Një mik e bashkëpunëtor i portalit Fjala e Lirë, prof. Xhelal Zejneli nga Tetova, më njoftoi sot për lajmin e hidhur, se poeti dhe gazetari shqiptar në Shkup, bashkëpunëtor dhe mik i mirë i portalit tonë, Mustafa Spahiu, paska ndërruar jetë sot, me dt. 14.07.2021. I lehtë qoftë dheu i Gjilanit për të!
Mustafa Spahiu ka lindur më 1948 në një fshat afër Gjilanit (ku edhe do të varroset), por që herët ka filluar të punojë për vite të tëra, si gazetar i emisionit shqip në Radion e Shkupit, dhe më pas si gazetar në gazetën Flaka, etj. Ishte mjaft i talentuar me poezitë e tij, me një shqipe të pastër, që m’i dërgonte deri tani vonë për publikim në portalin tonë. Më dërgonte herë pas here edhe ndonjë shkrim.
E shoqja e kishte lënë para disa vitesh, pasi kishte ndërruar jetë, ndërsa vajzën e kishte të martuar në Shkup, e cila e vizitonte herë pas here. Me aq sa më tregonte, Mustafa e ndiente shumë vetminë, pas vdekjes së të shoqes dhe kjo shprehej aq bukur edhe në poezitë e tij.
Ndjej keqardhje për këtë kalim në amshim të tij, pasi ai do na mungojë me krijimet dhe poezitë e tij, por jeta është e tillë, dhe askush nuk mund t’i shmanget të pashmangshmes.
Ngushëllime për të afërmit dhe miqtë e tij,
Me respekt,
Arben Çokaj
Fjala e Lirë
Mustafa Spahiu i shërbeu me kualitet të lartë dhe përkushtim prej patrioti dhe intelektuali të shquar letërsisë dhe kulturës shqiptare
Varrimi u bë premten më 16 korrik 2021 në vendlindjen e tij në fshatin Mucevercë të Kamenicës, Gjilan, në token që e lindi dhe e kishte burim të pashtershëm frymëzimi
Është ndarë nga jeta poeti dhe përkthyesi i mirënjohur Mustafa Spahiu (1948-2021).
Spahiu ndërroi jetë te merkuren me 14 korrik, në qytetin e Shkupit, i rrethuar nga kujdesi i të bijës Jehona Spahiu, studiuese e njohur, pedagoge ne Universitetetin e Shkupit Spahiu vuajti për një kohë të shkurtër nga një sëmundje e pasherueshme. Ai prej disa ditësh kreu një operacion në Shkup të cilin nuk arriti ta përballonte. Varrimi do të bëhet të enjten më 15 korrik 2021 në vendlindjen e tij në fshatin Mucevercë të Kamenicës, Gjilan, në token që e lindi 73 vjet me pare dhe e kishte burim të pashtershëm frymëzimi.
Mustafa Spahiu ishte mik i shquar i gazetës Nacional. Ai bashkëpunoi me gazetën prej themelimit të saj 14 vjet më parë me poezi, esse, kritika dhe studime të rëndësishme. Mustafai përktheu për gazetën Nacional disa nga poetët më të shquar ballkanikë dhe ndërkombëtarë. Për këtë ai është ndëruar me disa cmime nga redaksia e gazetës.
Redaksia e gazetës Nacional i shpreh ngushëllimet vëllazërore vajzës së tij Jehonës, si dhe gjithë familjes Spahiu në Gjilan.
BIOGRAFI
Mustafa Spahiu u lind me 5 prill 1948 në fshatin Muçivërcë të Anamoravës së Gjilanit, Republika e Kosovës. Rrjedh prej një familje zejtare-bujqësore të kamur e fisnike. Katër klasë të shkollës fillore i kreu në vendlindje, tetëvjeçaren në fshatin e afërt Rogoçicë, të mesmen në Prishtinë. E kreu Akademinë pedagogjike – gjuhë dhe letërsi shqipe në Shkup.
I ndoqi studimet në Fakultetin filologjik, katedrën e gjuhës e letërsisë shqipe. Vjershën e parë e botoi me 21 mars 1965 në “Flaka për fëmijët tanë” – Shkup. Tërë profesionin e gazetarit, publicistit e kaloi në Radio Shkupi – programet në gjuhën shqipe.
Për 25 vjetë me rradhë e drejtoi me sukses të shkëlqyer emisionion më të dëgjuar për fëmijë “Lule më lule”. Mbi 14 vjet e drejtoi emisionin letrar të koduar “Tingulli i artë i fjalës”. Ka marrë shumë shpërblime letrare e mirënjohje nga shumë institucione dhe asociacione të fëmijëve, në shkallë republike dhe jashtë Maqedonisë. Më vitin 2008, programi i Radio Shkupit në gjuhën shqipe ia akordoi mirënjohjen më të lartë për vepër jetësore. Në takimet letrare të organizuara nga Shoqata e artistëve “Pushkin” në Tetovë u nderua me çmim të parë. Ka të përkthyera mbi 30 vepra nga gjuhët sllave: kroatishte, boshnjakishte, maqedonishte, serbishte, malazeze dhe nga shqipja në këto gjuhë.
Është anëtar i dy shoqatave letrare: Shoqata e shkrimtarëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shoqata e shkrimtarëve të Maqedonisë. Është anëtar i Klubit të shkrimtarëve “Konstandin Kristoforidhi” të Elbasanit, R. e Shqipërisë. Është qytetar nderi i qytetit të Durrësit dhe Mik i madh i fëmijëve, akorduar nga prefektura e qytetit të Durrësit. Pas 41 vjet shtazh pune M. Spahiu ishte pensionist, ku deri ne frymen e fundit te krijonte, punonte, lexonte, përkthente, botonte.
Spahiu u nda nga jeta ne qytetin e Shkupit, ku jetonte i rrethuar nga kujdesi i te bijes Jehona Spahiu. Spahiu vuajti per nje kohe te shkurter nga nje semundje e pasherushme. Varrimi u bë premten më 16 korrik 2021 në ne vendlindjen e tij ne fshatin Muceverce te Kamenices, Gjilan, ne token qe e lindi dhe e kishte burim të pashtershëm frymëzimi.
BIOGRAFI LIRIKE E LIBRAVE TË AUTORIT:
– Buzëqeshjet e okarinave – (1981)
– Ylbere lirie… – (1982)
– Mollëkuqet e blerimit – (1984)
– Fëmijët kalojnë nën ylbere – (1988)
– Nobelistët për fëmijë – (1989)
– Livadhi im – “Moja livada” – (1989)
– Buzëburimi – “Pokraj izvorot” – (1992)
– Sytë që shkrepin fëmijëri – (1994)
– Fëmijët lozin në brerore – (1994)
– …Më ka marrë malli… – (1995)
– Rregullat e mirësjelljes (Bonton) – (1995)
– Ora që kurdiset nga ëndrrat e fëmijëve – (1996)
– Vallja e okarinave – (1999)
– Kolovajza e ëndrrës sime – (2000)
– Këngët e trishtilit – (2000)
– Sikur t’isha djalë i diellit – (2004)
– Fëmija është bilbil i shtëpisë – (2005)
– Me buzëqeshje ju dal përballë – (2005)
– Fëmijët fshihen në gjelbërim – (2007)
– Era s’ka shtëpi (haiku) – (2007)
– Fermanet e pranverës – (2009)
– Një imazh fshati më mungon – (2011)
– Çka ëndërron dallandyshja – (2011)
– Flamingo (haiku) – (2011)
– Unazë në amforë (haiku me rimë) – (2013)
– Shtëpia me melodi violinash – (2013)
– Vashëza ullinjore fsheh ishullin – (2013)
– Rreze mbi lirikën e zogut – (2015)
– Në ballë të ditës bukuritë – (2015)
– “Piknik mbi liqenin e bardhë” – (2020)
DUKE PRITUR TAKIMIN QË S’U TAKUAM KURRË!
(Poetit lirik, Mustafa Spahiu, që iku në përjetësi)
Nga Maxhun OSMANAJ
Ka dekada që u takuam n’vargje
Shpirti i artit fisnik na ruante miqësinë
Ah, koha zezonë, hileqare, imja dhe jotja
Na dilte në kurth dhe në pritë
S’na la kurrë t’i shtrëngojmë duart
Etja na dogji fushës se rreshtave t’bleruar
Një natë vonë, miqësisht më telefonove
Ca ditë më shkrove në fb, më the :
“Do të vij në Banjë të Pejës për kurim”
Të prita, të prita me mallin shekullor
Si vëllai- vëllanë mbushur ngazëllim
Të flisnim për këngët, për dhimbjet
Të flisnim për stinët tona , për letërsinë…
Një ditë befasisht më mungoi biseda
Më mungoi zëri yt , yti shkrim
Drita jote (siç e quaje), Jehona më shkroi :
“Babai është në operim, keq është”
Unë mbeta i stepur , u ligështova
E dita që do të na tradhtonte ai takim
Një ditë korriku rrjetet sociale lajmëruan kumt t’zi
Na paska ikur poeti i kristaltë me idealin flamur
Unë mbeta gojëhapur, mbështjellë n’ trishtim
Duke pritur poetin që s’u takuam kurrë !
Korrik 2021
Marrë nga Nacional