Nata e errët e shpirtit të Nënë Terezës përcaktoi të gjitha vendimet e saj

0
983
Nënë Tereza me fëmijë

Njoftim për Mediat

Universiteti i Birminghamit

https://www.birmingham.ac.uk/news/latest/2019/02/mother-teresa’s-dark-night-of-the-soul-determined-all-her-decisions-claims-birmingham-study.aspx

Nata e errët e shpirtit të Nënë Terezës përcaktoi të gjitha vendimet e saj,
sipas studimit të fudit nga Birminghami

· Vendimi për tu bërë murgeshë dhe errësira shpirtërore e Nënë Terezës ishin pasoja të traumave të fëmijërisë
· Kurimi nga zbrastësia shpirtërore ishte preokupim i murgeshës gjatë gjithë jetës
· Përkushtimi i misioneres ndaj të varfërve u motivua nga qëllimi për t’i shërbyer shpirtit të saj

7 Shkurt 2019, Birmingham, MB

Studimi i ri i ndërmarrë nga Gëzim Alpion i Universitetit të Birminghamit konkludon se nata e errët e shpirtit të Nënë Terezës filloi në fëmijërinë e saj dhe se ajo u gërrye nga dyshime për ekzistencën e Zotit deri në momentet e fundit të jetës.

Dr. Gëzim Alpion, i Departamentit të Politikave Sociale, Sociologjisë dhe Kriminologjisë, në studimin e tij të ri shkruan se disa nga arsyet përse Nënë Tereza nuk foli kurrë për jetën e saj private dhe të familjes ishin traumatizimi nga helmimi i babait të saj nga nacionalistët sllavë në vitin 1919 kur ajo ishte nëntë vjeç, rekrutimi i vëllait të saj në ushtrinë fashiste të Benito Musolinit, dhe kujdesi për të mos rrezikuar nënën dhe motrën e saj që jetonin në Shqipërinë komuniste.

Alpion sugjeron se nata e errët e shpirtit e Nënë Terezës përcaktoi të gjitha vendimet e saj, përfshirë vendimin për tu bërë murgeshë, zgjedhjen e Indisë si destinacion, largimi nga urdhëri i Loretos, themelimi i kongregatës Misionaret e Bamirësisë, dhe zgjerimi i aktivitetit të saj jashtë Indisë duke filluar nga viti 1967. Për të ilustruar këtë, Alpion konkludon se edhe projektet që Nënë Tereza ndërmori në Australi, fillimisht në vitin 1969, ishin një përpjekje tjetër për tu çliruar nga zbrastësia shpirtërore në një kohë kur po e kuptonte gjithnjë e më shumë se kjo ishte diçka e pashërueshme.

Dr Gëzim Alpion thotë: “Nënë Tereza vendosi të bëhej murgeshë dhe zgjodhi Indinë si destinacion jo thjesht apo kryesisht për tu shërbyer të varfërve por, mbi të gjitha, me shpresë se, nëpërmjet të vobektëve, do të gjente Zotin elusiv dhe se do të arrinte t’i jepte fund natës së errët të shpirtit. Përkushtimi i saj ndaj të varfërve ishte konstant deri në fund. Megjithatë, të varfërit, anëtarët e kongregatës së saj, dhe vullnetarët ishin ‘instrumente’ me ndihmën e të cilëve ajo shpresonte të çlirohej nga terri i ‘natës së shpirit’.”

“Ndryshe nga pretendimet e hagiografëve, kriza shpirtërore e Nënë Terezës nuk filloi pas themelimit të kongregatës së saj në 1950 por nga viti 1919 deri 1922, periudhë gjatë të cilës, bashkë me babain, ajo humbi edhe 8 pjesëtarë të familjes së dajës së saj në Shkup. Prezenca e vazhdueshme e vdekjes në fëmijëri patën një efekt traumatik në gjendjen e saj shpirtërore, dhe marrëdhëniet e saj me anëtarët e familjes, kombin dhe veçanërisht me njerëzit në nevojë.

“Nënë Tereza nuk u kurua kurrë nga dyshimet për ekzistencën e Zotit. Pavarësisht këtyre vështirësive, ajo gjithmonë e konsideronte të shenjtë dinjitetin e çdo qënie njerëzore.”

Disa nga këto konkluzione janë përfshirë në studimin e fundit të Alpion titulluar ‘Përse ikonat moderne fetare mungojnë në studimet e famës?’, që sapo është botuar në revistën shkencore Celebrity Studies (Routledge).

Sipas Alpion, anashkalimi i personaliteteve fetare në studimet e famës është i pajustifikueshëm po të kihet parasysh ndikimi në rritje i kulturës së famës në jetën e përditshme si dhe influenca që ajo po ushtron prej kohësh edhe mbi fenë.

Në këtë studim, Alpion njofton për herë të parë ekzistencën e një anëtarje të panjohur deri më sot të familjes së Nënë Terezës në Australi, kushërirës së saj të parë e cila u adoptua nga nëna e murgeshës si jetime në moshën 6 vjeçare, gjë të cilën Alpion e mësoi filimisht gjatë vizitës së tij në Melburn në 2011.

Që nga ajo kohë, Alpion po e përdor informacionin nga ky burim dhe burime të tjera për të shkruar studimin ‘Rooting Mother Teresa: The Saint and Her Nation’ (‘Në Kërkim të Rrënjëve të Nënë Terezës: Shenjtorja dhe Kombi i Saj’), që do të botohet në fund të 2019-tës. Vitin tjetër, Alpion do të përfundoj librin për motrën e harruar të Nënë Terezës në Australi.

Në monografinë e tij të mirënjohur ‘Mother Teresa: Saint or Celebrity?’ (‘Nënë Tereza: Shenjtore apo e Famshme?’), që u botua në 2007, Alpion argumentoi për herë të parë se besimi dhe aktivitetet e murgeshës duhen parë në kontekstin e influencës së traditës familjare dhe kombëtare në jetën e saj si misionare, temë e cila është në qendër të studimit të ri të përmedur më lart.

Mother Teresa, e cila njihet nga Kisha Katolike Romake si Shenjt Tereza e Kalkutës, ishte një murgeshë shqiptare në Indi, e lindur në 1910 në Shkup, që ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës.

Në 1928, pasi qëndroi disa javë në Irlandë, në moshën 18-vjeçare, ajo udhëtoi për në Indi ku kaloi pjesën më të madhe të jetës deri kur vdiq në 1997.

FUND

Shënim për Editorët:

Dr. Gëzim Alpion është një akademik, shkrimtar dhe dramaturg i vlerësuar. Ai ka një BA nga Universiteti i Kajros dhe një PhD nga Universiteti i Durhamit në Angli. Alpion konsiderohet si ‘autori më autoritar në gjuhën angleze’ për Nënë Terezën dhe ‘themeluesi i Studimeve për Nënë Terezën’. Vitet e fundit ai ka zhvilluar mbi 50 ligjërata në konferenca ndërkombëtare dhe universitete prestigjioze në 15 vende të ndryshme.

Universiteti i Birminghamit është një nga 100 universitetet më të mira në botë. Akademikët dhe 6,500 studentët e huaj të këtij institucioni vijnë nga më se 150 vende.