Myslimanët ma treguan rrugën për në kishë. Isha vetëm.

0
142
Kimete Berisha - Kisha e Llapushnikut

Kimete Berisha, 2 Nëntor 2016

Më pushtoi një nevojë e çmendur për t’u lutur, si uria e barkut, ajo uria që unë e mbaj mend nga lufta.
Nuk doja të lutesha në rrafsh, shpirti im lypte diçka…

Doja të hipja lart, diku ku unë mund ta dëgjoj lutjen time, por që mua s’mund të më dëgjoj kush, përveç Zotit.
S’kishte njeri i gjallë mbi këtë tokë të më bënte shoqëri.
…të gjithë ata që më duan, s’kishin kohë të luteshin me mua!

Kjo kishë është aq madhështore, sa nuk i duhet bukuria.
Doja t’i afrohem.
Doja ta shoh nga afër se çfarë e bën të duket si Urim i Vitit të Ri, të duket….si kujtim i Parajsës….si kartolinë përrallore, si mallëngjim.
Lartësia!

E bën lartësia të duket madhështore.
Rruga deri te kjo kishë, kalon nëpër mal.
Duke kaluar nëpër malin e butë, kur je vetëm, ndjen pak frikë, të duket sikur po e kalon kufirin e shpirtit, në një jetë tjetër, të cilën e ka shpëlarë ajri, guri, qetësia, heshtja, në një besim të fshehur, që e ruan mali.

Gjëja e parë që e pashë në oborrin e kishës, ishte një laps i gjelbër.
Një burrë i moshuar që e ruante kishën, e hapi dritaren e kabinës dhe me mirësjellje më dëshiroi mirëseardhje…
Më kërkoi falje pse nuk e ka çelësin e kishës, e cila ishte e mbyllur…..
Fryente erë e fortë.

Nga dera e hyrjes së kishës fluturoi një zog.
E mora për shenjë të mirë.
Nuk u luta.
Lartësia ishte vet lutja.
Çdo gjë dukej e vogël nga aty.
Papritmas ndjeva qetësi…

Në mbrëmje, e kuptova se e sotmja për të krisherët është “Dita e të vdekurve”.
Kush më thirri mua sot…
kush ma çoi sot shpirtin peshë…

P.S. Mirë që nuk e gjeta priftin, se ku me ditë çfarë do t’i kisha treguar…