NATA SHEKULL KUR GJUMË NUK KA
(Poezi shkruar gjatë luftës tremujore në Kosovë – 1999)
Në natë të heshtur krahrorin shtrëngoj
dhembjen për ta ndrydhur.
Hap gjallërie nuk dëgjohet
në lagjen e re, përtej kodre
të Prishtinës së madhe
plagosur nga përndjekja
e njerëzve të zemrës së saj
në thellësi malesh strehuar
e tokash të huaja dëbuar.
Lagje e Shqiponjave i thonë
me Shqiponjë Flamuri të trazuar barbarisht
nga hordhitë serbe
të llahtarisë së zezë.
Nga heshtje e dhembshur veshët ushtojnë
e nata shekull kur gjumë nuk ka.
Për të dalë në derë të shtëpisë
mundësitë shëmti e mërive të trishta
plumb-pushkët mbi koka vringëllojnë
nga pozicionet ku qëndrojnë.
Grykat ushtojnë në ndeshje hutash
e toka dridhet në gjëmim malesh
për tokë e kokë
në ndeshje fyta-fyt
e vetmja prishje heshtjeje
ndezur trimërisht.
Vrullet gufojnë me imazhe të zjarrta
për sofrën e fillit të blertë.
NË LIRIKËN E KUJTIMIT
Robëri e egër sllave
e shekulli njëzet krejt mesjetë
fugën i vuri dritës sime mijëvjeçare
errësirë për të krijuar
buzëqeshjen për t’ma venitur
deri në çrrënjosje.
Eshtrat e mij pirg i palëkundur
det i kreshpëruar.
Nënëlokes ia nxiva pleqërinë
kur me gjak e lava pragun e derës
në përballje me krerët e kuçedrës
Toka e thithi menjëherë,
etur për gjakun tim
në ujitje rrënjësh ndër shtresime
për përtëritje sythash të rinj.
Unë e toka ime,
mall e zjarr nyje
deri në amshim
njëri-tjetrin në zemër e mbajmë
dashuruar me ekstazë purpuri.
Kreshtëbardhat sogjetare
e lugjet e blerta
gurrë ujvaresh pranverore
etur skajshmërisht për dritësirë,
për shtegun e rrahur
zënë përherë me ngrica e me prita.
Poezi nga libri ”Kohë flakadanësh të lirisë” (i përkthyer edhe në anglisht) – Naxhije Doçi
– Prishtinë – 2012
Nata shekull kur gjumë nuk ka
Në lirikën e kujtimit
– Naxhije Doçi