MUSTAF SALI BAJRAKTARI ËSHTË PËRJETËSI

0
1604

HASAN SELIMI

Nuk di askush nga do të filloj, kur do të shkruaj diçka për një shtëpi që ne e quajmë tash sa mot derë. E me fjalën derë kuptojmë një trashëgimi të vyer në shërbim të njerëzve në nevojë ose në shërbim të atdheut. E megjithëse nuk e di se nga ia fillon duhet fillue se ka shkue shumë mot dhe ka ngel pa fjalë dera e bajraktarit të Shipshanit. Jo, se ka ngel pa fjalë që nuk ka shkruar askush apo se nuk ka fjalë për këtë derë, por nuk ka shkruar një fshatar i tij.

E ja pra, babë e djalë, Din Bajram Bajraktari e Bek Din Bajraktari trashguen derën e bajraktarit të Shipshanit. Fis i themeluem në shumë vështërsi. Gojëdhëna e kthyer në legjendë fletë dhe harton lloj-lloj tregimesh sa disa marrin edhe përmasa Fishtjane. Mundet me thanë dikush se kjo apo ajo nuk qëndron, por dihet botërisht se çdo lindje ka dhimbje dhe shumë-shumë vështërsi, por lindja është e bukur.

Flamuri si bajrak u muer në luftë me trimëri dhe vetëmohim. Aty qendresa qe e pa shemullt. Të gjithë burrat e Shipshanit e të Gashit luftuen heroikisht. Deri atëherë jetonim në një fis dhe drejtoheshim nga bajraku i Gashit.
Askush nuk e di të saktë se si u nda Shipshani, por dihet se me kërkesën e dyqind shtëpive ose timeve, siç quhej atëherë bajraku mëmë jepte të drejtën të veçoheshin në një bajrak ato shtëpi sipas rregullit të kohës (sheriatit).
Luftë dhe flamurtari vritet në përpjekje mjaft të lavdrueshme për atdhe e fe. I pari i derës së bajraktarit të sotshëm Shipshan konstaton se flamur nuk ka mes të gjallëve. Shikon dhe orientohet se flamuri është në mes të kufomave, atje në fushë-betejë.

Me një trimëri dhe atdhetari të pa shoqe vrapon drejt simbolit kombëtar dhe të fisit (njësi ushtarake). Pasi banë luftë me disa kundërshtar fiton tre me një. Merr flamurin. Kthehet tek luftëtarët e tjerë. Njofton për çka ndodhi. Në fshatin e tij Papaj vendos flamurin. Këtë e banë për të treguar se luftoi për fe dhe atdhe, por jo për të qënë parësi.

Lëvizjet e kohës thirrën në skenë derën e re për bajrakun e ri. E kjo u vendos që në tërë kthesat historike të prijë në betejat e mendjes dhe të forcës për atdhe. Pas Bek Dinit, erdhi Tahiri e më vonë Rustem e Salih Tahiri. Tahiri mori pjesë në disa lëvizje popullore që iu dëgjue fjala dhe iu muer mendimi. Ky burrë prijës pati një mbështetje të pashoqe nga djalënia dhe burrënia e Shipshanit në përgjithësi dhe në veçanti të fshatit Kasaj. Rustem Tahiri në luftën e Plavës e të Gucisë u ndesh me forcat e rregullta ushtarake Beliçko Bojoviçit. Ky gjakatar mbronte interesat e shtetit Serb. Rrustemi në krye të djalërisë së Malësisë së Gjakovës triumfoi në të drejtën dhe fitoi për momentin. Pas kësaj fitoreje ky djalë i ri i Kasaje të Shipshanit u sëmur rëndë dhe vdiq në shtëpinë e tij. Për Rrustem Tahirin ka lloj-lloj përshkrimesh lidhur me vitytet e tij që nuk krahasoheshin me asnjë moshatar të kohës.

Bajraktarët edhe pse tani nuk njiheshin sipas kushtetutës (statutit të mbretërisë) u duhej të ekzistonin si derë, bile edhe të jepnin kontributin e tyre në jetën e re të vendit. E për këtë Salih Tahiri si i shkolluar në shkollat e huaja, por me seli në Shqipëri i duhej kësaj kohe. U emërue në komunën e Becit dhe të Pejës si administrator i rëndësishëm. Konflikti për jetë a vdekje me shtetin Serb e detyroi të largohet nga atje dhe të vazhdoi punë në komunën Pukë si shef bujqësie.

Në këtë komunë i doli zani si një djalë-burrë të kohës. E donin dhe e respektonin Pukjanët. Këtu nuk kishte si mos t’i binte në sy hijeshia prej zane e Xhevahires. Kjo vinte nga Gjakova tek dajtë e saj në Kabash. Eh, Shpend Halili një burrë e derë e njohur për gjithçka që i duhet kohës.

Aty dhe vetëm aty Salih Tahiri deshti të pushoi. Me që kishte marrëdhënie me Shpendin nuk ia vonoi dhe ia tha që e donte atë vajzën që Shpendi e kishte mysafire. Qeshi Shpendi. I tregoj se vajza që ju e keni pa mbrëmë është mbesa ime. Po, o burrë është vajza e Misires. E kemi pas dhënë në Flet dhe Sadiku i shoqi i Misires vdiq. Kjo Xhevahire Sadikja lindi në ditën e të dyzetave të Sadikut. Prisnim që të lind djalë, por lindi vajzë. Tani rrinë tek axhat e vet në Gjakovë. Do ta bisedoi me miqtë dhe të tregoj.

Gjendja e pritjes për fjalë lidhun me Xhevahire Sadiken nuk shkoj gjatë për Salih Tahirin. Miqtë nga Fleti, burra me emër dhe peshë në shoqërinë e kohës e njihnin derën e bajraktarit të Shipshanit, bile ata e njihnin edhe dhëndrrin e ardhshëm. Kjo njohje Salihin e zuri në befasi. Mos u habit, i tha Shpendi. Ju shtëpia juaj keni qënë miq të derës së Kryezive. Edhe miqtë e mi janë miq shtëpie me Kryezinjtë e Gjakovës. Ty, atje të kanë parë e dëgjuar fjalën.

Martesa u ba shpejt dhe siç deshti Sali Bajraktari. Një ditë po vinte Salihi bashkë me nusen e vet nga Gjakova. Të dy hypur mbi kuaj shale. Të rinj e të bukur. Mateshin me hijeshin e eposit. Po ti takonte Fishta do t’ju thoshte erdhi Sokol Halili me të bijën e Krajlit. Kënga do vazhdonte. Ma ka ballin si rudinën në të dalë të diellit. Më ka vetull e flokë si pylli në male me borë. Qafë e shtat si zanat në dritë të vetëtimës. Syni i saj si bojlia e zezë në qershor. Ka një bel për unazë të gishtit të Sali Tahirit.

Ja kështu thoshin gratë e vjetra të fshatit tonë për atë nuse në atë ditë shtatori që po vinte nga Gjakova. Edhe pse dielli kishte pushtue tokën ai ulli i qiellit të kaltër ndriçonte.

Jeta nuk është krejt si në ëndrra. Ky çift i pa matë për kah hijeshia dhe dashuria me njëri-tjetrin nuk patën lindje që i gëzon. Lindën vajza dhe vdiqën si me qënë të shitueme. Xhevahirja si bijë e derës së mirë dha mendimin që dera e bajraktarit duhet të ketë trashëgimtar. Ti Sali, duhet të martohesh. Ndodhur në kushtet e panjohura për jetën Sali Bajraktari kërkoj dorën e një vajze të derës së Bajram Hazirit në Rrogam-Llugaj. Eh. Bajram Haziri. Një nga oxhaqet e para të Malësisë së Gjakovës. Një nga burrat ma me emër në këtë trevë. Vdiq i torturuar vetëm për fajin se ishte burrë që i dëgjohej fjala. Koha nuk donte hije. E hija e këtij burri atëherë ata i dëmtonte. Të paktën kështu u mendue në atë kohë.

Gati sapo bahej dasma e dytë e Sali Tahirit, lindi Mustaf Sali Bajraktari. Nip i Rrustem Tahirit, i Sadik Ramës së Fletit. Gjithkah i plotë për nga dhe çka i duhej një prijësi të ardhshëm. U gëzuen të gjithë në atë fshat. Mustafa lindi në duert e Kadë Januzës. Kjo nana e Rrustem e Sali Bajraktarit e ardhur nga dera më e njohur e Vuthaje të Plavës.
U rrit bashkë me Tahirin vëlla nga baba. Tahiri djalë i Fatime Rames. Kjo bijë e derës së parë në Malësi fill pas oxhakut të Mus Zenelit të Qelisë të Shipshanit.

Me Tahirin ishin gati si binjakë. Shkonin shumë mirë dhe ishin nder djemtë ma të preferuar të fshatit. Sot këta dy djemë i kujton gjithë fshati me mall dhe respekt të veçantë.

E cekem më lart se jeta nuk vjen si në përralla. Shqipëria u çlirua. Sali Bajraktari u emërue në pozicione të rëndësishme të rrethit Tropojë. Pati detyra në administratën e rrethit deri edhe shef bujqësie. Ngjarjet politike rrodhën njëra pas tjetrës. Familja e Sali Bajraktarit u detyrue nga shteti i kohës të banoi jashtë rrethit të Tropojës. Ai dhe familja e tij banuen në rrethin Fier. Atje morën gati të gjithë fëmijët kulturë të trefishtë. Mustafa, Tahiri dhe Besniku mësuan lojën intelegjente të shahut. Mustafa e donte dhe e mbante shumë afër Besnikun. Ai edhe, kur u arratis në ish-Jugosllavi deshi ta merrte Besnikun me vete. I pelqente si intelekt dhe përpiqej ta edukonte ndryshe nga koha. Këtë e bante pa ranë sy.

Vajzat e Xhevahires dhe të Fatimes u banë vajzat ma të mira, jo vetëm të fshatit, por edhe të zonës. Them të Xhevahires dhe të Fatimes se këto merreshin me edukimin e vajzave. Salihit nuk i dilte koha të merrej me vajzat edhe pse këto ishin shumë si Drita, Bedria, Makbulja, Bahria, Nexhmia, Zarifja, Vojsava, Afërdita, Fiqiretja.

Vitet po kalonin dhe emigrimi, apo internimi që do të thotë banim jashtë vendbanimit të Bajraktarve solli një nivel tjetër dijesh dhe kushtesh për të kuptuar jetën dhe realitetin shqiptar të kohës. Kjo për Mustaf Salihin ishte kushti numër një që të kërkonte lirinë dhe të drejtën e tij për të qënë i lirë. E vendosi, por nuk i bani mirë llogaritë. Ai u arratis, siç thuhej në terminologjinë juridike të kohës. Arratisja në ish-Jugosllavi i solli atij tragjedinë, jo vetëm familjare, por edhe personale. Përllogaritja ishte jo e saktë. Me serbët familja e tij ishte në hasmëri edhe private edhe kombëtare. Ndaj, atje Mustafa nuk do të gjente atë që kërkonte.

Sa e morën vesh zyrtarët Serb në Gjakovë e Pejë se kush dhe i kujt familje është, e kthyen në një kohë rekord pa proçedura të rregullta, pra me proçedura të përshpejtuera. Në Tropojë u dënua me shumë vite burgim. Akuzë e rëndë për një tetëmbëdhjetëvjeçar. Arratisje në formën e tradhtisë së atdheut. Nuk e kuptoj, ju tha Mustafa në sallë të gjykimit. E kupton ti, e kupton, ju përgjigjën ata që e gjykonin. Po unë e kuptoj, por nuk është e vërtetë që kam tradhtuar idealet familjare dhe patriotike. Unë kam kërkuar dhe kërkoj liri, jo vetëm për vete, por edhe për tërë të rinjtë që po rritën sot në atdheun tim.

Me këtë dekleratë, ai provoj akuzën ideologjike dhe u dënua me vuajtje të dënimit në Spaç të Mirditës. Atje nuk mundi të nënshtrohet vetmisë dhe kërkoj lirinë duke u arratisur nga vend-vuajtja e dënimit. Me këtë akt këtij djali-burrë ju shtue dënimi edhe njëzet vjet. Jeta në burg dhe tortura nuk mplakeshin. Nënën dhe motrat i kishte lënë në fshatin Kasaj në mjerim. I kujtohet nana që e la të sëmurë, motrat e vogla dhe tërë njerëzit e tjerë në internim. E padurueshme kjo jetë. Dita nuk plakej edhe pse studionte vazhdimisht dhe mësonte gjuhë të huaja. Nuk i kalonte dita edhe pse debatet e ndezura mes të dënuarve kalonte edhe orë, edhe netë.

Nënës së tij Xhaiesë, siç e thërrisnin tërë fëmijët i ra barra e madhe të mbajë të hapur derën e bajraktarit të Shipshanit. Kjo grua, që dikur Fishta mund të thërriste “është ndal dielli e po shikon me habi. Hana po shndrit e yllit po i jep dritë. Natë nuk ka me u ba kurrë”, tani mori trajtat e një burri. Me Makbulen e rritur tashma trembëdhjetë vjeçare i doli zot gjithçkaje që lidhej me këtë shtëpi. Nëse tani do ta përkufizojmë me një grue asaj do ti shkonte më mirë se askujt tjetër “gruaja e hekurt”. Me një sëmundje të pashërueshme, me fëmijë të vegjël dhe nofkën “armik” ajo përballoi gjithë peshën e jetës në fshat. Makbulja kujton: ne kemi respekt të pa kursyem për fshatarët tonë vëllezër. Ata nuk hoqën dorë kurrë nga ne. Na ndihmuan sa kishin mundësi dhe i lejonte koha. Ajo vazhdon me orë të tëra kujtimet dhe nominon tërë fshatarët me emër.

Bulja vazhdimisht e shoqëronte Gjaien për të pa Mustafën në Spaç e Burrel. Ajo tregon lloj-lloj ngjarjesh që janë subjekte për esse dhe tregime, bile edhe humoristike tani që koha kuptohet ndryshe. Bedria e martuar, por edhe tek burri me një nofkë për Kohën nuk hoqi dorë kurrë as ajo vet, as burri i saj nga ata njerëz të vuejtun.

Një ditë me ndrojtje Bulja po shkonte tek posta për të marrë përgjigjen e postimit të një shume parash për vllain e saj, Mustafën në burg. Ato pak para të fituera me gjak e mund që nuk ka roman t’i tregoj. Zyrtari i postës i dha një kthim përgjigjie, ku shkruhej “marrësi i parave ka vdekur”. Toka iu sollë rrotull. E pyeti zyrtarin se mos po gabon dhe se nuk jam unë marrësi i këtij telegrami. Në shtëpi dorëzoi telegramin si e pa kujdesur. Atë e lexoi Xhevahire Sadikja. Sa e lexoi u lëshue në krevatin e saj dhe u dergj deri sa ndërroj jetë. Ajo fliste dhe mallkonte edhe ardhjen në jetë të saj. Pse mësova të shkruaj dhe të lexoj thoshte ajo. Të lexoj vdekjen e tim biri paskam mbaruar internatin e Gjakovës. Kështu bisedonte edhe me vetën gati gjithë kohës atë natë.

Gjatë kësaj kohe edhe Sali Tahiri dhe fëmijët që kishte me Fatime Haziren i interrnuen në fshatin Bricë të fshatit të bashkuar Lekbibaj. Gjendja e kësaj familje u rëndue shumë. Morali i kësaj familje nuk ra kurrë. Besniku vazhdonte shkollën e mesme në Breg-Lumi Dukagjin. Shembull i edukatës dhe i vendosmërisë, bile edhe produkt i përzgjedhjes së Mustafës.

Këtu, në këtë rrëfim të pa zakontë të kësaj familje i shkon për shtat shumë vargu: “Ajo pushkë që ra mbi ty, ka ra mbarë në tanë vllazni”. Pushka që mori jetën e Sadik Ramës së Fletit dhe la Xhevahiren pa lind e përcolli tërë jetën në mjerim dhe vuajtje. Thonë se jetimi nuk gëzohet kurrë. Ja ky rrëfim e vërteton më së miri këtë thënie të hershme.
Në një terror psikologjik dhe përsekucioni, jo vetëm fizik familja e Mustaf Bajraktarit jetuen të bashkuar dhe dinjitoz. Jeta tani ka një trajtë krejt tjetër. Vlerat e secilit maten me kontributin e vet individit.

Mustaf Sali Bajraktarit i shkon për shtat postulate se nuk ka për të veçse lindje. Nga Presidenti i Republikës ka marrë dekoratën “Martir i Demokracisë”, është “Qytetar Nderi” i ish-komunës Tropojë. Tani në përjetësi emri i tij do të jetë në Tropojën e vjetër – Sheshi “Mustaf Bajraktari” vend ku ka kaluar jetën e tij deri në përfundim.

Brezat do të mburren me këtë emër cilësor të vendosur nga institucionet për kontributin e tij. Tani koha çmon vlerat.

Dërguar nga Ramiz Lushaj <[email protected]>