AV. XHABIR ZEJNUNI
Rastësisht, lexova një artikull, i cili bënte fjalë mbi dy letrat e “ndjesës dhe pendesës” që ish Prokurori Hajredin Fuga dhe ish Gjyqtari i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë Jani Vasili, kishin shkruar mbi gjyqin e manipuluar dhe pushkatimin makabër të priftit Dom Shtjefën Kurtit (datë 20.10.1971). Letrat janë shkruar me dorën e tyre.
Historia e këtyre dy letrave, me dy fjalë është si vijon. Nipi i Dom Shtjefën Kurtit, Nikolin Kurti, i ka kërkuar takim ish prokurorit dhe ish gjykatësit të xhaxhait të tij, të cilët e dënuan atë me vdekje. Midis nipit dhe dy zotërinjve u vendos një “marrëveshje e heshtur” që ata të shkruanin në letër dëshmitë e tyre mbi këtë ngjarje rrënqethëse, por me kusht që letrat të bëheshin publike vetëm pas vdekjes së tyre!
Dhe nipi e mbajti fjalën si burrat për mos publikimin e dy letrave, pa vdekur dy persekutorët komunistë!
Letra e ish prokurorit, është shkruar në qeshor 2011.
Ndërsa letra e ish gjyqtarit, është shkruar në prill 2012.
Ndjesa dhe pendesa e të dy zotërinjve, është vetëm një TALLJE MAKABRE.
Pse?
Hajredin Fuga shkruan: ”Unë e kam ndjerë dhe e ndjej si detyrim të vazhdueshëm që të shpreh ndjesë ndaj gjithë atyre personave që, në tërë këtë që ndodhi në Shqipëri, humbën njerëzit e tyre më të dashur”.
Po ashtu, Hajredin Fuga për mos publikimin e letrës së tij, justifikohet duke thënë se “Jam i moshuar, i lodhur e i sëmurë dhe nuk jam në gjendje të suportoj dot debatin, që mund të bëhet në media për këtë gjë“.
Pse nuk kërkoi ndjesë Fuga me dëshirën e tij që në vitin 1990, por e kërkoi këtë ndjesë vetëm pas kërkesës së nipit të Dom Kurtit? Pse nuk do mund të përballonte ai një debat publik për arsye shëndeti apo moshe të kaluar, kur ai nuk e pati problem që të kërkonte dikur dënimin me vdekje të një të moshuari 73 vjeçar? Po 73 vjeçari si arriti të përballonte një gjyq të manipuluar dhe si rrjedhojë pushkatimin e tij?!
Ndërsa Jani Vasili thotë: “I kam shprehur dhe i shpreh keqardhjen time të thellë familjes, për këtë rëndesë të madhe shpirtërore, edhe për pamundësinë time për të shprehur hapur bindjen time në atë kohë, bindjen time për të vërtetën në atë vendim”.
Edhe Vasili e shpreh ndjesën e tij vetëm pas kërkesës së nipit të Dom Shtjefën Kurtit. Por, shpreh keqardhjen “Për pamundësinë e tij për të shprehur HAPUR bindjen e tij në atë kohë për të vërtetën në atë vendim”. O Zot çfarë ironie makabre!
Nëse atë kohë Vasili nuk kishte pasur mundësi që të shprehte hapur bindjen e tij, ky fakt nuk do thotë që ai pranonte të merrte patjetër në shqyrtim çështjen. Por, edhe çështjet e tjera të asaj kohe. Madje – pse jo – edhe të dorëhiqej nga detyra e tij. Pasi nëse këtë dorëheqje do e bënin edhe prokurorët, gjyqtarët, hetuesit apo kriminelët e tjerë të asaj kohe, atëherë sistemi komunist do pësonte një “BLACK OUT” të VËRTETË, i cili do mund të sillte edhe rrëzimin e tij. Ose “zbutjen” e tij! Por, ja që të gjithë atë kohë bashkëpunuan me “pahir” me atë sistem kriminal dhe sot justifikohen e kërkojnë ndjesë. Jo spontanisht, por vetëm pasi kjo ndjesë ju kërkohet nga familjarët e viktimave të tyre.
Fakt tjetër, është që dy zotërinjtë edhe pas vitit 1990 e vazhduan karrierën e tyre “brilante” në drejtësi, duke arritur majat e saja më të LARTA deri në Gjykatën Kushtetuese!
Ndjesa e dy zotërinjve (dhe jo vetëm e tyre) do kishte VLERË vetëm nëse ajo ndjesë do bëhej menjëherë në vitin 1990 dhe ata do dorëhiqeshin nga sistemi i drejtësisë. Por, pa ju mohuar atyre të drejtën e ushtrimit të profesionit të avokatit. Pse jo edhe të avokatit mbrojtës të viktimave të tyre!
Mund të ndodhë ndonjë ditë (ose natë!) që persekutorët kriminelë të deklarojnë veten e tyre madje të dhunuar, me justifikimin se nëse askush nuk do i bënte opozitë në forma të ndryshme sistemit komunist, do sillte që ata të mos hetonin, gjykonin, apo dënonin askënd. Si rrjedhojë, ata nuk do kishin se përse të kërkonin ndjesë më vonë(…)!
Kur do vihet të shkruajë një libër ndonjë persekutor komunist mbi KRIMET që ai ka bërë?!
Para se ai të vdesë.
TALLJE MAKABËR(….)!