NDËRPRERJA E PUNIMEVE NË DEÇAN – PJELLË E SHANTAZHIMIT

0
190
Isa Mustafa, LDK

IDRIZ ZEQIRAJ

I shantazhuari Hashim Thaçi, duke mos u provuar asnjëherë me votën e lirë të fshehtë demokratike zgjedhore, të partisë dhe të popullit, pushton partinë e tij, PDK-në, Parlamentin, Gjykatën Kushtetuese dhe ratifikon, ligjëson tjetërsimin e tokave, në favor të Manastirit të Deçanit dhe të devijimit të rrugës, duke pamundësuar lëvizjen normale, në rrugën ekzistuese klasike.

Shantazhimi është krim që pjellë krimin. SHIK-u, i krijuar enkas për hartimin e dosjesve, me qëllim të shantazhimit të çdokohshëm të kundërshtarëve politikë, ka përcjellur rivalët, i ka joshur e kompromentuar, si hisedarë në biznese të pista shumëmilionshe, tendera e terminale. Disa nga të shantazhuarit, prej shumë vitësh janë vënë në shërbim të PDK-së, pavarësisht të injorimit brutal, që i ka bërë LDK-së dhe krerëve të saj.

Ndërkohë që populli i komunës së Deçanit dhe kryetari Bashkim Ramosaj e mbrojnë, me të drejtë, ndërtimin e rrugës drejt Plavës, kryeministri Hoti dhe shefi i tij, Isa Mustafa, dalin përkrah priftit Janjiç dhe të Beogradit zyrtar se, kinse, “duhet repspektuar vendimet e Kuvendit dhe të Gjykatës Kushtetuese”, të dirigjuara nga Hashim Thaçi! Pavarësisht pazareve të Hashimit të shantazhuar, kryeministri Hoti dhe LDK-ja, duhej të ishte në krah të popullit, duke i bindur kishtarët dhe ndërkombëtarët se “nuk mund të ndëshkohet populli, për teket dhe pisllëqet e bëra nga Hashimi me priftin Janjiç dhe Beogradin!”

Fundja, ankesat e priftit Janjiç se rruga pranë Manastirit prishë qetësinë e mjedisit, ka zgjidhje, mjete e mekanizma, që surdinojnë zhurmimin. Ata që kanë pasur rastin të udhëtojnë në Evropë, kanë parë zhurmë-shurdhues, të ngritur pranë shtëpirave buzë autorrugëve dhe linjave hekurudhore. Pllaka të tilla janë praktike dhe kanë një përdorim të gjerë. Nuk e kuptoj pse askush nuk ka sugjëruar diçka të tillë.

Kryetari Ramosaj, popullata e komunës së Deçanit dhe populli i Kosovës, duhet të jenë unik e këmbëngulës, për realizimin e rrugës, në projektimin aktual të saj. Çdo tendencë, për ta devijuar autorrugën, me lakoret “kodra pas bregut”, me ngritjet e zbritjet e panatyrshme dhe idioteske, nuk do të ishte kurrëfarë zgjidhje praktike dhe as funksionale. Asnjë ushtri e botës, përfshi këtu edhe KFOR-in, nuk mund ta mbrojnë kishën tonë, Manastirin e Deçanit. Atë e ka mbrojtur populli i Kosovës dje, e mbron sot dhe do ta mbrojë nesër. Përndryshe, po të mos ishte vullneti dhe përkujdesja e shqiptarëve, për mbrojtjen fanatike të këtij kulti fetar kishtar, sot, jo vetëm nuk do të ekzistonte si objekt rrezatues, por as gjurmë nuk do të kishin mbetur.

Lehtësia garantuese e qeverisë së Kosovës, për përfaqësuesit kishtarë dhe ndërkombëtarë, është objektive dhe faktike. Autorruga që lidhë tri shtete, me parësinë dhe rëndësinë shumëdimensionale, obligon faktorët relevantë, të bëjnë zgjidhjen e duhur dhe përshpejtuese, për realizimin e kësaj vepre madhore e jetike, për popujt e këtyre zonave.