Kumtin mbi vdekjen e Halime Muratit, ma dha mbrëmë shoku dhe miku i saj i ilegalitetit Gani Ukë Hoxha.
Ai i tronditur nga vdekja e parakohshme e veprimtares Halime Murati, thotë “Vera e sivjetme për mua do të mbetet nga stinët ma të errëta të jetës sime“.
“Para një muaj vdekja tinëzare ma mori djalin 27 vjeç Guri Hoxha, të cilin e kisha jo vetëm djalë por edhe shok“.
Një ditë më herët në Bernë, vdiq edhe Naim Gubetini, pjesëtarë i njësiteve të para ushtarake të cilat gjatë viteve të 90-ta, po ushtronin në Shqipëri, për t’u kthyer më vonë në mbrojtje të Kosovës.
Dhembja nuk shprehet as më lot e as më fjalë për fëmijët e miqtë e shpirtit. Halime Murati është shtatë nga ata që kishin dalë në male të armatosur në mbrojtje të Kosovës.
Madje,Halimja qysh si nxënëse e tetëvjeçares me mllefin e akumuluar nga e kaluara e kishte bërë copë-copë fotografinë e Josip Broz Titos, ish-udhëheqës i Jugosllavisë, komuniste, plot dyzet vjet.
Halimja këtë veprim nuk e kishte bërë vetëm pse iu kishte tekur. Ajo kishte studiuar me themel Historinë e popullit shqiptar, sidomos periudhën nga Lufta e Dytë Botërore e deri në demonstratat e vitit 1968.
Edhe pse ende e mitur kishte kuptuar dyfytyrësinë e Titos, që proklamonte “drejtësi” për të gjitha kombet dhe kombësitë e ish-Jugosllavisë.
Lideri komunist i të ashtuquajturës Jugosllavi, më 8 shkurt 1945, me pretekst të shtypjes së “kundër-revolucionit“ në Kosovë, kishte vendosur pushtetin ushtarak.
Në krye të këtij pushteti ai kishte emëruar antishqiptarin Sava Dreleviq, i cili intensifikon dhunën dhe terrorin ndaj shqiptarëve.
Gjatë këtij viti famëzi në Kosovë vriten dhe masakrohem 55 mijë shqiptarë të pafajshëm.
Më 1 prill të këtij viti vetëm në Tivar, vriten dhe masakrohen mbi 7 mijë shqiptarë.
Halimja e revoltuar nga këto padrejtësi nuk e ndal luftën e saj kundër pushtuesve jugosllavë edhe pas burgosjeve dhe keqtrajtimeve të shumta që i bëhen.
Ajo ndiqej çdo hap nga pushtuesit serbo-sllavë. E, vendosur për të vdekur në mbrojtje të Kosovës, edhe në Shkollën e Mesme Ekonomike“Isa Boletini” të Podujevës, nuk ndalet së protestuari ndaj padrejtësive.
Si nxënëse e vitit të tretë Halimja plot njohuri nga e kaluara e popullit shqiptar bije ndesh me ligjëratat e arsimtarit të Historisë, i cili proklamonte “vëllazërim- bashkimin“.
Ky kundërshtim nga puthadorët e komunizmit bëhet shkas dhe Halimja përjashtohet nga shkolla.
Pushteti i atëhershëm i frikësuar nga veprimtaria e saj nuk e linte Halimen askund të qetë.
Ndjekjet ndaj saj u ngjasonin ndjekjeve të zagarëve. Vajza nga Llapashtica e Llapit, përkundër kuisjeve të këtyre langonjve nuk e ndal dot rrugëtimin e saj drejt lirisë.
Halimja për të humbur gjurmë njihej nga bashkëveprimtarët me emrin konspirativ Liria.
Ajo në qytetin e Podujevës kishte shpërndarë me dhjetëra trakte me thirrjen “Kosova Republikë” pa rënë asnjëherë në sy të armiqve.
Më 1986 Halime Murati, bëhet pjesë e Komitetit të Llapit. Ajo me guxim krijon edhe disa celula të kësaj organizate në disa qytete të Kosovës.
Pushtuesit jugosllavë duke u munduar ta paralizojnë veprimtarinë e saj e detyrojnë të kalojë në ilegalitet.
Halimja një kohë qëndron e fshehur në familjen Krasniqi të Terpezës së Malishevës.
Pastaj, me të krijuar njësiti i parë i armatosur kundër pushtuesit“ Çeta e Llapit”ajo bëhet pjesë e këtij grupi guerilas që më veprimet e veta e trand Jugosllavinë.
Ky grup prej shtatë vetave operonë në malet e Llapit. Disa familje llapjane duke admiruar guximin e këtyre djemve dhe vajzave i strehojnë ata, edhe pse ekzistonte rreziku i vazhdueshëm për dhunë e terror.
Ky grup i gjendur në ilegalitet të thellë më 27 mars të vitit 1989 në Podujevë, organizon një demonstratë gjithëpopullore.
Në këtë demonstratë pushtuesit serbë të dehur nga fashizmi i tyre vrasin të riun Mehmet Maliq Ejupi, nga Vendenisi, pa mbushur pranverën e 23 të jetës së vet.
Çetarët e Llapit edhe pas kësaj ngjarje të dhimbshme nuk e ndalin veprimtarinë e tyre atdhetare.
Ata më 30 maj 1989 derisa një Delegacion i Parlamentit Evropian po vizitonte Kosovën me në krye diplomatin spanjoll Julian Grimaldos, prapë në qendër të Podujevës organizojnë protestën e radhës.
Në këtë demonstratë në mbrojtje të rinisë shkollore të Llapit vritet Ali Adem Ajeti, udhëheqës i formacionit të parë ushtarak “Çeta e Llapit”.
Gani Hoxha, veprimtar i çështjes kombëtare edhe pse kanë kaluar mbi 30 vite nga këto ngjarje thotë që Halime Murati e njohur për ne si Liria, me guximin e saj të pashoq ka qenë një nga shtyllat kryesore të këtij formacioni.
Sipas Hoxhës edhe pas vrasjes së Aliut, ajo ka vepruar së bashku me Afrim Zhitinë, Fahri Fazliun dhe Bedri Blakçorin.
Nga shtatë vetat e grupit të dalë në ilegalitet Hoxha si bashkëveprimtar i Halimes, thotë “Ajo ishte e fundit që ka braktisur Kosovën.“
Halimja duke e lënë rininë e saj të ndryme në fund të vitit 1989 largohet nga Kosova. Ajo vjen në Cyrih të Zvicrës. E edukuar në një familje punëtore çdo punë e konsideronte si nder.
Pas njohjes së strehimit politik Halimja ishte kualifikuar si udhëheqëse kuzhine.
Nga duart e saj të vyeshme janë ushqyer me mijëra e mijëra njerëz. Klientët e shumtë zviceranë Halimen e kanë njohur si shqiptaren ç’do të jetojë nga puna dhe djersa e vet.
Vajza llapjane, që plot një decenie nuk e pa Kosovën, sot u varros në Llapashticën e Poshtme, të Podujevës, ku jo larg varrit të saj pjesëtarët UÇK-së, tek vendi i quajtur Tabet e Llapashticës, u dhanë leksione eprorëve serbë, që e pandehnin veten të pamposhtur.
Çdo shqiptar i Kosovës ia ka borxh një lutje shpirti Halime Muratit, që gjithçka dha për çlirimin e Kosovës!
Modestët dhe të paepurit si Halime Murati, populli i Kosovës do t’i kujtojë çdoherë.
Liderët politikë të Kosovës, nuk kanë kohë edhe për një telegram ngushëllimi familjes Murati.
Ata janë në garë se kush do ta zë pozitën e të parit të Republikës së Kosovës, pamenduar që Halime Murati si fëmijë i ra pashë me pashë zjarrit të lirisë së Kosovës.
ARIF EJUPI