MUSINE KOKALARI (1917 – 1983)

0
1666
Musine Kokalari

Shkrim me rastin e përvjetorit të lindjes

E përgatiti Prof. Zymer Mehani

Musine Kokalari ka lindur në shkurt të vitit 1917 në Adana- Turqi, tre vjet më pas , familja e saj ka lëvizur në Shqipëri. Lindi dhe u rrit në një familje të kamur. Vëllezërit e saj (që të dy u ekzekutuan nga komunistët) kishin një shtëpi botuese, ku botonin Shekspirin dhe autorë tjerë me namë.

Në vitin 1938 ajo shkoi në Itali për studime, në Royal University of Rome, La Sapienza ku dhe doktoroi në letërsi ne vitin 1941. Po atë vit botoi librin e ‘Siç me thoshte nënua plakë’ , ndërsa po atë kohe është njohur dhe ‘ do të vlerësohet nga shkrimtarë më të mëdhenj italianë si Alberto Moravia, (Visar Zhiti në http://www.regione.basilicata.it). Veprimtaria e saj fillon të marrë kahje politike duke u rreshtuar në lëvizjen antifashiste dhe antikomuniste, në Itali dhe në Shqipëri, edhepse si ishte shprehur në një letër mikes, parapëlqente shkrimin dhe asesi politikën.

Si grua ajo veproi në kohë të vështira, në vend me mentalitet patriarkal, përkundër rrethanave, aspirata për progres dhe demokraci e vënë atë në lëvizje politike dhe në nisma partiake atëherë kur në vende të tjera demokratike gratë ende nuk kishin as te drejtë vote(http://www.ipu.org/wmn-e/suffrage.htm). Musineja në vitin 1943 themelon ,Partinë Social Demokrate.

‘Përkatësia e saj gjinore në gjirin e një shoqërie tërësisht maskiliste, patriarkale dhe e prapambetur, ka caktuar që në nisje vendin e saj në pjesën e përvuajtur të njerëzve, në mesin e atyre që ishin dhe do të mbeteshin për mjaft kohë pjesa më e shpërfillur e shoqërisë, pa të drejta njerëzore e qytetare. (Virion Graçi, Duke përkujtuar Musine Kokalarin
http://botimetshqip.blogspot.com/2009/12/.)

Tri vite më vone, rendi i ri komunist e burgosi dhe e shpalli ‘armike të popullit’. Në vitin 1946, pak para se të burgosej ajo kishte parashtruar një letër Forcave Aleate: ‘Kërkesë për zgjedhje te lira dhe liri te shprehjes . ‘Liria e shtypit është arma e shëndoshë për zbatimin e drejtësisë që mbron barazinë e të gjithëve përballë ligjit, ishin thirrjet e saj.

Pikërisht kjo frymë dhe dedikim i paepur për liri dhe paqe i Museines , bënë që ‘PEN Intenational’ – Komiteti Botëror i shkrimtarëve të burgosur (1960) ta kujtojë në mesin e 30 shkrimtarëve të burgosur të botes për shkak te ideve dhe bindjeve të tyre kundër regjimeve ku jetonin. (http://www.pen-international.org/campaigns/past-campaigns/because-writers-speak-their-mind/).

Në mbrojte të vet në gjyqin komunist i cili e shpalli fajtore dhe armike te populli vetëm pse mendonte ndryshe ajo ishte përgjigjur:
‘S’jam komuniste dhe ky s’mund të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem’.
E burgosur për gjashtëmbëdhjetë vjet, dhe e internuar për njëzet e dy të tëra, përfundoi në Rrëshen si punëtore krahu, jetën e rëndë e kishte plotësuar me libra.

‘Komunistët më varrosen për së gjalli‘, kishte dëshmuar më vonë ajo në dorëshkrimet e saj: ‘ kriteri për të luftuar ishte jo për qëllimin e përfitimit të disa klikave, por për demokratizimin e vendit’.
E sëmurë nga kanceri nuk ju lejua trajtimi në spital, megjithëse ajo e e kishte refuzuar: – Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin. (N. Shehu). Vdes dhe varroset ng varrmihësit në vitin 1983.

Për jetën e saj dhe ‘përfundimin e trishtë’ (Visar Zhiti, 2012) Musineja shkruan kështu:
‘Njoha kulturën demokratike, e njoha tragjedinë e përmbysjeve të mëdha revolucionare. Njoha një gjyq special…’.
Musineja është dekoruar me çmim presidencial, qeveritar dhe kuvendor në Shqipëri, si dhe nga Ambasadori i SHBA në Tiranë
(2010) dhe kujtohet në shumë vepra, në ditë të shënuara nga shumë autorë dhe veprimtarë Bota sot, edhe ne me plotë respekt po shënojmë Ditën e 25 nëntorit.

Nëse sot u është ofruar një fjongo e bardhë, zonja dhe zotëri, ndoshta do duheni ta vendoseni për ta kujtuar Musinen dhe sakrificën e saj! Duke e pranuar fjongon ju e mbani gjallë shpresën për liri dhe paqe, ndjenjë kjo e lartë e të përvuajturve. I thoni edhe sot Jo vuajtjeve të Musine Kokalarit , ‘Fluturës së paharruar shqiptare, simbolin e rezistencës, prijataren me ‘përmasë të emblemës, e para shkrimtare femër e Shqipërisë, flamurtare e pluralizmit dhe sistemit demokratike, luftëtaren për emancipime grave’ (N. Shehu 2009).
Kështu respektojmë mendjen e ndritur e cila reziston ndaj çdo lloj dhune. Vëni një ‘fjongo të bardhë’ dhe i thoni : Jo vuajtjeve të saj, e të tyre!

I thoni Jo dhunës që fshihet ndër ne, dhunës që mund ta përçmoni sikur të lehtë dhe kaluese.
(V.K.Islami, nëtor 2012)

Thënie – Musine Kokalari (viti 1946) :

‘Ka qenë gjithmonë mendimi se: për vendin mendon i madhi, për një zonë, beu ose bajraktari, dhe për një shtëpi mendon babai.
Në të vërtetë asnjëri nga këta nuk mendon, thjesht bëhet e veprohet ashtu si duan ata’.

‘Liria e shtypit është arma e shëndoshë për zbatimin e drejtësisë që mbron barazinë e të gjithëve përballë ligjit, mosgrabitjen e tokës prej të varfrit që shtrëngohet të marrë borxh’.

‘Liria e shtypit lufton ryshfetin. Në qoftë se disa herë në të shkuarën është lejuar liria e shtypit, ka pasur për qëllim të hutojë njerëzimin me anë të polemikave dhe nga ana tjetër të veprohet si u pëlqen drejtuesve’.

‘Liri mendimi është të harmonizosh të ndreqësh gabimet, të kritikosh me vend vetëm atëherë kur përballë këtyre të kesh një ide tjetër dhe ta tregosh atë. Sepse nëse e kritikon dhe të mos japësh mënyrën se si bëhet, do të thotë se vepron kundër interesave të të gjithëve e për interesin tënd personal, duke përhapur ide anarshiste’.

‘… Janë korrente shoviniste të gjitha ato që kanë për qëllim paditurinë e masës për të sunduar vetë, për fitim personal në dëm të vendit’.