NGA: PIRRO PRIFTI MË: 6 SHKURT 2018 BOTASOT.INFO
Në historinë e kombeve dhe të shteteve të formuara gjatë mijëvjeçarit të fundit ka vetëm një shtet i cili ka përvehtësuar historinë e lashtë dhe të sotmen duke krijuar një mit të vetin me qëllim të krijimit të një legjende historike për një shtet të ri që u quajt Greqi.
Pa u fokusuar tek imtësitë dhe manovrat për të përfituar statusin e një shteti të ashtuquajtur me një histori të lashtë, mund të them frazat e një ambasadori të asaj kohe i cili në debat e sipër me përfaqësuesin grek i tha: `…Ju jeni një shtet pa komb …kurse ata (shqiptarët) janë një komb pa shtet…`.
Formimi i shteti grek të krishterë në vitin 1831, nga arvanitasit, vllehët, sllavët dhe pakicat e tjera egjyptiano-anadollake ishte një goditje e madhe për Perandorinë turke të asaj kohe, sepse për formimin e këtij shteti kontribuoi në rradhë të parë Anglia dhe Rusia por edhe Franca e Gjermania, kryesisht të nxitur nga Historia e lashtë e Athinës e Spartës, e Mikenës, e mbeturinave të Trojës në Anatoli, dhe e Mitologjisë.
Gjithçka filloi me goditjen e parë të politikanëve bizantinë të larguar nga Konstandinopja (e cila mori emrin Stamboll në vitin 1931), politikanë të cilët në parlamentin e parë grek hodhën idenë ri-bërjes së Peandorisë së Krishterë Bizantine të shkatërruar nga Sulltan Mehmëti II në qershor 1453.
U hodh idea e gjuhës kombëtare, dhe këtu arvanitasit që kontribuan në më shumë se 80% të luftës anti-osmane bënë humbjen e parë në atë parlament sepse u kapën ‘mat’, kur përfaqësuesi bizantin i tha se “…gjuha arvanitisht nuk është gjuhë e shkruar… prandaj gjuha byzantine është e shkruar kështu që është më mirë të kemi këtë gjuhë të shkruar“.
Sigurisht elozhet për arvanitasit ishin të shumta, por… nuk vonoi shumë që shumica dërrmuese e popullatave që jeton në Greqi filluan të mësojnë me detyrim një gjuhë jo të nënës. Ndodhi një habi e madhe; në shtëpi fliteshin vllahisht, arvanitisht, sllavisht (serbisht, bullgarisht), më pak bizantinisht, por si gjuhë kryesore zyrtare u vendos një gjuhë me shkronjat e bizantit, të cilën e vendosën të quhej gjuha helene ose greke.
Kam shkruajtur për këtë më parë, por shkurtimisht më e rëndësishmja është se Politikanët e Bizantit, që zunë drejtimin në shtetin e ri vendosën emrin Graecia (në kohën e Perandorisë osmane popullata që fliste bizantinisht quhej romë apo graeke – nga fjala përbuzëse shqip gra), si emër të shtetit, historinë si Heladha dhe popujt si helenë. Kjo ide erdhi pasi mbreti Otto, apo Ottoni erdhi në Greqi, i dërguar nga Europa për të drejtuar një shtet të ri, pa komb por me popullata të ndryshme.
Iluministët Franceze si Viktor Hygo, arkeologët gjermanë si Schlimman, Gëtte e, të tjerë iluministë të Europës të entuziasmuar nga formimi i një shteti të ri të krishterë në Ballkan, pas 350 vitesh robëri osmane të hënës, përkrahën idenë se ky shtet dhe ky popull që përbënte këtë shtet ishte po ai popull i lashtësisë nga të cilët dolën dhe trashëgoi Europa Mitet interesante e pjesërisht të vërteta të Perëndive të lashtësisë, interpretimi i të cilave ishte plotësisht i gabuar. Kështu nga gabimi lindi një histori e deformuar me qëllim e lashtësisë që u konsolidua ndër vite.
Përse Helene? Sepse e gjithë historia e sajuar e Greqisë së sotme u bazua në Historinë e Epirit dhe të Akejve, të cilët nuk ishin grekë dhe as me emrin helenë të marrë nga një luftëtar akej me emrin Helen nga e cila derivoi emri helenë dhe Heladhë. Fjalë për fjalë fjala Helen vjen nga emri i mbretëreshës së Spartës Helena, që u rrëmbye nga Paridi, të dy emra aspak greke, apo helene sepse përkthehen fare mirë dhe lehtësisht në gjuhën arvanitisht, apo të sotmen shqip me: Helena – ‘e lena’ ose ‘e braktisura’ apo ‘që ka braktisur bashkëshortin’, ndërsa Paridi – ‘I pari’ ose ‘më i miri’.
Ku e bazuan grekët shtetin e tyre? E bazuan tek binomi Fe + Atdhe.
Një binom mbi të cilin u mbështetën të gjitha shtetet europiane por dhe ato islame. Shteti grek përdori Orthodoksinë si mjet fetar por edhe politik për të quajtur të gjithë personat që ishin orthodokse apo bizantinë – duke i quajtur grekë, kurse atdheun e bazuan tek tokat, që kishte patur Bizanti, por që i humbi në luftë me Osmanët. Kështu lindi Megalo idea (ideja e madhe), e cila synonte ri-bërjen e Perandorisë Bizantinë tashmë jo me kryeqytet Konstandinopojën, por me idenë që Konstandinopoja do t’u rikthehej me ndihmën e Rusisë në të ardhmen.
Së dyti, e bazuan formimin e shtetit të ri tek ndryshimi i gramatikës dhe i fjalëve të së ashtuquajturës nga iluministët ‘greqishte e vjetër’, që në fakt ishte një gjuhë pellazgike me gërma të huazuara nga fenikasit – në gjuhën greqishte të re, e cila megjithë ndryshimet ka plot fjalë arvanitisht apo shqip.
Ngulmimi për të formuluar një gjuhe dhe një gramatikë të re lindi edhe nga fraza e Mbretit Otto-n, i cili mësoi gjuhën byzantine dhe kur erdhi në Athinë vuri re se aty nuk flitej ajo gjuhë por një gjuhë tjetër dhe i habitur pyeti cfarë është kjo gjuhë? Shoqëruesit i thanë se është gjuhë arvanitase. !!!
Së treti, përfaqësuesit e shkolluar bizantinë, të cilët erdhën me shumicë nga Konstandinopoja, nga Aleksandrija, nga Anatolija, krijuan një plan sa strategjik por edhe djallëzor: morën përsipër përkthimin e veprave të dijetarëve të lashtësisë përfshi dhe Herodotin dhe Plinin, duke bërë vetëm një ndryshim të vogël por sinjifikativ: ato vënde ku përmëndej emri Athinë, Spartë, Mikenë, apo të gjitha emrat e lashtësisë, Maqedoni, Alksandër i Madh, ata në përkthimet e tyre në gjuhën greqishte të re i vendosën edhe fjalën ‘grek’ apo ‘helenë’, duke krijuar kështu vazhdimësinë historike të munguar mijëravjeçare. Po të shikosh origjinalet, nuk ka emër grek apo helenë. Këto emra janë vendosur vonë.
Së katërti. Historia e Greqisë së vjetër siç e përmënda më sipër është e bazuar në fiset ilire e pellazge. Një nga fiset më të vjetra pellazge ishin Epirotët (Epir = I Epërm, I sipërm) dhe Mollosët (Mollosia = Malësia), të cilët ishin edhe drejtues të akejve në luftën kundër Trojës.
Një nga Historianët tanë ka thënë se Lufta e Trojës në fakt ishte një luftë – po ta përkthejmë me ditë e sotme – midis fiseve të pellazgëve të jugut – Akejve dhe epirtotëve (apo shqiptarëve të jugut), me iliro-pellazgët e veriut ose Dardanët (pra shqiptarët e veriut), luftë të cilën e fituan jugorët, e për pasojë iliro-pellazgët e veriut u shpërngulën në Romë, nga e cila lindën romakët nëpërmjet martesës së Eneas me Lavinjën sipas Eneidës të Virgjilit.
Problemi i Aleksandri të Maqedonisë është një nga rastet më të çuditëshme të deformimit të historisë së lashtë. Dihet që Aleksandri i Maqedonisë mësoi gjuhën helene në Athinë nga Aristoteli, pra ai nuk ishte siç thonë historianët grekë obsessive-grek, por ishte maqedon. Vetë emri i tij ka përkthin lehtësisht në shqip: A- ka; Leks- lexo; andër- ëndër, pra njëriu që lexon ëndrat, pra njeri i madh. Vetë Kryeqyteti i atëhershëm i Maqedonisë Pella është shqip – Pela – femra e kalit. Pra, Maqedonia sipas Eduin Zhak ka kuptim shqip Emathia – E Madhe, apo: maj (mbaj) – Qe dhe Dhoi (dhi), pra një krahinë me blegtorë, që i korrespondon jetesës së atyre njerzve.
Së pesti, manipulimi nëpërmjet fesë orthodokse nuk kishte kufi deri në 28 nëntor 1912. Greqia si shtet i formuar që prej 1831, nuk pati asnjëherë pretendime territoriale ndaj Shqipërisë, apo më saktë ndaj vilajeteve shqiptare të jugut kryesisht asaj të Janinës, vilajet që përfshinte pjesën më të madhe të Epirit.
Pas Kongresit të Berlinit 1-10 qershor 1878, me ndarjen e tokave ku banonin shqiptarët nën Perandorinë osmane, formimin e shteteve të reja si Serbia, Bullgaria, Mali i Zi, si dhe me gafën e bërë nga Lidhja e Parë e Prizrenit, e cila nëpërmjet Kahrarname-së së dërguar në Kongresin e Berlinit (Kahrarname – e cila kërkonte që tokat e vilajeteve me popullsi myslimane të qëndronin nën hyqmin e Perandorisë Osmane), edhe Greqia mori toka dhe popullsi jo të sajat, duke kërkuar tokat e Epirit, të cilat i përvehtësoi shumicën në luftën e parë botërore, madje, për të marrë komplet tokat e Epirit të Veriut atentatorë të paguar, vranë edhe kolonel Telinin, por në marëveshje edhe me qeverinë e xhonturqve morën pa luftë Janinën, të cilën e dorëzoi Esat Pashë Toptani, pasi mori një pagesë të madhë, dhe Selanikun, të cilin e dorëzoi një general bullgar gjithashtu duke u paguar.
Kështu që e tërë popullsia orthodokse që nuk dinte greqisht dhe që nuk ishte popullsi e ashtuquajtur ‘Helene’ quhej gabimisht në sy të Europës – si popullsi ‘greke’, me pretekstin se ishin orthodoksë. Kështu një pjesë e mirë e shteteve perëndimore europiane dhe Rusisë i pëlqeu kjo gjë, përsa i përket popullatave orthodokse shqiptare, vllahe, por jo atyre sllave, të cilat ishin shume kundërshtuese ndaj termit grek apo bizantin. Madje deri në 29 nëntor 1912, termi grek dhe turk përdorej lehtësisht edhe në trojet shqiptare, për të përcaktuar jo vetëm përkatësinë fetare por, më negativja ishte ajo etnike. Vonë shumë vonë, qeveritë shqiptare e kuptuan hilenë e kësaj terminologjie.
Së gjashti, ideja apo më saktë obsesioni për të marrë Epirin, politikanëve grekë u lindi edhe nga dëshira e arvanitasve të shekullit të XIX, për të çliruar nga osmanët zonën e Epirit, arvanitas të cilët përveç Moresë (Peloponezi), ishin edhe Epiri, nga Suli, nga zona e lumit Kallamas – shqip lumi i Kallamave, pjesë e popullsisë myslimane të asaj kohë i u vu emri Çam e Çamëri nga Ali Pashë Tepelena, për t’i dalluar nga epirotët dhe suliotët orthodoksë. Kjo ide fikse egziston dhe sot si pjesë e strategjisë së forcave politike ekstremiste greke.
Së shtati, strategjia për të ndryshuar emrat shqip apo arvanitisht në emra të tjerë grekë, për të shuar historinë e atyre viteve: kështu u ndruan emrat e Negovanit, emrat fshtarave çamë, dhe plot ndryshime e toponime, që ishin por edhe kishin dhe kanë kuptim fare të qartë në gjuhën shqipe.
Së teti, presioni që gjuha shqipe dhe vllahe, madje dhe ajo bullgare dhe serbe të mos flitej në shtetin grek, por vetëm të mësohej gjuha artificiale greqishte e re. Greqia e quan vehten shtet homogjen dhe si e tillë nuk ka firmosur ligjin për pakicat në OKB. Për shkak të simpatisë patologjike ndaj këtij shteti si nga BE, ashtu dhe nga SHBA, e të tjerë, është heshtur ndaj represionit brenda Greqisë, e cila heshturazi shkel të drejtat dhe liritë e njeriut të paktën ndaj popullatës shqiptare, të larguar me dhunë qoftë pas marrëveshjes së Lozanës, kur largoi mijra myslimanë në Turqi për t’i shkëmbyer me greqisht-folës orthodoksë, qoftë edhe largimit të rreth 30.000 shqiptarëve nga Çamëria menjëherë edhe pas luftës së dytë botërore
Deri kur Greqia u fut në BE, represioni ndaj pakicave ishte shumë i madh, madje dhe i kamufluar por që edhe pranohej heshturazi nga anëtarët e BE. Laicizmi shtetëror formalisht në Greqi funksionon pasi hyri në BE, por problemet me liritë dhe të drejtat e njeriut ndaj pakicave egzistojnë dhe sot e kësaj dite.
Skandaloze është problem i të drejtave të njeriut të popullsisë shqiptare myslimane të quajtur çame, të cilët u larguan me dhunë nga territoret e tyre në Greqi, në zonën që quhet Çamëria afër lumit Kallamata apo Tziamus për shkak të bashkëpunimit me gjermanët (sipas qeverisë greke), por që sot pas 70 e ca vitesh, moslejimi i pasardhësve të tyre për të shkuar në vëndin e të parëve të tyre – duket si një krim monstruoz. Dihet se bijte e bijat, nipërit e mbesat nuk kanë asnjë lloj faji apo përgjegjësie se ç’ka ndodhur para lindjes së tyre.
Dihet gjithashtu se para luftës së dytë botërore, Greqia ka pranuar se ka minoritet shqiptar në Greqi (pa përfshirë arvanitët, të cilët i ka asimiluar por në fakt ata edhe sot e kësaj dite flasin shqip), kurse pas luftës së dytë botërore nuk ka lënë gjë pa bërë me pretekstin se Shqipëria ishte vënd komunist dhe përkrahte luftëtarët komunistë grekë, të cilët ishin strehuar dhe luftonin përreth Malit Gramoz; kështu bënë provokacione në kufijte e Shqipërisë, duke vrarë dhjetra shqiptare në 1949, por edhe duke pësuar humbje të rënda vetë.
Në mënyrë të njëanshme dhe duke e ditur fare mirë se minoritarët greke në Shqipëri jetojnë komplet të barabartë me shqiptarët dhe se janë një familje, bëjnë presione duke krijuar insinuata të habitshme sikur ata persekutohen nga shqiptarët apo nuk kanë të drejta, – gjë që është një gënjeshtër e madhe, por nuk kanë bërë asgjë për shqiptarët dhe arvanitasit që jetojnë në Greqi, apo për çamët, prindërit e të cilëve kishin madje edhe pashaportë greke të asaj kohe.
Pavarësisht dëshirës së mirë të Qeverisë së sotme greke të z. Cipras për të normalizuar marëdhëniet, normalizim i cili nuk mund të bëhet pa heqjen e Ligjit absurd dhe djallëzor të luftës të miratura para 78 vitesh, politikanët grekë duken sikur po e njohin tashmë realitetin e sotëm dhe shpresojmë që të jenë mjekuar nga sindromi obsesiv-kompulsi i Greqisë së Madhe, si dhe nga arroganca ndaj fqinjëve.
Askush në planet nuk ka Probleme siç ka krijuar probleme Greqia me të gjithë fqinjët: Shqipëri, Maqedoni, Turqi, Qipro, madje dhe Itali, dhe nuk është e vërtetë se ne kemi probleme me Greqinë, është Greqia që ka krijuar probleme dhe që bart probleme me fqinjët. Është Greqia që luan rolin e viktimës, kur është vetë fajtori për këto probleme shekullore me fqinjët, por ka gjetur një zgjedhje ‘tepër greke’, pra dinake për të dalë nga situata: gjithmone sulmon për t’u mbrojtur, dhe kërkon gjithmonë të vendosë ‘gozhdën e Nastradinit’ tek shtëpia e fqinjit për t’i kërkuar pastaj të ‘varë xhaketën’, sa herë që hapen plagët e vjetra, apo të reja.
Shpresojmë që Nacionalizmi aspak normal grek, sidomos ai i paraqitur dje në demostratën prej 150.000 vetësh në Selanik, ku kërkonin ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke u shprehur se Maqedonia është greke, tregon edhe një herë se pjesë e politikës greke nuk ka dalë nga ekstremizmi dhe mashtrimi, por vazhdon të nxisë urrejtje dhe rracizëm ndaj popujve fqinjë.
Jam i sigurtë se populli grek ka mendim komplet ndryshe nga këta politikanë të djallëzuar që ende kërkojnë ‘qiqra ne hell’, dhe kërkon ashtu si populli shqiptar fqinjësi të mirë, paqe, bashkëjetesë edhe me komunitetet e respektuara myslimane qofshin në Shqipëri, Maqedoni, Greqi. Ashtu si thotë dhe BE, e ardhmja jonë është integrimi në Europë dhe jo bartja e problemeve të vjetra.
Edhe në Shqipëri ka nacionalistë që kërkojnë Shqipëri të madhe, por shumica dërrmuese e popullit shqiptar nuk kërkon as ndryshim kufijsh dhe as luftë, populli shqiptar kërkon paqe-bashkëjetesë me popullin grek dhe reciprocitet në marëdhënie me ta.