MUNGESA E DEBATIT E KA RRËNUAR LDK-në

0
1142
Isa Mustafa - Kujtim Shala - Hashim Thaçi

Nga IDRIZ ZEQIRAJ

Me nismën e veprimtarëve dr. Shaqir Shala dhe Hajdar Rexhahmetaj, isniqas të zellshëm dhe të zëshëm, u organizua takimi për hapjen e debatit demokratik, brenda radhëve të LDK-së. Dr. Shala, pasi përshënbdeti të pranishmit, foli për qëllimin emancipues dhe fisnik të këtij takimi, të parit të kësaj natyre. Ai tha se për të marrë pjesë në këtë debat, është ftuar edhe kryetari Isa Mustafa dhe kushdo tjetër nga strukturat drejtuese partiake dhe veprimtarë nga LDK-ja.

E para që u ftua të marrë fjalën ishte Donikë Gërvalla. “Ndjehem e emocionuar që flas nga salla e Asamblesë komunale të Deçanit. Ne kemi debatuar në kushte pushtimi, kemi kritikuar, por, jo sharë, edhe kryetarin Rugova, sepse debati shërbente për thellimin e demokracisë, të munguar në sistemin monist. Jemi këtu për të bashkëbiseduar hapur. LDK-ja, duke qenë në një koalicion të panatyrshëm, është vënë para sfidave dhe vendimeve të vështira. Ishte Nëndega e Dobërçanit të Gjilanit, e para, që u bëri thirrje deputetëve të vet, “të mos e votonin Hashim Thaçin president në emrin tonë dhe, nëse e votoni, mos kërkoni më votën tonë”.

Kur brenda strukturës tënde nuk bën debat, e ke të vështirë të debatosh me kundërshtarët. Pa qëllim të lokalizmit krahinor, Rrafshi i Dukagjinit e ka traditë debatin, fjalën e hapur, pa fyerje e hatërmbetje. Organizatorët kanë ftuar edhe kryetarin Isa Mustafa dhe në respekt të elektoratit, do të ishte normale të ishte dikush nga strukturat e partisë”, – tha në fjalën e saj të shkurtër kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla.

Në emër të Shoqatës të historianëve të komunës të Deçanit, foli Selim Loshaj. Duke përshëndetur organizatorët dhe të pranishmit, ai vlerësoi takimin dhe qëllimin e mirë të këtij bashkëbisedimi. Ai kritikoi të gjithë ata që më fjalë fshihen prapa emrit të Ibrahim Rugovës, por, në fakt, veprojnë ndryshe.

Naser Arifi, kryetar i Nëndegës të Dobërçanit, ishte më i zëshmi në kritika për udhëheqjen e LDK-së, për votën e bashkuar me PDK-në, si parti mafioze, me afera korruptive, nepotike me “Pronto-n” e saj dhe kriminale. Është pamundësuar dhe mohuar debati, fjala e lirë në strukturat e partisë, prandaj, me të drejtë, debati ka dalë në rrugë dhe media. Nuk e kemi hallin, thjesht, ke fitorja e LDK-së, por, problemi është tek fati i Kosovës, sepse nga subjektet politike aktuale, vetëm LDK-ja di të bëjë dhe të mbajë shtet.

Agim Nikçi, kryetar i Nëndegës të LDK-së të Rrokaqiellit në Pejë, veç tjerash, tha se kryetarit të Degës nuk i intereson fare bashkëpunimi me Nëndegët, përkatësisht, anëtarësinë. Doza e pakënaqësisë është shtuar nëpër shumë Nëndegë, por duke qenë të shpërfillur nga strukturat e partisë, heshtin dhe presin, të pashpresë, ringritjen e LDK-së. Ngulfatja pengon shtimin e radhëve dhe ecjen para të LDK-së.

Nezir Jahmurati, i Nëndegës të LDK-së në Lubeniq, tha se LDK-ja ka anashkaluar vizionin e Presidenbtit Rugova. Ne kemi vepruar me sukses edhe në katrahurën e pushtimit të egër. Bashkëpunimi në mes anëtarësisë dhe strukturave të partisë ka qenë i sinqertë. Ndërkohë, tani, bërrylimi është në modë. Penetrimi në strukturat e partisë pa stazhin e nëvojshëm partiak i disa kuadrove, me veprimet e tyre të dyshimta, po e dëmtojnë seriozisht imazhin e partisë.

Me keqardhje konstatojmë, se ashtu si kudo në komunat e Kosovës, edhe në Pejë janë anashkaluar aktivistët idealistë, duke u zëvendësuar me kuadro puthadorë, që nuk kanë guximin të reagojnë ndaj vendimeve fatale për Kosovën. Qendra nuk ka komunikimin e duhur me bazën partiake. Lubeniqi numëron 72 viktima të luftës, megjithatë shefat e LDK-së kanë qenë indiferentë dhe nuk i kemi parë në rastet përkujtimore.

Nëndega jonë e ka përjetuar rëndë sjellljen sa të padrejtë, aq edhe brutale të shefave të LDK-së, për përjashtimin nga Kuvendi i 8-të zgjedhor të delegatëve të Degëve të Gjermanisë dhe të Zvicrës, – përfundoi fjalën e tij Jahmurati.

Blerim Bajraktari, nënkryetar i Nëndegës të LDK-së në Isniq, ndër të tjera, tha se i takoi një grupi të ri, që mendon me përkushtim për LDK-në dhe Kosovën. Për 20 vjet në politikë, personalisht, nuk kam marrë asgjë, edhepse kam dhënë gjithçka. Qëllimi ynë është të zgjojmë vetëdijën e anëtarësisë, që subjekti ynë politik – LDK-ja, duke ndjekur rrugën rugoviane, të ngrihet në nivelin që i takon, për ta zhvilluar demokracinë brenda partisë, duke ndikuar edhe mëtej në Kosovë. Mendoj se mendimin ndryshe duhet shprehur brenda strukturave të partisë dhe jo në publik dhe media, – tha zotëri Bajraktari.

Dr. Ramadan Tahiraj, i Nëndegës të Strellcit, duke iu referuar sentencës popullore: “U ngi Kadrija me dajre”, shprehu zhgënjimin e madh të anëtarësisë dhe të elektoratit rugovian nën udhëheqjen aktuale të LDK-së. Është thyer dhe fyer keqas sedra e anëtarësisë. Është përdhosur ëndrra e madhe e demokracisë partiake. Klani brenda LDK-së e ka tepëruar me shpërfilljen ndaj anëtarësisë dhe kuadrove e veprimtarëve të dëshmuar e besnikë në frymën dhe parimet e kryetarit Ibrahim Rugova.

Brenda torishtës, vathës kanë mbetur vetëm militantët e LDK-së. Në vend që t`i afrojmë dhe aktivizojmë sërishmi edhe ata që zhgënjimi i pasivizoi, dikush është i interesuar, me provokimet e batakçillëqet në vijimësi, t`i nxjerrë nga torishta edhe ata, idealistët e ngujuar rugovistë. SHIK-un e kemi brenda, po rrezikojmë edhe sigurimin e kuotës limituese, per të qenë parti parlamentare.

Dr. Milazim Zeqiraj, ish-delegat i LDK-së në vitet 90-a, tani aktivist në Mërgatë, foli për epokën e artë, kur LDK-së i printe gjeniu Rugovë. Parimi dhe përgjegjësia, kanë qenë elementet bazë të demokracisë. Debati nuk ka qenë pronë e vetëm ditës javore – të premtës, në shtëpizën e krijuesëve të Kosovës, në Prishtinë, por është debatuar në çdo aktiv, nëndegë dhe degë të Kosovës dhe të Diasporës shqiptare. Inisjativa për kthimin e demokracisë të brendshme partiake, nuk drejtohet kundër askujt, madje as kundër Isa Mustafës me shokë, sepse rugovizmin askush nuk e mohon. Apeli ynë është që me zhvillimin e debatit demokratik, ta ringrisim LDK-në, duke i përfituar dhe aktivizuar të pasivizuarit, si pjesë integrale të partisë të Dr. Rugovës.

Demë Çettaj, veprimtar i Mërgatës, deri në Kryesinë e Degës të LDK-së në Gjermani, tani i pensionuar, por, jo i pasivizuar në parti, pos tjerash, tha se 20 vjet kam punuar pa hile dhe pa kompensim për këtë parti. Nuk jam kursyer as me kohë dhe as me xhep, për ta ndihmuar Kosovën. Edhepse larg, me mendje dhe zemër kemi qenë në Kosovë. Krenohemi që edhe Mërgata iu përgjigj thirrjes të Rugovës dhe të Atdheut, materiaslisht dhe fizikisht, në luftën për çlirim dhe liri. Atë që ne e bëmë dje, nuk po e bëjnë sot për shtetin e Kosovës disa që koxha fort e rrahin gjoksin.

Hajdar Rexhahmetaj, bashkorganizator i këtij debati demokratik, anëtar i Kryesisë të Nëndegës në Isniq, tha se jemi të pakënaqur për rrjedhat politike dhe ekonomike në Kosovën e sotme. Duke humbur individin, po e humbasim edhe shoqërinë. Koherenca, durimi, fjala, vota është besë, orientimi përendimor është vlerë. Largimi nga norma bazë e demokracisë, siç është votimi i fshehtë, ka degraduar fort LDK-në, duke e njëjtësuar me partitë e ekstremit të majtë të Kosovës. Dhe, e gjithë kjo është bërë qëllimshëm, për ta ruajtur monopolin personal politik mbi partinë. Thjesht, duke iu frikësuar përballjes, votës denokratike, kanë zgjedhur metodën moniste, komuniste, – tha në fund të fjalës së tij zotëri Hajdar Rexhahmetaj.

Hasan Jasiqi, përfaqësues i fshatit Jasiq, tha se politika m`u ka imponuar dhe unë kam ndihmuar, për aq sa kam ditur dhe sa kam mundur. Për këtë krenohem dhe jam gjithmonë i gatshëm për të ndihmuar në proceset demokratike në Kosovën tonë.

Isuf Çettaj, luftëtar rinor i Kosharës, tani, anëtar i Kryesisë të Nëndegës të LDK-së në Bavari dhe anëtar i Kryesisë të Degës të LDK-së në Gjermani, në fjalën e tij u mundua ta nxjerrë debatin nga pesimizmi, duke dhënë tone optimiste. Nuk kemi nevojë pë vajtim e pesimizëm. Ai përmendi me emra kryetarët e komunave, ku LDK-ja ka fituar zgjedhjet, duke denoncuar haraçin e pushtetarëve të partive tjera. Ne jemi ata që vendosim me votën tonë se ke do të zgjedhim. Të mos e tepërojmë me kritika. Demokracia ka vend për të gjithë, tha, ndër të tjera kuadri i LDK-së të Mërgatës, Isuf Çettaj.

Zeqir Shala, profesor i matematikës në Zvicër, në fjalën e tij, iu referuar filozofisë. Ai tha se Galileu është themelues i idesë shkencore, ndërsa Gagileu i popullit shqiptar është Ibrahim Rugova. Atë që e bëri Rugova, për LDK-në dhe Kosovën, po e zhbëjnë sot shefat e partisë dhe shtetarët e pushtetarët e Kosovës. Asgjë nuk është rastësi. SHIK-u i kudondodhur vepron, realizon planet e tij të errëta.

Ne po i marrim me të mirë, që të kujton apoteozën e misrit. Politikë bëhet kur baza reagon. Disa partinë e shohin si trampolinë, për t`u hedhur në karrierë. Ata që udhëheqin keq, nuk duhet toleruar gjatë. Zvicra ka një ligj: Qenin, i cili han një herë, e vënë në gjumë për jetë, sepse mund të përsëritë kafshimin. Nëse njerëzit nuk reagojnë ndaj së keqes, pushtetarët mendojnë se e kanë mirë dhe vazhdojnë me prapësitë e tyre, – tha, në fund, zotëri Zeqir Shala.

Demë Hasanramaj, jam nga aktivistët e parë të LDK-së, dikur mjaft i suksesshëm. Por, tani, kam dështuar tërësisht, sepse lufta për karrike brenda llojit, degradoi partinë me nam të Ibrahim Rugovës. Familjet e mëdha, familjet nacionaliste e fisnike, tek të cilat mbështetej fort Presidenti Rugova, tashmë, luftohen jo vetëm nga e majta armike e deklaruar, por edhe nga e djathta e çoroditur. Virusi i së keqes e bren çdo ditë e më shumë LDK-në tonë.

Nazim Huruglica, nga Kryesia e Nëndegës të Dobërçanit, ishte më i drejtëpërdrejtë nga të gjithë parafolësit. Ne jemi këtu me qëllimin e mirë për ta forcuar LDK-në. Edhepse shefat tonë e dinë këtë, ata dizinformojnë, qëllimshëm, anëtarësinë dhe opinionin. Ne denoncojmë rrethin vicioz brenda Kryesisë Qendrore, për përjashtimet dhe linçimet e veprimtarëve të devotshëm të LDK-së. Ne jemi kundër ngulfatjes të partisë dhe duam frymëmarrje demokratike, për ta bërë LDK-në partinë e parë, si në epokën e Ibrahim Rugovës.

Si vrasësi, si përkrahësi, të dy janë pjesë e krimit. LDK-ja nuk arriti ta përballojë presionin brenda koalicionit me PDK-në, andaj u dorëzua pa kushte. Megjithatë, ngritja e LDK-së është kërkesë, jo vetëm e anëtarësisë të saj, por edhe e popullit të Kosovës, sepse vetëm ajo është “parti e besës dhe e shpresës”, – siç shprehej Presidenti Historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Së fundi, foli, sërishmi, Donikë Gërvalla. E shoh se ka shumë për të biseduar. Dikush me fjalë katundi dhe dikush me fjalor Universiteti. Nuk mjafton që hallet të qahen vetëm familje. Këndvështrimi i gjërave ndryshon nga ju, vendorët, me ne mërgimtarët. Jam kthyer në Kosovë pas 19 vjetësh mërgimi. Ka përenduar koha e frikës dhe e terrorit.

Ne jemi parti-shtetformuese. Pa LDK-në nuk ka as demokraci. Politikani në Gjermani, ku unë punoj dhe jetoj, është i përgjegjshëm, është në shenjestër të kritikave. Ai është i detyruar të japë llogari partisë që i takon dhe popullit. Kush e nxjerr vetën në publik, nuk ka të drejtë të kërkojë nga qytetari të plotësojë nevojat personale të tij.

Në Kosovë kurrë nuk ka pasur demokraci, prandaj mungon tradita demokratike, por, jo edhe edukata demokratike. Debatet, reformat bëhen para sfidave, para zgjedhjeve. Zgjedhjet duhet të na gjejnë të bashkuar, prandaj edhe debatojmë tani. Unë do të jem këtu në fushatën parazgjedhore, pavarësisht se kush do të jetë në krye të LDK-së.

Kritika ndaj vendimeve të dëmshme dhe jo parimore, duhet të jetë e hapur. Anëtarësia, populli duhet të informohen drejtë. Nëse LDK-ja humb fokusin, reagimi kundërshtues duhet të jetë i hapur, për ta nxjerrë nga ngulfatja, nga bataku.

Ne, mërgimtarët, jemi pjesë e Kosovës. Mos keni frikë nga ne, nuk ua marrim punën. Shqiptarët punojnë me ndershmëri kudo në botë. Ne bisedojmë hapur e pafrikë, sepse shohim si jetojnë popujt e lirë, në demokraci. Takimet e tilla të bëhen shprehi. Secili të gjykojë drejtë. Duhet lejuar debati në strukturë, përndryshe del në rrugë, në media, në publik. Debati, fjala e hapur është parim i demokracisë. Në të kundërtën, diktatura kërkon hapësirë, – përmbylli fjalën e saj përmbajtësore dhe konstruktive, kryetarja e Degës të LDK-së në Gjermani, Donikë Gërvalla.

Deklarimi publik i Donikë Gërvallës se nëse deputetët e LDK-së e votojnë Demarkacionin pa transparencën e duhur, unë largohem nga LDK-ja, sepse nuk shkel mbi gjakun e gjyshit me vëllazëri, të cilët janë flijuar pikërisht për atë tokë, që tani humbet në paqe. Nuk dua ta mbaj damkën dhe turpin e tradhtisë.

Vërtet, anëtarësia e LDK-së është palë me Donikë Gërvallën në kundërshti të vijës kufitare aktuale me Malin e Zi, por nuk aprovon largimin e saj nga LDK-ja për këtë rast, sepse nuk është pjesë e strukturës vendimmarrëse të LDK-së, rrjedhimisht, nuk ka bërë listën e kandidatëve për deputetë. Ndërkohë, pjesë e përgjegjësisë morale është edhe anëtarësia e LDK-së. Anëtarësia, miq, bashkëmendimtarë dhe bashkëpunëtorët apelojnë, madje zëshëm, që Donikë Gërvalla me shokë, ta vazhdojë betejën e nisur për reformimin e LDK-së, duke ngulmuar që të mos bëhen lëshimme të tjera në favor të Serbisë.

Nënshkrimi i peticionit kundër Demarkacionit aktual dhe kundërshtia e Donikë Gërvallës në vijimësi, janë të mjaftueshme që apo të mos jetë e turpëruar, as sot dhe as mot, për gabimet dhe fajet që bëjnë shefat aktual.

Arsyen pse nuk duhet ta braktisin LDK-në, Donikë Gërvalla dhe veprimtarët tjerë të dëshmuar të LDK-së, të anashkaluar dhe të anatemuar nga krerët e partisë, po e ilustrojmë me shembullin që tregoi në këtë debat veterani Demë Çettaj: “Ka pasur raste kur jam provokuar nga të tjerët dhe kam lëshuar mbledhjen duke thënë se nuk jam ma në LDK-e!

Por, e shihja se disa po i gëzoheshin largimi tim. Kur gëzohen disa nga partia ime, po sa gëzohen kundërshtarët jashtë partisë time?! Dhe, pendohesha për vendimin e nxituar, kthehesha në mbledhje dhe u thoja se kështu doni ju këtu dhe armiqtë tjerë të LDK-së. Por, unë do të jem këtu për inatin tuaj dhe të kundërshtarëve të LDK-së. Dhe, ky shembull tejet adekuat edhe për rastin e Donikë Gërvallës, u pëlqye dhe u duartrokit nga të pranishmit.