Ndue e Zhaneta Lazri, në 40 vjetorin e martesës së tyre!

0
2305
Ndue Lazri

Eshte kenaqesi te lexosh shkrimet apo krijimet e gazetarit dhe poetit Ndue Lazri.

Kam patur nderin qe ta njifja nga afer çiftin e mrekullueshen, Ndue dhe Zhaneta Lazri (Shqepa).

Pa asnji medyshje, ishin çifti qe binte ne sy ne qytetin e Shkodres, nji çift i sapo diplomuar. Ndueja nga Mirdita dhe Zhaneta nga Pogradeci, dy gazetarë, dy bashkëshortë model.

Sot pas 40 vjetesh, Ndueja dhe Zhaneta i gezohen te shkuares dhe te sotmes, ata kane rritur dy goca modeli i te mires, ashtu siç ishin dhe mbeten prinderit.

Ndues dhe Zhanetes ju uroj ne 40 vjetorin e tyre te kene vetem shendet dhe mbaresi ne jete.

Gjin Musa, gazetar.

40 VJET BASHKË

Është një sensacion i bukur te festosh 40-vjetorin e martesës, 40 vjet rrugë krah për krah. Dua të falënderoj bashkëshorten time, Zhanin, për gjithçka të bukur që ka ditur të më dhurojë në këta 40 vjet. Thuajse u rritëm bashkë. E krijuam familjen në Shkodër, ku kaluam vitet më të bukura të rinisë, lindëm e rritëm dy vajzat tona derisa morën rrugën e tyre të jetës, shkruam e botuam libra, morëm rrugën e emigracionit… Gjithmonë të rrethuar me miq të dashur.

Nuk jemi perfektë. Bashkësia e difekteve tona, që i njohim e tolerojmë, na bën që edhe pas 40 vjetësh të jemi e të ecim krah për krah. Nëqoftëse do konsideroheshim një zemër e vetme, Zhani është pa asnjë dyshim gjysma më e mirë. Uroj të festojmë bashkë edhe martesën e artë e atë të diamantë. Pastaj çfardo që të na dhurojë jeta është e mirëpritur…

TEK KY LIQEN

1.
Tek ky liqen i kaltër unë do të sjell përdore
me këngën “Ma jep zemrën, o djalë, që ma more”
Po kur të ndihet kënga e valës si kristal,
unë zërin do ta ul, unë këngën do ta ndal.
Dhe do të pyes tek bregu, ku vala e bardhë lot,
me shelgjet degëbutë e me shkëmbinjtë e fortë:
-A s’është ky liqen më i miri, më i kaltri,
a s’është qyteti im më i dliri, më i bardhi?

2.
Tek ky liqen i kaltër unë do të sjell përdore,
do të na stërpikin valët me qindra lulebore.
Ti mund të më kesh folur për shumë e shumë qytete,
por unë do t’i harroj kur të të marr me vete.
Kur të të ngjit tek maja e kodrës, në kala,
do të të them me sytë plot dritë: si ky liqen nuk ka.
O mik, me mrekullira atëherë mos më çudit,
po mirë,pra,le të ketë qytete plot me dritë.
me lëvizje, neone, pallate për çudi,
po mirë, pra, më thuaj, ku ka kaq kaltërsi?

3.
Tek ky liqen i thellë unë do të sjell përdore
me këngën “Ma jep zemrën, o djalë, që ma more!”
Që ka liqej të tjerë , këtë unë mirë e di,
siç ka vajza të tjera veç vajzës që do ti.
Por ti mos e moho, unë di edhe diçka,
ti thua kurdoherë: si vasha ime s’ka.

Zhaneta Lazri

Nga libri “PËR DASHURINË”

TI DHE LIQENI.

Zhanit

Si Anteu i lidhur përjetësisht me tokën,
prej nga merrte forcën magjike,
ti je e lidhur me liqenin e kaltër,
që të bën të rendësh në vargjet lirike.
Me këngën e Nositit e magjinë lasgushiane,
u ngjize poete pa e kuptuar,
veç kur shetisje me barkë në Drilon,
të buronin vargjet si ujë i kulluar.
Tani, larg liqenit, të shoh në mendime…
“Le-le sa ngriva”,-më the një natë…
Tek të hidhja mbulesën, pëshpërita:
Po “fryn veriu në Mal të Thatë”.
Për një çast në sytë e tu kaltëroshë,
pashë trazimin e dallgëve në liqen,
mjellmat e kthyera nga Shën Naumi pyesnin:
“Ç’e gjeti poeten që nuk po na vjen?”.
Tek liqeni yt do të të shpie për dore,
siç më shpinje ti, kur të kisha thjeshtë mike,
aromë e unapit do më dehë si dikur
e ti do derdhësh vargje të reja lirike.
Ndue Lazri
Nga libri “Të duash ty…”

Dërgoi për publikim, Gjin Musa, gazetar