Ndoc Selimi: “Si mundem me ikë pa ty”

0
1335
Ndoc Selimi

Ndoc Selimi, poet dhe studiues, nji penë sa brilante, po aq joshëse per lexuesin. Ndoci shquhet per ndjeshmerinë e tij poetike, eshte sa i vertet, po aq edhe terheqes, çdo varg flet lirshem me lexuesin. Ndoc Selimi ju perket atye njerzeve qe punojn shume, dhe i ikin levdatave, eshte shume dashamires me shoket dhe miqtë, komunikativ me te gjithe, prandaj aty ku punon dhe jeton, ishte aviatori, poeti dhe studiuesi Ndoc Selimi, gezon emer te veçantë, nji familjar model i miresjedhjes, nji qytetar i nderuar, nji poet dhe studiues i lexuar. Te shkruhet per Ndoc Selimin do duheshin faqe te tera, ai eshte patriot, fisnik, ruan te foluren e te pareve tij, nji atdhetar i vertetë. Ndoci me nderoi, duke me derguar librin, si nji dhuratë, qe une e çmoj tej mase. Urime miku im Ndoc Selimi.
/Gjin Musa, gazetar.

Vëllimi poetik “Si mundem me ik pa ty“, i autorit Ndoc Selimi, vjen i treti libër në radhë, i publikuar gjatë viteve të fundit. Pas përmbledhjes me poezi “Brirët e hënës” dhe studimit historik “Kultura e Komanit dhe Komanasit”, punës disavjeçare i shtohet edhe ky titull, duke arritur një sukses tjetër, një vlerë më shumë në krijimtarinë e tij.

Në vëllimin e parë me poezi, botuar më 2003 është konceptuar në dy gjuhë; shqip – italisht, duke na sjell varg pas vargu e strofë pas strofe botën e veçantë dhe zërin e emigrantit, pjesë e të cilit është edhe vetë autori.

Në këto poezi ndjehet haptazi shkëputja e dhimbshme nga rrënjët , malli për atdheun e dhunuar nga viti i mbrapshtë, 97′, vendimin për tu larguar e për të mos ecur në rrugën e urrejtjes e të vdekjes, të përshkruar nga Kaini, për të mos humbur orientimin dhe vetveten.

Libri i dytë, “Kultura e Komanit dhe Komanasit,” botuar në vjeshtën e vitit 2013, është një studim sa historik aq edhe shkencor, një guxim “komàn” – siç mund ta quajmë, për t’i sjellë historisë shqiptare burime të reja e të panjohura deri tani, duke provuar të thyejë disa tabù nacionaliste.

Libri i tretë, i dyti vëllim me poezi, vjen me ngjyra të reja. Autori, meqenëse vjen nga ashti i gegërisë, vendos të na flasë pikërisht me këtë akcent. Pra, poezitë na vijnë me të plota, jo vetëm në tematikë, por edhe në figuracion e freski letrare, aq sa,… disave iu rikthehesh për t’i lexuar me dyfishin e ëndjes.

Tematikat janë të larmishme dhe dashuria e autorit për pjesëzat e jetës që kanë lënë gjurmë në rrugën e vet, u jep frymë dhe i ngjall, duke u shkrirë edhe vetë brenda saj. Mbi të gjitha, në këtë vëllim mbizotëron shqetësimi i autorit për bjerrjën, braktisjen që bashkëkombasit e vet po i bëjnë vendit të tyre, siç janë; largimet masive, boshatisja e fshatrave, qyteteve dhe deri te mërgimet për në dhera të huaja. Gjatë leximit të këtyre poezive duhet të kesh lapsin në dorë për të nënvizuar vargje brilante si; – Në vendin tim lulet kan’ pamjen e diellit. (Asht koha e ardhjes). – M’sollën një lule, por mjerisht lulëzon në ballkonin e vendit t’huej – duke i bërë një aludim emigracionit dhe fëmijëve të tij, që po rriten dhe japin kontribut jasht’ atdheut. – Gjysh! Kur të bjerë floku i borës parë, ndoshta kthehem, me t’dhurue pallton teme prej gzofi… për një gjum’ të gjatë e të qetë, në vetminë e pasosun. (Vorri i gjyshit).

Edhe pse nëpër poezitë e këtij vëllimi hyjnë si “rastësisht” tema të tjera , ku autori i bën me qëllim, për të mos rënë shpirtërisht në një farë pesimizmi, për të mos u vrarë nga kuptimet absurde të trishtimit të kohës së kaluar dhe të një pjese të asaj që po kalojmë sot, përsëri u kthehet trajtimeve që aq shumë u ngjajnë lindjeve të diellit, besimit te e ardhmja, me nuancat e ndjeshme të dinjitetit dhe krenarisë njerëzore e kombëtare. Të tilla vijnë poezitë; “Atdhe”, “Idil vere në Ulqin”, “Urimi i gjethes”, “Rizgjimi” etj.

Unë jam një njohës modest i gjuhës gegërishte, ashtu siç jam fjala vjen i këngës labe me iso. Por kur shkruhet apo këndohet diçka bukur të jep emocione. Kështu ndodh edhe me poezitë e këtij vëllimi.

Por edhe vetë autori është i sinqertë se të shkruarit në këtë drejtshkrim është një shkollë e kulturë në vete. Përpjekjet e tij në vëllimin e ri poetik “Si mundem me ik pa ty” tregojnë një arritje të suksesshme që duhet inkurajuar e përshëndetur për t’i dhënë rëndësinë dhe vlerën njërit prej kryedialekteve të gjuhës shqipe, i cili na vë në sofrën e parë për nga vjetërsia e kombeve. Pavarsisht se vetë Ndoci , prej gati një gjysëm shekulli jeton jashtë “magjes ku gatuhet kjo bukë”, ku flitet gegërishtja, përsëri ka arritur t’i a dalë mbanë, për të risjellë ndër né, atë gjuhë të bukur që kanë kënduar poetë e shkrimtarë të pavdekshem të veriut, që nga vitet e Rilindjës e deri sot, si; Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani, Shiroka, Vaso, Fishta, Mjeda, Koliqi, Migjeni, Camaj , Pipa, Repishti etj.

Në sajë të begraundit te tij, Ndoc Selimi ka njohje dhe korespodencë me miq e letërshkrues në tërë kontinentet, por ai e ka ndjerë nevojën shpirtërore të “flasë” nëpërmes poezive të tij, me atë pjesë të miqve që ka lënë në vendin e vet, në sofrën e të “varfërës” Shqipëri, e cila i “dha mundësi” të fluturojë larg.
Dhe e bën mirë,
dhe e bën me dashuri,
dhe e bën me art.

SAMI GUZINA

POEZITE TONA

Kur te kene mbarue te gjitha fjalte e dimnit
merr simfonine e amel t’ kronit
e vene me kendue.
E une kam me t’ rrecitue poezite e mallit
te stampume me ngjyra
ne syte e tu.
Tashti te ftoftit po vjen me ere e akull mbas malit
e fjollat e bores perzihen nder floke
tuj u shkime ne plasat e gureve t’ heshtun.
Poezite tona ishen vetem shkrola te qendisuna
ne nje anderr,
qe njihere e nji kohe,
i besuem stines e u rrejtem.



VORRI I GJYSHIT

Digjet përbrenda toka e gelqertë
e djersinë stomin e vorreve t’braktisuna
nepër fangjet e barit thatë nën kishë.
Një zhapik verdhacuk
kacaviret mbi kryqin e anuem të gjyshit
e sjell papritmas ngjyrën pikaloshe
të luleve t’zisë.
Harresa lot me copat e viteve
mshehun në murin e rrezuem,
ferrëmancat
e gurin e mbikresë.
Gjysh!
Kur t’bjerë floku i borës parë
ndoshta kthehem,
me t’dhurue pallton teme prej gzofi
t’bleme diku metropoleve t’ Europres
për një gjum të gjatë e t’qetë
në vetminë e pasosun.


BINTE BORË

Borë binte mbi velin e bardhë,
kur zbrite shkallët e kullës gurtë
dhe fustani jot i gjatë
tërhiqej zvarrë
tuj fshi grimcat e sekreteve t’vajznisë
t’ fjetuna kuturù netëve jashtë .
Midis nesh
ligështohet paqa e ngurrueme mbi sy,
besnike sa unaza e lidhun per gisht
dhe nëpër lulet e dimnit n’oborr
harliset era
si alfabet i vjetër mors,
fishkëllimen e mbramjeve tona tuj imitue.
Ti ike.
Kujtesa e kronit dhe kalldrami i ngranë
ngjyren e syve tu kan me e rujtë
me shikim andej kah vjen shiu me t’ lagë.
Fryma e murlanit, lulet dhe fustani bardhë
vizatojnë mbi nè baladën e kalit drunjtë
me trokun e patkojve t’ rremë
shkallmues deri n’ shpirt…
Ate ditë
bora binte si e marrë
nëpër malet e eposit
dhe krushqit në nji shkamb
per çudi,
emnat tonë kishin gdhendë.