NATO bazë ajrore moderne në Kuçovë/ Stoltenberg: Investim domethënës për të gjithë aleatët

0
374
NATO Air - Kuçovë

Nga Klotilda Saraçini29/01/2020

TIRANË, 29 janar/ATSH/ Investimi i NATO-s në bazën ajrore të Kuçovës është një investim domethënës.

Kështu deklaroi sot Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, i cili vizitoi sot Selinë e NATO-s në Bruksel në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së.

“Kemi vendosur ta bëjmë këtë investim dhe po nxisim që kjo të zbatohet sa më shpejt të jetë e mundur. Ky është një investim për përmirësimin e bazës ajrore, të pistës, karburantet gjithashtu. Kjo bazë ajrore mund të jetë qendër e veprimtarive shumë të rëndësishme, siç është policimi nga ajri, trajnimi që do të vijë nga kjo bazë e modernizuar në Shqipëri. Pra, është mirë jo vetëm për vendin, por për të gjithë aleatët e NATO-s”, – tha Stoltenberg.

Sekretari Stoltenberg u shpreh se “nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria është anëtarësuar në 2009-ën, që ishte mirë për Shqipërinë dhe mirë për NATO-n. Shqipëria dhe NATO kanë punuar mjaft ngushtë së bashku. Kjo është e rëndësishme për sigurinë tonë të përbashkët, por gjithashtu është e rëndësishme për NATO-n që të investojë në infrastrukturë”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.