NDERIM E KUJTIM, PËR SHKRIMTARIN E PAHARRUAR, SKËNDER HASKO…

0
1707
Murat Gecaj - Sejdo Harka

Nga e majta: S. Harka, S. Hasko, B. Xhama, M. Gecaj dhe V. Kona

Në përvjetorin e ditëlindjes:

I dashuri ynë, Skënder,/ti e mbylle jetën me nder./
Si shkrimtar dhe njeri me vlerë,/ne do të kujtojmë përherë!…

(Bardhyl Xhama)

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues

1.
Sot në mesditë, me nismën e vëllezërve Birçe e Arif Hasko, në lokalin modest të Gazit, në “Unazën” e kryeqytetit, u mblodhëm disa kolegë e miq të shkrimtarit të paharruar, Skënder Hasko.Ishte pikërisht ai vend, ku sa e sa herë jemi takuar e kemi qenderuar bashkë me atë, për kafe ose raste të tjerë. Megjithëse kanë kaluar vetëm pesë vjet, nga dita, kur ai u nda përgjithnjë nga jeta, përsëri e sjellim të gjallë në kujtesë: me bisedat e këndshme, shkatë e të qeshurat, pjesë e pandarë nga ai.

Nga data e lindjes së tij, pra 2 marsi dhe ajo e ndarjes nga jeta, 4 shkurti, nuk është ndonjë kohë e gjatë, pra vetëm një muaj. Megjithatë, donim që ta nderonim e kujtonim Skënderin tonë, në përvjetorin e ditëlindjes së tij, ashtu thjesht e pa bujë, pa ceremonira.

Rreth tavolinës zunë vend dy vëllezërit e Skënderit dhe ne të tjerët, kolegë, miq e dashamirë të tij. Në krye ishte miku më i ngushtë dhe i pandarë, shkrimtari i mirënjohur, Bardhyl Xhama, të cilët e vlerësonin njëri-tjetrin, si vëllezër. Plot emocion, e mori fjalën i pari. Ai na kërkoi ndjesë, që nuk do të fliste gjatë. “Megjithse nuk jam poet,-foli ai,-kam shkruar vetëm katër vargje, që ia kam kushtuar Skënderit…”. Pastaj, na i lexoi ato: “I dashuri ynë, Skënder,/ti e mbylle jetën me nder./ Si shkrimtar dhe njeri me vlerë,/ne do të kujtojmë përherë!”

Sigurisht, secili nga ne, donte të ngrihej e të thoshte fjalë nderimi e respekti, për të paharruarin Skënder Hasko. Se kishim mjaft për të folur, duke e kujtuar atë: njeri të dashur, të sinqertë e plot humor, por dhe familjar të mirë. Pastaj, kishim se çfarë të tregonim për begatinë e cilësinë e krijimtarisë së tij të pandërprerë, sidomos në fushën e letërsisë për fëmijët. Kështu, për këto të fundit, sigurisht shkurt dhe me vlerësim të lartë, folën drejtuesit e Shoqatës Mbarëkombëtare të Shkrimtarëve të Letërsisë për Fëmijë e të Rinj: Riza Braholli(kryetar), Pandeli Koçi (kryetar nderi) e Fatmir Gjestila (anëtar i kryesisë).

U shpreh mendimi që, sa më shpejt të jetë e mundur, me kujdesin e kësaj Shoqate, të bëhet përmbledhja e botimi, në një seri të veçantë, e tërë krijimtarisë së Skënder Haskos. Gjithashtu, u tha se do t’i propozohet Presidentit të Republikës që, krahas çmimeve të shumta, që ai ka merituar, t’i jept një dekoratë tjetër më e lartë. Shënojmë këtu se, kohë me parë, për shkrimtarë të dalluar të kësaj Shoqate, është shpërndarë Çmimi “Skënder Hasko”, i cili është dëshmi tjetër e nderimit, që po i bëhet atij, pas ndarjes nga jeta.

Me fjalë falënderimi e mirënjohjeje u shprehën edhe vëllezërit e Skënderit, Biçe e Arif Hasko. Ata na dhuruan librin e ri me tregime të tij, i cili është botuar pak ditë më parë, “Rrëfimet e rrugës”. Me këtë rast, duke kujtuar njohjet e mia dhe nderimin e veçantë, për kolegun dhe mikun e dashur Skënder Hasko,u dhurova atyre, me një shënim dashamirës, librin tim të ri, “Kur flasin zemrat…”. Gjithshtu, ne dëgjuam me vëmendje fjalët e ngrohta dhe prekëse të shkrimtarit të mirënjohur Viron Kona. Ai e mbështeti mendimin e kolegëve, që Skënder Hasko të vlerësohet, si me botimin e një serie me librat e tij dhe me një dekoratë sa më të lartë.

Ne e dinim dhe ishim të ndërgjegjshëm se, ashtu siç e kujtuam sot ne Skënder Haskon dhe ashtu siç u shprehëm ne për atë, do ta nderonin, kujtonin dhe vlerësonin qindra poetë e shkrimtarë, si nga Shqipëria e Kosova dhe trojet tjera amtare, por dhe nga mijëra lexues të vegjël, bashkë me mësuesit e prinderit e tyre. Sepse, tashmë, kudo ai është i mirënjohur.

Gjatë këtij takimi modest, që iu kushtua ditëlindjes së njeriut të mirë dhe shkrimtarit të shquar të letërsisë sonë, Skënder Hasko, por dhe në çastin e ndarjes, me premtimin për t’u ritakuar përsëri, ne bëmë disa fotografi të përbashkëta. Me njërën prej tyre, të cilën e bëmë me aparatin e B.Xhamës, po i shoqëroj radhët e këtij shkrimi dhe me fjalët tona, që na dolën të gjithëve nga zemra:
-Të paharruara qofshin, jeta, veprimtaria dhe pasuria e çmuar letrare, që na la kolegu e miku ynë, shkrimtari i shquar Skënder Hasko!

2.
Sigurisht, do të duheshim shumë faqe, për ta treguar jetën dhe për të folur për veprat e botuara, që kanë emrin e shkrimtarit Skënder Hasko. Me këtë rast, po i përmendim, ato shkurtimisht…

Lindi në fshatin Dukat të Vlorës, më 2 mars 1936. Shkollën 7-vjeçare e përfundoi në Tragjas të Vlorës, pastaj Liceun Artistik “Jordan Misja” të kryeqytetit, për aktor. Ka shërbyer mësues në fshatin e lindjes, mekanik në Kuçovë dhe aktor në estradën profesioniste të Beratit. Pasi mbaroi Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike, në Universitetin e Tiranës dhe u diplomua për gazetari, punoi gazetar-redaktor, në revistën satirike-humoristike “Hosteni”, pastaj përgjegjës i redaksisë së botimeve “Teatër-Estradë”, në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë Popullore.

Më vonë e caktuan kryeredaktor në revistën për fëmijë, “Pionieri”. Së fundi, ishte drejtor i Teatrit Kombëtar të Fëmijëve, deri sa doli në pension. Skënder Hasko ka një veprimtari të gjerë në fushën e krijimtarisë letrare, të cilën e nisi që në shkollën 7-vjeçare. Por ai u dallua, veçanërisht, në krijimtarinë për fëmijë, pa lënë mënjanë edhe atë për të rriturit.

Gjatë jetës, ai botoi 6 romane (2 për të rritur e 4 për fëmijë), 9 novela (ndër të cilat 4 janë novela-përralla), 6 vëllime me poezi (dy prej tyre për të rritur), 7 vëllime me tregime ( 2 për të rritur), 1 vëllim me përralla të shkurtëra, 2 poema, 6 pjesë për teatrin e kukullave, 13 drama e radiodrama (1 për të rritur), si dhe 2 skenarë filmash për fëmijë.

Pra, e gjithë krijimtaria e tij, përmbledh 52 vepra të gjinive të ndryshme. Romani “Një “gjeneral” kapet rob” është bërë film, me të njëjtin titull dhe është nderuar me Diplomë, në Festivalin e Filmit, në Salerno të Italisë.

Ndër veprat e vlerësuara me çmime, mund të përmendim: “Një “gjeneral” kapet rob”, “Qeshin kafshët shtëpiake”, “Dinakja me vesh të grisur”, “Ata që të bëjnë për të qeshur”, “Çudirat dhe e fshehta e Zamirit” (me dy çmime). Novela-përrallë “Mbreti i tigrave” është nderuar me çmimin “La Fonten”, nga Ambasada Franceze, në Tiranë. Romani “Të burgosurat e Xhuxhumit” ka fituar çmimin “Xhani Rodari”, nga Ambasada Italiane, në Tiranë. (Një kopje e diplomës së këtij çmimi ruhet në muzeun e Xhani Rodarit, në Itali).

Novela-përrallë “Arushi hundëkavanoz” është nderuar me çmimin “Viktor Eftimiu”, nga Ambasada Rumune, në Tiranë. Romani “Arratisja e Tupe Xhelos” është nderuar me çmimin “Tasim Gjokutaj”, nga Shtëpia Botuese “Toena” dhe Shoqata Mbarëkombëtare e Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj. Romani “6 muaj nga jeta e Besianit”, në Panairin e 8-të të Librit, u nderua me çmimin “Libri më i mirë për fëmijë, i vitit 2005”.

Nga veprat e Skënder Haskos për të rritur mund të përmendim: “Legjenda e fshatit tim-Dervish Ali Dukati” (roman), “Dardanët janë aty” (roman), “Vaje halli, këngë malli” (poezi), “Në do nuse, gjej taksi” dhe “Byrekët e Shegës” (tregime humoristike e satirike), “Vendi nuk mbetet bosh” (dramë), “Ah!…” (poezi)

Skënder Hasko ka qenë anëtar bordesh në shumë revista e gazeta. Ishte dhe anëtar i bordit drejtues, në revistat për fëmijë, që botohen në Maqedoni, “Nxënësi” dhe “Xixëllimat”.

Për krijimtarinë e tij jepen leksione të veçanta, në Universitetet “Aleksandër Xhuvani”-Elbasan; “Eqerem Çabej”-Gjirokastër dhe “Ismail Qemali”-Vlorë. Është i dekoruar nga Pressidenti I Republikës, me Medaljen “Naim Frashëri” dhe me dy Urdhëra “Naim Frashëri”.

…Shkrimtari Skënder Hasko u nda përgjithnjë nga jeta, në Tiranë, më 4 shkurt 2013. Ai u përcoll për në banesën e fundit, i nderuar dhe i respektuar, nga të gjithë ata, që e njohën. Ndërsa, la pas një trashëgimi të pasur letrare, si për brezin e sotëm dhe ata, që do të vijnë, në të ardhmen.

Tiranë, 2 mars 2017