M’ruej Zot prej synit t’keq t’shqiptarve

0
169
Çun Lajçi

Çun Lajçi

Besoj se dikujt duhet me i besua, sa do që i besueshëm s’mbeti kurkush, pos tokës që s’flet.

Thashë tokës, se deshta me kursye Zotin n’qiell, që ban seri me krijesat e veta, e sidomos me shqiptarët!

Shyqyr që Pejgamberët s’kanë qenë kosovarë, se n’qafë marrë e kishin perendinë tue rrejtë, tue mashtrua, tue vjedhë, tue shti për njeni tjetrin, sa kurrë gjaqet s’kishin pushua!

Që njizet vjet shkruejnë e flasin për njeni tjetrin, se kush-kushin e vrau, kush-kushit ia bleu tokën, e mashtroi e vjedhi e sakatoj, ia grabiti çikën, mo Zot gruen!Kush-kushin e spiunoi të serbi e kush-kushit ia ladroi nanën me ka krejt!

Për Batonin kurrë shkrimet s’pushojnë, bile edhe sot njeni po shkruejka se ai asht spiun, udbash, Stanishiq, Vuçiq…!

E kur t’ia kqyrish shokët këtij djalit t’Fazlisë, krejt janë patriota, komandanta, kryetarë partishë, e ma i besueshmi ndër ta Hashimi e Rama!

Krejt i thojshin spiun, veç krejt i shkojshin n’KLAN, kur e kishte njifar enisioni, bile u kënaqëshin tue i thanë: Baton, ti e din qysh janë punët… medemek, ti je i informuem, i dishëm, diplomat! Veç që s’i thojshin o t’lumtë na që t’kemi!

Unë sot budallakisht pyeta: A mos m’kanë mallkua vllaznit që s’po shnoshna nga Covidi19 tash e tre muej ditë? A po, mos jam spiun, pse lujta n’filmat e tyne, që m’lanë t’harruem?

Por shpejt mu kujtua Bekimi, Faruku, Enveri, Abdurrahmani, Xhevati, Istrefi e thashë: Filmi s’mund t’jetë tradhëti, edhe pse shumëkush u mëshef mbas artit!

Kur Batoni duel n’Shqipni, (tue lanë borë këndej e tue gjetë dimën andej), këta patriotët nisën me i zbulua do spiuna t’ri.

Po, Albinin e kanë gjetë, po i thonë ti je tue punua për Serbinë! Je i rrezikshëm, se Koshtunica me qëllim t’ka lirua për me ba llugë Kosovën e me i spiunua komandantat! Bile po del se agjentura serbe e paska çua edhe të Demaçi n’Shtabin e UÇK-së, e tash s’po i besojnë as komandat Remit, që po thotë: Kurti ishte ushtar i imi! Asht dro edhe Remi me dalë spiun si Albini!

Veç këtu e kanë mirë, se ushtarë pa armë e uniformë, kam pa veç ne hotel Rogner n’vitin ‘99!

Por unë dua me i besua dikujt e me shkua mbas dikujt, për me mujtë me i besua vetvetës e me dashtë atdheun, se nëse vazhdojmë me inatet tona, edhe tokës që e lavrojmë, e shalojmë, e pëshurrim çdo ditë, nesër kemi me i thanë ti je me UDB-në serbe!

M’ruej Zot prej synit t’keq t’shqiptarve!

Dardani, 30.05.2021