Ndoc Gjetja, poeti i shpirtrave njerëzorë

0
2657
Ndoc Gjetja

Gjon Neçaj

Ndoc Gjetja u lind më 9 mars 1944 në fshatin Bërdicë të Shkodrës. Ndërroi jetë me 7 qershor 2010, pra 6 vjet më parë në Lezhën e tij të dashur, që kudo shkoi aty u kthye për të mbyllur qerthullin e zymtësisë jetësore në vitet e demokracisë allashqiptarçe.

Kur ishte shtatë vjeç, prindërit e tij u vendosën me banim në Lezhë.

Në vitin 1970 filloi të botojë poezitë e para, duke dalë me librin e parë. Autor i disa vëllimeve poetike, është marrë vetëm me poezi. Një studiues i njohur e ka cilësuar Ndocin poeti, që din me çdo varg t’i bjerë bukur tastierës së humanizmit.

Kjo thënie për këtë poet ka një lidhje të detajuar me atë çka forcon tipiken e tij. Dhe tipikja e tij nuk është thjesht një anë e filozofisë në vetvete, as edhe një nocion i thjeshtë filozofik, por një hapësirë ku gjendet tërë fuqia e fjalës për të paraqitur vetminë që shihet qartë tek poezia “Po të isha vetëm”, ku autori në vargje e prezanton këtë anë hapësirë me fjalë të goditura:

“më është bërë zakon dhe s’mund të rri një ditë,
pa e bërë një shëtitje atje te sheshi në qendër,
që të shoh fytyrat e shokëve e miqve të mi
dhe fytyrat e njerëzve që s’ua di emrin”.

Tipikja e këtij poeti që i takon atij brezi poetësh, që bënë përpjekjet në heshtje për ta nxjerrë poezinë nga faza e retorikës dhe e notave deklamative e himnizuese, për ta bërë më të larmishme në tematikë dhe më me kolorit në lidhje me hapësirën si filozofi më vete, gjendet edhe në ditërrjedhën e natyrshme, ku enkas mëngjesi merr formën e vetë hapësirës, apo edhe kur shtatë ditët e javës ngjeshen në këtë hapësirë si një ridimensionim kujtese, malli, vrulli dhe heshtjeje deri në pafolshmëri me shoku-shokun.

Këto parë në poezitë e tij “Mëngjes” dhe “Shtatë ditë” nga kapitulli “Bijtë e njerëzve të mirë”, janë aspekte filozofike që ushqejnë diskursin e hapësirës si një aspekt formëplotësues në logjikën dhe timbrin logjik të fjalës dhe vargut, duke e prurë këtë poezi bashkëkohëse edhe në ditët me larmi në bashkëkohësinë e mendimit poetik. Dhe të gjitha këto në hapësirën poetike janë një kënd i ndryshueshëm dhe i vëzhgueshëm, janë një hapësirë e veçantë filozofike në poezinë e Ndoc Gjetjas.

Besnik i patundur i bindjeve e prirjeve të veta, ai vazhdoi të shkruaj deri ne fund te jetes me atë sinqeritet, siç u shfaq aq i befasishëm kur ishte veç se një gjimnazist në Lezhë. Poezi e thellë, e ndjerë, poezi në të cilën rrëfehet bota e njeriut, intimiteti, mardhëniet njerëzore, madje edhe me sendet rreth e rrotull.

Ndoc Gjetja e pagoi haraçin e vet histori, siç shkruan miku i tij Kolec Traboini. Por ndërkohë ai në tërësinë e tij mbeti poet i vertetë. Poezia e tij qytetare, ndryshe prej poezisë marciale të krerëve të letërsisë, kërkonte tek njeriu, tek perjetimi, tek intimiteti, tek ndjesitë e mira e të bukura. Ky ishte Ndoc Gjetja, poeti i shpirtrave njerëzore:

EPITAF PER VETEN

Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja
I cili pati ardhur gabimisht në botë
Nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
Dhe gjithe njerëzit i quante shokë.

Kur pa që ëndërra kalkulohej me kompjuter
Kur pa se idealet rrëzoheshin në kolltukë
Kur jepte buzëqeshje dhe merrte skërmitje
Zuri sytë me dorë dhe vendosi të ikte.

Dhe shkoj e hyri në manastirin e Unit
Të shpëtonte shpirtin nga gjuhëligat e lehjes
Pastaj e përcollën në banesën e fundit
Me shpenzimet falas nga bashkia e Lezhës.

Në çastin e mbramë një hënë e përgjakur
E puthi në ballë dhe thirri “Nënë ”
Mos kërkoni të dini për të më tepër
Se iku sikur të mos kishte qënë.