Gëzim Xhelili
Intelektualin e talentuar Gëzim Xhelili e njoha kur ishte drejtor në shkollën tregtare Vlorë në vitin shkollor 1997-1998. Kishte një pasion të madh për ta bërë shkollën tregtare shkollë pilot të përvojës së përparuar. Shkoi në seminare të organizuara në Bavari Gjermani nga OJQ – GTZ, e cila e kishte në patronazh shkollën tregtare për pasurimin e bazës materile mësimore didaktike. Mësimdhënia e mësimnxënia në shkollën tregtare u intesifikua nga puna plot fantazi e drejtorit të shkollës Gëzim Xhelili, i cili me thjeshtësi komunikonte me kolektivin. Filluam të pasuronim historikun e shkollës tregtare.
U lidhëm me ish mësuesin e shkollës tregtare intelektualin erudite të shquar filozofin, Prof. Isuf Luzaj në Amerikë, duke i kërkuar kujtime për shkollën tregtare. Ai me shumë dashamirësi na dërgoi letër me shkrimin e tij të dorës kujtimet që kishte punuar mësues në shkollën tregtare, dhe në fund të kujtimeve vlerësonte shekullin e XX-të, si shekullin e sëmurë të Luftërave Botërore.
Gëzim Xhelili kishte qënë nxënës i shkëlqyer në mësime, kishte ecur në këmbë nga Panaja në Vlorë për të vazhduar gjimnazin “Halim Xhelo”, të cilin e kishte mbaruar me rezultate të shkëlqyera, duke fituar të drejtën e studimit në profilin fizikë 5-vjeçare. Edhe student ai, kishte shkëlqyer në studime duke kryer punë studimore në laboratorin e fizikës bërthamore së bashku me shokun e tij Besnik Sykja, të cilët u shuan në moshën më të re.
Prof. Bardhosh Gaçe në parathënjen e librit “Gjurmë të kohëve të përflakura” të autorit Arshi Xhelili, shkruan për mikun e tij Gëzim Xhelili:
“Kur ishim student në Universitetin e Tiranës, miku im Gëzim Xhelili vinte shpesh në konvikt dhe bisedonim gjatë për letërsinë, artin, shkencën dhe jetën tonë. Sa herë vinte Gëzimi, miku ynë Besnik Sykja linte librat mbi tavolinë dhe sosej aty për të bërë shaka e humor në shoqërinë tonë. Besnik Sykja e donte dhe e çmonte shumë. Kur ishim në vitet e fundit të studimeve, Gëzimi vinte shpesh në dhomën e Besnik Sykes dhe aty shikoja se deri në orët e vona të pasmesnatës diskutonin për fizikën kuantike dhe shkencëtarët e mëdhenj të botës. Gëzimi nuk shkonte në dhomën e tij në konvikt, por vinte aty në dhomën time të flinte. Këto mbesin kujtime të rinisë sonë. Një mbasdite pranvere kisha ftuar në dhomën tim profesorin Vehbi Bala, i cili erdhi aty së bashku me shkrimtarin Jakov Xoxe. Unë u ndodha disi ngushtë, por shpejt e zgjidhi situatën Gëzimi, i cili thirrin Besnik Sykën, blenë në lokalin “Sudenti” katër birra dhe u sosën aty. Qysh atëhere, biseda me Jakov Xoxen dhe Vehbi Balën të dyve u mbeti në mendje. Gëzimi e pati takuar edhe dy-tre here të tjera Jakov Xoxen dhe unë rrija e dëgjoja se si ata diskutonin për romanin “Lulja e Kripës”, për personazhet dhe ambjentet, që kishte gdhendur mjeshtri i madh i prozës shqiptare”.
Në muajin shkurt 1999 u tronditëm nga një informacion, që mësuam në spitalin e Vlorës, ku mjeku radiolog duke vizituar drejtorin e shkollës Gëzim Xhelili, i thotë shoferit të drejtorit në gjuhën greke, se drejtori ka edhe dy muaj për të jetuar, se ka sëmundje të rëndë… Ai e kuptoi bisedën midis shoferit të tij dhe mjekut radiolog. U pezmatua duke thënë me dhimbje:
“ Pse më zuri kjo sëmundje tani, që fëmijët i kam të vegjël ? ”
Ai kishte dy fëmijë, djalin në klasën e tetë, ndërsa vajzën në klasën e katërt. Shkoja shpesh në apartamentin që banonte drejtori i shkollës, sepse ai ishte martuar me motrën e shokut tim nga Selenica, Irfan Canaj, e cila kishte qënë nxënëse e gjimnazit “Hajredin Beqari” dhe kishte kryer shkollën e lartë.
Drejtori i shkollës vinte shpesh tek shtëpia ime në lagjen “Uji i Ftohtë”, qëndronim në kopshtin e shtëpisë me pemë e prodhime zarzavatesh. Ai u miqësua shumë me mua, duke më ftuar në kalimin e kohës së lirë. Kur u sëmura rëndë nuk vinte më në shkollë, por me grupe kolegët e tij shkonin për ta takuar, por nuk kishim guxim për ta parë të tretur në shtratin e tij.
U zhvillua ceremonia mortore, duke e përcjellur me dhimbje në 21 maj 1999 në fshatin Panaja, ku kishte banuar në fëmijërinë e tij
Bashkëshortja e tij, Neta Xhelili, i thuri këto vargje pikëllimi:
NJË DHIMBJE QË ÇAN DHE QIELLIN
Nëse urrej gjë në botë,
Urrej veten dhe fatin tim zi,
Të mos jem siç isha s’duroj dot,
Në qiellin e shpirtit mbetem vetmi,
Dhe gjumi herët nga mua largohet,
Si çekan akrepi godet një… dy… tri…Pres agimin, fytyra e tij më afrohet,
Më duket sikur flas me dhimbjen në gji,
Endrrat që m’u vranë më s’mund t’i kem,
Shpresën që e kisha, viq një ditë me Ty,Të shohë në udhë qyteti, tej në Panaja,
Me diellin kur del në kurorë të tij,
Gëzim! Ajo dritë që vezullon si ari,
Shpesh të thërret, të thotë jam këtu,
Në fjalën tende që ngrohte si behari,
Në mirësinë tënde që vetëtin gjithashtu,
Fëmijve të heshtur si t’u them unë vallë,
Zogjve të tu, s’u them se nuk je gjallë,
Vështrimin tënd nga fotografia përqafoj,
Buzëqeshjen trëndafil unë e kam pranë.
15 vjetori martesës Neta Xhelilin e gjeti në zi, për të cilën ajo shkruan: “Endërrat e jetës janë të mëdha. Po vjen një ditë dhe gjithçka të shëmbet. U sëmure dhe bisedonte se si do festonim 15 vjetorin e martesës. Ai priste me padurim por ftakeqsisht nuk mundëm ta festonim. Shkova para një fotografie që e kishim vendosur mbi krevatin tonë, në dhomën e gjumit. Në mendje më erdhën fjalët dhe mërmërita me vete “Ah, kjo ditë e mallkuar!” Por jo, nuk është ashtu. Nga kjo ditë ne lindën dy fëmijë, djalin e vajzën të mrekullueshëm, ashti si i donte dhe i endërronte Gëzimi. Unë do t’i rris dhe edukoj këta fëmijë, sepse ata më ngjallin Ty, në çdo moment të jetës sime. Fëmijët do t’i rritë, edukoj e shkolloj ashtu si dëshiroje ti, i dashuri im Gëzim. Pastaj do t’i lutem Zotit të nis udhëtimin për tek Ty.”
Kujtoj me dhimbje ditën 21 maj 1999 kur të ndjerin Gëzim Xhelili, e përcollëm në banesën e fundit në Panaja. Vargu makinave ishte i gjatë nga Vlora deri në Panaja. Ishte një pjesëmarrje shumë e madhe nga shoqëria, miqësia. Ishte e gjithë shkolla e mesme Tregtare. Nuk na besohej që na iku në moshën e re 44 vjeçare. Gëzim Xhelili bënë pjesë në ata njerëz, që kanë vetëm ditëlindje. Ishte fjalë ëmbël, energjik, korrekt e me ndershmëri të rrallë. Ishte modest, nuk i pëlqenin mburrjet, e urrente hipokrizinë e gënjeshtrën. Ishte njeri me intuitë të avancuar. Ishte fizikant i mirëfilltë, inxhinjeri talentuar. Ishte sinonim i së vërtetës. Me guxim e këmbëngulje realizonte objektivat që përcaktonte. Kishte shumë ëndrra, por sëmundja tinzare i rrëmbeu jetën në moshën e re.
Kaluan 20 vite pa të mirin, intelektualin e talentuar Gëzim Xhelili, por kujtimi tij është i gjallë te familja e tij, te fëmijët që tani duhet të jenë me familje e fëmijët të tyre. Ju uroj kudo që të jenë të jetojnë të lumtur.
Nderim e respekte kujtimit të ndritur të intelektualit të talentuar Gëzim Arshi Xhelili!
Qatip Mara
Nju Jork, 21 maj 2019