Ndue Ukaj: Ibrahim Rugova dhe bashkimi kombëtar

0
445

Ndue Ukaj Ndue Ukaj

Prijësi i shqiptarëve, Ibrahim Rugova, kur hyri në politikë besonte te vlerat e lirisë dhe kishte një ide të madhe, që ato vlera t’i bënte vlera të përbashkëta të gjithë shqiptarëve në Europën Juglindore dhe t’i kthente në vlera etike të shtetit të Kosovës, të cilin e udhëhoqi deri në vdekje. Ai hyri në politikë për t’i dhënë politikës vlerat intelektuale dhe morale që i kishte sublimuar me libra e studime, dhe kështu u bë prijës i madh, dhe i tillë u vlerësua kudo në botë ku respektoheshin vlerat e njëmenda të lirisë. Në këto ditë të rëndësishme për politikën në Kosovë dhe në rajon, kur po diskutohet për fatin e shqiptarëve dhe sidomos të shtetit të Kosovës, është mirë ta kthejmë në vëmendje Rugovën, por duke e lexuar drejt, në tërësi dhe jo të fragmentuar, siç mund t’iu pëlqej kundërshtarëve të dikurshëm, që tani tentojnë ta imitojnë, ndonëse e dinë se ai ishte i madh dhe nuk mund as të imitohet.

Ai ishte i madh sepse kishte një ide të madhe, një ide të qartë, një qëllim të lartë dhe një traditë të fortë ku e mbështeste filozofinë e tij politike dhe kombëtare. Dhe, në sajë të kësaj platforme, ne i fituam të gjitha ato që i synuam: lirinë, demokracinë dhe pavarësinë. Rugova nuk ishte politikan dosido, që fliste përçartë, siç ndodh të flasin shpeshherë politikanët e këtij rajoni problematik, të cilët ose gulçojnë ose flasin për tema e projekte utopike, për të cilat s’janë të bindur as vetë.

Prandaj, duke e lexuar dhe përvetësuar veprën e tij, fjalimet, intervistat, mesazhet, deklaratat, letrat, ne kuptojmë sa i qartë, sa i bindur dhe sa i ditur ishte ai në platformën e tij. Edhe tani, kur politika shqiptare ka mbetë pa busullën e orientimit, vepra e tij mbetet udhërrëfyese. Intelektuali dhe politikani që kujdesej për kujtesën historike dhe besonte te forca e lirisë, ruante autoktoninë, lexonte Bogdanin, të cilin e kishte model, dhe refuzonte estetkisht. Me këto tipare, ai bëhet politikani më virtuoz që ka dalë nga raca shqiptare dhe një nga mendjet më të shquara të politikës në rrafsh europian. Rugova ishte intelektual i madh dhe kjo e bëri politikan të madh.

Ai hyri në politikë me bindje të formuara kulturore dhe me besim të madh. Ai refuzoi në letërsi, para se të refuzonte ne politikë. Shpeshherë është folë e shkruar për raportet e Rugovës me Shqipërinë si shtet, kulturën e përbashkët dhe lidhjet me figura të specifike të Shqipërisë. Rugova, ka treguar gjithmonë respekt për të tjerët dhe veçmas për Shqipërinë. Për të kuptuar më mirë vizionin politik dhe programin për të cilin ai punonte, me tërë fuqitë e tij intelektuale e politike, ia vlen të risjellim në vëmendje të lexuesve fjalimin e tij të plotë me titull “Shqiptarët- popull antik” të mbajtur në Ceremoninë e shpalljes Doktor Nderi i Universitetit të Tiranës, më 9 shtator 2004.

Fjala e Rugovës

“Titulli që po më akordoni sot është një nderim i madh për mua, për popullin dhe vendin tim Kosovën. Njëherësh kam një ndjenjë të veçantë gëzimi që më dhatë mundësinë të gjendem në mesin e Universitetit Tuaj.

Me këtë rast më lejoni t’i them disa fjalë për Universitetin Tuaj. Do thënë me bindje të plotë se Universiteti i Tiranës i vuri themelet e studimeve moderne në fushat e të gjitha shkencave. Do pranuar se ky Universitet e afirmoi shkencën dhe kulturën shqiptare në botë. Këtu po veçojmë se në fushën e historisë vërtetoi dhe afirmoi njërën nga çështjet kyçe në historinë e popullit tonë, vazhdimësinë e drejtpërdrejt ilire-shqiptare, që më parë ishte tezë shkencore.

Sot mund të themi se është argument, fakt i kryer i vërtetuar në fushën e arkeologjisë, të gjuhësisë dhe të etnologjisë, ku vërtetohet populli dhe territori në Ilirinë e Jugut, pra Shqipëria, Kosova-Dardania antike dhe Maqedonia që mbijetuan historinë në Gadishullin Ilirik në Europën e sotme juglindore. Ky është kontribut i përbashkët i Universitetit Tuaj dhe Universitetit të Prishtinës. Sot është e vërtetë notore se shqiptarët janë një popull antik, që origjina e tyre lidhet edhe me gjenealogjinë biblike.

Do përmendur edhe një veçori tjetër së fillet e bashkëpunimit midis Universitetit të Tiranës dhe të Prishtinës ishte shenja e parë e prishjes së themeleve artificiale të murit ndërshqiptar. Dhe sot falë përpjekjeve të përbashkëta dhe të miqve tanë, zhvillohet një jetë e lirë universitare ndërshqiptare dhe ndërshtetërore.

Në këtë moment solemn dëshiroj të theksoj se Kosova gjatë këtyre pesë vjetëve pas lufte, në liri, ka pasur një progres të madh në të gjitha fushat e jetës. Kosova i ka krijuar strukturat e veta shtetërore dhe po funksionon si shtet në të gjitha segmentet. Objektiva të institucioneve të Kosovës janë: zhvillimi ekonomik, privatizimi, siguria e investimeve, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë si dhe mbrojtja e grupeve etnike apo minoriteteve. Ndërsa tash po punojmë me UNMIK-un për bartjen e kompetencave te institucionet nacionale. Njëherësh po punojmë për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës sa më shpejt, çfarë do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës. Pra, një Kosovë demokratike, paqësore e tolerante e integruar në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA.

Do theksuar se zgjidhja e çështjes shqiptare do të përmbushej me pavarësinë e Kosovës, ndërsa shqiptarët në Maqedoni do të jenë element i shtetit dhe shqiptarët në Mal të Zi e në Preshevë do të udhëheqin veten. Mendojmë se pavarësia e Kosovës është një optimum i shqiptarëve. Unë shpesh e them se pse edhe shqiptarët të mos i kenë dy shtete apo dy e gjysmë si popujt tjerë në rajon apo në Europë.

Objektiva të përbashkëta të Kosovës dhe të Shqipërisë, pra të dy vendeve tona, janë integrimi në BE, në NATO dhe në miqësi permanente me SHBA. E themi me bindje të plotë se shqiptarët në përgjithësi sot janë në rrugë të progresit, janë populli më dinamik në këtë pjesë të Europës e të botës dhe kanë shansin historik të hyjnë me vlerat e tyre në familjen e madhe evropiane.

Në këtë ditë solemne i shprehim mirënjohje të lartë Universitetit të Tiranës për përkrahjen që në vitet ’90 i dha Lëvizjes së Kosovës për liri, pavarësi e demokraci dhe për njohjen e Republikës së pavarur të Kosovës.

Më lejoni që në këtë moment solemn t’i përkujtojmë me pietet të lartë doajenët e Universitetit Tuaj Prof. Eqrem Çabejn dhe Prof. Aleks Budën që dhanë kontribut të madh për shkencën shqiptare dhe europiane.

Në fund do theksuar se nga ky Universitet kanë dalë shumë studiues e shkrimtarë të njohur, në mesin e të cilëve është Ismail Kadare, që me veprën e tij të madhe i afirmoi shqiptarët në botën moderne.
Duke pranuar këtë titull të lartë, Ju premtoj se do të punoj me të gjitha fuqitë e mia për vendin tim Kosovën, për integrimet shqiptare dhe për mirëkuptim ndërshqiptar e ndërnjerëzor”.

Pra, ky fjalim i Rugovës është mesazh për sot dhe nesër, është platformë politike për shqiptarët e sotëm dhe breznitë e ardhme, për ekzistencën e tyre historike dhe politike; është një mostër për gjithë ata që kukurisin poshtë e lart rreth temave patriotike; është një mostër edhe për gjithë ata që qëllimshëm i keqpërdorin fjalët e tij për interesa politike.

Siç del edhe nga ky fjalim, Rugova ishte shqiptar i madh, i ditur, që vlerësonte kulturën e përbashkët dhe që punonte për lirinë dhe përparimin e të gjithë shqiptarëve.

Ai besonte në shtetin e dytë shqiptar, pra në shtetin e Kosovës, dhe e vlerëson të kaluarën, autoktoninë e lashtë e të përbashkët dhe figurat kombëtare, nga Eqrem Çabejn, Prof. Aleks Budën, deri te Ismail Kadareja, që me veprën e tij- siç thotë Rugova- i afirmoi shqiptarët në botë.
Po- ky fjalim i tij- mund të shërbejë për t’i qartësuar shumë dilema dhe njëkohësisht mund të shërbejë si platformë për Kosovën e sotme dhe të nesërme, për përafrim shpirtëror dhe kulturor, por edhe për të punuar që shqiptarët t’i kenë dy shtete dhe të avancohen në vendet tjera ku ata jetojnë.

Unë besoj se trashëgimia e tij politike, si veprimtari korrekte politike dhe dije e manifestuar në shkrim, është kapitali më i madh politik që ka Kosova dhe bazament më i shëndoshë për të ndërtuar të ardhmen tonë progresive dhe perëndimore.