Në 5-vjetorin e ndarjes nga jeta:
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
1.
Si pa u kuptuar, u mbushën pesë vjet qëkur u nda përgjithnjë nga jeta Dr. Ibrahim Gashi, atdhetari, arsimtari dhe veprimtari i palodhur e i paharruar, familjari i dashur, bashkëpunëtori i ngushtë i sa e sa kolegëve dhe miqëve të tij.
Për ta nderuar e kujtuar atë, këto ditë u organizua një veprimtari përkujtimore, në sallën “Aleks Buda”, të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ishin të pranishëm familjarë të tij, personalitete të jetës politike e shoqërore, të arsimit, kultures, letërsisë e shkencës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, miq e dashamirë të shumtë të tij. Kishin ardhur grupe të ftuarish, nga Mitrovica e Kosovës dhe nga Presheva.
Tubimin e rastit, të cilin e moderoi Marsida Simo, e hapi drejtori i Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, Rezart Gashi. Pastaj, për të ftuarit u shfaq një dokumentar i pasur, ku pasqyrohej jeta e shumanshme dhe shumëvlereshe e këtij atdhetari, arsimtari e veprimtari të shquar, diplomati dhe autor i mjaft librave, nga fusha të ndryshme të jetës.
Në vazhdim, e morën fjalën: Prof. Hulusi Hako, Prof. Fazlli Hajrizi (Mitrovicë), prof.Emil Lafe, arsimtari e poeti Namik Selmani dhe bashkëshortja e I.Gashit, Liljana. Më tej, Alban Kodra lexoi përshëndetjen e Dr.Ramiz Zekaj, drejtor i AIITC; folën prof. Murat Gecaj dhe bija e I.Gashit, Adriana, me banim në Filadelfia të Amerikës. Në emër të Shoqatës “Tirana” përshëndeti kryetari i saj, Arben Tafaj, i cili shprehu mendimin që t’i propozohet Presidentit të Republikës, për ta nderuar Dr.Ibrahim Gashin me një titull të lartë. Në pamundësi ardhjeje, kishin dërguar përshëndetjet e tyre: Hysen Ibrahimi, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve e Artistëve, “Papa Klementi XI-Albani” – Suedi; Ibrahim Hajdarmataj, arsimtar e publicist, në Zogaj të Malësisë së Gjakoves (Tropojë) etj.
Pastaj të pranishmit në këtë tubim, morën pjesë në koktejin e shtuar nga familja, ku i vazhduan bisedat për këtë personalitet tonin të paharruar dhe bënë shumë fotografi, së bashku. Në drekën fammiljare, në kujtim të tij, foli me nota nderimi dhe vlerësimi të lartë, arsimtari veteran Alixhemal Salihu, i cili kishte ardhur me kryetarin e Kuvendit Komunal të Preshevës, Sami Salihu dhe kryetarin e Klubit Letrar “Feniks”, Bilall Maliqi…
Tërë veprimtaria përkujtimore, e organizuar në kryeqytetin tonë, ishte një nderim e vlerësim tjetër i merituar, për jetën e përkushtuar të Dr.Ibrahim Gashit, për Atdheun, arsimin, kulturën e botimet shqiptare.
2.
Ibrahimi lindi më 23 gusht 1935, në rrethin e Krujës, ku më parë kishin ardhur prindërit e tij, nga Skënderajt e Kosovës, të përrnjekur nga rregjimi serb. Ndërsa më tej, atij iu krijua mundësia që t’i ndiqte studimet e larta në ish-Jugosllavi. Para diplomimit për matematikë-astronomi, në Beograd, e arrestuan dhe më pas i dëbuan familjarisht për në Shqipëri. Kështu, studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës. Vite me radhë, ishte mësimdhënës në shkollat e mesme të Krujës dhe më 1984-1990 dha leksione, pedagog i jashtëm, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Gjatë punës së tij 31-vjeçare në arsim, përveç se në mësimdhënie, u dallua në veprimtarinë shkencore e pedagogjike me arsimtarët. Për disa vjet radhazi, kreu detyrën e kryetarit të komisionit të lëndës së matematikës, për shkollat e mesme në rrethin e Krujës. Mori pjesë në diskutimet për hartimin e teksteve të reja, për matematikën e astronominë dhe, madje, për këtë të fundit përgatiti dhe botoi përmbledhjet “Probleme të zgjidhura astrononomike” e “Vrojtimet astronomike” (për maturantët e shkollave të mesme).
Për punë të vazhdueshme e të thelluar studimore-shkencore, më 1979 mori gradën “Kandidat i Shkencave” (më pas, “Doktor i Shkencave”). Në vitet 1980-1982, duke qenë zevendësdrejtor i shkollës së mesme në Fushë-Krujë, ngriti dhomën-muze kushtuar “Heroinës së Popullit” Shote Galica, emrin e të cilës e mbante ajo, si dhe organizoi një sesion shkencor për jetën dhe veprimtarinë e saj atdhetare e luftarake. Ndjenjat e larta të atdhedashurisë, ai do të shfaqte më pas, posaçërisht, edhe në dy libra të tij.
Dr. I.Gashi, nga janari 1993 dhe deri në shtator 1996, ka kryer detyrën e diplomatit (sekretar) në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Slloveni. Aje ndoqi çështjet e marrëdhënjeve dypalëshe në fushat e politikës, arsimit, kulturës e mbrojtjes, si dhe çështjet konsullore. Detyrë të veçantë ka pasur për Diasporën Shqiptare, në Slloveni.
Doli në pension në vitin 1996, por përsëri e vijoi punën kërkimore e studimore dhe botuese. Përveç shumë artikujve shkencorë e metodikë për lëndët metematikë e astronomi dhe me temë sociale, në gjallje të tij botoi 11 libra dhe la në dorëshkrim disa të tjerë, dy prej të cilëve lidhen me kronologjinë shqiptare.
Ndonëse i moshuar, deri në fundin e jetës së tij, Ibrahimi vazhdoi të merrej me kërkime dhe shkrime, si në fushën e shkencës, ashtu edhe në atë atdhetare e shoqërore. Vitet e fundit udhëheqi me sukses Komisionin Qendror të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, lidhur me studimin e mundësive të përafrimit, deri në njësim, të programeve e teksteve mësimore, në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.
Për punë të mirë në mësimdhënie e veprimtari të ndryshme, Presidenti i Republikës së Shqipërisë i ka dhënë Madaljen “Naim Frashëri” dhe është nderuar me disa “Mirënjohje”.
3.
Po të shihen me vëmendje librat, të cilët i përmendëm më lart, vërehet lehtë se kudo Ibrahim Gashi e lidhi ngusht tematikën e tyre, me trojet tona etnike dhe me jetën e shqiptarëve. Por ky autor iu drejtua edhe direkt temës së traditave tona atdhetare, duke shkruar për dy personalitete të njohura për kohën, në të cilën jetuan e vepruan. Libri i parë, me këtë tematikë, është “ Xhemal Pazari, atdhetar i shquar tiranas” (Tiranë, 2009) dhe i kushtohet njeriut, që mbajti fjalën e rastit më 26 nëntor 1912, kur për herë të parë u ngrit në Tiranë, Flamuri Kombëtar Shqiptar.
Në monografi paraqiten shumë fakte e dokumente për veprimtarinë e tij, si në mbrojtjen e çështjeve kombëtare, ku si rrjedhojë e tyre Xhemal Pazari, bashkë me atdhetarë të tjerë tiranas, burgoset e torturohet nga qeveria osmane, më vonë nga rebelët etj. Gjithashtu, në monografi jepen të dhëna të trajtimit çnjerëzor të Xh.Pazarit dhe familjes së tij, nga qeveria moniste, në Shqipëri.
Ndërsa libri më i fundit i Dr. I.Gashit (bashkautor me Fazli Hajrizin) ishte “Mësuesi Rrahim Gashi me brezat, në trojet arbërore” (Tiranë, 2010). Përveç figurës së tij dhe familjes së gjerë Gashi, që trajtohet këtu, në monografi flitet edhe për mjaft atdhetarë e luftëtarë të tjerë, të pushkës e të penës, ndër ta dhe për luftëtarë të UÇK-së, që iu përkushtuan me të gjitha aftësitë mendore e fizike çështjes kombëtare shqiptare. Në këtë libër ravijëzohen qartë përpjekjet e mëdha, që janë bërë në trevën e Drenicës e më gjerë, për gjuhën amtare dhe shkollën shqipe, në luftë të ashpër me trysninë e pushtuesve e sunduesve të egër serbë, ku mësuesi Rrahim Gashi pati një rol të rëndësishëm.
4.
Dr.Ibrahim Gashi, jetoi e veproi, familjarisht, në Tiranë, deri sa i mbylli sytë përgjithnjë, më 9 maj 2012. Por kurrësesi nuk e hoqi mendjen as zemrën nga vendlindja e dashur e të jatit, Rrahim Gashi, nga Kotorri i Skënderajt të Drenicës, në Kosovë, ku ky la gjurmë të pashlyera dhe ishte ndër mësimdhënësit e parë të gjuhës amtare e shkollës shqipe. Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së babait, ai ishte dhe në përurimin e librit, për të cilin folëm më lart. Ndërsa në maj-qershor 2011, me një grup prej 11 vetash, bashkë me të, ishim në Shkup, Preshevë, Prishtinë e Ulqin, me misionin e tij të lartë atdhetar, si kryetar i Komisionit Qendror të IIKSH, në fushën e arsimit dhe të kulturës kombëtare shqiptare.
Gjithashtu, ai iu përkushtua edhe organizmit e zhvillimit me sukses të plotë, të Konferencës së Parë Mbarëkombëtare të IIKSH, në Tiranë, në shtatorin e vitit 2011. Mbeti dorëshkrim botimi i një libri nga punimet e asaj Konference, që ai pothuajse e kishte përfunduar dhe që u publikua më vonë.
Pra, si gjithnjë, Dr.Ibrahim Gashin e thërrisnin ndjenjat e forta kombëtare shqiptare; dëshiroi, shpresoi e punoi që, një ditë, të njësohen programet dhe tekstet e shkollave tona, në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë. Me sytë e shpirtit, ai mbeti gjithnjë në traditat tona atdhetare mbarëkombëtare.
Tiranë, 8 maj 2017