MYSTERIES OF LITTLE PARIS, në gjuhën shqipe MISTERET E PARISIT TE VOGEL

0
506
Kristaq Turtulli - Mysteries of Little Paris

Për ju miq fragment nga romani i vlerësuar nga krijuesit e kritika, i kërkuar nga lexuesi dhe botuar me sukses para një muaji në gjuhën angleze:

KRISTAQ TURTULLI

O mik fisnik shqiptar, qenke bujar i madh!’
Dy ditë ndënjëm në Romë, vizitova Vatikanin, koloseun dhe disa kisha të vjetra. Qytetarët ishin të sjellshëm, mikpritës, por më dukej sikur fshihnin një akth dhe frikë. Rrëmuja e turmës këmishëzinj, rrëmeti e klithmat e ekzaltuara vazhdonin. Qyteti i lashtë dhe monumenti i Augustit po bëheshin gjithnjë e më tepër gri. U mërzitëm, nuk na pritej sa të largoheshin prej aty.

‘A nuk është koha të kthehemi në vendlindje,’- më tha Andrea.
‘Më ke folur shpesh për Athinën,’ -fola ultas pa vështruar nga im shoq. Doja ti thosha; dua të ri sa më gjatë, të bredh nëpër botë vetëm me ty. Heshta.

Andrea qeshi. Ai shkonte shpesh në Athinë për punë tregëtie dhe mua do më ngelej merak nëse nuk shkoja vizitoja qoftë dhe njëherë Akropolin e famshëm. Në shkollën e vashave mësova mbi Iliadën, Odisenë e Homerit të verbër. Aristotelin, tragjikët e mëdhenj; Eskilin, Sofokliun, Euripidin, kamedianin Aristofan. Andrea më vështroi buzagaz e kuptoi dëshirën time. Pa e zgjatur premë bileta dhe u nisëm për në Athinë.

Koha ishte e bukur dhe deti ishte i qetë. Anija shkiste butë mbi ujë si në mëndafsh. U mbështeta në parmakët e anijes dhe ndoqa me ëndje lojen e bukur të pulëbardhave mbi valë. Era luante me flokët e mia. Më dehu era e freskët. Mora frymë thellë, hapa krahët dhe mbylla sytë. Qafën e kisha mbështjellë me një shall të kaltër, të hollë. Befas mu bë sikur dikush ma hoqi shallin prej qafe e shkoi, fluturoi si pulëbardhë, u shty një copë herë, pastaj shkoi e ra butë mbi dallgë. Klitha. Andra qeshi. Vapori çante përpara, shalli mbeti tutje si një përshëndetje e lënë diku mbi valë. Por nuk e pashë më, e përpiu dallga ose mund të qe ndonjë sirenë Odiseu, që e rrëmbeu me nxitim dhe e lidhi rreth qafës. Më kishte përfshirë ëndërrimi.

Kristaq Turtulli - Misteret e Parisit të vogël

Por enstutiazmi im u fashit sakaq kur pashë Akropolin e rrënuar, të ngurtë, të ftohtë, të hirtë, të trishtuar. Ndryshe nga qytetet evropiane, Venecia, Vjena, Verona, pse jo dhe Roma, etj.

Po afronte mesdita dhe menduam të ktheheshin në ndonjë restorant të hanim drekë. Dielli shkëlqente. Andrea më udhëhoqi në një rrugë interesante me shtëpi të bardha dy katëshe, karakteristike si qyteti im, dyqane, restorante me tavolina e stola portative anës tortuareve. Dëgjuam që dikush po thërriste me zë të lartë emrin e burrit:

‘Zoti Andrea Gozhdaxhi! Zoti Andrea Gozhdaxhi!
Mbajtëm këmbët. Drejt nesh po vinte me hap të nxituar një burrë i shëndoshë, mustaqe spic, me kokë rrumbullakët, të rruar me brisk, tulla i shndriste në diell si tas i nikeluar dhe me lejek të kaltër. Buzagaz i zgjati dorën burrit, ndërsa mua më përshëndeti me kokë.
‘Ne ju kemi pritur Zoti Andrea. Urdhëroni nga lokali im.’

‘Zoti Jorgo, s’e sheh, jam me gruan,’- i foli Andrea ftohtë:- ‘Në lokalin tuaj pranohesh po të jesh anëtar golfi dhe, aq më tepër nuk lejohen gratë.’
‘Ç’thoni zoti Andrea, ju jeni gjithnjë i mirëpritur te ne. Jemi dyfish të respektuar kur vini me një zonjë të bukur,’ foli Jorgo me të shpejtë, fshiu çaçkën e djersirë dhe shtoi me zë lajkatar:- ‘Ju tashmë jeni anëtar i lokalit tim. Drekën dhe pijet i keni gratis.’
‘Ashtu!’ -ia bëri Andrea, vështroi nga unë por nguroi të lëvizte prej vendit.
‘Zonjë, bindeni burrin të vijë te ne,’ mu drejtua Jorgo.

U skuqa në fytyrë dhe ngrita supet. Ngulmimi i tij më detyroi t’i bëja me kokë Andreas, i cili me mëdyshje më futi krahun dhe eci me përtaci drejt lokalit me tavelë të madhe shkruar me germa të artë, sa tërë hapësira e rripit të dërrasës mbi tendën e kuqe.
Jorgo vazhdoi të llomotiste:
‘…Ardhja juaj në lokal ma shtoi klientelën. Shumë nga anëtarët e lokalit janë të interesuar të njohin zotërinë tuaj.’
‘Nuk është e nevojshme,’- i tha Andrea.
‘Jo zotëri, është nder për mua,’ia bëri Jorgo dhe fshiu çaçkën e kokës.
Sa hymë në lokal pronari Jorgo me ton solemn bëri prezantimin:
‘Zotërinj, keni rastin të njiheni me pasanikun e madh nga Korça dhe zonjën e tij.’
Të pranishmit u ngritën në këmbë si me komandë dhe na përshëndetën gjithë respekt. Jorgo, pronari na udhëhoqi në tavolinën më të mirë, në krye të vendit. Lokali nga brenda ishte ndërtuar me dërrasa are të gdhendura bukur me orlamente dhe poçe balte nëpër mure nga antikiteti, lufta e Trojës; me Akil, Odise e Hektor. Stolat dhe kolltukët veshur me lëkurë ngjyrë vishnjë. Gjithë këto salltanete ja vlente të haje një drekë të shijshme. Por nuk e kuptoja përse Andrea qëndonte si mbi gjemba dhe nuk po e honepste ngjitjen e pronarit Jorgo.
Na servirën në pjata të mëdha me lule; midhje, gaforre, sallatë të freskët dhe në gota kristali verë të kuqe. Andrea i vështroi me indiferentizëm. E nxita të hante, filloi të përtypej me përtaci.
‘Çfarë s’ të pëlqen te ai njeri?’- pyeta Andrean.
‘Gjithçka. Nuk i thonë kot greko maskara,’- u grind Andrea.
E vështrova ngulët. Andrea pa me bisht të syrit nga lokali dhe foli zë mbytur:
‘Më ngjau si puna e Nastradit që futi cepin e qyrkut në gjellë dhe tha: Ha o qyrk ha, se ty ta bëjnë nderë. Nejse… Para një viti a ndoshta më shumë, u gjenda këtu në Athinë, me punë tregtie, së bashku me dy miq të mi, Stefo Ullirin dhe Vehbi Grabockën. Nuk ramë dakort me një pronar, çështje parash për ngritjen në qytet të fabrikës së kartonit. Për të cilën më vonë mendoj ta bëj kombinat letre. Gjithashtu kisha në plan të ndërtoja linjën e autobuzave Korçë – Athinë, dy herë në javë. Por dhe për këtë nuk ramë dakort. Pala tjetër nuk po sillej me ndershmëri. Unë porosita autobuzë të rinj, ndërsa ata donin të vinin në linjë autobuzë të përdorur. Nuk e firmosa kontratën. U ngrita dhe ika.
Siç ishin duke biseduar për sjelljen jo korekte të partnerëve dhe mundësinë për tu lidhur me partnenë seriozë evropianë, pa e vrarë mendjen hymë në lokalin më të parë, që ishte ky restorant. Vehbin, si shofer me përvojë, do ta vija përfaqësues të linjës së autobuzave, me një pagë të kënaqshme. Zëri bas bariton i Vehbiut ishte i lartë dhe i grindur, mbasi ishte mprehur ta kryente këtë punë. U ulëm dhe vazhduam bisedën, në pritje të kamaierit të vinte të na shërbente. Mbi lokal endej një qetësi e rëndë e besdishme, jo si restorant, por si sallë kortezie varrimi. Zërat tona ishin të larta dhe askush nuk po i afrohej tavolinës tonë. Ngrita kokën dhe pashë kamarierin barkmadh, mbështetur në banak, që na këqyrte me vëmëndje.
I bëra me shenjë kamarierit të vinte. Shikimi i tij u bë kërcënues.
‘Po ky gallof ta pendë përse s’ vjen të na sherbejë,’- u grind Vehbiu.
I bëra me shenjë përsëri dhe ai u çapit drejt tavolinës sonë me përtesë, duke nxjerë barkun e madh përpara si mburojë.
‘Na falni zotërinj, përderisa nuk vij, domethënë nuk shërbejmë,’- na tha.
‘Nuk shërbeni!’- ia bëra me habi.
‘Lëri more këto domethëniet,’ ia bëri Vehbiu;’ -Të ëmën barkderri!’
Kamarieri ngrysi vetullat, siç duket kuptonte shqip.
‘Po këta që hanë e pinë rreth e rrotull ç’janë?!’- pyeta.
‘Anëtarë të lokalit dhe të shoqatës së golfit.’
‘Ashtu!’
‘ Ç’e zgjat eja ikim,’- më foli zë ulët Stefo, -‘lokale si ky ka në qytet sa të hajë dreqi’.
‘Pse të ikim mo, apo se na çanë dërrasa maskarenjtë gjithë ditën,’ buçiti bas baritoni Vehbi: ‘Të’ ëmën e së’ ëmës. Me para do hamë, bre, s’do hamë badjava.’
Mua akoma nuk më kishte dalë inati dhe nuk do ikja me bisht në shalë siç kërkonin këta bythpambukë.
‘Do qëndrojmë. Dhe ti ule zërin, mos shaj,’- e këshillova Vehbiun, pastaj ju drejtova kamarierit: -‘Ju lutem mund të më thërrisni pronarin.’
Kamarieri u mëdysh dhe mërmëriti:
‘Pronari më tha…’
‘Shko, shko thirre,’ -ngulmova.
Pronari Jorgo erdhi duke fshirë kokën e rruar me shami. Me buzëqeshje stampë, hipokrite në fytyrë, dhe pa e zgjatur shumë tha:
‘Nuk shërbejmë, nuk shërbejmë.’
‘Përse?’
‘Jua sqaroi kamarieri. Lokali im është për klientë të zgjedhur, anëtarë golfi, shumica janë anglezë, gjermanë, Evropianë…
‘Po ne ç’jemi, druvarë,’ ngriti zërin si buri makine bas baritoni Vehbi Grabocka. Siç duket kamarieri përgjoi bisedën tonë, ngaqë ne flisnim me zë të lartë. Ai ishte arvanitas.
‘Nuk e di ç’jeni ju,’- foli i besdisur pronari Jorgo.
‘Nuk ka rëndësi, por s’ më duket e arsyeshme,’- i thashë dhe shtova me qëllim: -‘ Ju jeni pronari, apo jo?
‘Po, ju a thashë… unë jam pronari. Më falni, por nuk dua të ndodhë që pas ikjes suaj shumë nga klientët e përhershëm mos shkelin në lokal…’
‘Ashtu!’- ia bëra dhe vështrova rreth e rrotull. Klientët e veshur shik, veshëngrehur, përgjonin bisedën tonë. Na vështronin të venjtur, të ftohtë, gati armiqësorë. E dija, ata do gëzoheshin me ikjen tonë, bisht në shallë, do qeshnin, mbase do krijonin dhe anektoda. U përpoqa t’u buzëqeshja. Fytyrat e tyre u bënë akoma më të ngrira, akull. Pronari lëviste sa në një këmbë në tjetrën i paduruar dhe fshinte djersët çurgë të tullës. Stefo më mërziste me ngulmimin e tij për tu larguar. Vehbiu hungërinte. Më hipi inati. U ngrita në këmbë dhe fola me zë të lartë me anglishte të pastër:
‘Zotërinj, ky këtu që thotë se është pronari, kërkon të largohemi. Por unë si kavalier që jam, para se të ik, dua të bëj për ju një porosi për kënaqësi, si thoni…’
‘Zotëri, mos bëni shaka, ju lutem.’ Më ndërpreu i trembur, zë ulët në gjuhën greke pronari Jorgo. Nuk besonte.
‘Jo, nuk bëj shaka,’- ia ktheva greqisht.
‘Lokali im është i klasit të parë dhe çmimet janë të kripura,’më bëri presion, për të më thyer, turpëruar.
‘Hajt lëviz, mos më mërzit shumë. Ne jemi klas mbi klasë, ajkë mbi ajkë, fisnikë mbi fisnikë, o njeri! Hajt, bëje porositë siç të thashë, do paguaj në dorë, me napolona flori,’ e urdhërova atë në gjuhën greke me përbuzje dhe ngrita zërin në gjuhën angleze: ’Zotërinj, unë tregtari, fisniku, Andrea Gozhdaxhi nga Korça, Shqipëria, ju qiras juve anëtarë të ndershëm të klubit të golfit. Meqenëse siç thotë ky, kokë qethuri këtu, jeni burra të mirë, zotërinj Evropianë. Hani e pini çfarë të doni. Ju bëftë mirë!’
Në lokal nisën të lëviznin stolat e kolltukët dhe plasën të qeshurat.
‘Ju zoti Andrea Gozhdaxhi, dëshironi të porositni diçka?’- më pyti me servilizën, gati me frikë pronari Jorgo.
‘Sigurisht, më sill menynë më të mirë. Së pari, hap dhjetë shampanja ta bëj gëzuar me zotërinjtë evropianë.’- Por ama me mendje i shava vënçe.
Pas pak u shpërthyen tapat e shampanjave, plasi gazi, hareja, humori dhe barsoleta. U shkri akulli. S’ka si qyli. Rroftë qyli! Të gjithë klientëve u ishte shkërmoqur fryrja, u bënë si sfyngjerë të futur në ujë. Erdhën njëri pas tjetrit si shqerka të urta në tavolinën time dhe trokitën gotat… Ndonjë prej tyre si me shaka më tha:
‘O zot, o mik fisnik shqiptar, qenke bujar i madh!’
‘E ashtu jam, ashtu janë dhe shqiptarët, bujarë,’- u thosha. U buzëqeshja, dhe me mendje shtoja:
‘Brumbuj evropianë a, çfarë dreqin jeni, të veshur me kostum dopio pet, me lejek dhe qystek, ju shijuaka qyli hë! E di, është i ëmbël dreqi! S’thonë kot, qylin e ha dhe mbreti…
Andrea heshti.
‘Ja ç’bën paraja,’- i thashë.
‘Jo, paraja, por krenaria për veten dhe qytetin tim e bëra,’- ma ktheu Andrea dhe më puthi në buzë.

KRISTAQ TURTULLI
Miq të nderuar, ju falenderoj për interesimin dhe mundësinë e marrjes dhe leximit të librave të mi në Amazon.
Nëse jeni të interesuar të njiheni më nga afër me krijimtarinë time me librat e mi në shqip si dhe botimet në gjuhën angleze i gjejni në Amazon.com dhe Amazon.ca. RESPEKT PËR JU DHE INTERESIMIN TUAJ.