Ndeza një qiri – poezi nga Pajtim Xhelo

0
468
Pajtim Xhelo

Ndeza një qiri

Ra heshtje varri, çpo rënkojnë valët,
Seç po fle dhe deti plak ndënë re
Po fshihen pas dhëmbjes sonë vandalët,
Lotë për vdekjen nuk ka më atje.
Mbi frikën tonë zbiti dhe kjo natë,
Deti i thinjur po fle ndënë re,
I ndezur te dritarja ndenji gjatë.
Qiriri që do na ndriçojë ne.
Ju luta Zotit që ta zbonte vdekjen
E lash dhe shpirtin tim te ky qiri,
E grisha krimin : ” Që të shuash etjen,
Pi gjakun tënd, ti kanibal i ri! ”
Nga tmerri që të zgjohej njerëzimi,
Kot plagosëm ëndrat unë dhe ti,
Askujt veç Zotit s’i trembet mjerimi,
Ndaj u luta dhe ndeza një qiri.
U enda me ankthin, i klitha natës,
Që krahët pat nderur te ky qiri,
Pa zemrës iu turra si shtrëngatës,
Zoti im! Ku të trokas më nuk di.
Po kalëroj në mendim shpirttrazuar,
Kujt t’i kërkoj për Botën një shpëtim?
Nuk ka një Altar të amëshuar,
U lodh nëpër natë ky kali im.
Dyer mbyllur, njerëz strukur harruar,
Edhe vdekja pas dyerve përgjon,
Jetën tonë e paskërkan mallkuar,
Kanë vjedhur dhe varfërinë tonë.
Sonte ndjej nga larg si krokasin korbat,
Gjarpërinj e lakuriq u ndjej erë,
Pas xhamave të errët po shoh torbat,
Që mbushin ca hajdutë dhe bankjerë.
Kalërova akoma nëpër natë,
Pash drone nëpër qiell kur ne flinim,
Zhbironin për virusin këmbëgjatë,
Nesër për ne, kur në çipe të hynim.
Kalërova në mendim nëpër natë,
Boll më, i ranë patkonjtë dhe kalit,
Lash detin plak të flerë sa më gjatë,
Dhe botën mbarë nën thundrën e djallit
Bota e trandur, njerëz të tmerruar,
O Zot, ndaj ndeza sot këtë qiri,
Sill dritën nesër, kur të jemi zgjuar,
Na nxirr nga eerësira në Liri!

Pajtim Xhelo, 3 prill 2020