NDERIME KUJTIMIT TË NDRITUR TË GJITONIT TIM TË PAHARRUAR PASKAL PAPA QË HUMBI JETËN NË KRYE TË DETYRËS NGA BANDA E KRIMIT

0
506
Paskal e Kristina Papa

Paskal Papa me bashkëshorten Kristina Papa

Me shumë dhimbje shkruaj përkujtimoren e vrasjes në mënyrë mizore në krye të detyrës të gjitonit tim të paharruar Paskal Papa. Kur fillova punë në qytetin Selelenicë, Vlorë njoha përgjegjësin e angjensisë bankare Paskal Papa, i cili tregonte shumë kulturë në shërbimin ndaj institucioneve dhe qytetarëve, si në ditët e planifikuara të shpërndarjes së pagave të minatorëve, puntorëve të ndërmarjes bujqësore, mësuesve, personelit mjekësor, pensionistëve. Me buzëqeshje të sinqertë priste të gjithë klientët e arkës së kursimit, ishte i papërtuar duke shërbyer edhe jashtë orarit zyrtar. Kur krijova familje, pushteti më strehoi në një dhomë përballë shtëpisë private të familjes Paskal Papa, e cila që ditët e para na ofroi ndihmën e saj bujare.

Gjitoni i mirë është si vëlla pa pjesë e në disa raste ia kalon edhe vëllazërisë më të mirë. Nuk mund të harroj ngrohtësinë familjare, që gjetëm tek familja e të ndjerit Paskal Papa. Sapo nisa jetën familjare në dhomë kishim vetëm krevatin e fjetjes. Paskal Papa me bashkëshorten e tij mësuesen e nderuar Kristina na u bënë “derë babe”, me shumë mirësjellje dashamirës na prisnin në shtëpinë e tyre, na ftonin të gëzuar të shkonim pa ndrojtje për të parë edhe televizorin, i cili në ato vite shitej vetëm me autorizim nga institucionet shtetërore.

Paskal Papa

Kur na lindi fëmija i parë, ndihma dhe kujdesi i familjes Paskal Papa ishte e jashtëzakonshme. Me shumë prekupim na jepnin ngrohtësi e dashuri njerëzore, që nuk mund të përshkruhet saktësisht me fjalët e këtij shkrimi. Në dhomën tonë të vetmuar filloi jeta e gëzuar familjare, duke patur mbështetjen miqësore-vëllazërore të familjes Paskal Papa. Edhe kur na lindi fëmija i dytë ndihma e kujdesi ishte i pandërprerë. Kur fëmijët filluan të ecnin e të shkonin në kopshtin parashkollor, shkonin shpesh tek familja e Paskal Papës, hynin lirshëm pa ndrotje si në dhomën e tyre, sidomos për të ndjekur emisionet e televizorit.

E gjithë familja e të ndjerit Paskal Papa, me vajzat e mrekullueshme Klarida, Albana dhe djemtë e urtë e shumë të dashur Altimoni e Leonardi na prisnin të gëzuar me shumë dashamirësi. Sapo hynim në shtëpinë e tyre, fytyra e gjitonit të paharruar Paskal Papa ndriçonte e buzëqeshte me shpirtin e tij human, të sinqertë dhe me shumë mirësjellje na respektonte. Edhe muret e shtëpisë na dukeshin të qeshura sikur na uronin mirëseardhjen në këtë familje të mrekullullueshme intelektuale.

Miku im, gjitoni mrekullueshëm Paskal Papa edhe pse lodhej duke punuar me bilancet financiare në zyrën e angjensisë bankare, më ftonte me këmbëngulje të shkoja për të ndjekur ndeshjet sportive të kampionatit europianë e ndërkombëtare, të cilat ishin argëtimi ynë, por kjo kishte vështirësi se duhet ndërruar drejtimi antenës së televizorit. E ky ndërrim drejtimi bëhej ilegal natën se ditën të raportonin në organet e diktaturës së proletariatit dhe lufta e klasave nuk ta përtonte heqjen nga puna.

Zhurma e madhe demagogjike e luftës kundër ideologjisë armiqësore borgjezo-revizioniste na shoqëronte çdo ditë në punë. Në qytetin e minatorëve Selenicë ishin shtuar të internuarit politikë, të cilët paraqiteshin në mëngjes herët, drekë dhe në darkë tek roja operative e pushtetit, për t’u verifikuar ekzistenca e tyre në Selenicë. Ne mësuesit na përdornin për roje operative, turni i dytë dhe turni tretë.

Na kishin dhënë një fletore me listën emrore të internuarve, ku sipas grafikut në një kollonë duhej shënuar kur paraqitej ose nuk paraqitej personi listuar sipas grafikut ditor. Këtë fletore e kontrollonte vazhdimisht oficeri sigurimit. Kur të internuarit paraqiteshin në turnin tim ndjeja emocione keqardhje, që i kishin internuar. Vigjilenca proletare komuniste të survejonte edhe në gjumë. Me gjitonin tim Paskal Papa bisedonim për jetën demokratike perëndimore, që bëhej jashtë Shqipërisë.

Ai kishte fituar shumë besim tek mua dhe diskutonte pa frikë për ndryshimet e jetës perëndimore me vendin tonë. Paskali kishte vëllanë me banim në SHBA, ishte larguar që nga Lufta Dytë Botërore. Kur erdhi për herë të parë një letër nga vëllai amerikan, Paskali më thirri dhe lexuam fjalitë që vëllai tij theksonte se:
Këtu në Amerikë gazetat shkruajnë, që të konsumojmë sa më pak mishin e kuq, por të konsumohej më shumë mish i bardhë”.

Ishin vitet e zeza të tufëzimit, ne furnizoheshim me tollona, mishin e kuq e shikonim me sy një herë në muaj dhe të gjitha ushqimet i kishin me racion… Edhe pse varfëria ishte reale, na këndohej kënga “Bota vdes nga Uria… Uli çmimet Shqipëria

Në vazhdimësi familja Paskal Papa me shumë dashamirësi interesohej për vajzat e mia, që u rritën edhe me dashurinë e prindërve Paskal Papa. Kristina Papa, por edhe me dashurinë e fëmijve të dashur Klarida, Albana, Altimoni. Leonardi, të cilët ishin të urtë e shumë të dashur. Vajza Klarida Papa shkëlqeu në shkollë dhe krijoji familje me një inxhinjer, duke e lumturuar prindin Paskal Papa me niprit e bukur, të cilët i ndjeri Paskal Papa i ledhatonte me shumë dashuri, Vajza Albana Papa shkëlqeu në shkollë në të gjitha ciklet e arsimimit. Krijoji familje me një intelekltual të talentuar, diplomatin e sukseshëm Albert Jerasi, që ka shërbyer me shumë aftësi e përkushtim në disa ambasada të rëndësishme si në USA, Moskë etj.

Gjitoni im paharruar Paskal Papa ishte i lumtur që vajzat e tij të mrekullueshme Klarida & Albana jetonin të lumtura në familjet e tyre, Ai priste me gëzim të krijonin familje edhe dy djemtë e dashur Altimoni & Leonardi, por dora gjakatare e kriminelëve i ndërprenë jetën mizorisht në moshën 59 vjeçare, në krye të detyrës. Banka e Vlorës për shkakun e trazirave të vitit të zi 1997 kishte ndërprerë furnizimin e bankës Selenicë me para. Gjatë kësaj kohe pensionistët prisnin të merrnin pagën e tyre. Ata të shqetësuar i shkonin përditë në shtëpi të ndjerit Paskal Papa dhe i luteshin të shkonte në Vlorë për pensionet.

Ditën e 18 korrikut 1997 përgjegjësi i bankës Selenicë, Paskal Papa ishte nisur për në bankën e Vlorës i shoqëruar me një polic e shoferin e fugonit. Ai nuk e dinte se ajo ditë ishte dita e fundit e jetës së tij. Në bankën e Vlorës Paskal Papa kishte dorëzuar një shumë të madhe të letrave me vlerë dhe kishte tërhequr paratë e pensionistëve. Duke u kthyer nga Vlora për në Selenicë, hajdutët kriminelë u kishin zënë pritë në kthesat e rrugës për në Lubonjë.

Fugoni me shofer Llani Qirjo Bucaj, me policin Arti Thimo Bucaj dhe përgjegjësin e bankës Selenicë Paskal Papa, ishte goditur pa paralajmërim me breshëri kallashnikovi nga pesë kriminelë. Breshëritë e plumbave kishin plagosur pak shoferin e Policin, por plumbat e shumtë kishin depërtuar në trupin e të ndjerit Paskal Papa. Sipas dëshmive të shoferit dhe policit shoqërues trupi përgjegjësit të bankës Paskal Papa ishte mbuluar nga hemoragjia.

I ndjeri Paskal Papa kishte rënkuar për një kohë të gjatë. Kishte pushuar zemra e të mirit Paskal Papa. Ai kishte mbyllur sytë me shumë hidhërim, që i morën jetën hajdutët kriminelë. Kjo tragjedi pikëlloi familjen e të ndjerit Paskal Papa. Bashkshortja e tij mësuese, e nderuar Kristina Papa Bombaj u godit rëndë nga kjo gjëmë e largimit në mënyrë mizore të shokut të saj të jetës Paskal Papa.

Ata ishin një çiftë i mrekullueshëm, që kishin harmoni shëmbullore. Punonin me ndershmëri duke rritur me sakrifica 4 fëmijë. Vajzat Klarida e Albana dhe djemtë Altimon e Leonard kishin ngrirë nga hidhërimi. Nuk u besohej që ishte vrarë e masakruar me plumba babai tyre shëmbullor. Kriminelët kishin grabitur paratë e pensionistve dhe shteti deri sot nuk i ka gjetur.

Vajza shëmbullore Albana Paskal Papa Jerasi e kujton me dhimbje trishtuese vrasjen tragjike të babait të dashur duke shkruar:
– Po mbushen 23 vjetë që ti mbyllën sytë përgjithmonë. Ta morën jetën në krye të detyrës në moshën 59 vjeçare. Të ndanë nga ne. Na mungonë shuuuuumë. Pesë kriminelët që të vranë ty e hajdutët që grabitën bankën e shtetit, jetojnë të lirë nëpër botë… Mallkuar qofshin! Zotin kemi lënë për ta. Hija e Paskal Papës do t’i ndjekë nga pas ata kafshë, deri në VARR. Shteti “nuk i kap dot”.
– Oooooo shtet!. Kanë kaluar 23 vjeeeeet dhe autorët, hajdutët që të grabitën ty dhe kriminelët që vranë punonjësin tënd, edhe pse ti i di kush janë, ende nuk i ke kapur! Eh, …S’ke ç’u bën, jemi në Shqiperi!!!!!. Është shumë e dhimbshme kur të largohet nga kriminelët njeriu më i dashur dhe jo nga Zoti” – Albana Papa Jerasi

Duke kujtuar me mall dhimbje gjitonin tim të paharruar Paskal Papa dua të theksoj cilësitë e karakterit të tij solid me një personalitet të afirmuar me dituri e punë këmbënglëse. Kur mësova vrasjen e tij makabre nuk e besoja që njeriut më të mirë t’i ndërpritet jeta kaq mizorisht. I ndjeri Paskal Papa ishte vetë MIRËSIA. Me vullnet të hekurt në punë realizonte me suksese bilancet e bankës të Selenicës. Komunikonte me shumë mirësjellje e dashuri njerëzore. Me ndershmëri floriri kryente çdo punë. Ishte i papërtuar për të shërbyer në çdo kohë në bankë, ditën apo natën. Të gjithëve u donte të mirën. Me fjalën e ëmbël si mjalti bisedonte dhe nuk e njihte hipokrizinë, por vetëm sinqeritetin e çiltër, sepse zemra e tij ishte bamirëse. Në fytyrën e tij rrezatohej dritë dashurie për jetën, për familjen, shoqërinë e miqësinë. Ishte një baba shëmbullor, burim fymëzimi për fëmijët e miqtë e tij të shumtë.

I ndjeri Paskal Papa është larguar vetëm fizikisht nga jeta, sepse shpirti tij është gjallë pranë familjes së tij, bashkëshortes shëmbullore Kristina Papa, e cila ka 23 vjet kryefamiljare duke drejtuar familjen me guxim burri e dashuri nëne. Shpirti i të ndjerit Paskal Papa është pranë vajzave e djemve, të nipërve e mbesave, të shoqërisë e miqësisë që ai i donte dhe e donin shumë.

I ndjeri Paskal Papa është dekruar nga Presidenti Republikës Rexhep Mejdani me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, e cila u jepet personaliteteve shqiptare e të huaja për trimëri në luftën e armatosur dhe për veprimtari ose akte të guximit qytetar në kohë paqeje.
Nderime kujtimit të ndritur të gjitonit tim të paharruar Paskal Papa!

Ti rrojnë fëmijët, nipër e mbesa!

Qatip Mara
Nju Jork, 05 korrik 2020