Në prag të “Ditës së Arsimit tonë Kombëtar”:
Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues
Mbas pak ditësh në shkolla dhe në vatrat e familjeve tona, si në Shqipëri e trojet tjera amtare, por dhe në Diasporë, do të kemi një festë të përbashkët e të bukur, që përkon me datën 7 Mars 1887, kur u hap shkolla e parë shqipe në Korçë dhe që është “Dita e Arsimit tonë Kombëtar”. Prandaj ne kemi përse ta ndiejmë vetën krenarë, se me këtë ngjarje madhore jemi të lidhur të gjithë. Me këtë rast, ne shprehim nderimin dhe respektin e pakufushëm për të gjithë mësuesit dhe edukatorët e brezavë të mëparshëm, por dhe ndaj atyre që sot derdhin pa kursim enegjitë e tyre mendore e fizike, për të mësuar dhe edukuar ata pasardhës, që do t’i marrin në duar fatet e Atdheut tonë të dashur.
Jam i ndërgjegjshëm që tani meritojnë të kujtohen me qindra dhe mijëra mësues e pedagogë të shquar. Por mendova që, ndër ta, të përzgjedh e të shkruaj përsëri për një edukatore të paharruar dibrane, pra për Nazmie Pashollin-“Mësuese e merituar”.
1.
Vitet rrjedhin, si pa u kuptuar, megjithatë ato lënë gjurmë në mendjen dhe zemrën e njerëzve. Por, sa bukur është, kur dëshmitë, dokumentet dhe kujtimet ruhen të pashlyera në brezat pasardhës. Ja, afër katër vjet më parë sikur më “zgjoi” nga gjumi një mesazh, përmes Internetit. Atë ma dërgonte e nderuara Lindita Fehmi Pasholli-Titka. Pa bërë komente, po e tregoj atë më poshte:
“Përshëndetje! Ju falënderoj për pranimin e miqësisë në Internet! Ua bëra kërkesën time, e nisur nga emri juaj, të cilin e kam në kujtesë dhe të shkruar në një artikull për gjyshenm time, mësuesen Nazmie Pasholli. Aty gjej dhe një autograf tuajin, me të cilin e keni shoqëruar këtë material, duke ia dhuruar babait tim të paharruar. Sot .. nuk jetojnë më, Gjyshja as Babai!… Por do të doja t’iu falenderoja edhe unë, si brez i tretë, për shkrimin tuaj aq me vlera, i cili mbetet e ruhet edhe për familjen tonë në breza! Atë shkrim, sot ua lexoj femijëve te mi për njohjen e trashëgimisë së tyre, atdhetare, arsimdashese e kulturore.Për të mos u marrë më shumë kohë, Ju falënderoj sërish! Me respekt: Lindita Pasholli-Titka, Tiranë, 5 maj 2012”.
Ndërsa nuk vonoi dhe Lindita, përmes një e-maili, në adresën time private, më dërgoi një fotografi familjare, e cila është bërë shumë vite përpara. Me atë po e shoqëroj këtë shkrim tjetër modest, duke qenë i bindur se mësuesja veterane e arsimit tonë kombëtar, Nazmije Pasholli, meriton shumë më tepër se kaq.
Po, po, më kujtohet shumë mirë njohja me babain e Linditës, Fehmiun dhe familjarë të tjerë, në Tiranë. Kjo ka ndodhur shumë vite më parë, kur mblidhja materiale e dokumente për disertacionin tim, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së mësuesve tanë atdhetarë, sidomos nga Kosova e Dibra etj. Ndërsa tani, gjej rastin ta kujtoj e ta nderoj përsëri këtë arsimtare veterane dhe të paharruar të gjuhës amtare, “Mësuesen e merituar” Nazmie Pasholli. Gjithashtu, këtu shprehi edhe respektin për mbesën e saj, që trashëgiminë atdhetare, arsimore e kulturore e përcjell aq bukur te fëmiëjt e saj, te brazat pasardhës.
2.
Nazmie Pasholli, bija e Bexhetit, lindi në vitin 1906, në një familje të varfër, në Dibrën e Madhe ose « Dibrën e Epërme », siç e quajnë disa. Si babai dhe nëna i vdiqën në moshë të re, duke e lënë atë jetime të mitur, bashkë me një motër e dy vëllezër. Secili nga këta pati një jetë të dhimbshme dhe u ndanë shpejt nga kjo botë.
Nazmia dhe vëllai, Esati, u rritën në « Strehën Vorfnore » të Tiranës. Ajo ishte një vajzë e urtë, e kujdesshme për çdo gjë dhe e zellshme në mësime. Prandaj mësuesit dhe edukatorët e donin dhe e respektoninshumë. Ndër ta, ishte dhe mësuesi i mirënjohur kosovar, i ndjeri Avni Zajmi,tani “Mësues i Popullit”. Tregonin se, në një rast, Nazmija u sëmur dhe pranë iu gjend menjëherë “Profesori”, siç e quanin me të drejtë nxënësit e tij. E qetësoi, e këshilloi të mos bëhej merak dhe fjala e tij ishte një ilaç shërues për të, si e një prindi të mirë. Por edhe kur doli në jetë e Nazmia u bë mësuese, do ta kujtonte me mirënjohje dhe do ta takonte, sa herë i paraqitej rasti, këtë mësues të saj të nderuar e të paharruar.
Jeta rridhte e Nazmia po piqej para kohe, nga kushtet e vështira. Por, sakaq, iu çel një dritare e nditshme në jetën e saj: u fejua dhe u martua, në moshë të re, me mësuesin e njohur dibran, Aqif Pasholli, dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri”. Edhe ky, i mbetur jetim, u rrit te dajat e tij dhe, pas një shkolle turqisht, vazhdoi kursin në Normalen e Elbasanit, për t’u bërë mësues.E caktuan në këtë detyrë në Kurdari të Matit, ku dhe u martua me Nazmijen.
Duke përfituar edhe nga ato pak mësime në “Strehën Vorfnore” të Tiranës, Nazmia mundi të përfundojë pesë klasë të fillores dhe një kurs për mësuese në Shkodër, duke u pajisur kështu me një farë diturie për kohën. Me atë guximin, që e karakterizonte, me shpirtin e madh dashamirës për njerëzit dhe sidomos për femrat, të cilat ishin më pak të mbrojtura në shoqërinë e kohës, Nazmie Pasholli ndërmori një detyrë sa njerëzore, aq atdhetare. Kështu, pra, ia nisi punës që edhe vajzat dibrane të mësonin shkrim e këndim. Pati ndonjë, që shprehu mosbesim; ishte dikush që u përpoq ta pengonte realizimin e këtij misioni fisnik. Por ajo qëndroi shumë e vendosur dhe nuk u lëkund as nuk u tërhoq nga rruga e nisur. Pranë, si kurdoherë, pati të shoqin, mësuesin Aqif Pasholli dhe kolegë të tjerë dibranë.
Në vitin l974, në rrethin e Dibrës u organizuan disa veprimtari ,kushtuar 60-vjetorit të hapjes së shkollave të para: në qytetin e Peshkopisë dhe në fshatin Trebisht. Me atë rast, e ftuan edhe mësuesen veterane Nazmie Pasholli, e cila jetonte në Tiranë. Në pamundësi të shkonte atje, i shkroi një letër kolektivit të mësuesve dhe nxënësve. Ndër të tjera, aty thoshte:
“Më falni që, për arsye shëndetësore të ditëve të fundit, nuk munda të marr pjesë në këtë festë të madhe të hapjes së shkollës, të fillimit të të mësuarit shkrim e këndim, në rrethin e Dibrës. Dëshmitarë të kësaj ngjarjeje kemi qenë dhe ne, unë së bashku me burrin tim, Aqif Pasholli. Ai për shumë vjet ka punuar e jetuar për të mësuar fëmijët e dibranëve, pothuaj në pjesën më të madhe të fshatrave, si në Peshkopi, Zerqan etj…”.
Ishin vite, kur mbretëronin varfëria e padituria, kur mbi supet e grave e vajzave malësore, pra edhe të Dibrës, rëndonin shumë padrejtësi. Ishte diçka njerëzore, ishte detyrë e vështirë atdhetare, që dikush t’u gjendej atyre pranë, për t’ua lehtësuar dhimbjen, për të biseduar si motër e nënë, për t’ua ndriçuar mendjen e turbulluar. Dhe kjo ishte Nazmie Pasholli. Ajo vazhdonte në letrën e mësipërme:
“Mua, si sot, më kujtohen ato ditë të vështira të hapjes së shkollës së parë për femra, në vitin l923 ose 1924 (mbasi tani nuk e mbaj mend mirë) dhe 5 vjet më vonë në Trebisht. Më kujtohen kushtet shumë të vështira, ku mësonin fëmijët e dibranëve dhe ku ne punonim, për t’ua mësuar germat e para të gjuhës shqipe. Në kushte shumë më të vështira e ndiqnin shkollën vajzat, të cilat pengoheshin dhe nga vetë familjet, duke u nisur nga mentaliteti i gabuar, se “vajzës nuk i duhet shkolla”?! Por, me gjithë këtë, me punën këmbëngulëse të patriotëve dhe arsimtarëve të vjetër, arritëm që , më në fund, të bënim që vajzat të vinin në shkollë dhe të mësonin edhe këto gjuhën amtare, gjuhën shqipe, që poeti patriot rilindës, Naim Frashëri e quante “gjuhën më të ëmbël”.(Kopjen e dokumentit e ruan familja, në Tiranë). Shkolla femërore, në atë vit, kishte l7 vajza, në klasën e parë dhe 8, në klasën e dytë, gjithësej 25 nxënëse. (Gazeta “Ushtima e Maleve”,Peshkopi, l9.6.l974).
Shkolla e parë femërore në Peshkopi u çel, së pari, në një shtëpi të vogël. Siç kujtonte më vonë mësuese Nazmija, nuk kishin banka e për shtroje përdornin hastrat. Nxënëset kishin nga një gjysëm fletoreje dhe një gjysëm kalemi. Ndërsa vullneti i vogëlusheve ishte i madh. Në fillim, shkuan pesë-gjashtë vajzat e para dhe këto bënë që të tërhiqnin pas vetes dhe shoqe të tjera. Por, kryesorja, ishte puna e palodhur, fjala e ëmbël dhe e mençur e mësueses së re, Nazmie Pasholli. Pra, e dëgjuan dhe e respektuan jo vetëm nënat, por dhe burrat e moshuar dibranë. Veçanërisht, më pas ajo bëri një punë të kujdesshme edhe me vajzat e Trebishtit, që ato të mësonin, ta flisnin e ta shkruanin sa më mirë gjuhën shqipe.
Ishte viti shkollor l928-l929. Në shkollën e Trebishtit u transferuan Nazmia dhe Aqif Pasholli. Për këtë periudhë të jetës, vetë ajo ka shkruar :
“Në këtë fshat, shkolla jonë ishte larg shtëpive, në një kodër…Fëmijët duhet të ecnin në borë, ashtu të zbathur dhe të paveshur, për të mësuar “abc”-në e alfabetit tonë…Por ne, nga këto vështirësi, nuk u larguam, por punuam me durim dhe, me aq sa më jepnin mundësitë e arsimit tim, munda të arrija edhe këtu rezultate…”.
3.
Jehona e kohës në arsim, në shkollën e parë të femrave në Peshkopi, me mësuese Nazmie Pashollin, ka ardhur deri në ditët tona dhe do të përcillet në brezat, që vijnë. Aty ishin regjistruar vajzat e para. Por puna, për ta shtuar numrin e tyre, u vështirësua. Çfarë kishte ndodhur ? Një nxënëse mori guximin e u tha prindërve të saj: “Vdekjen e pranoj, por nga shkolla e shoqet e mija nuk ndahem !”( Gaz. “Ushtima e Maleve”, datë 31.3.1984,faqe 4).
Çfarë shqetëesimi përjetoi mësuesja Nazmie Pasholli ! Të tilla qenë dhe vështirësitë, që kishin kaluar gjatë kryerjes së detyrës së tyre në Dibër, mësueset e reja kosovare: Sabrije Shkurit (Boletini), në shkollën e vajzave të Kastriotit dhe Emine Gjakova (Shedula), në shkollën-konvikt të Homeshit, ku ishte bashkë me të shoqin, Demush Gjakova.
Pas Peshkopisë, Nazmija shërbeu mësuese në shkollat që u hapën për femra edhe në Trebisht, Homesh etj. Kudo la mbresat e një mësueseje të mirë, të një punëtoreje të palodhur. (Gaz. “Shkëndija”, Prishtinë, nr. 2, mars 1994, faqe ll). Të tillë e kujtuan dhe e kujtojnë me mirënjohje të gjitha nxënëset, kolegët e të njohurit mësuesen e nderuar, Nazmie Pasholli.
Në vitin 1939, kur vendin tonë e pushtoi Italia, Nazmia ishte me burrin, në shkollën e Homeshit të Dibrës. Për ndjenjat e tyre antifashiste, i larguan nga detyra e nderuar dhe e vështirë e mësuesit. I ndanë, kështu, nga djemtë e vajzat dibrane, që ishin aq të etur për dituri e përparim.Pra, më 1940 i përcollën me dhimbje e dashuri, të vegjël e të rritur, kur familja Pasholli erdhi në Tiranë..
Megjithatë, Nazmie Pasholli gjithnjë do ta kujtonte kohën, kur shërbeu në arsim. Për këtë, u fliste fëmijëve të vet dhe nxënësve të shkollave të Tiranës, gjatë bisedave të ndryshme. Por edhe do të fiksoheshin nga ajo kujtimet e saja, në muzeun e rrethit të Dibrës dhe në gazetat që, me të drejtë, shkruanin për ndihmesën e çmuar të kësaj mësueseje në zhvillimin e arsimit në atë rreth, që është pjesë e rëndësishme e arsimit tonë kombëtar.
4.
Në vitet e Luftës II Botërore vëllai i madh i Nazmijes, Asimi ra dëshmor për Atdheun. Ndërsa i dyti, Esati u burgos dy herë nga rregjimi titist jugosllav dhe, më në fund, e larguan nga vendlindja, Dibra e Madhe. U detyrua të vendosej në Obiliq të Kosovës, ku dhe iu shkri përfundimisht jeta.
Koha bënte punën e saj. Mbi supet e nënës dibrane Nazmije Pasholli rëndonin edhe vështirësitë e dhimbjet, që kishte kaluar.Por, si kurdoherë, ajo mbeti e rrethuar nga dashuria e respekti i djemëve e vajzave, njerëzve të afërm dhe gjithë të njohurve. Çdo jetë ka një fund, por sa gjë e madhe është, kur ky është i merituar, pra kur ti lë pas një kujtim të mirë për të gjithë dhe malli e mirënjohja për ty shtohen, me kalimin e viteve. Kështu ka ndodhur edhe me këtë mësuese dhe nënë të mirë dibrane. Në familjen Pasholli, në Tiranë, ra zija, se ajo mbylli sytë përgjithnjë ! Lajmin e hidhur dhe pikëllimin e përjetuan, gjithashtu, në vendlindjen e saj dhe në Obiliq të Kosovës. Në njoftimin e botuar atje në shtyp, përkrah fotografisë, lexoheshin këto fjalë:
“Njoftojmë farefisin dhe miqtë tanë se, më 15 korrik 1979, në Tiranë, vdiq kunata dhe halla jonë e dashur Nazmie (Menzelxhiu) Pasholli, mësuese shumëvjeçare nga Dibra. Ngushllimet mund të shprehen në adresën: Beqir Menzelxhiu, Shtëpia e Kulturës-Obiliq. Të pikëlluem: Kunata Fatime, Esat Menzelxhiu, nipër, mbesa dhe farefisi” . (Gazeta “Flaka e Vllaznimit”, korrik 1979).
Për humbjen e mësueses Nazmie Pasholli lajmi u përhap edhe në rrethin e Dibrës, ku ajo kishte shkrirë energjitë e saj rinore për mësimin dhe edukimin e nxënësve, veçanërisht të vajzave dibrane. Në telegramin e dërguar familjes në Tiranë, nga seksioni i arsimit e kulturës, në atë kohë, lexojmë: ” Mësuesit dhe nxënësit e rrethit të Dibrës ju sjellin ngushllimet për vdekjen e Nazmije Pashollit, mësuese e parë e vajzave në Peshkopi “.
Një vlerësim i denjë iu bë mësueses Nazmie Pasholli në vitet e Demokracisë, pasi në kohën e sundimit monist veprimtaria e saj, pothuajse, ishte lënë në harresë. Në shtator 1993, me dekret të Presidentit të Republikës, ajo u nderua me titullin e lartë “Mësuese e merituar”, me këtë motivacion: “Për përkushtimin në përhapjen e arsimit në Dibër, si mësuese e parë e shkollës së femrave në Peshkopi”.
Tiranë, 3 mars 2016