Na çmendët me injorancë

0
508

Lis Bukuroca

Nganjëherë përpiqem të marrë me mend, sa më i lumtur do të kisha qenë, sikur të mos kisha ditur të lexojë; sikur shkronjat të më ishin dukur si shkrrabla! Do të kisha shikuar filma, do të kisha ngrënë fara kungulli, do të kisha pirë disa birra, do t’ isha qeshur, do t’ isha emocionuar dhe nuk do të kisha lexuar se çfarë pallavra tregojnë disa politikanë.

Si analfabet, sigurisht do të kisha menduar se të gjithë janë të mirë në shpirt, siç janë mirë edhe të veshur. Do t’ isha mburrur me makinat e tyre, me shoferët e tyre, me bukuroshet e tyre në rolin e këshilltareve, por edhe me dylberët e rinj këshilltarë, që pos bukurisë, nuk kanë prodhuar akoma asgjë.

Pra, unë do të kisha besuar vetëm dhe nuk do të kisha menduar, nuk do të kisha shtruar pyetje dhe as që do të kisha shkruar këtë skicë sonte në mesnatë.

Pra sikur të mos njihja germat, nuk do të kisha mundur të lexojë dhe duke mos lexuar, përsëri do të kisha menduar dhe besuar, se ata, duke pasur ato pozita, janë edhe shumë të dijshëm dhe se kanë fituar pozitat, në bazë të diturës së madhe.

Madje do të kisha menduar se nuk kanë hyrë të varfër në politikë dhe se nuk dalin kurrë të pasuruar nga ajo. Do të kisha besuar dhe do t’i kisha votuar sa herë ta kishin kërkuar votën prej meje! Përveç asaj, do t’i kisha besuar çdo premtimi të tyre dhe kur të kishin premtuar se Kosovën do ta bëjnë Zvicër, menjëherë do ta kisha festuar atë premtim me një shishe verë. Si duduk, si babaxhan, nuk do t’ i kisha besuar kurrë se ata më gënjejnë.

Nga naiviteti do t ’isha krenuar me ta dhe sigurisht do të mendoja se janë atdhetarë të mëdhenj edhe pas luftës. Sikur të mos kisha ditur të lexoj, nuk do të kisha marrë sot vesh se AKI të përndjekurit politikisht, deporton pa u dhënë mundësi për të kërkuar azil, pa i pyetur sa a mund të pësojnë ndonjë dëm për trupin, ose shëndetin, ose me dëbimin a mund të rrezikohej jeta e tyre, kur të zbritnin në vendin nga kishin ikur të trishtuar. Së paku të ishin pyetur, siç janë pyetur edhe politikanët e Kosovës në Zvicër apo Gjermani, pa u gjendur befasisht pranë shputave të Millosheviqit. Jo, nuk e kanë bërë. I kanë marrë, i kanë ngarkuar në avion dhe i kanë shkarkuar në Turqi, ku ia kanë dorëzuar autokratit, si kokën e Ali Pashës dikur.

E sikur të mos kisha ditur të lexojë, as që do të kisha kuptuar se ai kryeministër, ka diku 70 ministra e zëvendës. Megjithatë, askush nuk dinte se çfarë po ndodh në shtetin e vogël, aq të vogël, sa nëse njeriu merr hovë e turret, mund të rrëshqasë deri në Maqedoni apo të përfundojë Egje.

Sikur të mos kisha ditur të lexojë, nuk do ta kisha njohur as pashain e djeshëm, as sulltanin e sotshëm, as vasalët zvarranikë. Do të kisha fjetur më mirë, më qetë dhe më rehatshëm dhe do t’ isha zgjuar i këndellur.

Por meqenëse di të lexoj, shquaj një titull, ku thuhet se kryetari i shtetit, nuk dinte gjë për deportimin. Se kryeministri i vendit, nuk dinte asgjë. Se kryetari i kuvendit, pas zbarkimit të tyre paska marrë vesh. Merreni ju me mend tani se çfarë kanë menduar ambasadorët, kur dëgjojnë se tre përfaqësues kryesorë të vendit, nuk dinë se çfarë ndodh brenda. Natyrisht se ata kanë kuptuar se ata shfajësojnë veten për t’i ikur qortimeve të jashtme, por ata me pranimin e mosdijes, i treguan botës se Kosova nuk ka shtet, por një klan, në pronto klan.

Dhe, duke qenë i mallkuar t’u hedh edhe një vështrim shkronjave, që pasojnë njëra pas tjetrës dhe ndalen sapo të përfundohet një fjalë, marr frymë thellë dhe pyes veten i tmerruar: Kush po udhëheq vendin? A njohin ata peshën, integritetin e zyrës që ata kanë marrë si përgjegjësi?

Tri personalitete kryesor të vendit, nuk kanë idenë se çfarë po ndodh në relacion ndërkombëtar. Jo, nuk kanë, por përsërisin pa pra se kanë plotësuar kushtet për pezullim të vizave, gjersa botërisht deklarojnë, se nuk dinë se cili departament i administratës, ka shpallur pavarësinë nga shteti.

Jo nuk e din dhe nuk skuqen. Nuk skuqen dhe nuk brengosen. Pse të brengosen, ata janë pasuruar! Ata nuk dëshirojnë integrim në BE. E si ta dëshirojnë ku duhet të luftojnë korrupsionin dhe krimin? E si ta luftojnë vetveten?

Populli është në gazep me ju! Ju do të jeni nesër në gazep me popullin. Është çështje ditësh dhe javësh, ndoshta edhe ndonjë muajsh, por kungulli nuk mbetet gjithmonë mbi ujë.

Ju nuk jeni të votueshëm, por ne mjeranët që njohim gati krejt alfabetin, përsëri ju votojmë; nëse na tregoni përralla të mira, si edhe më herët. Herën tjetër mos premtoni Zvicrën, se e konsuamuam atë, na premtoni Floridën dhe ne ju votojmë përsëri!