Narçizi i kohës së re

0
504
Narcisti - ilustrim

Pajtim Xhelo

Tregim

U zgjua nga një ëndërr e frikëshme dhe po rrinte ndenjur në shtrat i trullosur mes të vërtetës dhe përfytyrimit, si na ndodh shpesh kur gjumin e përplasin ëndrrat në shkëmbinjtë e së pamundurës. Derisa marrim veten na duket se po kalojmë në një urë, që me zor po na çon te bregu. Çastet e para e shohim atë breg me ngjyrat e ylberit dhe na pushton ankthi i të panjohurës. Pastaj, ngadalngadalë, duke iu afruar përmendjes, gjithçka zbardhon nga drita e agimit që hyn vjedhuraz përmes perdes gjysmë të hapur, harruar ashtu nga mbrëmja e shkuar. Kjo na sjell në botën tonë dhe na mbush mendjen që ëndrrat nuk janë fare kot; mbrëmjen e shkuar kemi kaluar orë të mundimëshme, duke i lejuar mendimit të bridhte pa frerë dhe pa cak nëpër ëndrrat që shohim me sytë hapur, ditën në diell. Kështu po ndodhte edhe me burrin dyzetepesë vjeçar atë agim fillimdimri të vitit x. Kish disa ditë që ndiqte aktiv lëvizjen studentore të Kryeqytetit, të udhëhequr nga një student i vitit të fundit, me të cilin kish njohje rastësore. Ishte specialist me një përvojë të gjatë në institutet studimore e projektuese në vend dhe jashtë tij, po edhe me një fat që do ta lakmonin gjithë kolegët e tjerë për të qenë në shërbim të udhëheqjes kryesore të Partisë. I vlerësuar jo vetëm si teknik, po edhe si intelektual në rrethet elite të kryeqytetit, ai kish nisur prej ditësh të gërvishte sedrën e përgjumur të egos për të vijuar ngjitjen e shkallëve të fuqisë së pushtetit e të Partisë, që deri tani kishin qenë të kufizuara në cakun e mundësisë që i jepte sistemi njëpartiak.

Dhe sedra e gërvishtur kish nisur të çante plagën e kallusuar të intelektualit që ishte i vetëdijshëm për deri ku mund ta bënte rrugëtimin, pa i hapur telashe vetes, se mos drejtoheshin shigjetat e ambicies së të paaftëve në ballin e tij. Shpirti i atij mesoburri kish nisur të regëtinte nga miliona rreze të ngrohta që shihte të zbrisnin nga dielli përmes qiellit të retuar lehtë, të shtyra nga era e Demokracisë që po frynte nga lindja kah perëndimit. Zemra i rrihte me ritëm të ri, thuajse të panjohur më parë, kurse mendimi e ndriçonte drejt një bregu, ku dukej në horizont Kopështi i Edenit, të cilin e kish kaluar tangent, duke mos e lejuar të depërtonte në trurin e tij që vlonte nga dëshirat e shfrenuara. Kopështi i Edenit kish bërë një gjumë të detyruar, bashkë me ambicien e mjekut për vite të tëra. Ishte i sigurt që tani kish ardhur koha për t’i zgjuar të gjitha nga gjumi, ashtu si u zgjua edhe vetë këtë mëngjes.

E diela qe pushim. U ngrit i kthjelluar dhe energjik nga shtrati që i pat ngacmuar e nxitur dëshirat nëpër errësirën e natës, bëri tualetin, hëngri mëngjesin e vogël me nge, u vesh dhe me një kënaqësi të përvijuar lehtë në fytyrën e tij, u nis të pinte kafen te lokali i përhershëm, ku takonte edhe shokët e vet, që me të vërtetë ishin elita e mendimit të Kryeqytetit. Njeri nga ata, dy ditë më parë, në mbledhjen e organizuar nga Sekretari i Parë i Komitetit Qëndror të Partisë, kish patur guximin ta kundërshtonte atë dhe të jepte mendime, për të cilat edhe mund të kishin pasoja, sepse vendi i tij ishte nga të fundit në Europë, ku akoma nuk ishte vendosur as pluralizmi i mendimit, as ai partiak. Të tjerët e kishin përgëzuar për këtë, po asnjë tjetër nuk ish ngritur për t’i forcuar mendimin. Një nga ata kish qenë edhe njeriu që po përshkruajmë deri tani.

I gjeti të katër të tjerët ulur në tavolinën e tyre, thuajse të rezervuar për të dielat. I përshëndeti përzemërsisht dhe u bashkua me ta, duke i dhënë porosinë kamarierit që u sos sa e vuri re. Të thuash të vërtetën, qëndrimi i tij i vetkontrolluar e prishi paksa humorin që kish gjetur në tavolinë në çastin e parë.

– Në telefon më the që sot do të shkosh te studentët. E ndryshove mendimin? – e pyeti njeri nga ata të katër.
Tjetri mohoi, duke lëvizur kokën energjik. Pastaj iu përgjigj edhe me fjalë:
– Do shkoj. Ata kanë vendosur të krijojnë Partinë e tyre. Grupi nismëtar ka mbledhur firma të panumërta të studentëve. Dje paradite ishin në takim me shokun R. Në pasdite ai më thirri në zyrën e tij për të shkëmbyer mendime.
Të tjerët u bënë kurreshtarë.
– Si t’u duk, ishte i vendosur apo i lëkundur për të lejuar pluralizmin? – e pyeti njeri nga “elita”.
– I vendosur, edhe pse jo me dëshirë. Nesër mblidhet Byroja Politike dhe po nesër Pleniumi i KQ.
– Kjo pritej – tha dikush – Ata nuk kanë nga ia mbajnë. Janë të detyruar ta pranojnë pluralizmin.

Mesoburri nuk foli, Ra një qetësi, që bëri të dëgjoheshin vetëm rrufitjet e kafeve nga ata të pestë. Në lokal nuk para flitej me zë të lartë. Klientët qenë njerëz të njohur për kulturën dhe vendin e tyre shoqëror. Qetësinë e theu mjeku.
– Më duhet të iki, ata po më presin – tha dhe u largua.
Në Qytetin e Studentit gjeti rrëmujë ngado. Grupe-grupe bisedonin me zë të lartë, pastaj brohorisnin e hidhnin parrulla:
“Liri – Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Poshtë Komunizmi” etj. Hera-herës ata ngrinin dy gishtat lart në formën e sgronjës ” V ” që donte të thoshte “Victory” (fitore). Shumica e studentëve tashmë e njihnin atë dhe e përshëndetën me dy gishtat lart. derisa ai hyri në sallën ku ishte mbledhur Grupi Nismëtar” që do krijonte Partinë e re. E takuan të gjithë me respekt dhe i hapën vendin që të ulej. Një çast, siç ndodh rëndom para vendimeve të rëndësishme, mbetën pezull edhe frymëmarrjet e të pranishmëve. Të tjerët po prisnin me padurim të dëgjonin fjalët e ëndëruara të lindjes së fëmijës që pritej prej kohësh, që do të pasonte me urime zemre për këmbë të mbarë e për rrugëtim të bardhë drejt Demokracisë dhe Lirisë së individit në të gjitha fushat e jetës, të ndërgjegjes e të veprimit.

Ai jo. Çuditërisht dukej i qetë, i ftohtë, edhe pse i vëmendshëm si skifter. Sytë e përqëndruar te drejtuesi i Lëvizjes Studentore lëviznin në dukje të përmbajtur, po po t’i shihje me vëmendje, pas mundimit të vetpëmbajtjes, ndihej në padurim i një dëshire tinëzare, që pulsonte e paprehur në një botë të panjohur për askënd.

Ai mezi po priste që drejtuesi i Lëvizjes Studentore, pas çastit të shenjtë të shpalljes së krijimit të “Partisë së re” të propozonte për Kryetar të asaj Partie atë vetë, si njeri në moshë të pjekur, si intelektual i mirënjohur dhe me eksperiencë në punët e Partisë, po nuk ndodhi ashtu. Edhe pse nuk e dha veten dhe ata studentë, të rrëmbyer nga vorbulla e gëzimit të çiltër që kishin mundur të thyenin një mur të lartë e të vështirë, nuk kuptuan asgjë nga çorapi që endëte ai në mendjen e tij, me vullnetin e hekurt ai do të përpiqej mbi dhe nën rrogoz, që ta arrinte synimin në një kohë sa më të afërt.

E ndërsa studentët i gëzoheshin fitores, burri i çuditshëm u bashkua me gëzimin e tyre, duke i fshehur qëllimet e veta, si fsheh horizonti i përskuqur diellin që perëndon, po që do të vijë sërish mëngjesin tjetër andej nga lindja.

Mori pjesë edhe në festimet e tyre, uroi e u ngazëllua bashkë me ta. Në mbrëmje, në familje nuk tha asgjë, u mbyll në kafazin hermetik të pasmendimit të fshehur në errëtinë e etjes për karriken e Madhështisë dhe vijoi të thurte çorapin e një Narçizi të ardhur nga lashtësia për të përbuzur Jetën e Re.

Mëngjeset që pasuan i ngjanin atij të së dielës. Ditët ishin të mbushura me takime politike në të gjitha sferat e shoqërisë që në dukje ngjante sikur po rilindëte. Bisedat ” tet a tet ” ngopën kohën e tij si kurrë më parë në jetën tjetër dhe, më në fund qëllimi u arrit. Atë e zgjodhën Kryetar të Partisë së re që do të mbarte mbi supet e saj dëshirën shekullore të një populli që kish vuajtur padrejtësitë më të rënda në histori.

Tashmë rruga e shtruar me sixhade Persie, ecte mes brohoritjeve të shpresës së rilindur drejt Perëndimit, si drejt Zotit.

– Ki kujdes – e këshilloi një ditë njeri nga ish katër shokët e tij të kafes së të dielave – Një popull i vuajtur si yni, bën prijës edhe djallin nga padurimi i pritjes së gjatë, po nga ky popull duhet të ruhesh si djalli nga thimjani, kur të jetë ndier i zhgënjyer nga premtimet.
Njeriu që kish arritur tashmë në fronin më të lartë të atij vendi, e pa me shpërfillje.
– Ti mendon se unë jam djalli? – e pyeti jo pa zemërim.
Tjetri qeshi hidhur.
– Të dhashë këshillën e mikut të mirë – i tha.

I plotfuqishmi i atij vendi e shikoi shtrembër. I ktheu shpinën dhe vijoi rrugëtimin e vetkënaqësisë, nëpër të cilin kish nisur të shikonte si hije ish miqtë e të njohurit. Ndonjëherë edhe gruaja i dukej ashtu, e padukëshme, e pazëshme, pse jo, edhe e palëvizëshme… Qenie që rrëshqiste në limfën e vet në një pjerrinë pafund… Thyerinë jo e qenësishme. Një mbrëmje, si e pa që ai erdhi i lodhur, aq sa përtonte të hante edhe darkë, ajo provoi t’i ndërhynte për ta këshilluar :
– Nuk e drejton vetëm ti vendin – tha qetë – Mos i merr përsipër vetë të gjitha punët. Duhet të kesh besim te ata që të shoqëruan deri këtu. Rrugëtimin e nisët bashkë dhe mirë është që ta vijoni po ashtu.

Fillimisht ai nuk i ktheu përgjigje. Në të vërtetë gruaja ishte e mençur dhe dikur e kish vlerësuar, po që kur ish në krye të atij vendi, edhe atë e shihte me dyshim të pakuptuar… Tanimë nuk kish asnjë mëdyshje, që atij njeriu i qe mbushur mendja se ishte i vetmi që dinte gjithçka, i vetmi që mund të bënte punë të mira. Të tjerët i shihte si shkretëtirë pafund, që rrethonin atë, oazin që Zoti e pat krijuar si Narçiz të ri në Kohë të Reja.

Vitet udhëtonin edhe mbi vendin që drejtonte ai. Egoist, egocentrist, inatçor… Narçiz, tashmë u kish kallur frikën të gjithëve dhe po drejtonte, duke shpërfillur rrezikun që i kanosej me dorë të hekurt. Kish nisur t’i largonte e t’i detyronte të mënjanoheshin njeri pas tjetrit gjithë bashkudhëtarët e dikurshëm. Të tjerët as që merrnin guximin ta kundërshtonin, as e kalonin nëpërmend një gjë të tillë.

Vetëm një grua, të cilën e kujtonte krahun e tij të djathtë, i tha një mbrëmje, kur po ndaheshin:
– E di, para pak kohësh, po mendoja që edhe unë po të dukem si një natë dimri në terr.
Ai e kish parë me sy të akullt.
– E kishe në vend të përshëndetjes këtë? – e pyeti.
Ky shikim kish mjaftuar që tjetra ta kuptonte që narçizizmi i atij njeriu ishte i pakthyeshëm, nuk do të ndalej kurrë në mesrrugë.
Tashmë të gjithë ishin të bindur që Koha e Re i kish rrëzuar atij populli një Narçiz, që do t’u edukonte edhe pasardhësve të tij Narçizizmin.