Foto nga shembja e Teatrit Kombëtar, Tiranë
Nga Frank Shkreli
Ndryshe nga Tirana zyrtare, që turpërisht dhe brutalisht shembi Teatrin Kombëtar mu në mes të Tiranës, Shkupi zyrtar reflektoi më në fund – falë presioneve të ndryshme –mbi vendimin e marrë më heret për shlyerjen e gjurmëve të familjes së Nenë Terezës në sheshin e Shkupit, qendra shpirtërore e shqiptarëve kudo në botë.
“Na vjen mirë që autoritetet e Shkupit reflektuan pozitivisht dhe zgjodhën rrugën e shtegdaljes, duke i lënë hapësirë dialogut dhe zgjidhjes me konstruktivitet të problemeve të paraqitura. Fillimisht, u premtua se do të hapet një qasje që do të shërbejë si shteg për pelegrinazh në pllakën përkujtimore që shënon vendndodhjen e shtëpisë së lindjes së Nënë Terezës dhe kjo u bë me vendosjen e zhavorit, pastaj edhe të disa pllakave, por krejt këto, në funksion të gjetjes së zgjidhjes sa më adekuate”, është shprehur Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Dr. Skender Asani. “Ne shpresojmë”, shtoi ai, “se ky projekt do të përfundojë brenda pak ditësh dhe se kryetari i Shkupit, z. Shilegov, do ta mbajë fjalën, duke rivendosur shenjat e themeleve të shtëpisë së lindjes së Nënës Tereze dhe hapjen e një shtegu për pelegrinazh”, theksoi ai për mdian
Ndërkohë që ditët e fundit në Tiranë, autoritetet e qeverisë shqiptare zhdukën përgjithmonë, në mënyrë të turpshme, një pjesë të historisë kulturore të Shqipërisë — duke hedhur për tokë Teatrin Kombëtar mu në mes të Tiranës – disa ditë më përpara në Shkup, bashkia e atij qyteti kishte marrë vendimin për të shlyer gjurmët e shtëpisë së Nenë Terezës në Sheshin e Shkupit. Gjëja e përbashkët që ndajnë këto dy ngjarje të tmershme anti-shqiptare është shlyerja e identitetit, historisë dhe kulturës shqiptare në trojet shekullore të Kombit. Por ndryshe nga autoritetet e Tiranës zyrtare, autoritetet e Shkupit zyrtar, pas presioneve të ndryshme, duket se janë tërhequr nga vendimi i tyre origjinal për të zhdukur gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezës dhe familjes së saj, mu në mes të Shkupit.
Kështu të pakën njofton në portalin e tij Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup, nepërmjet një deklarate të Drejtorit të këtij enti, Dr. Skender Asani. Unë e kam ndjekur nga larg këtë zhvillim shqetësues në Shkup, si një sulm jo vetëm kundër Nënë Terezës por edhe si një përpjekje nga Shkupi zyrtar për të vazhduar politikën për shlyerjen e gjurmëve të kulturës, gjuhës dhe identitetit shqiptar në atë qytet të vjetër shqiptar.
Ndonëse nuk besoj se këto dy zhvillime të kenë qenë të bashkrenduara, objektivat për shembjen e tyre, në thelb — dashtë e pa dashtë – përfundojnë në të njëjtin përfundim — në zhdukjen e gjurmëve të identitetit shqiptar në trojet e Arbërit. Ndonëse nuk dimë se kush janë kompanitë e përzgjedhura për të ndërtuar “teatrin e ri” në Tiranë, sipas zyrtarëve maqedonas, parcelën në sheshin e Shkupit e ka blerë kompania Amadeus Group nga Shqipëria, gjatë periudhës së qeverisjes së Gruevskit. Autoritetet maqedonase janë cituar të kenë thënë më heret se lokacioni i blerë në sheshin e Shkupit nga firma shqiptare “do tu këthehet qytetarëve”, pikërisht ashtu siç pretendojnë edhe autoritetet e Tiranës, pas shembjes brutale të Teatrit Kombëtar, gjithçka në emër të popullit por pa e pyetur popullin.
Dikush duhet të shpjegojë dhe të japë përgjegjësi se si, pse dhe në llogari të kujt, vet shqiptarët, me veprimet e tyre –të drejt për drejta ose tërthorazi — janë të angazhuar në skema të tilla për zhdukjen e gjurmëve të historisë, të identitetit dhe të kulturës shqiptare, jo vetëm në Tiranë e Shkup, por edhe anë e mbanë trojeve shqiptare. Këto dy raste, njëra në në Tiranë e tjetra në Shkup, pasqyrojnë qartë një mungesë flagrante mos vullneti të angazhimit në mbrojtje monumenteve, personaliteteve dhe lokacioneve të ndryshme historike shqiptare, anë e mbanë Ballkanit Perëndimor?
Dr. Skender Asani, Drejtor i Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) në Shkup – Fotot: (ITSHKSH)
Por, ekziston një ndryshim i madh midis reagimeve të Tiranës dhe Shkupit në lidhje me këto dy raste. Ndërsa Shkupi po “reflekton”, Tirana zyrtare nuk ka përfillur aspak shqetësimet e grupeve të interesit, artistëve e të tjerëve, që ishin në favor të Teatrit, në një formë ose një tjetër – dhe vendosi më në fund ta hedh në erë, hajnisht, heret në mengjes, ndërkohë që u arrestuan një numër prostestuesish në proces të shembjes së Teatrit, duke arrestuar shumë prej tyre që kundërshtonin shembjen e Teatrit, përfshir gazetarë. Reagimi i autoriteteve të Shkupit ishte krejt ndryshe në lidhje me protestat ndaj shlyerjes së gjurmëve të shtëpisë së Nenë Terezesë në Shkup.
Si rrjedhim i presioneve dhe protestave nga grupe të interesit ndaj vendimit për të shlyer gjurmët e shtëpisë së Nënë Terezes në sheshin e Shkupit, autoritetet e Shkupit rishqyrtuan vendimin e marrë më heret dhe vendosën ta tërhqinin përball protestave. Drejtori i (ITSHKSH), Dr. Skender Asani deklaroi të martën — së bashku me përfaqsuesit e një numri organizatash që mbajnë emrin e Nënë Terezës — se Shkupi zyrtar ka REFLEKTUAR mbi vendimin e mëparshëm dhe se autoritetet kanë premtuar të rivendosin, “Hapjen e shtegut deri të pllaka përkujtimore e Nenë Terezës, që ishte bllokuar më heret: “Qyteti i Shkupit ka reflektuar dhe ndonëse bëhet fjalë për një pronë të privatizuar padrejtësisht dhe në kushte të tjera, është arritur të gjendet një zgjidhje, duke mundësuar hapjen e një shtegu për të vendosur lule te pllaka përkujtimore e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, si dhe për përcaktimin e vijave të themeleve të shtëpisë Bojaxhiu”, ka thënë për median, Dr. Asani.
Dr. Sekender Asani duket optimist me vendimin e autoriteteve të Shkupit për tu tërhequr nga vendimi i tyre i mëparshëm, ndërsa u shpreh se “Shpresojmë që mos të ketë nevojë të shtrohet më kjo çështje” dhe u angazhua se në të ardhmen do të përpilohet një propozim që do u dorëzohet institucioneve përkatëse të kulturës që kjo zonë të shpallet e mbrojtur dhe ajo të mos mund të rrezikohet më nga askush në të ardhmen. Sepse sipas tij, “Figura e Nënë Terezës është pasuria më e madhe shpirtërore që mund ta ketë një shtet si ky i yni për faktin se ajo prej këtu doli në botën e madhe, ku i shpërfaqi të gjitha vlerat më kulmore të humanizmit dhe solidaritetit, prandaj kërkojmë që institucionet tona të gjejnë një modalitet ligjor për ta shpallur trashëgiminë e saj shpirtërore e materiale, aset kombëtar nën mbrojtjen e shtetit”, pasi Nënë Tereza tha ai, është “personaliteti që e ka nderuar më shumë se askush tjetër qytetin tonë në botë”.
Eh, sikur edhe në Tiranë të mbizotëronte fryma e dashurisë, tolerancës, mirëkuptimit dhe e respektit për njëri tjetrin, vlera këto që promovonte Nënë Tereza sa ishte gjallë, jo vetëm midis shqiptarëve kudo por dhe në botë. Eh, sikur të ndodhte kjo, edhe Tirana zyrtare dhe klasa politike shqiptare në përgjithësi ndoshta do të kishte një dashuri më të madhe ose të pakën një tolerancë sado të vogël ndaj njëri tjetrit, kur vjen puna tek ruajtja dhe respekti ndaj trashëgimisë së përbashkët historike të identitetit kombëtar, kulturës dhe gjuhës, e mbi të gjitha të veprohet në interes të Kombit dhe jo në favor të interesave të ngushta personale e partiake, në kurrizë të shkuarës dhe të ardhmes së brezave. Të pakën mos ia mbyllni derën një reflektimi pozitiv mbi situatën e krijuar aktuale dhe idesë se si të dilet prej saj, para se të jetë vonë! Fatkeqësisht, nuk di nëse e shihni, por hapësira për një mundësi të tillë po zvogëlohet, ndërsa atmosfera e radikalizmit po rritet dita ditës, drejtë të cilës ju vet po kontriboni jo vetëm me fjalë por edhe me veprat tuaja të papërgjegjëshme, siç është hedhja në erë e Teatrit Kombëtar, ditët e fundit.