NDERIME KUJTIMIT TË SHOKUT TIM TË SHKOLLËS PEDAGOGJIKE, INTELEKTUALIT TË PËRKUSHTUAR AGRON METAJ

0
763
Agron Metaj

Agron Metaj, 1949-2021

E lexova me hidhërim njoftimin e Shoqatës Atdhetare Vranisht për largimin parakohe nga jeta të intelektualit të përkushtuar Agron Metaj. Ndjeva shumë dhimbje këtu larg rrethuar nga oqeani ku sëmundja më ka larguar para 8 viteve. Nuk e besova që shoku im i shkollës pedagogjike ishte larguar nga jeta. Të ndjerin Agron Metaj e kam pasur shokë në shkollën pedagogjike Fier. Ishim adoleshent 13 vjeçar që nisëm për herë të parë jetën konviktore larg familjes të prindërve tanë. Që ditën e parë në oborrin e shkollës e të konviktit djaloshi Agron Metaj më pyeti se nga cili fshat isha. Fytyra e tij e qeshur rrezatonte mirësi.

Kur mësova se ishte nga Vranishti Labërisë u gëzova shumë sepse Vranishti është vendlindja ku lindi e u rritë nëna ime e shtrenjtë.. Jeta mësimore në shkollën pedagogjike e jeta konviktore na lidhi shumë shpirtërisht. Pedagogjikasi Agron Metaj dallohej për bukuri fizike ,mendore e shpirtërore.Portreti tij i bukur estetik të buzëqeshte sapo e shikoje. Me sytë e tij që ndriçonin Dritë mirësie të jepte ngrohtësi e dashuri vëllazërore. Ndoshta bukuria e tij kishte shumë ngjajshmëri me bukurinë e vendlindjes Vranisht, një ndër fashtrat më të bukur të lumit të Vlorës, i cili me pamjen e tij madhështore, vendosur në prehërin e malit të Çikës, me shumë rrepe të moçëm, të ngulur thellë përrenjve e zajeve, duket si një karakoll krenar, rrahur nga erërat dhe shtrëngatat e kohës.

Vranishtin e qarkojnë vargmale kryepërpjetë, të cilët janë veshur me harca e shkëmbenj shumë të mprehtë. Ujërat e kistalta zbresin duke gurgulluar në përrenj me zalle e stralle, që lëshojnë xixa si flakë. Shpesh Agroni më fliste me shumë mall e dashuri për vendlindjen e bukur Vranisht ku ishte rritur me shumë dashuri nga prindërit dhe mbaroi shkollën unike 7-vjeçare. E filloi me shumë dëshirë vitin e parë të shkollës pedagogjike. Shumë shpejt u evidentua si një nxënës i shkëlqyer në mësime dhe me sjellje shëmbullore në shkollë e jetën konviktore. Me një vetdisiplinë të hekurt studionte me pasion çdo lëndë të shkollës pedagogjike. Në praktikat pedagogjike mësimore në shkollën ushtrimore apo në shkollat e tjera përgatitej me kujdes për organizimin sa më të mirë të orës së mësimit.

Në aksionet që organizonte drejtoria e shkollës për të ndihmuar ekonominë bujqësore të rrethit Agroni dallohej për fymën mobilizuese. Kur mbaroi viti parë i shkollës pedagogjike Agroni u vlerësua me fletë nderi nga drejtoria e shkollës dhe nga drejtoria e konviktit
Me fillimin e vitit të dytë të shkollës Agroni kishte planifikuar që të studionte edhe librat e vitit të tretë e të katërt pedagogjike. Duke qenë se ishte nxënës i shkëlqyer në mësime Agroni kishte bërë kërkesë drejtorisë së shkollës pedagogjike të jepte provimet edhe për vitin e tretë e të katërt. Atë vit mbyllej shkolla pedagogjike e kishte filluar viti i parë i gjimnazit tre vjeçar Në fund të vitit të dytë Agroni ishte miratuar nga drejtoria e shkollës të jepte provimet e vitit të tretë e të katërt, Me vullnet e këmbngulje pedagogjikasi Agron Metaj për dy vjet përfundoi ciklin e plotë të shkollës pedagogjike 4-vjeçare.


Ky botim me vlera historike e akademike e përjetson në Pavdekësi intelektualin e përkushtuar Agron Meta

Në vitet në vazhdim pedagogjikasi Agron Metaj kishte mbaruar shkollën e lartë për gjuhë letërsi dhe kishte filluar punën mësues në vendlindje. Në vitet më vonë duke punuar me përkushtim ishte emruar drejtor shkolle. Ishte një zë i fuqishëm në analizat që bënte seksioni arsimit i rrethit Vlorë.Me guxim kritikonte të metat duke argumentuar me fakte.

E takoja shpesh në Vlorë dhe kujtonim me mall jetën që kishim bërë në shkollën pedagogjike. E shikoja që kishte energji mendore e shpirtërore për të kontribuar jo vetëm në drejtimin e procesit mësimor në shkollë, por edhe me veprimtarinë atdhetare e studime historike krijuese.

Kishte filluar të shkruante monografinë “Kapedan Sali Vranishti”, Hero i Popullit.

Me pasion kishte studjuar dokumenta arkivore për kryetrimin Sali Murati Vranishti duke përshkruar me vërtetësi kontributin e Çetës luftarake Vranisht me Kapedanin Sali Vranishti në Shpalljen e Pavarësisë dhe Luftën Heroike të Vlorës 1920. Kishte intervistuar bashkluftëtar të heroit Kapedanit Sali Vranishti duke i përshkruar realisht betejat që kishte drejtuar Kapedan Sali Vranishti.

I ndjeri Agron Metaj ndjente krenari që po kontribonte me përkushtim për të ndriçuar vendosmërinë e vranishtjotve që morën pjesë në krijimin çetës për “Lirinë e Shqipërisë” me komandant kryetrimin Sali Murati, të cilët ishin betuar për realizimin e programit kombëtar, që e kishin shpallur qysh në fillim të kryengritjes së përgjithshme anti osmane. Çeta për “Lirinë e Shqipërisë” ishte çeta e parë në Lumin e Vlorës si repart i organizuar dhe me objektiva të qarta. ku trimat e Vranishtit u shquan si luftëtarë të vendosur deri në fund për lirinë dhe sigurimin e tërësisë kombëtare e tokësore të popullit tonë. Monografinë “Kapedan Sali Vranishti e kishte ripunuar dhe e kishte botuar në shtëpinë botuese “Toena” në vitin 1999

Në vazhdim i ndjeri Agron Metaj ishte ligjëruesi i talentuar i Gjuhës Shqipe, ishte njohës e specialist i letërsisë shqipe. Fliste me një elokuenncë e oratori me qartësi mendimi. Ishte një veprimtar i palodhur shoqëror. Botonte shkrime në shtypin e kohës. Me pasion Agron Metaj merrej me studime historike për vendlindjen Vranisht, për Lumin e Vlorës e deri në studimet historike pellazgjike. Kishte shumë enderra për të botuar libra të tjerë por sëmundja i ndërpreu jetën parakohe.

I ndjeri Agron Metaj ishte i qeshur kur ishim në shkollën pedagogjike dhe në vazhdimësi si mësues dhuronte vetëm buzëqeshje e mirësi për nxënës, prindër e gjithë komunitetin. Ishte intelektual i spikatur me ndershmëri e vullnet për punë të dobishme për atdheun e shoqërinë. Nga zemra e të ndjerit Agron Metaj buronte dashuri për atdheun,familjen, shoqërinë e miqësinë. Ndofta Zoti e ka marrë para kohe si engjell lart në Qiell. Agron Metaj është i gjallë në zemrat e familjes të tij që e donte shumë, të miqëve e ish nxënësve që e nderojnë personalitetin e ndritur Agron Metaj që punoi me përkushtim për arsimimin e edukimin e shumë brezave.

Bashkia Himarë e ka nderuar intelektualin e përkushtuar Agron Metaj me Titullin “MIRËNJOHJE E BASHKISË SË HIMARËS” Me motivacionin “Për kontributin e shquar në fushën e arsimit, për përkushtim në dhënjen e dijeve e kulturës” Himarë 14.12.2018

Nderime kujtimit të ndritur të intelektualit të përkushtuar Agron Metaj që ka lënë pa botuar mijëra faqe faqe dorëshkrime, me studime, analiza. Ai mbetet i paharruar si njeri model, një mësues i përkushtuar për generata të tëra dhe misionar i palodhur në veprimtarit atdhetare.

U prehët në Paqe!
Me respekte e mall dhimbje
Qatip Mara
Nju Jork, 8.8.2021