Përgatitur nga Prof. Zymer Mehani
Në shkrimet tona të përditshme mund të gjesh me qindra shembuj në të cilët zakonisht mbiemri nuk përshtatet me emrin, kryesisht në numër, por më rrallë edhe në gjini. Këto dy gjymtyrë në njësitë kumtuese – sintaksore përbëjnë një grup të togfjalëshave emërorë.
Po i sjellim këtu disa shembuj në të cilët mbiemri është përdorur në numrin njëjës, kurse emri në numrin shumës dhe anasjelltas.
P. sh.: Arsimi është uid dhe në çdo moment ai kërkon ndryshim, andaj punëtorët arsimor duhet të jetojnë me reforma; Për dallim nga trajnerët, lojtarët fundor të të dy skuadrave… tregon se këta faktorë politik nuk kanë përgjegjësi politike të mjaftuar as ndaj elektoratit shqiptarë të cilët… ; Do tu dedikohet edhe shfrytëzuesve shtëpiak, por edhe administratorëve të rrjeteve, … ; Ja shtatë divorcet më të shtrenjtë në botë; etj.
Në të gjitha këto raste kemi mospërshtatje trajtash, ngase në tre togfjalëshat e parë punëtorët arsimor, lojtarët fundor dhe faktorë politik gjymtyra mbiemërore e tyre, duket sikur të jetë në numrin njëjës, por realiteti është krejt tjetër. Dilema këtu nuk ka në është fjala për numrin njëjës a shumës. Këta togfjalësha janë në numrin shumës dhe këtë shumë qartë e dëshmon gjymtyra përfaqësuese emërore e togfjalëshave të lartpërmendur, por edhe vetë konteksti i përgjithshëm i këtyre njësive sintaksore ligjërimore.
Por, gabimi është thjesht i natyrës drejtshkrimore, ngase artikullshkruesit nuk e kanë ditur se kur një trajtë emërore është në numrin shumës, duhet ta marrë një përcaktor në formë mbiemri apo ndonjë trajtë tjetër çfarëdo, po ashtu, në numrin shumës. Dhe kjo trajtë e shumësit është paraparë të shënohet me prapashtesën – ë të shumësit të gjinisë mashkullore. Pra, është dashur që të shënohen drejt: punëtorët arsimorë, lojtarët fundorë, faktorë politikë, ndërsa në numrin njëjës:
punëtori arsimor, lojtari fundor, faktori politik. Kjo është përkuzuar shumë qartë, sipas një rregulle drejtshkrimore dhe këtu ska dilema. Mund të ketë ndonjë përjashtim të vogël nga kjo rregull, si për shembull togfjalëshat e tipit: njerëzit punonjës/ punues, studiues shqiptarë, në të cilët mbiemrat punonjës / punues, studiues nuk duhet të marrë prapashtesën – ë për të shënuar shumësin. Ja një shembull: Kompjuter për nxënësit malishevas, (Titull gazete), në të cilin shihet se mbiemri malishevas, ndonëse e përcakton emrin nxënësit në numrin shumës, vetë nuk merr ndonjë prapashtesë fjalëformuese me të cilën do të shënohej shumësi.
Një rast tjetër është kur një kategori e emrave të gjinisë mashkullore në njëjës, si p. sh. ata të tipit: mësim – i, kanal – i, plan – i, hidrocentral – i etj., në numrin shumës e ndërrojnë gjininë, pra në atë femërore. Por çfarë ndodh ?
Artikullshkruesit nuk e marrin për bazë këtë veçori gjuhësore e drejtshkrimore dhe, kur i përdorin në ligjërimin e tyre të shkruar, trajtat mbiemërore paraqiten në gjininë mashkullore shumës, ndonëse emri është tashmë një emër i gjinisë femërore shumës, si në
shembujt: … , dhe zhduk të tjerë personazhe të rëndësishëm që ishin në këtë ditë të madhe; Kongresi i Manastirit tuboi personalitetet më të ditur; Tenderat e parë për hidrocentralet vendorë etj., në vend që të shkruheshin drejt: personazhe të rëndësishme, hidrocentralet vendore, personalitetet më të ditura.
Të papërshtatur dalin shpeshherë edhe numërorët tre / tri me vlerë të përcaktorëve, si p. sh.: Dhe janë tre romane të Kongolit, të përkthyer dhe botuar më parë në frëngjisht; Kosova nënë sot i ka më afër tre lulet e saj; etj.
Edhe në këta dy shembuj numërori tre është përdorur gabimisht, sepse është i gjinisë mashkullore, kurse emrat romane dhe lule janë të gjinisë femërore. Pra kemi një mospërputhje gjinie.
Sepse sikundër dihet në gjuhën tonë kemi një grup emrash të cilët në numrin njëjës i takojnë gjinisë mashkullore, por në numrin shumës i takojnë gjinisë femërore p. sh. emrat e tipit:
kanal, – i/ kanale; plan, – i/ plane, mal, – i/ male, qytet, – i/ qytete etj. Pra, ne themi: tri kanale të thella dhe jo tre kanale të thella; tri qytete të mëdha dhe jo tre qytete të mëdha; tri male të larta dhe jo tre male të lartë etj. Prandaj, duke u bazuar në këtë rregull del se edhe shembujt e lartshënuar është dashur të shkruheshin drejt kështu: tri romane të Kongolit, të përkthyera dhe të botuara më parë; Kosova nënë sot i ka më afër tri lulet e saj. Në fund do shtuar se mospërdorimin e drejtë të numërorëve tre/ tri më shumë e kemi vënë re në ligjërimin e shkruar e të folur në Shqipëri, sesa në Kosovë.
Mospershtatja me e madhe e emrit dhe mbiemrit eshte kur e ke emrin ose mbiemrin keshtu:
Agron Hyseni, Ilir Hajrullahu, Adnan Krasniqi, Dardan Gllavurda, Vegim Gllavica… Muhamed Gashi, Enver Berisha…
ka edhe ma zi kur edhe emrin edhe mbiemrin e ki ne gjuhe te huaj…
Komentet janë mbyllur.