Në “Ditën Kombëtare të Jetimëve”:
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1.
Siç është e njohur nga të gjithë, çdo vit, 20 maji shënon ”Ditën e jetimëve”. Dhe, sigurisht, secili nga ne perjeton dhimbje pë rata fëmijë fatkeqë, të cilëve u mungoi dashuria e prindërve dhe të afërmve. Megjithatë, gjoqëria nuk I braktimi ata. Përkundrazi, i afroi, I mbajti pranë në jetimoret e ngritura posaçërisht, I shkolloi dhe I mbbështeti të krijonin familjet e tyre dhe të ecnin të sigurtë në udhët e jetës.
Natyrshëm, në një ditë tillë edhe mua mendja më shkon në vizitat, që kam bërë gjatë jetës, në këto institucione, si: në Jetimoren dhe Shtëpinë e Fëmijëve të Shkodrës, në Shtëpinë e Jetimëve në Tiranë e tjerë. Sa herë kam qenë aty, jam emocionuar dhe më kanë pushtuar ndjenja të fuqishme dhimbjeje, për ata fëmijë, që jetën e kanë kaluar pa dashurinë prindërore, pa një vatër të ngrohtë familjare.
Pas disa dhjetëvjeçarëve, kuljtoj tani se, për herë të parë, e kam vizituar Shtëpinë e Fëmijëve të Shkodrës, në vitin 1963, kur nisa detyrën e redaktorit, në gazetën e fëmijëve “Pionieri”. Ndoshta, arsyeja kryesore ishte se, aty kishin kaluar disa vite të fëmijërisë së tyre, bashkashortja ime e ardhëshme, Katerina Kola (Zhuri) dhe e motra, Lena. Gjithashtu, më vonë mësova se aty kishin qenë mjaft të njohur të tjerë, disa edhe nga vendlindja ime, Tropoja, si: Pali Proletari, Gegë Sokoli, Drande e Marash Rama, Dila Kola, Ndue Mëhilli, Jorgo e Janaq Dërrasa, Adem e Drita Bajrami, Nikolla e Drita Zhonga, Hasime e Xhemile Uka, Lutfije dhe Enverije Miftari, Zojë e Mereme Uka, Ana Shala, Kristaq e Violeta Turtulli. Bahrije Miftari, Eglantina Haxhija, Hatixhe Goxhaj, Zenel, Miftar e Fatime Uka, Leze e Gjergj Pali, Ndue e Fran Zefi, Nikë Vuksani dhe të tjerë.
2.
Të gjithë këta, ish-jetimë ose pa përkrahje në vegjëlinë e tyre, kanë ruajtur përherë në zemër dashuri e mirënjohje të thellë për drejtoreshën dhe edukatoren e paharruar, Persa Grabova, por dhe për: Syrije Sylaj, Madalena Bushati, Roza Preka, Nurie Rama, Parashqevi Shallvari, Matilda Gjoni e Belkize Shazi (të trija, këto të fundit, u caktuan më vonë drejtoresha) e të tjera.
Në një kujtim, ruajtur në dhomën-muze, një djalë jetim ka shkruar këto radhë për Persa Grabovën, më vonë ndëruar me titullin e lartë “Mësuese e Popullit”: “Edhe sot e mbaj të gjallë para syve të mi portretin e saj, ashtu trupimët e të shkathët. Ajo më donte shumë, si fëmijën e saj. Edhe tani, më duket se më del përpara, më zgjat duart e saj dhe më përkëdhel me to, si nënë e mirë. E ndiej nga afër zërin e saj të ëmbël:-Të keqen nëna! Për mua, ajo do të mbetet përherë nënë e dhëmbshur, edukatore e talentuar dhe mësuese shembullore”.
Sa herë kam shkuar në atë vatër të ngrohtë familjare, edhe unë e kam ndier veten si në shtëpinë time. Këtë mjedis të ngrohtë, ia krijonte çdo mysafiri, së pari, Nënë Persa. Vogëlushët jetimë ose të mbetur pa përkrahje, të rrethonin plot dashuri. Këtë e kam vërejtur dhe kur aty kam drekuar a darkuar me ta ose kur më kanë gostitur me ëmbëlsira e fruta dhe, më tepër, më kanë dhuruar dashuri të sinqertë.
Pra, nga largësia e atyre viteve, përulem me respekt të thellë për nënën dhe edukatoren e talentuar, të mrekushllueshme dhe të paharruar, për disa breza fëmijësh jetimë e të tjerë, që kreu detyrën e drejtoreshës, në atë Shtëpi Fëmije, “Mësuesen e Popullit“ Persa Grabova. Me atë pamjen e saj engjëllore, me shikimin e ëmbël dhe zemrën bujare, pra si një “Nënë Terezë e dytë”, me atë taktin e rrallë pedagogjik e tjerë, ajo bëri për vete zemrat dhe mendjen e sa e sa fëmijëve shqiptarë, që më pas hynë denjësisht në jetë. Shkurt: ajo u bë vërtetë një nënë e dytë për ta dhe e tillë mbeti gjatë tërë jetës.
Pjesë e dhimbjes, përkrahjes e kujdesit, por edhe shqetësimeve të shumta për fëmijët jetimë, në Shkodër, u bë edhe bashkëshorti i P.Grabovës, xha Vasili. Gjithashtu, si vëllezër e motër për ta u bënë fëmijët e tyre, atëherë ende të vegjël, Xhorxhi, Laurenti e Sonja. Nderim, respekt e krenari të natyrshme për gjyshen e tyre kanë tani edhe mbesat, Perseta e Serla. Ato janë shkolluar dhe japin ndihmesën e tyre të çmuar në sektorin e arsimit e shendetësisë.
Për këto e shumë arsye të tjera, më duken fare të pafuqishme shprehjet e mia dhe aq të pakta radhët, që po shkruaj për Nënë Persën. Sepse ajo ishte arsimtare, edukatore dhe veprimtare shembullore, e cila do të kujtohet ndër breza, me dashurinë dhe respektin, që i meriton plotësisht.
3.
Pasi mbaroi shkollën e mesme në Tiranë, Persa Grabova detyrën e nderuar të mësueses e nisi në Krujë. U dallua dhe për ndjenjat e saj atdhetare e antifashiste. Pas çlirimit të vendit u përfshi në luftën kundër analfabetizmit. Pa ngurruar, ajo shkoi e punoi drejtoreshë e konviktit, në krahinën e thellë malore të Dukagjinit. Ngjarje e rëndësishme e jetës së saj ishte koha, kur e caktuan drejtoreshë të Shtëpisë së Fëmijëve, në Shkodër. Mbi 15 vjet të jetës së vetë, ajo i lidhi ngusht me ata fëmijë, të cilët, me të drejtë, kurdoherë do ta quanin, me fjalën aq të dashur e të ngrohtë për të gjithë: “Nënë”. Shpejt ajo krijoi një traditë të re në punën me fëmijë të tillë, e cila shtrihej në lëmin organizativ, pedagogjik, shoqëror e tjerë. Për atë, edukatorja e shtëpisë së fëmijës përfaqësonte nënën, mësuesen, kujdestaren, shoqen, miken e afërt të tyre, por dhe prindin kërkues e qortues, kur ishte nevoja.
Episodet nga jeta e puna e Persa Grabovës, në shtëpinë e fëmijëve jetimë, në Shkodër, janë të shumta. Më kujtohet një rast, që ma kishin treguar: Një herë u sëmur rëndë një vajzë dhe e shtruan menjëherë në spital. Tërë natën ajo ishte e shqetësuar, si për fëmijën e saj. Të nesërmen në mengjes, ishte nëna e parë, që hyri në pavionin e spitalit. Edhe në kohën e lirë, Persën e gjeje ndërmjet fëmijëve, duke biseduar ngrohtë me ta, duke i mësuar dhe këshilluar për çështje nga më të ndryshme të jetës, si: për punën, krijimin e familjes së nesërme e tjerë. Veçanërisht, vetë tregohej e vëmendshme dhe këtë gjë e kërkonte nga koleget e saj, për edukimin moral e qytetar të vajzave. Prandaj, njëra nga ato, kishte shkruar këto fjalë, pas një fotografie: “Për kujtim të paharruar, njeriut më të afërm, që më është gjendur pranë, në momentet më të vështira të jetës”.
…Lindi në korrik 1918 dhe i mbylli sytë përgjithnjë, më 6 dhjetor 1964. Kaloi një jetë të tërë në shërbim të edukimit dhe mësimit të fëmijëve jetimë ose pa përkrahje, një jetë të përkushtuar për mirërritjen e tyre. Prandaj Persa Grabova, “Mësuese e Popullit”, la gjurmë të pashlyera dhe mbetet e paharruar jo vetëm për fëmijët e atyre viteve, kur shërbeu në arsim dhe në shtëpinë e fëmijëve të Shkodrës, por dhe të viteve pasardhëse.
Tiranë, 20 maj 2018