NË ARKËN E KUJTIMEVE

0
809
Bajram Bashota

Bajram Bashota

tregim

Plisi yt i bardhë si bora e malit e shallin tënd bojkafe e ruej, o babë për mall tënd, në arkën e kujtimeve të mia dhe deri sa të jemë gjallë, do ta ruaj për dashurinë që pate për atdheun, të cilin ta sulmuan barbarët, por ti baba – heroi im e i këtij populli e i kësaj toke: “gjallë a vdekur s’do ta lëshoj kët tokë, gjer sa të më rrah damari i fundit” — më the.

Ti plisbardhi im, që këtë tokë të shenjtë e ujite me djersen e gjakun tënd dhe qëndrove stoik gjer në frymën e fundit me be e rrëfe në Zot e Atdhe, se të vdes për te, o bir, më duket se kam le. E sot pushkën ta ruaj kujtim varur, e mbaj në mur se amanet the ta ruani vetëm për armikun, e mos u përdor kurrë në vëllaun as mikun!

Edhe pllugun e shatin në një kënd të oborrit i ruaj, se me ta na mbajte e gjithë familjen gjer sa re n’altarin e lirisë, e pushkën ta ruaj varur në mur se amanet ma le: “Ruaje këtë pushkë për armikun, por kurrë mos e përdor për vëlla as për mikun, për vëllaun të jeshë vëlla, për mikun mik, për armikun armik“.

E sot unë biri yt erdha në përvjetorin e rënies tënde dhe heronjve e shokëve tu, t’u qes ca lule mbi varrin tënd dhe shokëve, e para se të ndahem m’u kujtuan fjalet e tua, porosia yte dhe në zemër mbaj krenarinë për babain dhe shokët e tij dhe zemra dhe goja vetveti shqiptuan fjalët, LAVDI! LAVDI! LAVDI!

Duke u nda nga memoriali nga sytë më rrodhen pika loti dhimbje e krenarie.