NDIKIMI I LETËRSISË GOJORE (POPULLORE) NË LETËRSINË E SHKRUAR

0
6944
Zymer Mehani - shkrimtar

Shkruan Prof. Zymer Mehani

Sa vërtet përralla ka ndikuar në zhvillimin e prozës së shkruar, këtë e dëshmojnë shumë të dhëna nga letërsitë e ndryshme.

Kështu, fjala vjen, duke folur për përrallën ruse Roman Jakobsoni ndër të tjera thekson se ajo ka luajtur rol të madh në zhvillimin e aftësive kreative të mjeshtërve klasikë të prozës ruse-Tolstoit, Dostojevskit, Leskovës, Ostrovskit. Edhe stili gojor, është karakteristikë tipike dhe e përhershme e letërsisë ruse, buron nga tradita folklorike. Studiuesi kroat, Viktor Zhmegaç, pasi vë në dukje ndikimin e përrallës në kohën e romantizmit, thekson:Edhe romanet e tregimet herë-herë nuk janë asgjë tjetër posë përralla të rrëfyera gjerësisht.

Përralla si gramatikë e fantazisë sikur e quan shkrimtari i njohur italian për fëmijë, Xhani Rodari, ka ndikuar dukshëm edhe në letërsinë për fëmijë, për çka mund të përmenden shumë shembuj nga letërsitë e ndryshme.

Po ashtu, duhet theksuar se edhe disa romane e lloje të tjera të shkruara në prozë, që sot konsiderohen si antipërrallë në esencë janë ngritur mbi botën e përrallës, apo në shtratin e përrallës, siç shprehet studiuesi dhe shkrimtari i njohur për fëmijë, Astrit Bishqemi diku në Historinë e letërsisë shqipare për fëmijë, Sejko, Elbasan, 2001. Kështu ngjet edhe mbi disa vepra të shkrimtarëve të njohur botërorë, si të Franc Kafkës, Xhojsit, Foknerit etj.

Një element të fuqishëm të ndikimit të përrallës në krijimtarinë letrare në përgjithësi e sidomos të prozës duhet parë edhe në përafrimin e këtij krijimi me letërsinë trivale, sidomos me romanin dedektiv, ose të filmave të avanturave të Agentit 007, ku bien në sy shumë elemente të ngjashme, edhe pse të realizuara në lloje dhe mënyra tjera.

Kur gjithë ky problem vështrohet në kuadrin e letërsisë shqipe, përkatësisht të rolit dhe funksionit që ka bërë përralla shqipe në zhvillimin e prozës së shkruar, atëherë mund të thuhet se proza e shkruar shqipe është krijuar dhe është ngritur mbi bazën e prozës gojore shqipe e sidomos mbi bazën formësore, kuptimore dhe artistike të përrallës. Me fjalë të tjera, duke filluar nga veprat e para të letërsisë së vjetër shqipe, si Meshari i Gjon Buzukut.

Pasqyra e të rrëfyerit e Pjetër Budit, Çeta e profetërve e Pjetër Bogdanit etj., e duke vazhduar në periudhën e Rilindjes, midis Dy Luftërave Botërore dhe pas LNÇ, letërsia gojore e bashkë me këtë edhe përralla me të gjithë elementet e saj esencialë është prezente në një shkrimtar apo te një vepër më pak, te një shkrimtar apo te një vepër më shumë, varësisht nga qëndrimi i autorëve ndaj koncepcionit krijues dhe strukturës poetike të veprës, të funksionalizimit të elementeve kryesore dhe të rëndësisë komunikative të veprës letrare.

Prozatorët si Ndoc Nikaj, Mihal Grameno, Foqion Postoli, Haki Stërmilli, Sterjo Spasse, Dhimitër Pasko, më vonë Petro Marko, Jakov Xoxa, Ismail Kadare, Anton Pashku, Azem Shkreli, Bedri Dedja, Rifat Kukaj, Mark Krasniqi, Anton Çetta, Rexhep Hoxha, Maksut Shehu etj., kanë shfrytëzuar elemente të prozës e sidomos nga përralla si në krijimet e tyre për të rriturit, po ashtu edhe në letërsinë shqipe për fëmijë e të rinj.

Shumica e këtyre autorëve, por edhe të tjerëve, nga krijimet gojore në prozë, e sidomos nga përralla, si krijim më reprezentativ, kanë marrë thjeshtësinë dhe koncizitetin e dialogut, thjeshtësinë e ndërtimit të strukturës kompozicionale, esencën e krijimit të imazheve dhe të përshkrimeve, sistemin frazeologjik e sintagmat poetike, llojet e shkurtra retorike; shkrimtarët bashkëkohorë kanë shfrytëzuar sidomos mitet, simbolikën dhe metaforikën mitike, që në veprat e shkruara moderne janë rimitizuar, përkatësisht nëpërmjet të funksionit të ri rimetaforizohet kuptimësia e miteve.

Në veprat e shkruara në prozë autorët shqiptarë kanë shfrytëzuar semantizmin e strukturës morfologjike të fjalëve dhe elementet e prozodisë së fjalisë, karakteristikë e krijimeve gojore në prozë e sidomos e përrallës, pastaj tematikën, modelet, relevancën komunikative që ndikon dhe përcakton estetikën receptive të marrësit etj. Mirëpo duhet theksuar këtu se prozatorët tanë këto elemente i kanë shkrirë në sistemin vetjak kreativ krijues bashkë me elementet e tjera të krijimtarisë letrare artistike, qoftë nacionale, qoftë ndërnacionale, pra kanë krijuar kështu stilin e tyre dhe veprat origjinale.