Ndikimi i Alberto Xhakometit në Hasjanët e Luan Mulliqit

0
609
Identitet

Kompozicioni skulptural “Hasjanet” i titulluar “Identiteti” të akademik Luan Mulliqit, është vendosur në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

E para, këto figurina më shumë duken si eksperimentale, të zgjatura, të holla, gjysmake, të nisura, të zmadhuara për një hapësirë gjeografike jo të duhur. Ana anatomike shkollore për të cilën më nuk duhet të flitet e aq më pak të gjykohet një skulpturë në shesh ose monument, prapë i mbetem borxh gjykimit nga pika zero pra pjesës stilistike të theksuar në trajtimin plastik e vëllimor nga pjesa e poshtme e sipër, një devijim disproporcional e kjo jep përshtypjen se ky kompozicion dhe lëvizja e Hasjaneve nuk është aspak organike.

Duart janë një element që shumë artistë kanë problem të gjejnë lëvizjen t’i pozicionojnë në raport me qëndrimin dhe lëvizjen ose gravitetin trupor. Te Mulliqi vërehet dukshëm ndikimi i madh i skulptorit të shek XX. Alberto Xhakometi i cili veçohej me figura të zgjatura, të stilizuara me një anatomi jazakonisht hollake e deri te fytyra jo e konkretizuar veçse karakteri është i plasuar dhe me lëvizje plastike shumë organike.

Xhakometi krijoj skulptura që ngjajnë me të burgosurit nga nazizmi gjerman, të vuajtur, hollak, të depresionuar, të hequr nga jeta, e krejt kjo rasisht koincidoi me skulpturën e Xhakometit sepse ai nuk e kopjoi jetën reale të vështirë të burgosurve nga nazizmi gjerman. Ndërsa, Mulliqi zgjatjen e figurinave, stilizimin, pjesën e fytyrës, linjat i merr nga Xhakometi. Pse artistët tonë e kthjejnë artin në shek XX, e nuk e tejkalojnë derisa Xhakometi bëri revulucion dhe vulosi një hap para në artin modern, ndërsa te ne jo veç te ky skulptor por edhe te shumë të tjera vërejmë huazime, ndikime dhe përvetësime të pamëshirshme personale nga veprat e mjeshtërve të mëdhenj botëror. Ndikimi është i natyrshëm dhe mendoj që nuk mund të anashkalohet. Për këtë nuk duhet fajësuar artistin, por njeriun si krijesë që imiton kishte me thënë Aristoteli. E nëse artisti në këtë rast e pranon referimin nga Xhakometi quhet imitim, e kur nxjerrë në ekspozim e si krijim personal vetanak atëherë si mund ta quajmë këtë?

E dyta, autori si i koncepton Hasjanët si dritë apo si baltë, dhe me çka duhet mbushur ne shpirtin kur i shikojmë këto skulptura? Me të bukurën apo të shëmtuarën? Ose si duhet trajtuar identiteti ynë hyjnor i Hasjanëve dritë apo siç duken të përlyta nga balta? Këto figura ende i ngjajnë baltës edhe pse kanë marr shkëlqim të bronzës, ndoshta defekti estetik ndodhet dikund në shpirt të veprës. Mirëpo, në këto figurina të zmadhura ka një gjë më të mirë se në shumë skulptura tjera në Kosovë, ajo është tematika. Por një figurinë e zmadhuar gjithmonë mbetet miniaturë në eksterier, dhe këto figurina janë private të cilat njeriu i mban në hapësirat private dollap ose bufe. Karakteristik e veshjes është ajo pjesa e drurit e vendosur në bel të gruas që vërehet në figurina. Gratë në kohërat e lashta drurin në bel e kanë shfrytëzuar për bartjen e ujit.

E treta, këto skulptura nuk po e hedhin shëmbëlltyren të cilen kanë nevojë, pra duhet ta gjejmë gjestin, shprehjen e fytyrës që mbanë shikim të zbrazët dhe nuk po them artisti të imitojë shikimet e Hasjanëve, por t’i stilizojë, t’i ngopë me dritë, art, estetikë, ndjenjë dhe të mbajë ngushtë një shprehje domëthënëse.

Ilir Muharremi, kritik i artit