Publikuar: 20.08.2016
Një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore dhe shkencore të Kosovës, ka disa ditë që ka nisur edicionin e tij të 35-të. Ky është Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Në kuadër të këtij seminari po shpalosen studime shkencore të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare. Një studim i tillë u shpalos në pasditen e së premtes në Fakultetin e Filologjisë, nga profesori Mujë Buçpapaj, i cili para pjesëmarrësve foli për temën “Poetët kosovarë të botuar në Tiranë dhe ndikimi i tyre për modernizmin e poezisë së brezit të viteve ’70 në Shqipëri”.
Drejtues të referimeve që u prezantuan në këtë pasdite ishin, Shkumbin Munishi dhe Vebi Bexheti, të cilët njëherit edhe e përgëzuan Mujë Buçpapaj për trajtimin e kësaj teme të cilën e quajtën të veçantë.
Studimi i profesorit Mujë Buçpapaj, ku flitej për poetët në fjalë synonte të hidhte dritë mbi njërin prej fenomeneve më pak të studiuara të poezisë shqipe të kësaj periudhe, edhe pse e pranuar nga vetë krijuesit e kohës dhe kritika.
“Krijimtaria e këtij brezi, i cili shkroi një poezi “ndryshe”, apo të konsideruar si “hermetike”, apo “dekadente” nga kritika e kohës, i dedikohet edhe inspirimit nga poezia metaforike që sido e botuar pas filtrave të imët ngjante si një poezi e tjetër lloji dhe pati ndikimet e veta në krijimtarinë e këtij brezi poetësh në Tiranë dhe si e tillë do të pritej me rezerva nga kritika e kohës”, tha ndër të tjera në fjalën e tij Buçpapaj.
Po sipas Buçpapajt, tema përpiqet të hedhë dritë nëpërmjet një analize formaliste, stilistike dhe krahasuese. Xhevahir Spahiu, Frederik Reshpja, Moikom Zeqo, Anton Papleka, Fasli Haliti e të tjerë, janë autorët të cilët në mënyrë individuale dhe bashkërisht u përpoqën të thyenin, nga brenda, rregullat e ngurta të realizmit socialist, duke iu kundërvënë heshturazi pompozitetit, retorikës dhe tribunalitetit revolucionar.
Tema jepte një panoramë të shkurtër të zhvillimit të poezisë shqipe në Kosovë kryesisht në vitet 1960-1970, ndërsa analizonte gjerësisht autorët kryesorë të cilët u botuan në Shqipëri si Azem Shkreli, Ali Podrimja, Rrahman Dedja, Din Mehmeti, Enver Gjergjeku, Eqrem Basha, Sabri Hamiti, Agim Vinca, Edi Shukriu, Esad Mekuli e të tjerë.
“Në veçanti shqyrtohet fenomeni i modernizmit në poezinë e këtij brezi në Kosovë, ndërsa përpiqet të argumentojë se pse ndikimi i poezisë kosovare të kohës është më i madh tek ky brez poetësh që botonin në Tiranë”, shtoi tutje Buçpapaj.
Tema gjithashtu studionte faktorët letrarë dhe jashtëletrarë që ndikuan në poezinë shqipe të brezit të viteve 70-të. Mujë Buçpapaj tha gjithashtu se pranohet nga e gjithë kritika dhe studiuesit se poetët shqiptarë të Kosovës patën më shumë kontakte me botën kulturore në krahasim me shkrimtarët shqiptarë të Shqipërisë.
Ai përfundoi duke thënë se poezia kosovare e viteve ’70 është një poezi që ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm në poezinë shqipe, përdorimi i simbolit, strukturës dhe figuracioni ishtë një ndikim që ka pasur jehonë dhe vazhdon ende sot e kësaj dite. / KultPlus.com