshëm që i takoi të punonte një pjesë të mirë të jetës, me ato vështirësi e pengesa, në dimrin e ftohtë dhe në verërat e nxehta, natën e në ré me një përkushtim të jashtëzakonshëm që janë të pakta vende që e kanë kaluar këtë rrugë. Tashmë Bardhi, prej shumë vitesh jeton larg vendit të vet, në Boston, por i mungon shumë vendi i tij dhe shoqëria e sinqertë dhe e qeshur e shokëve të dikurshëm. Këtu, sa herë që vij në Amerikë, takohemi shpesh dhe kujtojmë vitet që kemi kaluar e kemi ndarë shumë gjëra së bashku me të nga besimi i ndërsjelltë që kishim, ndër të cilat dhe ato që pragun e derës së qelisë së burgut e kemi pasur pranë. Në të njëjtin qytet që dikur ka banuar dhe Bardhyl Taçi ish komandanti i aviacionit që ndrroi jetë para dy vitesh dhe e kujtojmë me nostalgji takimin që patëm me të, për një intervistë që ndoshta ka mbetur e fundit që ka lënë pas.

Bardhi banon në një zonë afër aeroportit ku zhurmat dhe avionat vetë, nga instikti nuk i lë pashoqëruar në fluturimin e tyre, por që në fakt i ngacmojnë kujtesën e tij, sikur zgjatohen në sekuencat e sekondave në ato vite me plot ngjarje, mbresa dhe emocione të pashlyera. Nuk flet shumë për to, por më tregon ndonje episod që falë fatit dhe aftësive mundi t`ia dalë me sukses. Është një ngjarje me peshë të madhe psikologjike dhe emocionale jo të zakonshme, përballja me vështirësi që, ndofta janë të lehta për t`u treguar, por ai që i ka ndjerë e di se çfarë peshe kanë pasur për jetën e tij, minuta të tmerrshme kur ka qenë aqë afër me vdekjen dhe është ndarë fatmirësisht prej saj. “Ka qenë 22 korriku i vitit 1972, -fillon të më tregojë dhe ndalet sikur dhe sot i ka të gjalla ato momente, një trysni psikologjike që e ka ruajtur peshën dhe pse vitet që kanë kaluar s`janë të pakta. Sikur ndjehet ngushtë e s`di nga t`ia fillojë, sepse çdo detaj i saj ka një domethënie jo të vogël në rrjedhën e të gjithë ngjarjes. Mendon dhe shikimin e ka fiksuar diku, sikur do të kapë fillin e kësaj historie të dhimbshme.

Eh sa vite kanë kaluar!” -pastaj e merr veten dhe më flet me hollësi për atë ç`ka ndodhur pa i ulur vlerën asnjë elementi të saj. “Ne kishim fluturim natën dhe sipas planit që kishim duhet të bënim nga një fluturim në rreth, për 8-10 minuta dhe ndrrimi i pilotave duhej bërë në pistë, mbasi avioni ulej dhe kthehej 180 gradë e pastaj rrotullohej përsëri te rruga lidhëse me aeroportin për t`u bërë gati për ngritje në mënyrë që t`u jepej mundësia të kontrolloheshin të gjithë pilotëve dhe pastaj të fluturonin vetëm. Kjo ishte një praktikë që aplikohej nga komanda, por në fakt mbartte rreziqe të mëdha dhe binte në kundërshtim me rregulloret e fluturimit. Ishte ora 22.00 e mbrëmjes. E mbaj mend si sot. Ishte një natë e bukur dhe kisha një dëshirë të madhe për të fluturuar, jo si zakonisht. Nuk e di pse. Para meje e kishte radhën Sefedin Tomçini”. (Piloti që disa vite më vonë, u vra aksidentalisht në krye të detyrës- shën.im). Ai e ndërpreu për një çast tregimin dhe një psherëtimë doli nga goja e tij Iu kujtuan ato momente, çaste trishtimi për një nga shokët që s`jeton më dhe, pastaj rifilloi.

“Kështu unë u futa në kabinë, u lidha dhe për të mos u zgjatur shumë në disa detaje teknike, kabina u mbyll dhe u bëmë gati për ngritje pa mosushtruar kontroll sa duhet për veprimet që kishim bërë. Këto veprime u bënë me nxitim, sepse avioni tjetër po vinte në ulje dhe ne ishim në mes të pistës dhe nga vonesat që mund të shkaktoheshin mund të krijonin premisë për ngjarje. Pikërisht gjatë këtij procesi dhe nga nxitimi ekziston mundësia që mos të bëhen gjërat perfekte. Mbasi morëm leje nga udhëheqësi i fluturimeve, i dhashë gaz motorit dhe avioni filloi të lëvizë. Dëgjoja utërimën e motorave dhe zhurmën e rrotave që përplaseshin në ”tapetin“ e pllakave të betonit që, sapo vinin po zbuteshin me rritjen graduale të shpejtësisë. Ndërkohë po ndjeja që ajri në kabinë nuk ishte si zakonisht, por më i freskët dhe më i ftohtë se herët e tjera. Unë po shikoja përpara dhe objektet përreth më largoheshin me shpejtësi, qielli ishte si një kupolë me yje të shndritshëm dhe dritat e tokës sikur bëheshin njësh me to.

Ngrita rrotën e parë, siç veprohet përgjithësisht me avionat që kanë një rrotë para dhe, po e ndjeja që avioni po shkëputej nga toka. Mbas pak çastesh mblodha rrotat dhe po merrnim lartësi, ndërkohë që edhe shpejtësia po rritej deri 400 apo 500 km/orë. Pikërisht, kur lartësimatësi nuk shënonte më shumë se 150-200 m, befas pashë në moment që fanari ishte shkëputur dhe kaloi në të djathtën time, e ndërkohë shumë pluhur u ngrit lart nga kabina; një erë e fortë që m`u përplas në fytyrë, sytë sikur m`u qorruan, veshët m`u bllokuan, koka m`u përplas në sedilje, mbrapa, për fat të mirë nuk pati spostime në të majtë ose në të djathtë se do ishte goditur në pjesën metalike dhe pasojat do ishin fatale. Ndjenjat, koshiencën e humba krejtësisht. Çaste të tmerrshme, janë sekonda që mund të na kishin kushtuar jetën. Komandanti im s`ndihej fare nga goditja që kish pësuar dhe ai. Pak momente më vonë sikur zgjohem nga ajo gjendje shok-u që kisha pësuar dhe ndërgjegjësohem nga ajo amulli ku isha.

Unë fluturoja pa fanar dhe po përballesha me presionin e madh të ajrit që më kishte “gozhduar” në sedilje dhe s`kisha mundësi të lëvizja, por edhe shikimi ishte në mugëtirë pa mundur të dalloja asgjë në errësirën e natës. E vetmja gjë që mund të bëja është të mblidhja forcat për t`u afruar përpara në xhamin e përparshëm e të gjeja një farë mbrojtjeje nga erërat e fuqishme që frynin, sepse plotësisht ishte e pamundur. Ashtu bëra dhe ia dola. Kur është në rrezik, njeriu gjen forca të pashtershme për të dalë nga situata që duken të pamundura në një rrethanë tjetër. Kjo më qetësoi disi dhe shikimi filloi të më qartësohet dhe, papritmas, u përballa me një skenë të llahtarshme që as mund të imagjinohet dhe as mund të përshkruhet kur këto ngjarje dramatike zhvillohen në fragmentet e sekondës dhe jeta ime do kish marrë drejtim tjetër. Një grumbull dritash më afrohej me shpejtësi marramendëse dhe, në ato momente kuptova që avioni po ikte në pikiatë të thellë me një anim rreth 60 gradë. I pakomanduar në drejtim të një grumbulli dritash, një situatë e tmerrshme dhe e frikshme që, për herë të parë, mendova se ky ishte fundi i jetës sime.

Vetëm një pilot mund t`i kuptojë këto çaste dramatike dhe, megjithse po mundohem t`i përcjell tek ju, ashtu siç kanë ndodhur është e pamundur. Jeta e pilotit ka dhe ngjarje të tilla ose dhe të ndryshme nga kjo, por me atë peshë emocionale që përjetova dhe unë, – pak çaste mendohet dhe qetësohet nga emocionet që e kanë pushtuar, sikur e kanë rrëmbyer në vorbullën e asaj ngjarje të atëhershme që desh u mori jetën, dhe vazhdon, – ndjeva një dhimbje në zemër, të rrahura të forta të saj dhe një zjarmi e madhe sikur më kishte pushtuar gjithë trupin nga ato çaste që po kaloja. Por mesa dukej hormonet e adrenalinës kishin vërshuar nëpër venat dhe arterjet e trupit tim për të stimuluar dhe mobilizuar mendjen dhe forcat për të dalë nga ajo gjendje e tmerrshme. Grumbulli i dritave që pashë pak çaste më parë s`ishin gjë tjetër veçse ai i qendrës së Kasharit që më ndihmuan jashtëzakonisht shumë për të përcaktuar pozicioni ku kisha. Në një lartësi kaqë të ulët dhe me shpejtësi të madhe nuk mund ta imagjinoni se çfarë pasoja katastrofike mund të kishte ndodhur jo më për ne, të dy pilotët në kabinë dhe avionin, por edhe për popullatën nga municioni dhe karburanti që kishte me vete. Menjëherë sytë më vanë tek paneli i instrumenteve e pikërisht të aviohorizonti.
(instrument që përcakton pozicionin e avionit në hapësirë-shën.im), i cili më tregoi pozicionin ekzakt dhe kritik të aeroplanit.

Ai më orientoi për të kuptuar këndet e mëdhenj të pikiatës dhe të mënjanimit njëkohësisht. Ishte i menjëhershëm veprimi im për ta nxjerrë nga animi dhe pastaj nga ajo pikiatë vrastare që desh na mori jetën të dy pilotëve. Në analizën time të mëvonshme them se kemi qenë me fat që aeroplani me dy pilotë të shokuar në të, ishte drejtuar në vendin ku ishin dritat e Kasharit, një fshat afër Tiranës pa ndonje zhvillim të madh në ato vite. Pikërisht këtyre dritave të mrekullueshme ”shpëtimtare” ia dedikoj jetën time dhe të komandantit tim dhe të gjithë efekteve që vinin mbrapa saj, njerëzve e dëmeve të tjera. Mbasi e nxorra nga ai kënd i vdekjes, mora lartësi dhe dola në fluturim horizontal për t`u futur në rreth dhe për të shkuar në ulje. Mbas gjithë këtyre peripecive dhe një trysnie të jashtëzakonshme emocionale e një densiteti veprimesh, më në fund arrita të lehtësohem e të lirohem disi nga ankthi, frika, emocionet, nga të rrahurat e shpeshta dhe të sforcuara të zemrës dhe të ndjehem i lumtur dhe i gëzuar.

Kisha shpëtuar nga ai ankth i tmerrshëm dhe nga kthetrat e vdekjes. E ndjeja veten me të sigurtë, sepse kisha dalë fitimtar ndaj kësaj situate kaotike, pa rrugëdalje ku kisha rënë. Shikoja jashtë, qielli që shndriste dhe hëna e plotë që qëndronte si lëmsh i zjarrtë dhe dritat që llamburisnin poshtë, ajri i fuqishëm që vinte në kabinë bënte punën e vet dhe veç ftohtësisë, zhurmës që të shurdhonte, isha spostuar gjithmonë përpara për t`u mbrojtur dhe për t`u orientuar, sepse po i afroheshim aerodromit. Shikova me sa mundësi kisha instrumentet që tregonin punën e motorit dhe u binda që motori punonte normalisht në një lartësi 500 m. Atëre mendova për Gezdarin (Veipi) që ishte mbrapa. S`më kishte shkuar në mendje deri atëre për të, kaqë i impenjuar isha. Si ishte gjendja e tij? Gjëja e parë që më shkoi në mendje ishte të flisja me të nëpërmjet radios, por më kot, s`mora asnjë përgjigje. Çudi, mendoja, mos i ka ndodhur ndonjë gjë?

Lëviza dorezën e komandimit, por ajo lëvizte lirshëm pa kurrfarë rezistence apo reagimi nga ana e tij; askush nuk e prekte qoftë dhe për të dhënë ndonjë sinjal se ishte gjallë. Nuk u ndjeva mirë dhe sërish zemra filloi goditjet e sforcuara, ankth dhe sërish m`u kthye gjendja e mëparshme. Mendova se nga goditjet e ajrit do kishte vdekur përderisa s`jepte shenja jete dhe të fundit thashë me vete do jetë hedhur me katapultë. Mundohesha të ktheja më shumë kokën mbrapa, por vetëm fanarin pashë që ishte në vend. Me mundim të madh për shkak edhe të lartësisë trupore që ma vështirësonte, por edhe rrymat e fuqishme të ajrit që s`më lejonin u ktheva dhe pashë Gezdarin të mbështetur në sedilje nga rrymat e forta i anuar pak në të djathtë pa lëvizur fare. Në këto momente më shkoi mendja te udhëheqësi i fluturimit (Mahmut Hysa që ka ndërruar jetë) dhe megjithse rrymat dhe zhurmat e ajrit më pengonin më në fund e me vështirësi arrita të komunikoj me të për ngjarjen dhe situatën që ndodhesha.

Ishte zëri i ngrohtë që dëgjoja mbas asaj traume që kalova. Në të tilla raste, fjala e tij ka një peshë të madhe morale dhe psikologjike, një ndihmë dhe mbështetje që më udhëzonte se çfarë duhet të bëja megjithëse fjalët vinin të përgjysmuara. Por nuk isha vetëm. Po vija në ulje dhe shikoja që dritat e prozhektorëve në pistë u ndezën plotësisht që, së bashku me ato anësoret e bënin aerodromin të dukshëm, rrezet e dritës së tyre binin të fokusuara në pistë. Kjo pjesë e fluturimit m`u duk shumë më e lehtë. Rreziku kishte kaluar, por ende kishte për të bërë. Gezdarin s`e ndjeja akoma dhe nuk e dija sesi ishte puna e tij. E kjo më shqetësonte dhe lloj mendimesh më vinin në kokë dhe në raste të tilla, sigurisht që për keq, sepse as fliste dhe as lëvizte dhe s`kisha asnjë lloj komunikimi me të. U mundova dhe një herë ta shikoja mbrapa, po në të njëjtin vend i mbështetur pak anash në sedile nga rrymat e forta të ajrit që i vinin nga të dya anët, pa asnjë ndryshim nga pozicioni i mëparshëm.

Vazhdoj fluturimin për në ulje duke dëgjuar vazhdimisht zërin e UF (Udhëheqësi i fluturimit- shën.im) që më këshillonte vazhdimisht se çfarë duhet të bëja. Kur isha pothuaj 1 km nga aerodromi, befas ndjej një ngacmim në dorezën e pilotimit që tregonin shenja jete. Gezdari ishte përmendur. U gëzova jashtë mase pse më dha të kuptoj që ishte gjallë. S`kishte gjë më të gëzuar. U çlirova nga një ankth që më rëndonte shumë. UF fliste parreshtur, por fjalët e tij më dukeshin sikur vinin nga larg si një oshëtimë dhe, pothuaj, nuk arrija të kuptoja asgjë. Para se të futemi në pistë dëgjoj se motori i zhurmshëm kishte pushuar së punuari. Stop krani (dorezë që bllokon menjëherë karburantin- shën.im) ishte mbyllur. Llogaritë ishin bërë dhe avioni u ul nga inercioni që kishte e, mbasi përshkoi një pjesë të pistës u rrotullua anash dhe ndaloi në krah të saj. Kishim fituar mbi vdekjen. Kishim mbijetuar. Një gëzim i ligjshëm. Mora frymë thellë dhe sikur u çlirova nga ajo gjendje emocionale që kishte vazhduar kaqë gjatë. Zbërtheva menjëherë rrypat, u ngrita dhe u gjenda në kabinën e tij. Ai ishte në të njëjtin pozicion, siç e kisha lënë kur e pashë për herë të fundit.

I fola: ”Ej, Gezdar, je mirë?” Më pa, me fytyrë të rreshkur nga erërat e forta që i ishin përplasur, i zbehtë, i plogësht dhe i mpirë nga presioni i ajrit dhe ankthi që kishte përjetuar; filloi të lëvizte gradualisht më me gjallëri. E ndihmova që të lirohet nga rrypat dhe mbasi u çua, u gjendëm ashtu instiktivisht në krah të njëri-tjetrit duke u shtërnguar forcërisht. Më në fund ia kishim dalë. -“Më shpëtove “ më tha. Këto dy fjalë më kanë mbetur në mendje si epilogu i një ngjarjeje që mund të kishte përfunduar në mënyrë tragjike. Të dy, ashtu siç ishim në krah të njëri-tjetrit u ulëm mbi krah të avionit dhe i thashë me sinqeritet ashtu siç dimë të flasim ne pilotët: ”Ne shpëtuam bashkë nga katastrofa, nga vdekja e sigurt”. Dhe si padashur ngritëm kokat lart dhe shikonim qiellin që, ndonëse në mugëtirën e natës, yjet dhe hëna në një cep të saj që vazhdonte udhën patrazuar, ndriçonin. Vërtet në qiell ndodhin çudira! S`kishim se çfarë të thoshim më shumë. Ne ishim dëshmitarë të kësaj ngjarjeje dhe kishim ndjerë në gjithë qenien se çdo me thënë të jetosh.

Në këtë kohe e pyes Gezdarin, se pse fike motorin? Dhe ai m`u përgjigj: ”Unë e pashë se ulja po bëhej normalisht dhe nuk desha për çfarëdo arsye tjetër të vazhdohej fluturimi aqë i vështirë me kabinë të hapur”. Ndoshta kishte të drejtë. Shikimi pa dashur më shkoi drejt qiellit dhe tutje në drejtim të fundit të pistës ndodhej Kashari që falë dritave që ndriçonin na kishte dhënë një shans madhor për të na shpëtuar jetën. Pastaj një grup i madh pilotësh e teknikësh mekanikë që po afroheshin me vrap në pistë dhe u gjendëm në krahët e tyre. Një gëzim i madh e i papërshkruar. E ndjenim veten të lumtur e të gëzuar që ishim në gjirin e tyre. Shokët ishin kuriozë të dinin, me pyetje të shumta që bënin, si na kishte ndodhur ngjarja dhe humbëm në biseda të pafundme. Sa mirë ndjeheshim me ta. Të nesërmen një ekip ekspertësh me teknikun e katërshes, Koço Gjini me urdhër të komandës shkuan në vendin ku mendohej se kishte rënë fanari dhe për fat të mirë e gjetën e çuditërisht të padëmtuar, falë konstruksionit të fortë që kishte. Fshatarët e Kasharit dëshmuan për aqë sa kishin parë, megjithse nuk ishin specialistë të kësaj arme.

Dëshmitë ishin interesante për të krijuar një përfytirim të saktë mbi atë çfarë kishte ndodhur. Disa prej tyre thoshin se kishin parë një aeroplan që fluturonte, jo si diçka që ishim mësuar ta shikonim vazhdimisht, por në mënyrë të çrregullt dhe mjaft të rrezikshme e për më tepër në një lartësi të ulët, çka na bëri shumë përshtypje.Të tjerë, sipas mënyrës së tyre e përshkruanin në mënyrë tragjike, ndërsa disa shtonin se avioni kishte fluturuar aqë ulët sa bishti kishte ”prekur“ majat e degëve të ullirit”, duke treguar me gisht edhe për cilin ulli bëhej fjalë. Kishte vërtetësi përgjithësisht në ato që thoshin fshatarët, sepse ata ishin dëshmitarë okularë dhe tani isha në gjendje ta ndërtoja edhe më mirë trajektoren që kisha përshkuar kur po e nxirrja avionin nga pikiata, por edhe m`u kujtua sesi kisha mundur të dalloja dritat e ndriçimit të shtyllave, bile edhe ato të dritareve të shtëpive nga lartësia e ulët që kisha. Them se një ndikim përcaktues kanë luajtur dhe dritat, ndriçimi në tërësi i qendrës së Kasharit, falë atij elektrifikimi të vendit që ishte bërë. Në rast të kundërt, në kushtet e errësirës, fati ynë nuk dihej si do kishte përfunduar.

Por më duhet të them se dhe në saje të gjakftohtësisë dhe aftësive të mia tekniko-profesionale e përgatitjes fizike, që ju kërkoj ndjesë, mos ma merrni për mëndjemadhësi, sepse unë s`jam nga natyra i tillë, në ato momente të rrezikshme, por dhe të përballjes së mbingarkesave të mëdha në nxjerrjen nga pikiata, munda të shpëtoj…”. Këtu e ndërpret tregimin duke ia lënë vendin një pauze. E lashë dhe unë të meditonte, sepse ishte i mbingarkuar megjithë vitet që kishin kaluar. “Kam dashur shumë herë të shkoj në qendrën e atij fshati,- shton ai pas pak, – që jam i bindur se tani do jetë transformuar nga rrugët, bizneset e ndërtimet e shumta që janë bërë, por s`kam mundur. Sidoqoftë ai terren që lidhet me fatin e jetës sime ka diçka për të më thënë, ndoshta ndonjë ditë, pse jo? Po pse ndodhi kjo ngjarje? Çfarë konkluzioni nxorri komisioni?. Komisioni i ekspertëve, mbasi kontrolloi gjithë procesin dhe dokumentacionin duke na marrë në pyetje edhe ne, nxorri përfundimin se ganxhat e fanarit nuk ishin mbyllur, të cilat siguronin fanarin edhe në ato raste kur hermetizimi i kabinës mos të jetë bërë. Kjo erdhi si rezultat edhe i masave organizative për fluturimin natën si dhe mungesës së kontrollit teknik të tre personave që kishin lidhje drejtpërdrejt me të, teknikut të avionit me nr. anësor 3-38, Bib Lleshi, piloti d.m.th. unë dhe së fundi komandanti, Gezdari.

Padyshim që ky përfundim nuk linte vend për ekuivoke. E rëndësishme ishte se kjo ngjarje përfundoi pa pasoja të rënda, me jetë njerëzish. Mbas asaj traume të rëndë që kaluam, ne kishim nevojë për një periudhë, të paktën 15 ditore, konvaleshencë për relaksim dhe riaftësim gjë që mjeku dhe komanda nuk e gjykuan të nevojshme. Një vendim i nxituar dhe i gabuar pa arsyetuar për gjendjen shpirtërore dhe nervore që kaluam. Mjeku nuk u tregua profesionist në punën e tij, por bënë dhe gabimin e dytë duke na lejuar të fluturonim përsëri menjëherë pas asaj goditje që pësuam. Ne nuk ishim frikacakë, por është normale kjo praktikë mbas asaj gjendje psikologjike për t`u larguar nga ai ambient dhe nga gjithçka që lidhej me të. Sidoqoftë ne ashtu bëmë, filluam fluturimin. Por nxorrëm mësime. Mesa më kujtohet, më 1976, në mos gaboj juve u pezulluan nga fluturimi për shkaqe të rëndomta siç i motivonin në atë kohë. Tani që kanë kaluar kaqe vite dhe janë hedhur dritë mbi shumë gjëra, ç`mendim keni? Të jem i sinqertë unë u befasova për masën që morën ndaj meje dhe as sot nuk jam bërë kurioz të mësoj se në ç`guzhinë u gatua dhe cilët ishin personat që e nxitën dhe, në fakt nuk është ndonjë gjë e vështirë për ta kuptuar po të kemi parasysh se çfarë kritere ndiqeshin që lidhen dhe me situatën politike të atëhershme.

Por shkaku se gjoja i kisha bërë një vizitë në spital kunatit tim, me dukej kaqë e rëndomtë që nuk bindte njeri. Unë mezi e përballova atë situatë sa të vështirë, aqë dhe të papritur, por me shumë shpirtligësi dhe forma e mënyra që nuk lanë një shije të mirë. Por më mirë le t`ia lëmë së kaluarës dhe s`dua të merrem me asnjë person që ka pasur gisht në të. Ata dhe ta vuajnë vetë atë që kanë bërë nëse u ka mbetur një fije ndërgjegje. Për një gjë jam i sigurt, se falë përmbajtjes, vetkontrollit në gjithçka, qetësisë dhe kujdesit tim, pasojat mund të kishin marrë një rrjedhë tjetër. Në fakt dhe sot që po bisedojmë bashkë, megjithë vitet e shumta që kemi lënë mbas, shpesh e kujtoj këtë goditje, si një «rrufe në qiell kristal të pastër…». Më vjen mirë ta pohoj se miqtë e shokët e mi më qëndruan afër dhe ndikuan mjaft që këtë periudhë të rënduar të jetës sime ta kaloj më me lehtësi. Në momente të vështira njihen njerëzit dhe ata s`kam për t`i harruar kurrë. Ju keni lindur në Korçë. Po me aviacionin çfarë ju lidhi? Është e vërtetë që unë kam lindur në qytetin e Korçës, më 17 korrik 1942. Atje u rrita dhe u edukova e mora arsimin përkatës d.m.th. gjimnazin sipas sistemit të atëhershëm.

Unë s`kam pasur ndonjë njohje kushedi se çfarë për aviacionin, jo më që edhe ai vetë u “lind” vonë. Si çdo fëmijë i shikoja me shumë endje, kureshtje e kënaqësi, por edhe interesim gjithë aeroplanët e rrallë që fluturonin mbi qytetin tonë. Luaja me shumë qejf me aeroplanët dhe objekte prej letre që «fluturonin» dhe mbaja afër një model aeroplani druri, që m`i bënte vëllai i dytë. Atij i vinte doresh për kësi punësh aqë më tepër që shikonte tek unë pasionin për të luajtur me to. Një ditë vere, më kujtohet si tani, nxënësit e shkollës po bënim pushimin e madh në oborrin e saj. Kur papritmas pamë një aeroplan me helikë që fluturonte ulët dhe pak çaste më vonë dëgjuam një zhurmë. Të gjithë nxënësit vrapuam të shikonim çfarë ndodhi. Në çatinë e një shtëpie të lartë aty afër, kishin mbetur dy rrotat nga përplasja që kishte bërë dhe mbrapa saj aeroplanin që po digjej. Na thanë se piloti shpëtoi. Piloti ishte Vasil Trasha. Nuk e di po ndjeva një farë dhimbje dhe s`më erdhi mirë që përfundoi ashtu, por fatmirësisht piloti nuk pësoi gjë. Edhe në vitet e mëvonshme që militova vetë në këtë armë nuk u bëra kurioz të mësoja për shkakun e asaj ndodhie.

Vasil Trasha nuk i shpëtoi dot vdekjes, sepse disa vite më vonë do të vritej aksidentalisht gjatë një fluturimi natën. Por unë, atëre, si kuptoja shumë gjëra të kësaj arme dhe më dukeshin mistere që me kohë arrita t`i zbuloj dhe për fat të bëhem edhe vetë një njeri i ajrit. Veç kësaj, në lagjen tonë vinin me leje disa pilotë e teknikë të vjetër si Vasil Trasha, Vasil Qiraxhiu, Ilia Nikolla etj. I shikoja me kërshëri dhe më dukeshin ndryshe nga njerëzit e tjerë, më të pashëm, më të shëndetshëm e të fortë dhe me një uniformë që ua hijeshonte shumë pamjen. Po nga lagjja ku banoja dhe unë shkuan për të vazhduar studimet në Kuçovë Robert Marko dhe Jovan Kacorri. Këto ishin shkëndiat e para që më nxitën të bëhesha pilot dhe kështu bëra kërkesë që m`u miratua dhe fillova shkollën e aviacionit në Kuçovë (Qytetin Stalin) që sapo ishte hapur atëre, më 2.11.1959 deri gusht 1960. Fluturova në Jak 18A që e mbaj mend mirë dhe instruktorin e parë që kam pasur, Petrit Malindi që kishte mbaruar në Bashkimin Sovjetik. Ja kështu e nisa rrugën e aviacionit që nuk jam pishman për zgjedhjen që bëra, sepse e kisha pasion dhe më pëlqente. Unë jam krenar që kam punuar në atë armë dhe për më tepër me njerëz të mrekullueshëm që kemi ndarë shumë gjëra bashkë me ta, ashtu si ishte jeta e atëhershme me të mirat dhe të këqiat e saj”.

Këtu mbaron biseda që bëmë me Bardhin. E shikoj që është çliruar nga një emocion, një ngarkesë psikologjike që e ruan peshën, megjithë kohën që ka rrjedhur. Gjëja që çmoj më shumë në tregimin e tij është sinqeriteti me veten dhe lexuesin si një tipar i karakterit të formuar. Ngrihemi dhe ecim me hap të ngadaltë në një nga parqet e shumtë të Bostonit. Nuk mund të them se dhe unë nuk u preka nga kjo ngjarje që rrallë jeta e pilotëve mos t`i ketë provuar raste të afërta si këto apo dhe më të rënda. Ashtu ka qenë jeta e tyre. Nga aeroporti i Bostonit, avionët ulen e ngrihen vazhdimisht dhe ajo zhurma e tyre, si e turbinave të avionëve tanë të dikurshëm na vjen si një jehonë e asaj kohe që përgatiti e kultivoi karaktere për të përballuar rreziqe, si ky që sapo na tregoi dhe Bardhi. U ndamë me Bardhin për t`u takuar sërish, por me një mall që e pohojnë të gjithë se për arsye të shumta kanë marrë rrugën e kurbetit, në këtë vend të largët, për shokët e miqtë e shumtë që ndonëse s`i kanë ndërprerë kontaktet me ta, mungesën e tyre e ndjejnë.

Boston, Shtator 2016

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar