13.5 C
Tirana
( Arkivi 2016 - 2021 )

Nderim për Zef Zorbën

Shkrime të ndryshme

admin
adminhttps://fjala.info/
Arben Çokaj - Mësues Fizike & Informatike :: Gazetar & Analist i pavarur :: Autor librash :: Ueb- & Grafik dizajner

Xhahid Bushati

E kam njohur poetin Zef Zorba. Për këtë kam qenë fatlum. Takime të tilla, mbesëlënëse, sikur nuk vijnë shpesh në jetë. Qenë të përveçme.

Takimi im me zotni Zefin, kështu iu drejtova dhe kështu i jam drejtuar gjithëherë përkoi me punën time, asokohe, gazetar në radio Shkodra, ku mbuloja emisionet artistike.

U takuam në Radio dhe me shumë këmbëngulje e ftova për një kafe. E pranoi. Ajo bisedë është dhe mbeti e vyer për mua. Nuk e vjetëron dhe as nuk e fshin koha. E shikoja me bisht të syrit, at’ burrë që edhe heshtja i fliste. Me një buzëqeshje nazike. Të lehtë. Të gjelbër si një degëz ulliri. Fliste ngadalë. Të shikonte përmes xhamave të gjyslykëve. I kulturuar, e plot dije. Vështrimtar. Biseduam e biseduam dhe në fund, gjithë përkujdesje, i kërkova të bënim një emision. Ai buzëqeshi ngadalë, tundi kokën, buzëqeshi përsëri… (Edhe tani rri e i mendoj veprimet e tij gjatë atij bashkëbisedimi – “Thërriste kujtimet apo ende vazhdonte të largonte natën… Siç thoshte poeti: “tinëzare fërshëllen mbas pritash, / si në kohën e cubave / ku thika vetëtinte e ftohet; e buzagaz me pezëm.” Nuk di ta them… Por në çastin e ndarjes, me pakëz emocion i kujtova porosinë. Ai përsëri buzëqeshi. Më vështroi gjatë… Dhe hodhi hapin ngadalë… Nuk ishte më shumë se dy metër nga ndarja, unë ktheva kokën pas. E pashë edhe njëherë at’ njeri trupmadh, pakëz i kërrusur që ecte ngadalë… Ngadalë… po humbiste nga sytë e mi një dritëz ylli… Nuk e doja këtë ikje… Po në mendjen time e krahasova edhe me një bibliotekë. Në shpirtin tim rrezatonte fisnikëria e tij.

Them, që… pas një muaji u takova përsëri. Kësaj radhe në katedrën e Letërsisë në Universitetin e Shkodrës. Kishte zënë vend në një karrigë dhe vështronte nga xhamat e dritares. Vështronte ato rrugë e shtëpi të Dugajve të reja, që mund të dukeshin. Në çast e përshëndeta. Nuk e lashë të ngrihej. Më buzëqeshi. Nuk më la t’i rikujtoja porosinë… Më tha: “Shpejt do ta bëjmë emisionin!” E falënderova dhe u lumturova. Për gazetarët këto janë ngjarje të shënuara, që gjithashtu, nuk përsëriten kollaj.
Kur unë prisja të bëja emisionin… pas dy javësh, poeti Zorba ndërroi jetë. Ishte fillimjanari i vitit 1993. U dëshpërova. U pikëllova. Më mbeti peng… Qyteti e njihte, qyteti s’e njihte. Qarqet letrare e njihnin, disa qarqet letrare s’donin ta njihnin. Intelektual i vërtetë. Poet me një krijimtari të përveçme në letërsinë shqipe. Sistemi komunist i fali heshtjen, dhimbjen, dramën Zorbës.

Zorba filloi të njihej pas viteve ‘90. Studimi i vazhdueshëm mbi poezinë e Zorbës, më ka bërë të njoh disa kodet të saj. Ja, disa prej tyre:

– Zorba, e ka një shenjë në Kotorr, një shenjë në Shkodër, e një shenjë në Padova. Një rrugëtim intelektuali, i pajisur me magjinë e letërsisë, i pajisur në fushën e shkencave politike. Një formim për t’ia pasur zili!

– Zorba, që nuk ndodh shpesh, ishte një intelektual me ‘shenjë’ në Shkodër. Drita e diturisë së tij e dritësonte qytetin e tij, ku kaloi shumë vite jete. E nderonte qytetin. Ishte një njeri me pronësi të madhe intelektuale. Dhe ky ishte fat për qytetin tim.

– Zorba, me poezinë e tij, i theu kornizat e tabutë e sistemit famëkeq komunist. Ishte poet evropian. Kështu flasin hapësirat e poezisë së tij. Erdhi me një profil të veçantë si askush, për t’ia shtuar më tej kurorën letërsisë shqipe, veçanërisht poezisë.

– Zorba, si poet i përket “letërsisë së sirtarit”. Nuk e lanë të kumtonte. Askush nuk ia njohu verbin poetik. Kjo është arsyeja që dramën e tij e pikëzoi, si rrallë poet, që në titullin e librit: “Buzë të ngrira në gaz”. Pasqyrim i një epoke-dramë. Përmes këtij vargu ishte dhe në thelb edhe marrëdhënia e poetit me realitetin ekzistues. Ndaj, dhe në vargjet e tij lëviznin si drama të vërteta, plot metafora e epitete të trishta si këto: “I errët ky shteg.”, “Në cep të greminës”, “një zhig përshtypjeje”, “njollat e territ përgjakë”, “sytë e përlotur”, “ku jeta – dhuratë përbuzet, / ku hiqet dreqi me vdekë”, “o rrugët e errëta”, etj., etj. Ndaj, shpesh, në poezitë e tij thoshte plot dhimbje (e një dhimbje tragjike): “Nuk mundem / rrugën me gjetë pa dritën / tande.”, “Dritë përmes avulli”, “Dalloj fytyrën tënde, pluhur bore; / marrshëm për pak më buzëqeshë”, “… piklohen / shkurret / me ëndrra / xixëllonjash.”, “Por diç njëherë gufon në gji / e m’jepet një buzëqeshje me ia prirë / çdo drite motër / që shuhet.” etj., etj.

Zorba e ëndërronte dritën! Ndoshta… mbase… edhe qëndrimi në at’ karrige në katedrën e letërsisë përballë dritares, mbase ishte një motiv i përjeshtëm: për të parë dritën, për të ëndërruar ende dritësinë e saj, për të parë jetën e qytetit, Shkodrën – qytetin e jetës së tij!

(xhb, korrik 2016)

- Reklama -

Më shumë shkrime

Shkrimet e fundit