Ndre Mjeda, ma i bylbylshmi za qi ka lmue kandjen e këndimit e kumtimit shqip

0
3214
Albert Vataj

Nga Albert Vataj

Ndre Mjeda gjas me ken e me met nji majë e ngjitun fort nalt në kreninë e shqipes dhe shqiptarëve. Nji ngadhnjyes i paepun i hyjnores qi zafill prej shpirtit të prushtë të atdhetarit. Kushtet e vështira ekonomike nuk e zhytën dot në terr shndritjen e një ylli që e pikasën jezuitët dhe panë tek ai tharmin e një shërbestari të devotshëm, amën e një zelltari të pashoq kushtimesh t’vyeme e aktet t’epërme shembëllimi.

Spanjë, Itali dhe Poloni, ishte gjeografia e studimeve dhe formimit teologjike dhe dijetuese të Mjedës. Në fillim dha mësim në një shkollë të lartë fetare në Kroaci, prej ku u dëbuar nga urdhni jezuit për mosbindje, duke u kthyer në vendlindje, Shkodër. Që në ag të vrulleve, qysh prej fillit të vullnesës së zjarrmimit të ngulmeve kushtruese e hopeve t’ngulta, u lidh me lëvizjen patriotike. Më 1901 bashkë me të vëllanë themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti. Ai shkroi për mirditorët një memorandum, drejtuar përfaqësueseve të Fuqive të Mëdha në Shkodër, përmes t’cillit ata ankoheshin kundër pushtetit osman.

Poeti ngriti zanin e kushtrimit pas mbylljes së shkollës së mesme shqipe në Korçë. Kjo veprimtari do ti kushtonte lirinë. Më 1902 Ndre Mjeda, arrestohet, por i shpëton nji syrgjynosje në Anadoll, kapërcyell të jetës së tij që e himnizon me poemthin, “I tretuni”. Më 1908 në Kongresin e Manastirit u zgjodh anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, ndërsa më 1916-1917 ishte anëtar i Komisisë Letrare. Në periudhën e hovit të lëvizjes demokratike (1920-1924) Ndre Mjeda mori pjesë në jetën politike të kohës dhe u zgjodh deputet. Pas dështimit të Revolucionit Demokratiko-borgjez u tërhoq nga jeta politike dhe punoi si prift në famullinë e Kukël. Vitet e fundit shërbeu si mësues i gjuhës shqipe në qytetin e Shkodrës, dhe vdiq në këtë qytet.

Ndihmesa e shqipshkrimit

Ndre Mjeda dha ndihmesën e tij edhe në fushën e gjuhësisë. Puna e tij u zhvillua në, gramatikë, leksikologji, filologji. Krijoi alfabetin që u zbatua prej shoqërisë “Agimi” me kriterin shkencor për çdo tingull një shkronjë, duke përdorur shenjat diakritike. Dha ndihmesë të shënuar në lëvrimin e gjuhës letrare. Në historinë e gramatologjisë shqiptare janë për t’u përmendur Vërejtje mbi artikuj e premna pronës të gjuhës shqipe (1934), Mbi shqiptimin e qellzoreve ndër dialektet e ndrtyshme të gjuhës shqipe (1902). Ndre Mjeda është ndër të parët gjuhëtarë shqiptarë që u morën me studimin dhe transkriptimin e veprave të letërsisë sonë të vjetër. Transkriptoi pjesërisht veprën e P. Bogdanit (1930) dhe të P. Budit (1932), shkroi për dialektin shqiptar të Istries (1932) dhe për Perikopenë e ungjillit të shek. XIV-XV (1933).

Mjeda dhe poezia

Me Mjedjen kemi një nga mendjet më të mëdha të kohës, njeriu që dinte pothuajse gjithçka për poezinë. Duhet të kujtojmë se ai nuk qe rob i rregullave të ngurta të vjershërimit, pasi siç shkruan “masa e plotëson poezinë, por nuk asht nji gja e domosdoshme e saj”. Kjo thënie ka vlerë të veçantë kur kemi parasysh një poet që ka kultin e formës: duhet kuptuar se, megjithëse mjeshtër i formës, ai nuk e ka kërkuar atë, ka qenë ideja që ia ka organizuar, duke u përftuar kështu katreni katërrrokësh me rimat ABAB, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCC, gjashtëvargëshi shtatërrokësh me rimat ABABCD etj.

Botimi i veprës “Juvenilja” më 1917 pati fatin e veprave të dorës së parë, ato me të cilat mediokriteti i zakonshëm nuk hyn dot në marrdhënje: pra, nuk u shkrua për të. Gjergj Fishta ishte zëdhënës i letërsisë romantike kur do të donte (Hylli i dritës, 1921) që kjo poezi të vinte “më tepër prej zemrës se sa prej mendjes”. Mirëpo s`duhet harruar se në kulmin e postulatit romantik “poezia është shpërthim spontan i ndjenjave” (Wordsworth), John Keats thoshte se poezia është diçka “impersonale”, pa dashur të përmendim Edgar Alan Po e Charles Baudelaire, të cilët sollën shkëputjen e plotë nga kjo atmosferë.

Që në shkulmet e rinisë ai do të hidhte sytë nga poezia, poemthi “Vaji i bylbylit” u botua me 1881. “Liria” do të vinte më 1937. Në xherdanin e kangës ai i ka jo më pak shndritëse poemthat me tingëllima “Lissus” dhe “Scodra”, kjo e fundit e papërfunduar.
Mjeda e kaloi gati gjithë jetën e tij si prift në krahinat e Shkodrës, veçojmë shërbesën 1906-1907 në famullinë e Kuklit.

Epilog

Ma i bylbylshmi za qi ka lmue kandjen e këndimit e kumtimit shqip. Kangën e zashme të amshtit dhe kandës, kurrkush nuk mujti me e ligjëru me atë amë hyjnie ma mirë se Dom Ndre Mjeda. Kurrkush, atëherë e dermsot, nuk ka mujt me e thuar me kaq amëlsi dhe finesë, më një shqipe t’kullueme zanin e shpirtit, kushtrimin e xanun vend thellë në të gjalltë e një prej figurave ma t’andshme të letërsisë shqipe, personaliteteve ma t’venosun të politikës, shërbestarit të devotshëm të fjalës së shenjtë dhe nacionalistit.

Tash rrëmojmë në mbamendjen e kandës së shqipes në gjininë e ligjërimit të hyjnive, poezisë, e sandejmi munena me nxjerr shumë emna, shumë skalitës së asaj gegnishtë t’kulluet, të asaj finesse kumtuese, por s’pariherë na yshtena me e vu përpara në këtë pjedestal Ndre Mjedën. Buzëhollin e lirikës shqipe, zanin e patëdytë të kumbimit.

Dërgoi për publikim Gjin Musa, gazetar