NDIHMOJENI VENDIN TIM

0
759
Donika Gërvalla - Shefqet Dibrani - Vjosa Osmani

Letër të hapur:
Ambasadorit të ShBA-ve në Republikën e Kosovës z. Greg Dellawie
Ambasadores së Gjermanisë në Republikën e Kosovës zonj. Angelika Viets
Ambasadorit të Britanisë së Madhe në Republikën e Kosovës z. Ruairi O’Connell
Përfaqësuese së BE në Kosovë zonjës Nataliya Apostolova

Kosova i mbajti zgjedhjet e jashtëzakonshme më 11 qershor 2017, të cilat u cilësuan të qeta, të mira dhe të rregullta. Këto zgjedhje sa dhanë sinjal se demokracia në Kosovë po vjen, po aq hapën dilema se demokracia në Kosovë do të prolongohet edhe për një kohë, pasi rezultati përfundimtar tregoi se asnjëri nga tre grupimet e mëdha nuk mund të krijoj qeverinë pa bërë koalicione të tjera paszgjedhore. Ky fakt i ka shtuar ambiciet për tu kthyer humbësit në fitimtar, mentalitet ky mjaftë i rrezikshëm për demokracinë e brishtë kosovare e cila ka nevojë për ndihmën tuaj. Prandaj ndihmojeni vendin tim!

Koalicionet parazgjedhore janë krijuar në përputhshmëri me ligjin zgjedhor në fuqi, prandaj duhet të respektohet rezultati përfundimtar, kurse për krijimin e institucioneve duhet të japin kontribut të gjitha grupet parlamentare por jo të bunkerizohen në konceptet e tyre të vjetruara për t’i mbuluar dështimet në këto zgjedhje. Ky konstatim vlen më shumë për LDK-në, pasi LVV ka shënuar një sukses dhe rritje enorme.

Në vend se strukturat udhëheqëse brenda LDK-së t’i marrinë përgjegjësitë, ata janë lëshuar në aventura të rrezikshme bashkë me të ashtuquajturin “Brezi i Republikës”, i cili në LDK ka hyrë duke shkelur mënyrën e avancimit ashtu siç veprojnë edhe individët nga Shoqëria Civile, të cilët duhet të flasin publikisht pse kanë pranuar një handikap, pa qenë anëtarë të partisë të zgjedhën e të ligjërojnë për demokracinë, tolerancën e dialogun e brendshëm dhe sidomos kur flasin për fjalën e lirë që po ekzistuaka brenda LDK-së?! Ajo që i bashkon është përpjekja për të mos pranuar dështimin, sidomos mënyra për ta justifikuar humbjen është me rreziqe dhe pasoja të mëdha. Kjo analogji ka të bëjë me ndikimin rus dhe atë antievropian, të cilët janë tejet aktiv, me pasoja për demokracinë dhe për strategjinë Evropiane e Amerikane në Kosovë, dhe përgjithësisht në Ballkanin Perëndimor.

Të nderuar përfaqësuese e përfaqësues diplomatik,
gjendja politike në Kosovë është ngatërruar, andaj është më mirë të reagohet tashti, siç thuhet në mjekësi në fazën preventive se sa kur do të bëhet vonë. Kosova ka sfidat e saj dhe obligime ndaj Bashkimit Evropian dhe Amerikës, prandaj ndërhyrja juaj është e domosdoshme në mënyrë që proceset të cilat e presin Kosovën të marrin kahe pozitive. Për këtë arsye Qeverinë e Kosovës, më 3 gusht 2017, duhet ta formojë fituesi i këtyre zgjedhjeve i cili në përputhje me ligjin zgjedhor është koalicioni PAN. Mandatarin e këtij koalicioni duhet ta mbështesin pa hezitim edhe deputetët e koalicionin LAA, veçmas ata të LDK-së.

JA ARSYETIMI LOGJIK:
Bashkimi Evropian, ka themeluar Gjykatën Speciale, për krime të luftës gjatë vitit 1998 – 1999, kurse partitë e dala nga Lufta mbi të cilat rëndojnë akuza të mëdha, kanë shprehur gatishmërinë për të bashkëpunuar me këtë gjykatë, së pari për ta mbrojtur luftën e pastër të UÇK-së dhe së dyti për ta hequr akuzën kolektive që rëndon kryesisht mbi PDK-në, AAK-në dhe NISMA. Janë pikërisht liderët e këtyre partive të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre për tu hetuar dhe nëse ka fakte edhe për tu gjykuar të gjitha rastet individuale që kanë të bëjnë me shkeljet e Ligjeve të Luftës dhe krimeve të tjera me të cilat merret kjo gjykatë, në mënyrë që Kosova të ec drejt integrimeve Euroatlantike. Prandaj është një arsye e madhe pse LDK-ja nuk duhet të insistoj për koalicione joparimore dhe pse deputet e kësaj partie duhet të votojnë për krijimin e Parlamentit dhe të Qeverisë së Kosovës.

Është kjo një arsye e logjikshme dhe mjaftë e fuqishme pse në këtë fazë të zhvillimeve politike duhet të udhëheq fituesi i zgjedhjeve PAN, por në asnjë mënyrë partia që nuk e ka votuar ligjin për Gjykatën Speciale dhe as strukturat e Lidhjes Komuniste të pozicionuara pas Isa Mustafës, duke futur në atë shportë edhe të ashtuquajturin “Brezi i Republikës”, të cilët tashti shprehen se paskan pasur vetëm konflikte aksidentale, se tashmë deputetët e kësaj partie janë unik dhe të vendosur për të mos e pranuar dështimin në këto zgjedhje. Loja për t’u shitur reformator në njërën anë dhe për të mos iu prirë reformave është standard i dyfishtë, por gjatë gjithë kohës shihet se paskan orkestruar demokraci të brendshme për interesa të ideologjisë komuniste e cila nuk pranon dështimin dhe nuk i merr përgjegjësitë.

Të nderuar përfaqësuese e përfaqësues diplomatik,
më 3 gusht 2017, Qeverinë e Kosovës duhet ta themelojë Koalicioni PAN, sepse është fitues legjitim i zgjedhjeve, sepse në legjislacionin e kaluar ishte vet PDK-ja që ka kërkuar një hetim parlamentar për Organizatën SHIK, por këtë interesim nuk e ka shprehur edhe LDK-ja, e cila ka bërë akuza të vazhdueshme dhe të vrazhdëta kundër SHIK-ut, por nuk ka pasur nisma zyrtar për tu hetuar këto vrasje me motive politike, e për fat të keq nuk kanë shprehur interesim as familjaret e viktimave, dy prej të cilëve kanë qenë deputet të LDK-së në legjislacionin e kaluar.

Po ashtu dyshohet se i ashtuquajturi “Brez i Republikës” dhe ata nga Shoqëria Civile, aderimin në LDK nuk e kanë të rregullt, prandaj nuk është demokratike, dhe së këndejmi nuk janë as përfaqësues legjitim të LDK-së, por thjeshtë qenkan pjesë e interesave të “Riinvest”, institut ky i themeluar nga binomi Isa e Muhamet Mustafa në vitin 1995, atëherë kur sistemi komunist i Serbisë anë e kënd Kosovës i pat mbyllur shkollat dhe universitetet. Prandaj të nderuar përfaqësuese e përfaqësues diplomatik, mos lejoni që me misionin tuaj diplomatik të tallen strukturat ideologjike të një sistemi që e keni luftuar edhe ju, e sidomos njerëzit e krimeve të mëdha ekonomike të tallen me interesat strategjike të Amerikës dhe BE-së në Kosovë.

Derisa në PDK & AAK dhe NISMA, ka ndryshime dhe ka gatishmëri për tu ndryshuar, për tu reformuar dhe për të qen aleat i juaj besnik, në LDK ka një bunkerizim shqetësues, aty nuk lejohen reformat, nuk pranohen përgjegjësitë, por e paskan sajuar “Brezin e Republikës”, i cili bashkë me udhëheqjen e kreut të partisë i kanë eliminuar nga strukturat udhëheqëse themeluesit e partisë duke i shpallur të padëshirueshme edhe Degët e LDK-së në Diasporë, pavarësisht se në planin ekonomik nga diaspora ka të hyra me miliarda.

Mendoj se Lëvizja Vetëvendosje, për rritjen e saj enorme është dashur të trajtohet në mënyrë më specifike dhe është dashur mbështetja e juaj, për ta bindur ajo duhet të bëhet pjesë e ndryshimeve të mëdha në Kosovë. LVV-së është dashur Ju t’ia krijoni mundësinë për të qenë pjesë e sistemit, pjesë e reformave dhe pjesë e ndryshimit të madh në Kosovë. Këtë ndryshim Kosova mund ta bëjë nëse mbështetja juaj do të drejtohet kah LVV-në. Vetëm garantimi juaj publik mund t’ua përafrojë dallimin e koncepteve programore në mes LVV-së dhe PAN, dhe nëse ju bëheni garantues për implementimin e programeve, LVV do të jetë pjesë e zhvillimeve të mëdha dhe ndikuese pozitive për integrimin e Kosovës në BE dhe më tej. Çdo koalicion tjetër do të jetë frenues, i dëmshëm dhe me pasoja për zhvillimet e gjithmbarshme në Kosovë.

Të nderuar diplomate dhe diplomat,
autori që po iu shkruan është person publik dhe veprimtar i LDK-së që nga themelimi, autor i 19 librave me 5684 faqe, në të cilët kryesisht janë trajtuar zhvillimet politike në Kosovë. Përvoja e gjatë në këto angazhime dhe njohja e këtyre zhvillimeve i jep të drejtë për të kërkuar nga ju ndryshimin e strategjisë ndaj elitës udhëheqëse, tejet të korruptuar dhe mjaftë kriminale.

Për askënd nuk ka qenë e lehet për t’iu shpëtuar kurtheve dhe veprimeve subversive, por secili publicist dhe autor librash do të ndjehej i lumtur nëse ka guximin për vete dhe të tjerët të kërkojë publikisht verifikimin e biografisë personale për të gjitha figurat publike dhe politike.

Ndërsa në vetën e parë iu garantojë se nuk kam pasur kurrë takime zyrtare e as private me krerët udhëheqës të PAN dhe nuk kam asnjë veprim që njollos biografinë time. Kjo që po flas ka të bëjë me proceset pa u ndikuar në veprime subversive dhe të nëntokës. Por dua të ju sigurojë se nga përvoja tridhjetëvjeçare, kam arsye të shpreh shqetësimin tim publik, dhe të dyshojë se edhe shërbimet tuaja mund të kenë informata të shtrembëruara për biografitë e personaliteteve të caktuar, duke i bërë ata me damkë e të dyshimtë, vetëm për t’i lënë sa ma larg interesit tuaj dhe interesit të Kosovës.

Në këtë plan jo pak personalitete janë futur në karantinë dhe janë izoluar për të mos qenë kurrë pjesë e proceseve. Këto dyshime që po i ngriti publikisht, mund t’i ilustroj me shembuj konkret, por mendoj se nuk janë për interesin publik, andaj iu bëjë thirrje publike për ta ushtruar ndikimi tuaj në këtë faze preventive, madje ai ndikim pozitiv të bëhet i dukshëm, sepse duhet për tu shpëtuar vendi im, në të kundërtën kriza politike do të thellohet, por ju lutem më pas, të mos akuzohet vetëm Kosova!

Të nderuar diplomate dhe diplomat,
kjo letër publike iu drejtohet edhe juve në adresat zyrtare. Për të qenë në rrjedhat e komunikimit publik, dhe natyrisht ky shqetësim për tu adresuar sa më shpejt në zyrat përkatëse të vendeve tuaja, në ata dikaster që merren me çështjen e Kosovës!

St. Gallen, 30 korrik 2017

Me përshëndetje miqësore!

Shefqet DIBRANI – shkrimtar

E. Mail: [email protected]
*Autori është veprimtar i LDK-së që nga themelimi dhe njohës i zhvillimeve politike e publike në Kosovë.