Nga Sandër Lleshi
A ka vend që një gjeneral të flasë për Kadarenë? Unë mendoj se po. Dhe kjo është arsyeja që e kam pranuar ftesën e organizatorëve për të ardhur në Köln këto ditë tipike shqiptare. Në të vërtetë përveç Kadaresë në Köln kam ardhur edhe për hir të miqve që më kanë ftuar, për hir të vetë këtij qyteti të bukur me një katedrale mahnitëse. Në Köln kam ardhur edhe për të rifreskuar kujtimet pas qëndrimit tim të parë në këtë qytet në vitin 1995.
E tash po kthehem tek tema. Kadareja ka një vepër shumë të madhe, e cila ka prekur pothuajse çdo skaj e çdo gjuhë të këtij planeti. Prej kohësh përmasa e veprës së tij e ka tejkaluar të voglën Shqipëri, duke u bërë një vepër botërore. Kadareja ka shkruar shumë, jashtëzakonisht shumë. Ai ka shkruar, por edhe për të është shkruar. Madje nganjëherë kam përshtypjen se po të krahasohej ajo që Kadare ka shkruar për botën dhe ajo që bota ka shkruar për Kadarenë bota do ta fitonte këtë matje. Të paktën në sasi. Për Kadarenë kanë shkruar pothuajse të gjithë. Kanë shkruar kritikët e të gjitha shkollave dhe orientimeve, kanë shkruar shkrimtarë, lexues, diktatorë, politikanë, gazetarë, fëmijë, hetues, spiunë, denoncues të të gjitha niveleve, analfabetë e magjistarë. Kjo listë mund të vijohej shumë më tej.
Por në dijeninë time me Kadarenë nuk janë marrë shumë gjeneralët. Madje as pashallarët, ndonëse vetë Kadare është marrë shumë me ta. E unë sot dua të flas pak gjëra, si gjeneral, për Kadarenë. Me këtë pozicionim po e fus veten në minorancën e atyre që janë marrë me Kadarenë. Dhe rreshtimi në minorancë i ka me vete të gjitha rrisqet e mundshme.
Libri i fundit që kam lexuar nga Kadare është romani i tij “Rrethimi”, që shumë kush e njeh edhe si “Kështjella”, ndonëse vepra, në të vërtetë nga Kadare, është pagëzuar si “Rrethimi”. Me gjithë se romanin e kisha lexuar, më shumë së një herë, krijova përshtypjen se po lexoja diçka krejt të re nga Kadare. E pra as kujtesa ime nuk është lodhur deri në atë farë shkalle dhe as romani vetë nuk është ndryshuar rrënjësisht në botimin e tij të fundit.
Ajo që ndodhi ishte pikërisht ajo që ndodh me artin e madh. Çdo lexues ka mundësi ta krijojë përftime të ndryshme, çdokush sheh, lexon dhe kupton një version të tijin. Për më tepër në rastin e artit të madh, unë mendoj se çdo lexues është pjesë e veprës. Vetë vepra e Kadaresë e nënkupton edhe rolin e lexuesit si pjesë e saj. Për ta thënë ndryshe: unë mendoj se nuk ekziston thjesht një version i veprës, por ekzistojnë aq versione sa dhe lexues ka ajo. Madje shumë më tepër. Numri i lexuesve duhet shumëzuar me numrin e leximeve për të nxjerrë numrin e vërtetë të versioneve për një vepër të caktuar të Kadaresë. Po të mos ishte kështu ajo do të ishte letërsi normale, letërsi konsumi. Einwegprodukt.
Si njëri nga lexuesit e fundit dëshiroj të ndaj sot me ju përshtypjen time nga “Rrethimi” i Kadaresë.
Gjatë leximit të “Rrethimit” para disa javësh nuk më shkoi mendja tek as te Kruja, as tek Gjergji e as tek Skënderbeu. “Rrethimi” duket se nuk është një vepër me motiv historik por universal në kuptimin kohor. Ajo nuk flet për rrethimin e parë të Krujës, as të dytin, as të tretin e as të tridhjetë e tretin. Në leximin e fundit ajo flet për një rrethim të ri të Krujës, një rrethim të sotëm, ku Tursuni, astrologu, arkitekti, kryeveqilharxhi, kronisti, myftiu, poeti, komandantët, mund të gjenden kudo ndër ne, shqiptarët e rinj. Ndërsa Kruja, Gjergji ynë, luftëtarët arbër e të tjerët, janë shqiptarët e vjetër, të larguar në kohë, të pakuptueshëm, të mbuluar edhe më fort nga mjegulla, pothuajse krejt të padukshëm.
Nuk e di se përse Kadare nga pesëmbëdhjetë krerët e romanit “Rrethimi” vetëm për dy prej tyre nuk përdor numra. Njërin, atë që është mes kreut të gjashtë dhe të tetë, e quan kreu i mesit dhe atë që vjen pas kreut të katërmbëdhjetë, atë që mbyll librin, e quan kreu i fundit. Në pjesën që vijon unë do të ndalem shkurt vetëm tek ai kreu i veçantë, që sipas logjikës së numrave i takonte të ishte i shtati, por në fakt quhet i mesit, duke i hequr kështu edhe vetë shtatës të drejtën e përfaqësimit në roman.
Është një dialog tronditës mes kronikanit turk Mevla Çelebiut, të sapokthyer nga një ekspeditë ndëshkimore osmane në viset arbërorë, me kryeveqiharxhin e ushtrisë. Një kronikan i dërmuar nga ekspedita, i lodhur e i tronditur dhe një kryeveqiharxh që në tendën e tij ofron mikut çlodhje, një banjë, lëng shege, një bisedë të frikshme dhe… shumë hallvë.
Kryeveqilharxhi përmes një monologu dramatik shpalos një program krejt tjetër nga ai programi i dukshëm, plot ushtarë, armë, gjak e tmerr me të cilin merret Tursun Pashai me ushtrinë e tij stërmadhe. Kryeveqilharxhi, ose Kurti, duket se nuk beson as tek suksesi, e madje as tek kuptimi i aksionit ushtarak kundër shqiptarëve.
Po cili është opsioni i Kurtit për të kryer punë më shqiptarët?
“Që do t’i goditim, këtë unë e di, por puna qëndron pikërisht tek goditja. Si duhet goditur dhe ku dhe, kryesorja: me ç’qëllim? Ti përmende zhdukjen e tyre. Po unë do të shtroja tri pyetje: E para a është e mundur zhdukja e një populli? E dyta, në qoftë se po me ç’mjete mund të arrihet? E treta, dhe mbaje mend mirë Çelebi, pyetjet e treta janë zakonisht ato më djallëzoret, pra pyetja e tretë është: a duhet një gjë e tillë?”
Pyetjet e mësipërme, ndonëse të inkuadruara në një rrëfim letrar, në fakt përbëjnë një ndër diskutimet më të rëndësishme edhe në fushën e mirëfilltë të strategjisë e të luftës. Para 2500 vjetësh në Kinën e lashtë, Sun Tzu në veprën e tij “Arti i Luftës”, e cila studiohet edhe sot në çdo akademi të mirë ushtarake dhe në shumë shkolla të mira të menaxhimit, në urdhëresën e tretë shkruante:
“1. Sun Tzu thotë: Të pushtosh një shtet është më mirë se sa ta asgjësosh atë; të pushtosh një ushtri është më mirë se sa ta shkatërrosh atë…
2. Të sigurosh njëqind fitore në njëqind beteja nuk është mençuria më e lartë. Më e mira është të thyesh rezistencën e armikut pa luftë.”
Sigurisht që unë nuk kam ndërmend të futem në ndonjë diskutim për artin e luftës, por ajo që më bën përshtypje është fakti se si formulohet nga një 33 vjeçar në Shqipërinë komuniste, atë moshë kishte Kadareja asokohe, në fillim të viteve 70-të një pyetje e tillë themelore. Një 33 vjeçar, një shkrimtar i cili përveç talentit të pakursyer nuk zotëronte ndonjë shkollim të posaçëm në fushën e strategjisë shtronte asokohe një ndër pyetjet më të rëndësishme strategjike dhe ofronte po ashtu një përgjigje shumë moderne.
Kurti turk i Kadaresë duket se që në shekullin e XV e kishte të qartë përgjigjen e madhe për të cilën strategët europianë asokohe sapo kishin filluar të diskutonin, dhe ende sot, në jo pak raste, i përgjigjen gabim. Kurti turk nuk e shihte fitoren përfundimtare tek shfarosja e kundërshtarit përmes luftës, apo thjesht e vetëm përmes angazhimit ushtarak. Gjatë dialogut të tij ai shprehet:
“Pra të marrim zhdukjen e një populli. A është e mundur kjo? – ai tundi kryet në shenjë mohuese. – Vështirë miku im, tepër vështirë. Me luftë, jo se jo. Me luftë kurrsesi. Madje është qesharake ta mendosh… Po mos u habit, Mevla Çelebi. Unë do të shpjegoj këtë punë. Merr hallvë.”
“Prandaj duke mos u dhënë pas ëndrrave me sy hapur, si farimi i një populli, ne duhet të kënaqemi me ngadalësimin e rritjes së tij. Me fushata ndëshkimore, me grabitje fëmijësh për jeniçerë, më rrënime të vendbanimeve ose zhvendosjen e tyre ne do të ulim gjer në njëfarë shkalle aftësinë e rritjes së ballkanasve. Megjithatë kjo nuk mjafton. Populli është si bari. Ai mbin kudo. Atëherë duhen shpikur mjete të tjera, më të holla.”
Kurti e vijon mendimin e tij më hollë kur flet për kalbjen, ose brejën e popujve.
“Veç duhet ta dish o mik, se popujt ashtu siç bymehen, ashtu edhe tkurren vetë. Nga goditja e jashtme, domethënë nga e keqja jonë, ata jo vetëm që s’pësojnë ndonjë gjë të madhe, por qëllon që forcohen. Kurse e keqja e brendshme, ajo që pjellin vetë, ajo është breja që i vë poshtë… Më kupton ç’dua të them Çelebi? – thotë Kurti, pa harruar që të shtojë më pas: “Merr hallvë.”
Këtu duket se shterron arsyetimi ose programi diabolik, të themi, tokësor i Kurtit, kryeveqilharxh në dukje, por shumë më tepër se kaq në të vërtetë. Me sa duket komponenti tokësor i këtij programi është i pamjaftueshëm për të arritur qëllimin e plotë otoman. Duket se programi ka edhe një përmasë tjetër, përpos asaj tokësores, fizikes së rrokshme për këdo. Nëse në tokë, në botën fizike, Kurti synon të arrijë gjymtimin, mpakjen shkurajimin, suksesin afatshkurtër, në qiell duket se ai kërkon të japë atë goditjen e vdekjes, tjetërsimin, zhdukjen, suksesin përfundimtar.
“Ne rropatemi këtu në tokë, bëjmë zi dhe mort, por lufta e vërtetë bëhet shpesh atje lart. Ai ngriti dorën. – Një vend s’mund ta quash të mundur pa i pushtuar qiellin…
Atje lart, pra, në qiell, atje bëhet lufta më e tmerrshme, – vazhdoi kryeveqilharxhi. – Sepse krejt si njerëzit, që i sigurojnë thesaret në vende të paarritshme, edhe popujt, atje, në qiell, i vendosin gjërat e tyre më të çmuara: hyjnitë, besimin, gjithçka të lartë e të papërbaltshme…
Ne do t’i pushtojmë një ditë kështjellat e tyre. Do t’i pushtojmë se s’bën. Por kjo s’është e gjitha. Në fund të fundit ato s’janë veçse një grumbull gurësh, që ata mund të na i marrin përsëri, ashtu siç ua morëm edhe ne. Fitimi i një luftë është tjetër gjë…”
Lufta kundër dokeve, besimit, gjuhës, krijimtarisë shpirtërore, kulturës në përgjithësi, janë ato elementë “të betejës qiellore”, përmes të cilëve Kurti turk shpreson fitoren e vërtetë dhe përfundimtare, në një kohë që rrethimi ushtarak i një kështjelle ngjan me një episod të vogël dhe anësor. Kjo është një përmasë e luftës e kapur në një mënyrë vërtet gjeniale nga Kadare, në një kohë kur edhe sot, shumë strategë politikë dhe ushtarakë nuk arrijnë ta shquajnë.
Ky parashtrim i mnershëm i një plani krejt tjetër nga ai i rrethimit ushtarak të Tursun pashait, i një rrethimi tjetër, duket se na fton për ta lexuar “Rrethimin” në një optikë krejt tjetër. Bëhet fjalë për një luftë tjetër. Bëhet fjalë për një rrethim tjetër. Jo atë të shekullit të XV por të sotëm. Ajo që duket se ndryshon sot janë rrethuesit. Në një lexim të ri romani humbet kontekstin historik. Nuk ka as kështjellë, as Krujë, as topa e ushtarë. Edhe në se janë ata duken krejt episodikë. Në njëfarë mënyrë duket se në leximin e ri romani nuk ka as turq, por vetëm shqiptarë, shqiptarë që kanë rrethuar… Shqipërinë. Duket se Kurti e ka fituar luftën e tij në tokë e në qiell, e tash rrethimi nuk vijohet më nga turqit, por nga shqiptarët. Ndërkohë që ata shqiptarët brenda kështjellës mesjetare, janë bërë mjegull.
Një nga shqiptarët e rrethuar tek vepra e Kadaresë “Rrethimi”, duke parë tmerrin e plojës thotë:
“Ne jo vetëm që s’jemi më ata që ishim, por s’do të jemi, me sa duket, kurrë.”
Sikur ta lëmë tani leximin e “Rrethimi”, të hapim sytë e të shohim realitetin shqiptar do të shohim qartësisht skenën që zhvillohet në “qiellin e Shqipërisë”, aty ku kombi ruan thesaret e tij.
Shqipëria më pranë Europës së kurrë, dhe Kosova e pavarur duket se kanë tronditur shumë raporte, kanë ngazëllyer shumë shqiptarë e të huaj, por edhe kanë alarmuar ca të tjerë, brenda dhe jashtë Shqipërisë e Kosovës.
Shifrat absolutisht të larta të përkrahjes publike ndaj integrimit euroatlantik meritojnë lexim të kujdesshëm. Vetë këto shifra përmbajnë një anomali, e cila kërkon analizë. Vlera e lartë, e deri entuziaste, e përkrahjes është vetë “anomalia e parë”. Nuk ka arsye “tokësore”, nëse do të vijojmë me metaforën e Kurtit turk të Kadaresë, që të motivojnë këtë entuziazëm. Me sa duket shpjegimi për këtë është “qiellor” po në kuptimin e Kurtit. Por përkrahja e tepruar nuk e zbeh aspak shqetësimin që buron nga refuzimi, anipse i pakët.
Në një kohë kur përkrahja është jo fort e motivuar, refuzimi është krejtësisht i qartë. Ai motivohet vetëm për arsye të epërme, “qiellore”. Kjo natyrë i jep refuzimit shqiptar një natyrë tjetër nga ajo e refuzimit, që edhe ndër kombe të tjerë, i bëhet pa kursim idesë evropiane.
Mohuesit shqiptarë i shqetëson thelbi i Europës, ndërkohë që të tjerët nuk pëlqejnë formën e saj. Sado jo profesionalë, e ndoshta pikërisht për shkak të kësaj, zërat antieuropianë ndër shqiptarë duhet të vlerësohen me kujdes. Meritojnë vëmendje edhe ata që kërkojnë të ribëjnë historinë, edhe ata që kërkojnë të tjetërsojnë Skënderbeun, edhe ata që kërkojnë të ribëjnë gjuhën edhe ata që kërkojnë të rimohojnë Nënë Terezën, edhe ata që kërkojnë të rivendosin aleanca të tjera e kështu me rradhë. Vetëm entuziazmi euforik evropian nuk është kusht i mjaftueshëm.
Në veprën e tij “Mosmarrëveshja”, Kadare shkruan:
“Shqiptarët, …, duke qenë të shquar në të gjitha llojet e gabimeve, kanë qenë të tillë veçanërisht tek brohoritjet. Jo rrallë iu ka qëlluar të mblidheshin tek sheshi më madh i vendit për të brohoritur, si ata që s’janë në vete, tiraninë, skamjen, fantazmat dhe aleatët e rremë.
Ka gjasë që kjo krusmë e përsëritur t’i ketë munduar aq fort shpirtrat e tyre, saqë e kundërta, shkulja prej saj, do të mund të kryhej përmes së njëjtës formë: brohoritjes.
Dhe kjo do të ndodhte tek i njëjti shesh, që mbante emrin e të njëjtit princ. Veç brohoritja do të ishte e re, e padëgjuar kurrë më parë, një lajm e një kumt i ri prej katër fjalësh: E duam Shqipërinë si gjithë Europa!
Ishte britma ngadhënjyese e njëherësh tragjike, e cila, ashtu si klithma e dikujt që përmendej nga agonia e gjatë, shpallte përpara vetes dhe botës ardhjen në vetë të Shqipërisë.”
Por duket se jo të gjithë u përmendën nga brohorima e 1990-ës. Unë besoj se askujt nuk duhet t’i mohohet e drejta për të qenë kundër Europës, Europës si projekt politik, kulturor apo edhe shpirtëror. Por po aq sa kanë të drejtë disa shqiptarë të sotëm që, në kushte të lirisë së sapo fituar, të largohen prej Europës, po aq të drejtë kanë shqiptarët e tjerë për të mos ndjekur ata të parët në kursin e tyre. Liria ndër shqiptarë ka krijuar mundësinë për të reflektuar ndaj të shkuarës e të ardhmes.
Ajo duket se po krijon një gjendje të re, ku shumë gjëra, që robëria i zhvendoste në një sfond të errët, tash po dalin në pah. Liria na jep edhe një mundësi të re. Të rilexojmë Kadarenë, të rilexojmë edhe “Rrethimin”, ku me siguri do të kuptojmë se një rrethim krejt i ri ndodh edhe sot. Pas shumë rrethimeve, herë reale e herë imagjinare, duket se mosmarrëveshja ndër shqiptarë është rrethimi i rradhës, rrethimi i vetvetes në kushtet e lirisë. Dalja nga kjo gjendje, marrëveshja duket se do të jetë rruga e vetme.
Po, në kushte të lirisë, Shqipëria po vjen në vete.
Sandër Lleshi
Köln, 15 qershor 2013