(Mos)marrëveshja historike!

0
452
Hoti në Uashington

Shkruan: Florim Zeqa, 05.09.2020

Pas leximit me kujdes e të gjitha pikave të marrëveshjes, me përjashtim të njohjes nga Izraeli, nuk vërejta asgjë me vlerë në këtë marrëveshje për Kosovën! Për dallim nga Kosova, Serbia përfiton në të gjitha pikat e marrëveshjes, duke filluar nga aspektet ekonomiko-politike që i sjellë “Mini-Shëngeni” apo “Mini-Jugosllavia e Re” pa Slloveninë e Kroacinë, por me Shqipërinë brenda.

Rikolonizimi në heshtje i Kosovës nga Serbia

Kolonizimi i Kosovës nga Serbia nuk është risi dhe as rastësi. Ka ndodhur në vazhdimësi dhe në periudha të caktuara historike, por kolonizimi i ditëve të sotme është më i dhimbshmi, për shkak se po ndodhë në Kosovën e pavarur.

Kolonizimi më i ri i filluar pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit tonë, vazhdoi tek “Lugina e Diellit” mes Mitrovicës dhe Zveçanit ku pritet të vendosen mijëra serbë nga Serbia është ngjarja më e dhimbshme e pasluftës në Kosovë.

Dhënja e çelësave të shtëpive për 58 familje serbe nga Serbia në shtetin tonë në ditën e të pagjeturëve, kur Kosovës i mungojnë mbi 1600 persona të zhdukur nga lufta e fundit, përveqse provokim i hapur, paraqet zbatimin e planit serb për rikolonizimin sërishëm të Kosovës.
Nuk është e rastësishme koha dhe as vendi që e ka zgjedhur Serbia. Ndërtimi i 58 shtëpive të koncentruara, në një lagje te vetme, është strategjik dhe kolonizimi i pastër etnik.

Ndërtimi i shtëpive dhe banesave kolektive për serbët, përveqse provokative, është edhe e papranueshme për shqiptarët që jetojnë në pjesën veriore.

Shqiptarët e veriut, të harruar nga shteti, të abuzur nga politikanët

Përderisa rreth 300 shtëpi të shqiptarëve në lagjet veriore të Mitrovicës ende janë gërmadha, për shkak se ndërtimi i shtëpive nuk lejohet nga Komuna Veriore e Mitrovicës, e cila udhëhiqet nga lideri i Listës Serbe, Goran Rakiq, aktualisht zv. kryeministër i Kosovës, ndërtimi i parreshtur i shtëpive për serbët paraqet provokim të hapur dhe fyerje për shqiptarët e pjesës veriore.

Përderisa serbëve u lejohet të ndërtojnë në lagjet e shqiptarëve, këtyre të fundit nuk u lejohet t’i rindërtojnë shtëpitë e tyre e nuk u lejohet as të kthehen në pronat e tyre në veri.

Mijëra shqiptarë të lagjeve veriore, të dëbuar nga veriu i Mitrovicës në vitin 2000, edhe më tutje jetojnë si refugjatë në jug të qytetit të Mitrovicës, në kushte të rënda të banimit.

Shqiptarët e pjesës veriore janë injoruar në radhë të parë nga shteti i tyre (Republika e Kosovës) dhe janë abuzuar nga të gjithë politikanët dhe partitë shqiptare për qëllime elektorale.

Pa dyshim, përgjegjës kryesor për rikolonizimin e Kosovës janë të gjitha qeveritë dhe të gjithë politikanët, të gjitha partitë dhe liderët partiak (në pushtet dhe opozitë), pavarësisht madhësisë dhe shtrirjes gjeografike.

Përgjegjësia bie mbi figurat e uniformuara politike dhe ushtarake, pa anashkaluar as veteranët e luftës që marrin pensionet si çlirimtar të vendit, kur afro 1/3 e vendit ende është e pushtuar nga serbët.

Nuk ka si të jetë ndryshe, kur 58 shtëpitë e serbëve nuk është që u ndërtuan brenda natës apo brenda javës, por afërsisht një vit që ka filluar ndërtimi i tyre, dhe asnjë politikan, parti politike apo qeveri nuk e ka kundërshtuar, e aq më pak penguar ndërtimin e tyre.

Por, sikurse për çdo gjë, edhe për shtëpitë e serbëve të ndërtuara në pronat e shqiptarëve reagimi ynë gjithnjë vjen me vonesë, vetëm pas realizimit të objektivave serbe. Reagimet e partive tona politike u ngjajnë zërave të qyqyes apo “shiut pas të vjelave” pas vendosjes së kolonëve serbë.

Fitorja historike e Serbisë në Washington

Marrëveshja e nënshkruar ekonomiko-politike mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë në Washington vërtetë është marrëveshje historike për Serbinë, e cila përveç heqjes së pikës më kulmore për njohje reciproke, e avancoj planin serbo-rus të “Mini-Shëngenit”, Serbia fitoi shtrirje të gjërë ekonomike, arriti ta pengojë anëtarësimin e mëtejmë të Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe i iku përgjegjësisë historike për të gjitha viktimat dhe dëmet e luftës të shkaktuara në Kosovë.

Normalizimi i marrëdhenjëve Kosovë-Serbi pa njohje reciproke dhe pa përgjegjësinë e dëmeve të luftës, e amniston dhe rehabiliton në plotni Serbinë armike.

Lidhjet financiare, energjetike dhe ujore, hekurudhore dhe ajrore, e bëjnë hisedare dhe e kthejnë fuqishëm Serbinë në Kosovë.

Pra, Serbia përfiton në të gjitha pikat e marrëveshjes, duke filluar nga aspektet ekonomiko-politike që i sjellë ““Mini-Shëngeni” apo “Mini-Jugosllavia e Re” pa Slloveninë e Kroacinë, por me Shqipërinë brenda.

“Mini-Shëngeni” ia pamundëson Kosovës të vendosë tarifa apo reciprocitet ndaj Serbisë, ua mundëson zyrtarëve serb të hyjnë dhe të dalin nga Kosova të papenguar dhe pa marrë leje nga askush si dhe të zhvillojnë fushatë kundër shtetit tonë.

Pas marrëveshjes kornizë në nënshkruar në Washington, jemi larguar akoma më shumë nga njohja reciproke me Serbinë. Vazhdimi i dialogut pa njohje reciproke në Bruksel do të jetë edhe më i pabarabartë dhe i vështirë për Kosovën.